E arritëm muajin e bekuar të Ramazanit. Allahu e ka bërë farz agjërimin në këtë muaj, kurse Pejgamberi a.s. thotë: “Atij që bën ibadet (lutje) Natën e Kadrit, me besim e duke shpresuar për shpërblimin (që do t’i japë Allahu xh.sh.), do t’i falen ato që i kanë paraprirë prej mëkateve.” (Buhariu, Muslimi).
Kalimi i njeriut nga një jetë e zakonshme në atë të mbushur me përkushtim e ibadet të veçantë, e me sakrifikime sublime, trupore – epo kjo është e veçanta e këtij muaji mubarek. Duke u bazuar në filozofinë e këtij muaji të agjërimit (Ramazanit), dhe në vlerën e madhe të tij, besimtari me bindjen
më të thellë e me vullnet i përgjigjet thirrjes hyjnore që, në emër të Tij, të heqë dorë nga jeta normale dhe kërkesat e ulëta e të përditshme, duke synuar ngritjen (jetën) shpirtërore dhe shpërblimet e panumërta që janë përgatitur për të. Agjërimi është një shkollë dhe qendër e edukimit dhe e skalitjes shpirtërore, e edhe morale, pse jo?!
Ditën agjërojmë, e pak pas iftarit falim bashkërisht namazin e Teravive, një përjetim shpirtëror ky shumë i rrallë. Muhamedi a.s. ka këshilluar besimtarët të falin namazin e Teravisë, kur ka thënë: “Kush fal namazin e Ramazanit (Teravisë) me besim dhe shpresën e dhënies së sevapeve nga Allahu, do t’i falen të gjitha gjynahet e së shkuarës.” (Muslimi).
Dëgjohen ajete nga kaptina të ndryshme kuranore; madje në disa xhami ky namaz vjetor falet edhe me hatme. Ato lutje, dua e salavate që këndohen nga qindra e qindra xhematlinj rrisin imanin dhe e forcojnë atë në zemrën e çdo besimtari.
Në këtë muaj mubarek nafilja është në rang të farzit, kurse farzi që kryhet në muajin e Ramazanit shpërblehet sa 70 farze që kryhen jashtë tij.
Muhamedi a.s. në një rast u tha sahabëve se, një umre në Ramazan ka vlerën e një haxhi, por kurrsesi nuk e zëvendëson haxhin. Në këtë muaj hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit, dhe lidhen shejtanët, që me veset e tyre të mos na shqetësojnë, dhe ne të mos i zgjidhim ata me gibet e të shara.
Ramazani është muaji kur myslimanëve iu shpall kushtetuta hyjnore (Kurani), që të drejtojë dhe fuqizojë zhvillimet jetësore, të kanalizojë veprimtarinë e njeriut, t’i japë kuptim kësaj jete dhe jetës tjetër, të rregullojë raportet Krijues dhe krijesë, nga njëra anë, si dhe, nga ana tjetër, krijesë me krijesë.
Në këtë muaj është edhe nata më e vlefshme e gjithë vitit: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre (atë natë) zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.”( El Kadr: 1-5).
Pra, le të bëjmë një matematikë të thjeshtë: një mijë muaj janë të barabartë me 83 vjet e 4 muaj.
Duke ditur se jeta mesatare e njerëzve në këtë botë nuk i kalon 74 vjet, do të thotë se kjo natë është më me vlerë se e tërë jeta e njeriut. Pra, është një rast tepër i volitshëm që myslimanëve duhet t’u japë edhe më shumë kurajë, pasi Muhamed Mustafaja a.s. ka garantuar se agjërimi dhe Kurani, bëjnë shefat për të devotshmit dhe Ymetin e Pejgamberit a.s.
Në fund të Ramazanit besimtari, i vetëdijshëm e me përulje të plotë, jep nga pasuria e tij sadekatul-fitrin, si pastrues i agjëruesit nga (mëkati) i fjalëve dhe i veprave të padobishme e të pahijshme,dhe si ushqim për të varfrin.
Kjo është sadakaja që populli ynë tradicionalisht e ka adresuar në institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës, për ta mbajtur e për të funksionuar institucionet që ajo drejton: Medresenë e mesme “Alauddin” me paralelet e saj në Gjilan e Prizren, si dhe Fakultetin e Studimeve Islame të Prishtinës.
Lusim Allahun xh.sh. që gjithë myslimanëve t’ua pranojë agjërimin, dhe me fat Fitër Bajrami!


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit (video)