Urtësia e kryerjes së obligimit të Haxhit


Sikur edhe të gjitha ibadetet e tjera, Haxhi është një nga ibadedet që bëhen vetëm për të fituar kënaqësinë (rizanë) e Allahut.

Ai na mëson nëpërmjet Kur’ani – Kerimit dhe Haditheve të shenjta për të gjitha ibadetet (adhurimet) që jemi të urdhëruar t’i veprojmë, e gjithashtu edhe për kryerjen e ibadetit të Haxhit, kushtin e pestë të besimit islam, për veprimet shpirtërore (ma’nevi) dhe formale me trup (sheklijj), tërë këto në mënyrë të qartë e përshkruese.

Duke përshkruar dobitë e tij, Allahu na thotë në Kur’an: “(Vijnë) për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre dhe që të përmendin Allahun në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi) dhe që i ka furnizuar me kafshë. Hani, pra, prej tyre (kurbanëve) dhe ushqeni të ngushtuarin e të varfrin. Pastaj le ta heqin papastërtinë e tyre, le t’i zbatojnë premtimet e veta dhe le të sillen (të bëjnë tavaf) rreth shtëpisë së lashtë.
Pra, kështu: Kush madhëron atë që All-llahu e bëri të shenjtë, ajo është më e dobishme për te Zoti i vet. Juve ju janë lejuar kafshët, pos atyre që lexohen (në Kur’an), pra largohuni nga ndyrësitë e idhujve dhe largohuni fjalës shpifëse. Duke qenë të sinqertë në besimin ndaj Allahut dhe duke mos i bërë Atij shok, e kush i bën shok Allahut, ai është sikur të bjerë nga qielli e ta rrëmbejë shpendi, ose sikur ai të cilin e gjuan era e stuhishme në ndonjë vend të humbur.
Kjo është kështu! E kush madhëron dispozitat e All-llahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave”. (El Haxh, 28 -33.)
Kështu, kur të lexojnë këto ajete, njerëzit nxitojnë për të arritur dhe për të zbatuar/realizuar urtësitë e Haxhit, qoftë si individë ose si ummet (popull) në përgjithësi, duke u munduar të veprojmë ato dhe duke përmbushur të gjitha kushtet që kërkohen sipas nevojës, duke ndier krenari në një masë të madhe dhe duke pasur gjithmonë parasysh se ky është një obligim që ngërthen në vete urtësi të mëdha.
Haxhi është një ibadet, të cilin besimtari mysliman është i obliguar ta kryejë me pasurinë (mallin) dhe me trupin e tij (beden), domethënë që ka të bëjë me tërë forcën e njeriut dhe kjo nënkupton se, me kryerjen e Haxhit njeriu arrin t’i dorëzohet plotësisht Allahut. Sikurse të gjitha ibadetet me të cilat na ka urdhëruar Allahu i Madhëruar, edhe ky është një ibadet themelor përmes të cilit njeriu të arrijë të depërtojë tek e vërteta.
Nga ky këndvështrim, urtësinë e kryerjes së Haxhit do të mund ta kuptojmë duke analizuar këto tri pika:
1. Kur njerëzit arrijnë të kryejnë detyrimet që ka urdhëruar Allahu, atëherë ai ka fituar mëshirën e Allahut.
2. Njeriu që kryen detyrimin e Haxhit, gjatë kohës kur përgatitet për të kryer këtë obligim dhe derisa i kryen veprat (menasik) që është i obliguar t’i kryejë atje në Haxh, dhe pas përfundimit të tërësishëm të këtij ibadeti me shumë rëndësi, për aq sa ka mundësi ai që e bën haxhin, - atëherë ai (haxhiu) do të korrë rezultate pozitive.
Obligimi rreth kryerjes së haxhi ripërtërin marrëdhënien Krijues – njeri, gjithashtu ky ibadet ka ndikim direkt në vet jetën e njeriut por edhe ndikimin mbarëshoqëror të të gjithë ummetit (popullit) islam.
