Në Elbasan një xhami e re po vjen!

Me një arkitekturë moderne, projekti i së cilës është vlerësuar në konkurse ndërkombëtare arkitekturore, Xhamia e Kohës në Elbasan, e njohur si Xhamia e Ballies, ka marrë tashmë formën e saj të një xhevahiri kulturor dhe fetar, shkruan kështu ATSH.
“E vendosur në qendër të qytetit, falë edhe investimit në sheshin rrethues, ky objekt do të zbukurojë Elbasanin”, shkroi kështu kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, duke ndarë foto nga ky projekt, i cili ka një stil unik ndërtimi dhe është konkurruese e xhamive moderne të ndërtuara në Evropë, vijon raportin Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Xhamia ka një sipërfaqe rreth 1900 metra katrorë dhe përbëhet nga katër kate në të cilat përveç vendit të faljes do të përfshihen edhe sallat e konferencave dhe zyrat e stafit të Myftinisë Elbasan.
Projekti i xhamisë i cili është investuar nga Ambasada e Kuvajtit është i harmonizuar me projektin e aprovuar të qendrës së Elbasanit dhe po ndërtohet në të njëjtin vend ku ka qenë xhamia shekullore e “Ballies”, e cila u prish në vitin 1967.
Kjo është një ndër xhamitë më të reja në Shqipëri, nga ato në qendrat e qyteteve, të cilat kanë tendencën të jenë dhe simbole arkitektonike për jetën urbane të qyteteve ku ngrihen. Elbasani është një prej qyteteve më me traditë të besimit islam në Shqipëri, dhe ka po ashtu disa xhami me emër, edhe pse të përmasave të vogla.
Dallohen prej tyre ajo e Kalasë, ndryshe Xhamia Mbret, me një arkitekturë tradicionale osmane, apo ajo Nazareshës, në unazën e qytetit. /tesheshi.com/