Feja Islame favorizon gjithnjë ruajtjen e entitetit familjar nga rrënimi, mu për këtë arsye ka vendosur rregulla dhe shtylla, të cilat e mbajnë atë stabile dhe mundësojnë jetesën.
Në fillim të trajtimit të kësaj teme, duke folur për nushuzin e gruas, kemi theksuar se Kurani ka sjellë dy lloj alternativash për zgjidhjen e problemeve bashkëshortore, si preventiva parandaluese për divorcin, nëse është e mundur. Një: zgjidhje nga brenda prej vetë bashkëshortëve, që ishin tri preventivat e mirënjohura: këshilla me të mirë, ndarja nga shtrati apo rrahja e lehtë. Dhe dy: zgjidhje nga jashtë me ndihmën e palëve ndërmjetësuese, kjo dhe është tani tema jonë e diskutimit.
Zgjidhje nga jashtë me ndihmën e palëve ndërmjetësuese
Jurisprudenca islame ka sjellë preventiva për zgjidhjen e pakënaqësive apo të rebelimit të secilit nga dy bashkëshortët dhe jo vetëm kaq, por dhe nëse të dy shkaktojnë nushuzin-shkeljen e të drejtave të njëri-tjetrit, duke e drejtuar anijen drejt fundosjes, kërkohet që të ndërhyjnë kujdestarët e bashkëshortëve ose familjarët e tyre për rregullimin e gjendjes së acaruar. Kjo procedurë realizohet përmes angazhimit të palës ndërmjetësuese, një nga ana e burrit dhe një nga ana e gruas dhe ata fillimisht bëjnë verifikimin e gjendjes së të çiftit, duke u munduar t’i pajtojnë bashkëshortët, kurse, në të kundërtën, nëse ndërmjetësuesit kanë humbur shpresat se bashkëshortët mund të vazhdojnë jetën, atëherë iniciojnë rrugën e ndarjes së tyre, divorcin, duke iu referuar kështu citatit kuranor: “Nëse i frikësoheni përçarjes në mes tyre (burrit e gruas), dërgoni një pari të drejtë nga familja e tij dhe një pari të drejtë nga familja e saj. Nëse ata të dy (ndërmjetësuesit) kanë për qëllim pajtimin, Allahu u mundëson afrimin në mes tyre (burrit e gruas). Allahu është i dijshëm, është njohës i mirë”. (En-Nisa’ë/35). Citati në fjalë sinjalizon obligushmërinë e dërgimit të palës ndërmjetësuese nëse edhe më tutje përkeqësohet gjendja e bashkëshortëve.(1)
Çdokush duhet ta ketë të qartë se jeta bashkëshortore nuk është në tërësi një rrugë vetëm me lule, e ngrohtë, e qetë dhe pa mundime. Kjo, sepse ka momente e situata kur shkaktohen edhe pakënaqësi në mes tyre, të cilat mundë të shkaktohen nga disa indikatorë, si:
-Ngatërresa, kur bashkëshortët kundërshtojnë njëri-tjetrin në çështje të jetës së përditshme, e kjo shkakton ngatërresë në mes tyre që sjell ndërprerje të bisedimit midis tyre, që konsiderohet një vepër nga begatitë e djallit, e dëshiruar për të, ngase ai përpiqet që bashkëshortët t’i ndajë sa më parë përmes çfarëdo forme që është e mundur. Kjo çështje mund të zgjidhet duke i kërkuar falje njëri-tjetrit.
-Zemërimi shkaktohet kur njeriu nuk mund t’i kontrollojë emocione e tij. Kjo gjendje mund t’i kushtojë shumë vetë pësonit, po dhe atij që qëndron pranë tij. Nëse në mes bashkëshortëve shfaqet zemërimi, ky mund të sjellë pasoja të mëdha, kështu që jo rrallë ndodh që nën presionin e tij, të merren vendime të disfavorshme për secilin nga bashkëshortët.