Imam Gazaliu definicionin e haxhit e shpjegon: kur feja (din) arrin në një përsosmëri të lartë, me kryerjen e haxhit nënkupton dorëzimin ndaj të gjitha urdhrave (teslim).(1)
Nëse i marrim dhe i analizojmë ritualet e haxhit nga jashtë, ky obligim (haxhi) paraqet simbole që me të vërtetë njeriut i sigurojnë edukim të fortë shpirtëror, sepse secila nga ato janë të ndryshme dhe kur ato përgjithësohen ose kryhen japin një rezultat që nuk mund të arrihej ndryshe pos në këtë formë, ngase arrihet afërsi tek Allahu xh.sh. duke hequr dorë nga shtëpia, familja dhe duke kontribuar me pasuri që nuk është edhe aq e lehtë për krijesën njeri në tokë.
Në shumë hadithe të Pejgamberit a.s. flitet se ibadeti më me vlerë pas besimit (iman) është falja e namazit(2), por për besimtarin kryerja e haxhit tani paraqet një satisfaksion tjetër ndoshta edhe të rëndësishëm gjatë gjithë jetës së tij, sepse me kryerjen e haxhit ai e sheh vendin ku ju ka drejtuar me vite, dekada po ndoshta edhe gati një shekull me radhë Sunduesit Absolut të Tij. Gjatë këtij udhëtimi besimtari e shfrytëzon rastin të jetojë dhe të vizitojë së paku disa ditë vendin ku ka jetuar Muhammedi a.s. dhe të gjithë pejgamberët e tjerë që për hir të Allahut ata luftuan me luftë të denjë dhe të vërtetë (muxhadeletul hakk), tani besimtari ka rastin të qëndrojë në vendin ku shekuj me radhë kanë drejtuar fytyrat e tyre të gjithë besimtarët islam, kanë zgjatur duart dhe zemrat e tyre duke u kthyer atmosferë shpirtërore që nuk ka mundësi ta shpjegojë tjetër askush pos atij që shkon atje. Në këtë rast haxhi na mundëson që edhe një herë ta përjetojmë duke e dëshmuar historinë e kaluar islame, duke qenë shkas (sebeb) që të jemi dëshmitarë me trup dhe me shpirt (mushahhas) të kryerjes së obligimeve të caktuara nga Allahu i Madhëruar.
Qëllimi themelor i kryerjes së haxhit dhe urtësia e të obliguarit me këtë obligim hyjnor është se kur është në pyetje urdhri i Allahut (emr) atëherë besimtarët e sinqertë largohen nga familjet, shokët, e lënë pasurinë e tyre, ata i lënë shumë nga dëshirat dhe kërkesat dhe janë të gatshëm të ballafaqohen me shumë mundime e sakrifica për të arritur kënaqësinë e Allahut (riza) e cila më pas do t’i shpie në gradën më të lartë (takvallëkun). Gjatë kryerjes së haxhit është edhe një lidhje tjetër që nuk mund të arrihet ndryshe pos me udhëtimin drejt atij Vendi të Shenjtë. Kjo veçori arrihet kur besimtari që e kryen haxhin jeton dhe rron në vendin ku kanë jetuar Pejgamberi a.s. dhe shokët e tij (as-habë), atëherë çdo hap që e hedh është më afër të Dashurit të Allahut, tani ai është në tokën ku për herë të parë jetuan myslimanët e vërtetë që Allahu i ngriti me Kur’an. Pra kur besimtari kryen haxhin ai është në vendin gjeografik e që gërshetohet gjithashtu në mënyrë shpirtërore, Allahu në Kur’an thotë për haxhinjtë dhe i përshkruan se ata gjenden në vendin: “Ku Allahu ka vendosur sinjale dhe simbole fetare (sheairullah)”( El Bakare, 158, dhe “El Haxh”, 32 – 36,), haxhinjtë në periudhën e haxhit gjatë kohës sa gjenden në tokën e Shenjtë kanë rastin të marrin frymëzim shpirtëror (ma’nevijjat), andaj njerëzit gjithmonë gjatë gjithë kohës që nga koha e udhëtimit me deve e deri në ditët e sotme nuk ngurrojnë të kryejnë njërin obligim që i mbush me shpirt më shumë ashtu sikur edhe disa obligime tjera që na ka urdhëruar Allahu.

