Fjala ‘xhihad’ në gjuhën angleze dhe në gjuhë të tjera, zakonisht, përkthehet si ‘Luftë e Shenjtë’ e cila, si e tillë, është bërë sinonim për ‘mani ndaj Islamit’.
Xhihadi ose ‘lufta e shenjtë’ në kuptimin e luftërave imperialiste, agresive, të cilat kanë për qëllim imponimin e fesë me forcë, nuk ekziston aspak në Islam.
Kundërshtarët e Islamit, të cilëve u ka ardhur në ndihmë edhe një pjesë injorantësh myslimanë, duke e përkthyer fjalën xhihad si ‘luftë e shenjtë’, nxorën parullën ‘shpata islame’ me të njëjtën tendencë.
Institucioni i xhihadit në islam, ka vlerë jashtëzakonisht me rëndësi. Në kuptimin më të gjerë ‘xhihad’ do të thotë të bëhen përpjekje dhe të derdhet mund në të gjitha aksionet dhe aktivitetet, me qëllim të ruajtjes, prosperitetit dhe mbarësisë si të individit, ashtu edhe të bashkësisë.
Ky lloj xhihadi, - si fjalë (paskajore e një lloji të zgjeruar të foljeve) rrjedh nga “xhehd-përpjekje”,- do të thotë të bëhet përpjekje, duke u nisur pikësëpari nga njeriu si bartës i kësaj instance.
Xhihadi nuk është vetëm një veprim i jashtëm, ai është gjithashtu edhe veprim i brendshëm për forcimin e vetvetes dhe për përmirësimin e gabimeve. Ky rregull ilustron bollshëm se xhihadi nuk përfshin patjetër fillimin e luftës sulmuese apo mbrojtëse.
Sa i përket termit ‘xhihad’ apo ‘lufta në rrugën e Allahut’, duhet të theksojmë se ai përmban edhe detyrën e luftës kundër armikut të Islamit dhe myslimanëve, në qoftë se ata kanë qëllime të këqija agresive dhe robëruese.
Për luftën kundër armikut, në gjuhën arabe, ka dy terma që kanë të bëjnë me konfliktet luftarake: termin ‘kital’, që jep idenë e luftës kundër sulmuesit dhe termin ‘harb’, që jep idenë e gjendjes së vetë luftës.
Në luftërat e zhvilluara ndërmjet besimtarëve dhe jobesimtarëve, gjatë 23 viteve të pejgamberisë së Muhammedit a.s., vdiqën afër 150 burra nga ana e armikut. Numri i myslimanëve të martirizuar llogaritet rreth 120. Historia botërore nuk mund të paraqesë shembullin e një revolucioni të tillë.
Disa qarqe qëllimkëqija dhe tendencioze në Perëndim, posaçërisht nga periudha e kolonializmit, u përpoqën që xhihadin ta interpretojnë gabimisht, që me këtë të argumentojnë në mënyrë të qëllimshme se Islami qenka imponuar me forcë dhe qenka përhapur me shpatë.
Sigrid Hunke-ja thotë: “Arabët nuk kishin për qëllim që t’i konvertojnë njerëzit, por që të zgjerojnë rajonin e sundimit të Zotit- strategji, e cila, e lidhur me tolerancën islame, rezultoi me pasoja krejt të tjera për sundimin e Afrikës Veriore dhe të Spanjës nga myslimanët, krahasuar me nënshtrimin e vendasve të Amerikës Latine dhe Veriore nga disidentët e krishterë evropianë.”
Prandaj, mund të konkludojmë se lufta në rrugë të Allahut ose ‘Xhihadun fi sebilil-lah’, që është përmendur shpesh në Kuranin e shenjtë, ka kuptim të gjerë, që nënkupton kryerjen e urdhrave të Zotit; parimet morale; luftën kundër epsheve dhe pasioneve të këqija; luftën kundër të keqes në shoqëri; flijimin personal e material në kuptimin social altruist për të mirën e bashkësisë; luftën kundër armikut etj.
Pra, është një fushë e gjerë ku xhihadi prezantohet dhe vërtetohet në një kuptim më të gjerë. Ky lloj xhihadi përfshin çdo luftë në fushën kulturore, shpirtërore, politike, ekonomike dhe tekniko-shkencore. Ky është xhihadi, të cilin Islami e rekomandon gjithnjë.
Dr. Ajni Sinani