-Mosbindja. Ndodh që burri të rebelohet e kjo mundë ta nxitë atë që të mos përkujdeset për gruan dhe fëmijët e tij, praktikisht të mos i plotësojë nevojat e përditshme të tyre - ushqimin, veshmbathjen, mjekimin etj.. Ky veprim bie mbi supet e gruas dhe rëndon edhe më gjendjen e saj, sepse këto janë detyrime të burrit, mire po njëkohësisht një sjellje e tillë nga burri acaron gjendjen në mes tyre, saqë bëhet e pamundur jetesa e përbashkët në këtë mënyrë, përveç situatës kur burri tërhiqet nga veprimi i tij. Në mënyrë ekuivalente kjo mund të ndodhë kur rebelohet gruaja, kur praktikisht refuzon kryerjen e obligimeve ndaj burrit dhe fëmijëve të saj. Ky veprim i saj paralizon zhvillimin e natyrshëm të jetës bashkëshortore, prandaj shpie në konflikt midis bashkëshortëve dhe kjo gjendje nuk stabilizohet derisa ajo t’i kthehet normalitetit dhe respektimit të detyrimeve të saj.(2)
Sipas mësimeve islame, nuk pëlqehet juridikisht që të vazhdohet jeta e bashkëshortëve nën presionin e nushuzit-jetës jo të mirë të tyre për një kohë të gjatë, pavarësisht se cila palë e ka shkaktuar, ngase një veprim i tillë bie në kundërshtim me objektivat e jetës martesore.(3)
Parimisht, kështu sugjeron edhe Allahu xh.sh. në Kuran: “ose jetë e njerëzishme (bashkëshortore) ose shkurorëzim me mirëkuptim”. (El Bekare, 229)
Kriteret e zgjedhjes së ndërmjetësuesve
Në përzgjedhjen që ndërmjetësuesit të jenë nga vetë familjarët e të dy bashkëshortëve, ka fenomene e urtësi. Islami i jep rëndësi të veçantë ruajtjes së intimiteteve, sekreteve të njeriut në përgjithësi e të bashkëshortëve në mënyrë të veçantë. Për këtë arsye dijetarët islamë kushtëzojnë që ndërmjetësuesit t’i plotësojnë disa kritere, sikur janë:
-Të jenë të ndershëm dhe të drejtë, me qëllim që të këshillojnë cilindo nga bashkëshortët në rast se ka bërë padrejtësi ndaj palës tjetër.
-Ruajtja e sekreteve, praktikisht ata e kanë detyrë e obligim që t’i ruajnë intimitetet e bashkëshortëve, të mos i publikojnë ato.
-Të kenë njohuri fetare, praktikisht të kenë diapazon të njohurive në jurisprudencën islame, sidomos të njohin gjyqësinë dhe të kenë urtësi e largpamësi.
-Sinqeriteti për të arritur zgjidhje të konfliktit në mes bashkëshortëve. Nga ndërmjetësuesit kërkohet që të jenë të sinqertë në veprimet e tyre, sikur u theksua në citat më sipër.
-Ndërmjetësuesit parimisht duhet të jenë nga familjarët e dy bashkëshortëve, me qëllim që ndërmjetësuesit të ndajnë drejtësi, ta kuptojnë thelbin e zënkave në mes bashkëshortëve, të verifikojnë se cili prej tyre është shkaktari i nushuzit-shkeljes së të drejtave të njëri-tjetrit dhe të mundë të arrijnë përfundimisht një zgjidhje sa ma të mirë e të favorshme për të dy. Madje për zgjidhjen e konfliktit, të afërmit përdorin metoda që janë në favor të bashkëshortëve, janë më të kujdesshëm ndaj tyre, më të durueshëm për të dëgjuar çështjet që u përkasin atyre, si dhe janë më të mëshirshëm ndaj të metave të njëri-tjetrit. Mirëpo, nëse pamundësohet gjetja e ndërmjetësuesve nga familjarët e të dy bashkëshortëve, lejohet që ata të jenë edhe të huaj, nëse i plotësojnë kriteret e sipërtheksuara.(4)
Ndërmjetësuesit mbajnë përgjegjësi që t’i pajtojnë bashkëshortët nëse munden, ose, në të kundërtën, nëse e shohin të udhës që ndarja për ta është më e favorshme, e preferojnë këtë të drejtë, sipas mendim-it të shumicës së juristëve islamë.(5)
Ky ishte edhe një nga propozimet e Aliut r.a., me të cilin ju drejtua dy bashkëshortëve që kishin shkuar tek ai me një grup njerëzish. Aliu r.a. u tha atyre: Dërgoni tek unë nga një ndërmjetësues prej secilës palë, e më pas iu drejtua palëve ndërmjetësuese e u tha: A i njihni obligimet tuaja? Detyra juaj është që, nëse e shihni të udhës bashkimin e tyre- bashkëshortëve, bashkoni, e nëse jo, ndajini ata. Gruaja tha; Jam e kënaqur me gjykimin e Kuranit, qoftë të jetë në favorin tim ose në disfavor timin. Kurse burri tha: Ndarjen nuk e pranoj. Aliu i tha atij: Nuk e thua të vërtetën derisa ta dëshirosh atë që dëshiron ajo me të”. (Bejhakiu/7-305).
Trajtimi i sjelljes jo të mirë të burrit ndaj gruas
Ashtu siç është e ditur, feja Islame që nga koha e Shpalljes së fundit ka proklamuar drejtësi për të gjithë, pa dallim religjioni, nacionaliteti a gjinie. Në momentin që njëri nga bashkëshortët meriton dënimin, Islami qëndron mbrapa të drejtave të viktimës. Preventiva e fundit e theksuar në citat për ta përmirësuar gruan rrahja e lehtë me misfak, nëse tejkalohet nga ana e burrit, duke e dëmtuar gruan, me automatizëm i jep të drejtën gruas që të kërkojë divorcin si dhe të merren masa ndëshkuese ndaj burrit. Njëherësh, Kurani këtë procedurë e ka trajtuar si “nushuz-frikë nga sjellja keq e burrit ndaj gruas”, dhe në mënyrë të barabartë, ashtu siç e ka trajtuar edhe rastin e gruas, siç pohon Allahu në Kuran: “Nëse gruaja frikësohet se burri i saj do të sillet keq ose nuk do ta përfillë, atëherë nuk gabojnë po qe se pajtohen me njëri-tjetrin. Pajtimi është më i mire (sesa divorci)”. (En-Nisa’ë, 128).
Edhe pse citati në fjalë ka zbritur me motiv të caktuar, qartëson gjendjen e njërës nga bashkëshortet e Pejgamberit a.s., e cila quhet Sevdete b Zum’ah r. a., sepse ajo ishte në moshë të shtyrë dhe frikësohej se do ta divorconte Muhamedi a.s. dhe i tha: “O i dërguari i Allahut, mos më divorco, e radhën time (të fjetjes me ty) po ia kaloj Ajshes r.a.”. dhe (Muhamedi a.s) e bëri këtë dhe e si rezultat zbriti citati në fjalë. (Tajalisiu/2683). Mirëpo rregulli parimor thotë: “I jepet prioritet kuptimit të përgjithshëm ndaj shkakut të veçantë të zbritjes”, prandaj nëse burrit iu dha e drejta e përparësisë ndaj gruas, kjo nuk ia jep luksin që ai të sillet si xhelat ndaj gruas së tij. Po për çfarë edukimi të burrit bëhet fjalë në fakt? Citati kuranor në fjalë sinjalizon që, nëse gruaja plaket është në moshë të thyer dhe ka frikë që burri mund ta divorcojë e të martohet me një tjetër, lejohet që ajo të heqë dorë nga e drejta e saj e shtratit dhe nga pasuria, në mënyrë që burri ta mbajë atë nën kurorë dhe pranë fëmijëve të saj. Prandaj pajtimi në këtë rast (që gruaja të heqë dorë nga e drejta e saj) është më i mirë se divorci.(6)
Nga gruaja kërkohet që të jetë e vëmendshme pranë burrit të saj dhe, nëse vëren se burri ka filluar t’i zbehë raportet me të, shfaq koprracinë e pasurisë e të ndjenjave ndaj saj, fillon ta shpërfillë, e keqtrajton, e privon nga dashuria e përkujdesja, mungon për orë të tëra, hesht ndaj së mirës e së keqes etj., ajo duhet të nxitojë të marra masa për t’i përmirësuar marrëdhëniet me burrin e saj, me qëllim që ai të mos heqë dorë prej saj,(7) ashtu siç kishte vepruar nëna e besimtarëve Sevdete r.a., e cila nuk pranoi të ndahej nga i Dërguari i Allahut a.s., por bëri kompromis me Ajshen r.a..
Nga këto sqarime mund të përfundojmë se feja islame aspiron rregullimin e raporteve të bashkëshortëve duke përdorur larmi metodash e mekanizmash, me të vetmin qëllim që t’i afrojë bashkëshortët e t’i shmangen divorcit, të jenë pranë fëmijëve të tyre, si dhe të vazhdojnë jetën bashkëshortore. Mund të përfundojmë po ashtu se vendime të tilla tregojnë për respektin që ka Islami ndaj femrës, duke i dhënë të drejtën e shprehjes së mendimit të saj me ankesa dhe kërkesa, madje edhe i mundëson të ndahet nga burri, të cilin nuk e dëshiron.
1) Muhamed Tahir ibn Ashur, Et-Tahrir ve et-Tenvir, v 5, f. 46. Dar et-Tunisije li en-neshr, 1984 Tunezi. 2) Meha Jusuf Xharullah, inatet elKuran ve es-suneh bi meshari elmer’eti, f. 209, bot 1, 2008, dar iben Hazm. 3) Ali bin Rashid ed-Dibjan, shikak ez-zevxhejn;el-esbab, el-athar, el-ilagj, mexhelet eladl, f. 175, nr. 2, 1420 4) Tefsir Imam el Kurtubi, v. 6, f. 291, bot 1, 2006 mueseset err-rrisale. Liban, dhe et-Tahrir ve et-Tenvir, v. 5, f. 46, dhe Inajet el Kurani ve es-suneti bi meshairi (60 Muhtesar tefsir elKuran eladhim, v. 1, f. 582. elmer’eti, f. 210. 5) Muhtesar tefsir ibën Kethir, v. 1, f. 503, bot 1-2003, Darul vefa-Egjipt. 7) Inajet el Kurani ve es-suneti bi meshari elmer’eti, f. 202,
Mr. Sadat Rrustemi