Procesi i sistematizuar kozmik

Gjithashtu gjithmonë duhet kujtuar momentin tonë më të vështirë të jetës, atëherë kur do të mbështillemi me qefinë, prandaj secili musliman që shkon në haxh, kur vesh ihramet e ndjen ndjenjën e futjes dhe ballafaqimit të tij me melaike në varr atëherë kur do t’ia veshin qefinët për ta lënë këtë botë, prandaj kjo vepër (haxhi) njeriut ia përkujton edhe njëherë se ai sa do i pasur, i ditur, i ngritur, autoritativ dhe me çdo gjë duhet ta lërë këtë botë, të dalë nga sistemi i dynjasë, ndërsa ndjenjën se do ta lërë një ditë ky njeri do ta lërë këtë botë nuk mund t’ia shijojë asnjë vepër tjetër më shumë se sa veshja e ihrameve. Tavafi (të sillurit rreth Qabesë) është një ibadet që i mundëson njeriut (haxhiut) të analizojë se çdo gjë që është rreth tij e ka një sistem dhe formë të caktuar, dhe njëkohësish gjatë kryerjes së kësaj vepre njeriun e bën të ndjejë (shuurë) se është pjesë e këtij procesi të sistematizuar kozmik. Sa’ji (të ecurit në mes të pikave të caktuara Safa dhe Merve) është një e ecur të cilën muslimani nuk e bën për askënd tjetër përpos për Allahun Fuqiplotë, prandaj nga kjo që thamë kur e analizojmë kuptojmë se muslimani gjersa vrapon (sa’j) ndërmjet pikave Safa dhe Merva e ndjen një vendosmëri (nijjet) se kjo bëhet vetëm për Allahun xh.sh. dhe në këtë rast edhe një herë e ndjen se çfarë ka dallim ecja e thjeshtë dhe ecja që dedikohet ose kushtëzohet vetëm për riza të Allahut. Ndërsa në Arafat aty kur njeriu i zgjat duart e tij që t’i lutet Krijuesit të Tij (Rrabb), arrin që në formë më praktike të kuptojë se qysh në këtë botë njeriu (insan) nuk ka asnjë ndihmëtar tjetër përpos Allahut, kushtet që ja siguron fusha e Arafatit si: të përqendruarit para Madhërisë së Allahut (huzur) atij ia mundëson të kuptojë se njeriu sa do që të jetë i ngritur dhe autoritativ në pozitë, të jetë i pasur dhe i ditur shumë, një ditë kur do të jepet llogaria e vërtetë në Ditën e Vërtetë, ai patjetër që do të merret në pyetje, dhe me këtë rast ai edhe një herë e kupton se takvallëkun (afrimin tek Allahu) nuk mund ta arrijë dhe ta fitojë në këtë dynja pos me zbatimin dhe veprimin e disa veprave të veçanta si p.sh. kryerjen e Haxhit.
Gjatë kryerjes së haxhit njeriu arrin të kuptojë në formë praktike një vepër të tij që gjatë gjithë jetës së tij ai është paralajmëruar në formën teorike,por kur ai e kryen në formë praktike tani ngritët në një shkallë më të lartë dhe më të ngritur të besimit (iman), ngase fiton veçori më të mëdha të moralit (ahlak) dhe fiton forcë, bindje e vendosmëri më të madhe ndaj begative që i
posedonte edhe më parë por nuk e kishte shpirtin në shkallën e tillë sa që të ndjente dhe të shijonte çdo gjë përreth me ndërgjegje të pastër (vixhdan).
Haxhi është rasti më ideal për të arritur njeriu tek vetvetja e tij, pra rasti më i mirë që njeriu ta njohë vetveten e tij. Njeriu që e bën haxhin kur kthehet nga ky udhëtim, ai kthehet duke ju bërë vizitë dhe duke jetuar në vendet ku kanë jetuar dhe vepruar Muhamedi a.s. dhe as-habët (shokët e tij), kthehet nga vendet ku kanë lënë shumë vakëf - pasuri shpirtërore Pejgamberi a.s. dhe as-habët, tani besimtari për herë të dytë dhe në mënyrë praktike vërteton ngjarjet që ka lexuar në histori Islame, prandaj në momentin kur ai kthehet nga Haxhi është njësoj sikurse ta ketë vizituar Muhamedin a.s. dhe shokët e tij, kthehet me një iman të ripërtërirë, i pastër nga gjynahet dhe energjik për të filluar një jetë te re, të pastër nga gjynahet si atë ditë që e lindi nëna e tij. Besimtari tani më ka vizituar edhe Varrin e Shenjtë të Pejgamberit a.s. (Ravdatul Mutahareh), ka vizituar vendin ku Muhamedi a.s. ka pranuar, ka shpërndarë dhe e ka përmbyll deri në ditën e vdekjes së tij shpalljen (teblig) ose revelatën Hyjnore, andaj ky besimtarë tani kthehet sikur ta ketë dëshmuar edhe një herë në formë të gjallë pejgamberllëkun e Muhammedit a.s..
