Njeriu duhet ta dojë Allahun me sinqeritetin më të madh dhe të adhurojë vetëm Atë, pa i bërë asnjë ortak. Allahu xh.sh. ka dërguar librat dhe të dërguarit e Tij nga dashuria dhe kujdesi për ne. Na ka mundësuar ta njohim dhe adhurojmë. Si mundet të mos e duam Allahun xh.sh., i Cili me çdo frymëmarrje vazhdimisht, pavarësisht mosmirënjohjes, na jep kaq shumë mirësi?! Si mund të mos e duam Atë që i përgjigjet lutjeve, na mbulon dhe na fal mëkatet, na largon brengat dhe na ndihmon në situata të ndryshme?!
Ka ajete dhe hadithe që tregojnë se Zoti na do. Prandaj ne duhet ta dimë se Zoti na do. Sa më shumë e njohim, aq më e fortë është dashuria jonë për Allahun xh.sh. Pastaj duke e ditur sa shumë na do Zoti, ne përjetojmë të njëjtën ndjesi dashurie karshi Zotit. Në ajetin e lartpërmendur, Zoti flet për dashurinë e Tij për ne dhe dashurinë tonë për Zotin, duke thënë: “...se Allahu do ta sjellë një popull që Ai e do atë (popull) dhe ata e duan Atë (Zotin) ...”.
Në këtë ajet Zoti i parapriu besimtarëve me dashurinë e Tij kundrejt dashurisë së tyre ndaj Tij, dhe kjo është mirësi dhe bujari e madhe nga Zoti.
Dashuria jonë për Allahun xh.sh. është dhuratë dhe ajo arrihet falë mirësisë dhe dashurisë së Tij. Folja në ajet (e do) erdhi në kohën e tashme: që tregon vazhdimësi. Për sa kohë që besimtari e do Allahun e Madhëruar, Ai e do atë besimtar dhe kjo dashuri vazhdon me vazhdimin e veprave të mira.
Ndërkaq, midis njerëzve ka të tillë që besojnë se ka të barabartë me Allahun dhe i duan ata ashtu siç duhet ta duan Allahun: “E nga njerëzit ka të tillë, që në vend të Allahut besojnë idhujt, që i duan ata, siç duhet Allahu. Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa ç’i duan idhujtarët idhujt e tyre)... “ (El Bekareh, 165)
Megjithatë, dashuria e besimtarëve ndaj Allahut xh.sh. është shumë më e fortë se e idhujtarëve ndaj idhujve. Dashuria ndaj Zotit nuk është vetëm me fjalë. Prandaj, Zoti kërkon që ne t'ia kthejmë dashurinë me dashuri, me bindje dhe përulje, me respektimin e urdhrave të Tij dhe me shmangien e ndalesave. Dëshmia se njeriu e do Allahun është pasimi i vazhdueshëm i Pejgamberit, a.s., në çdo gjë që urdhëron dhe ndalon. Allahu e urdhëron Pejgamberin a.s. t’u thotë shokëve të tij: “Thuaj: “Nëse e doni Allahun, atëherë më pasoni mua që Allahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është Falës i Madh, Mëshirëplotë.” (Ali Imran, 31).
Dashuria ndaj Allahut xh.sh. dhe Pejgamberit a.s. është bindje dhe besim i fortë, ibadet madhështor. Ajo është obligim për çdo mysliman e myslimane dhe ka përparësi ndaj çdo dashurie tjetër: “Thuaj (o i Dërguar): "Në qoftë se etërit tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që fituat, tregtia që frikësoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju, se Allahu, se i Dërguari i Tij dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë pritni derisa Allahu të sjellë dënimin e Tij, Allahu nuk vë në rrugën e drejtë njerëzit e prishur.” (Et-Tevbeh, 24).
Në ajet ka kërcënim dhe paralajmërim të ashpër, nëse ndonjë nga këto që u përmendën është më e dashur se Allahu, se i Dërguari i Tij dhe se lufta në rrugën e Tij, për dënimin që do të godasë. Pejgamberi a.s. ka treguar se dashuria ndaj Zotit të Madhërishëm është një nga gjërat në të cilat robi gjen ëmbëlsinë e besimit, duke thënë: “Te kush janë tri (gjëra) do të gjej ëmbëlsinë e besimit: Ai te i cili Zoti dhe i Dërguari i Tij është më i dashur se çdo gjë tjetër...”
Disa mendojnë se duhet t’i bindemi Zotit dhe ta adhurojnë Atë, nga frika prej Tij, nga frika e vdekjes, nga frika e dënimit të varrit, nga frika e zjarrit etj. Ata sikur harrojnë se marrëdhëniet tona me Zotin janë të ngritura mbi dashurinë. Imam Gazaliu thotë: "Besimtarët mund ta duan Zotin për shkak të mirësisë (ihsan) së Tij ndaj tyre dhe mund ta duan për shkak të madhështisë (xhelal) dhe bukurisë e Tij (xhemal)".
Sa i përket mirësisë (ihsan), zemrat e njerëzve nga natyra i duan ata që u bëjnë mirë atyre. Të mirat e Allahut për robërit e Tij janë të pafundme.
Sa i përket bukurisë, një person instinktivisht do gjithçka që ai e konsideron të bukur. Bukuria e të Plotfuqishmit me emrat e bukur dhe atributet e Tij, që shkëlqejnë me dritën e shkëlqimit, bën që zemra e besimtarit të gëlojë nga dashuria, emocioni i bukur dhe ndjesia se Ai është pranë nesh gjithmonë. E si të mos e duam ndërkohë që Ai, falë mëshirës së Tij, na dhuron xhenetin e amshuar? Pejgamberi a.s. thotë “Robit nuk do i jepet kënaqësi më e madhe në xhenet, sesa shikimi i Allahut.”
Zemra përjeton momente qetësie falë lidhjeve me Zotin. Sa herë që bëjmë ndonjë gabim, ne i kthehemi Zotit me pendim, pasi e dimë se Ai na do, se Ai është Krijuesi ynë dhe nuk do na braktisë.