Qëllimi i dytë i obligimit të haxhit është edhe se haxhiu arrin që të shohë aty të gjithë njerëzit që tubohen nga të gjitha racat, me këtë rast ai do të dëgjojë dhe do të shohë të gjitha gjuhët që ata flasin, këto ndryshime nuk mund të vërehen përpos kur njeriu qëndron së bashku me këta njerëz, njoftohet së afërmi me ata, ashtu sikur që thuhet në Kur’an: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.”(El Huxhurat, 13.)
Me këtë rast ky njeri do të fitojë ndjenjën e të kuptojë se këta njerëz janë krijuar si një shenjë (alamet) për t’u dalluar në mes vete dhe ajo që i bashkon është feja, sado që të jenë larg, të ndryshojnë gjuhët, racat dhe vendet e tyre. Gjatë këtij rituali njeriu edhe njëherë do të kuptojë se nuk mund të ndalojë këtë ndryshueshmëri të njerëzve dhe se bashkimi dhe tubimi është vetëm në dorëzim ndaj Allahut që i ka krijuar dhe arrin të kuptojë se ky vend është pikë ose epiqendër e bashkimit në mes të muslimanëve që kanë besim në Allahun Një. Në këtë mënyrë haxhiu i ka zgjeruar kufijtë botëror, ka hapur qëndrimet dhe horizontin e tij gjeografik, është ndodhur në një vend të njëjtë i përzier me njerëz të vendeve të ndryshme por me zemër dhe shpirt të njëjtë, edhe në kushtet më të vështira ai tani më e ka kuptuar se çfarë domethënë modestia dhe bashkimi e besimi që paraqesin gjatë këtyre ditëve besimtarët islam mes vete. Haxhiu tani
me të gjitha këto ndjenja i përjeton vet sepse ai gjendet përballë dhe në mesin e të gjitha këtyre ndodhive, që nuk do t’i përjetonte ndryshe pos me kryerjen e haxhit personalisht nga vetë ai.
Haxhi është një obligim që qet në shesh ju ofron haxhinjëve dhe muslimanëve të kuptojnë se kudo që jetojnë muslimanët, ata përfaqësojnë vlera të njëjta, ata gjithashtu paraqesin bërthamën e njëjtë të mendimit të tyre pavarësisht se ku dhe me kë jetojnë. Muslimani i cili shkon të kryejë obligimin e haxhit shkon dhe ndahet nga shteti dhe vendi ku jeton qoftë si një anëtarë i një familjeje, apo si një fshatar i ndonjë fshati, ose qytetar i ndonjë qyteti, ose si ndonjë shtetas i ndonjë shteti, por kur të kthehet nga haxhi në vendlindjen e tij ai tani më kthehet si një person ose si një individ i një ymmeti (populli) që ka ndjenja dhe ide të përbashkëta.
Allahu xh.sh. në një hadithi kudsijj, nëpërmjet Pejgamberit a.s. thotë:”Kam krijuar robër të shumtë që më respektojnë (itaat) dhe falin namaz, edhe ata i merr malli për Kaben dhe mendojnë për të (Kaben) sikur dallëndyshen që e merr malli për folenë e saj.”(3)
Ndërsa Resulullahu a.s., lutej në këtë mënyrë: ”O Allahu im, fale atë që shkon të kryejë haxhin, dhe atë që shkon në haxh e bën dua për veten e tij (d.m.th. plotësoja lutjet dhe fale).”(4)


____________________
1) Imam Gazaliu, kapitulli 1. f.314, Kajro.
2) Koleksioni Muslim, kap: Iman, 134 – 140. Kajto, pa vit botimi.
3) Hadithi Kudsij, përmbajtja e hadithit është nga ana e Allahut xh.sh. ndërsa radhitja e fjalëve nga ana e Muhamedit a.s.
4) Ebu Hurejre r.a., Xhamiussagir, hadithi nr.1451, bot: Kajro.


Artikulli i kaluar
Sërish vjen haxhi

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme