Komentimi i kaptinës El-Kalem (V)


Rrëfimi i pronarëve të kopshtit

“Ne i kemi vënë në sprovë ata (banorët e Mekës), ashtu siç i sprovuam pronarët e kopshtit, të cilët ishin betuar se në mëngjes do t'i vilnin frutat, e nuk patën thënë (kur u betuan)“ Në dashtë Allahu”! E, sa qenë ata fjetur, atë (kopshtin) e goditi një fatkeqësi nga Zoti yt. Dhe ai qdhiu si të ishte i vjelë (kositur). Në agim, ata thirrën njëri-tjetrin: “ Nxitoni herët në kopshtin tuaj, nëse doni të vilni (frutat)!” Dhe u nisën duke pëshpëritur (në mes vete): “ Të mos lejojmë asnjë të vobektë që të hyjë sot në kopshtin tonë!” Ata u nisën herët, të vendosur në atë që thanë. Por, kur e panë atë! (kopshtin), thanë: “S'ka dyshim, ne paskemi humbur (rrugën)”, Jo, (ne nuk kemi humbur rrugën) por paskemi mbetur pa të (qenkemi privuar nga frutat e kopshtit). Më i arsyeshmi ndër ta tha: “A nuk ju thashë unë se duhet ta lartësoni Allahun?!” “Lavdëruar qoftë Zoti ynë! - thanë - Ne paskemi qenë vërtet të padrejtë!” Atëherë filluan të qortonin njëri-tjetrin. “Ah, të mjerët ne! - thanë ata - Paskemi qenë vërtet arrogantë! Ndoshta Zoti ynë mund të na zëvendësojë me ndonjë edhe më të mirë se ai, ne vetëm te Zoti ynë mbajmë shpresën!” I tillë ka qenë dënimi (i tyre), ndërsa dënimi në botën tjetër, do të jetë shumë më i ashpër, veç sikur ta dinin!” - (El-Kalem, 17-33)

Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake

Në ajetet paraprake Allahu i Madhërishëm foli për cilësitë e urryera të idhujtarëve, pavarësisht nëse bëhet fjalë për Velid ibnul Mugiren, Ahnes ibn Sherikun apo dikë tjetër prej tyre, duke përmendur mohimin-kufrin e tyre, mendjemadhësinë dhe në fund duke përmendur se njërit prej tyre, sa për ta vënë në sprovë, i kishte dhuruar pasuri dhe fëmijë të shumtë. Meqë sprova në pasuri dhe fëmijë është e rëndë, zakonisht, shumë prej njerëzve, bien nga ky provim. Allahu xh.sh. i sprovon njerëzit nëse do të jenë falënderues për këto begati e mirësi ndaj Tij, apo kjo do t'i çojë në mendjemadhësi e mohim.
Pikërisht në një sprovë të tillë patën rënë edhe banorët e kopshtit, ngjarja e të cilëve do të shtjellohet në ajetet (17-33), sa për t'i përkujtuar parisë mekase se edhe ata ishin tashmë në një sprovë të tillë. Mohimi që ata po i bënin ftesës së Muhamedit a.s., ishte mosmirënjohje nga ana e tyre për mirësitë e Allahut ndaj tyre, andaj nëse nuk do të punonin me mend, do t'i priste i njëjti fat, sikurse ai i pronarëve të kopshtit.

Shkaku i zbritjes së ajetit (17)

Transmetohet nga Ibn Ebi Hatimi, ky nga Xhurejxhi se Ebu Xhehli në Ditën e Luftës së Bedrit kishte thënë: “Rrëmbejini furishëm, lidhini me litarë dhe asnjë prej tyre mos e mbysni (me shpatë, por ndëshkojini dhimbshëm deri në vdekje, sqarim yni S.B.)”. Pas këtyre fjalëve ka zbritur ajeti: “Ne i kemi vënë në sprovë ata (banorët e Mekës), ashtu siç i sprovuam pronarët e kopshtit”. Për t'ua sqaruar mekasve se kanë ”forcë” mbi besimtarët, ashtu siç patën “forcë” banorët e kopshtit mbi kopshtin e tyre.

Koment:

17. Ne i kemi vënë në sprovë ata (banorët e Mekës), ashtu siç i sprovuam pronarët e kopshtit, të cilët ishin betuar se në mëngjes do t'i vilnin frutat:
18. e nuk patën thënë (kur u betuan) “ Në dashtë Allahu!
Ky grup ajetesh, me te cilat fillon së shtjelluari ngjarja e pronarëve të kopshtit, ka një rrëfim edukativ me shumë porosi e urësi për njerëzit, në radhë të parë për banorët e atëhershëm të Mekës. Sipas historianëve, kjo ngjarje ka ndodhur në periferi të qytetit San'a të Jemenit,(1) pas ngritjes së Isait a.s. dhe në pika të shkurtra flet për trashëgimtarët e një kopshti nga babai i tyre, kopsht i cili u sillte fruta dhe përfitime të mëdha. Babai i tyre kishte qenë një bamirës i madh ndaj të varfërve, duke ua lejuar atyre një pjesë të kopshtit për nevojat e tyre. Ndërkohë ai kishte vdekur, por djemtë e tij kishin qenë shumë koprracë dhe ishin betuar se ata nuk do të ndanin asnjë frut për të varfrit, por ato fruta do t'i mbanin për vete, sepse kishin shumë fëmijë dhe jetesa po bëhej gjithnjë më e vështirë për ta. Në mbrëmje, ata kishin planifikuar që të zgjoheshin herët për të vjelë të gjitha frutat e kopshtit të tyre. Madje, as nuk kishin marrë mundimin të thoshin “Inshallah” -“Në dashtë Allahu”.(2)
Duke ditur se asgjë në këtë ekzistencë nuk ndodh pa lejen dhe dëshirën e Allahut, ata thuajse kishin harruar se nuk mund të ishin të zotët e realizimit të asnjë premtimi pa dëshirën e Krijuesit fuqiplotë.
Këta ishin vënë në sprovë, ashtu siç ishin vënë në sprovë urie e thatësie banorët e Mekës, për të parë nëse ata do të pasonin dritën e udhëzimit dhe ta pranonin ftesën e çiltër të Muhamedit a.s., apo do të vazhdonin me mohimin e tyre kryeneçe të ndëshkoheshin ashtu siç ishin ndëshkuar pronarët e kopshtit, për ç gjë na flasin ajetet në vazhdim...
19. E, sa qenë ata fjetur, atë (kopshtin) e goditi një fatkeqësi nga Zoti yt.
20. Dhe ai gdhiu si të ishte i vjelë (kositur).
Pronarët e kopshtit, atë natë kishin fjetur të qetë, të bindur se kishin marrë një vendim shumë të mirë sipas tyre, që të privonin të varfrit nga të ushqyerit me ndonjë prej atyre frutave, ndërkohë, që i Madhërishmi, gjatë asaj nate, kishte dërguar nga qielli ushtritë e Tij të padukshme, të cilat nuk i di askush pos Tij dhe e kishin shkretuar e shkatërruar atë kopsht duke mos lënë asgjë në këmbë. Ai ishte bërë rrafsh me tokë dhe nuk i përngjante aspak atij kopshti të bukur që ishte deri atëherë në atë vend.
Tërë ky shkatërrim erdhi si pasojë e një mëkati kolektiv të atyre pronarëve, zemrat e të cilëve u ngurtësuan dhe nuk treguan pikë dhembshurie ndaj të varfërve e të mjerëve.
Në lidhje me këtë transmetohet nga Ibn Mesudi të ketë thënë: i Dërguari i Allahut ka thënë: “Ruajuni nga mëkatet, sepse robi duke bërë mëkat, privohet nga rrizku-furnizimi i cili ka qenë i përgatitur për të”, e pastaj kishte lexuar fjalët e Allahut: ”E, sa qenë ata fjetur, atë (kopshtin) e goditi një fatkeqësi nga Zoti yt, dhe ai gdhiu si të ishte i vjelë (kositur).”, prandaj u privuan nga të mirat e kopshtit të tyre për shkak të mëkatimit.”(3)
21. Në agim, ata thirrën njëri-tjetrin:
22. Nxitoni herët në kopshtin tuaj, nëse doni të vilni (frutat)!
23. Dhe u nisën duke pëshpëritur (në mes vete):
24. Të mos lejojmë asnjë të vobektë që të hyjë sot në kopshtin tonë!
25. Ata u nisën herët, të bindur-vendosur (ta realizojnë)në atë që thanë.
Të nesërmen, herët, me agimin e parë të mëngjesit, ata u zgjuan nga gjumi dhe filluan të thërrisnin njëri-jetrin që të nxitonin te kopshti i tyre nëse donin t'i vilnin frutat. Se për çfarë lloji frutash bëhet fjalë, ajetet kuranore nuk kanë sqaruar në detaje, por sipas Muxha-hidit, kopshti i tyre ishte me hardhi rrushi.
Ata u bënë gati me pajisjet e nevojshme dhe u nisën. Ata gjatë rrugës nuk flisnin me zë të lartë, por pëshpëritnin në mes vete me zë të ulët, që të mos i dëgjonte dikush prej varfanjakëve, se nuk do ta lejonin asnjë prej tyre që të hynte në kopshtin e tyre për të vjelë ndonjë kalavesh rrushi. Arsyeja pse u nisën aq herët, ishte dëshira që të vilnin sa më shpejt e të mos linin asgjë për të tjerët. Koprracia i kishte mbërthyer zemrat e tyre. Ata ishin të vendosur e të bindur se do ta realizonin premtimin e tyre, duke mos menduar fare për pasojat që mund të kishin nga ky veprim i tyre i mbrapshtë.
26. Por, kur e panë atë (kopshtin), thanë: “S'ka dyshim, ne paskemi humbur (rrugën)”,
27. Jo, (ne nuk kemi humbur rrugën) por paskemi mbetur pa të (qenkemi privuar nga frutat e kopshtit).
Sapo arritën te kopshti tyre, ata u befasuan me pamjen e trishtueshme para vetes. Kopshti i tyre me fruta të shumtë, që ishte aty një ditë më parë, tashmë ishte shndërruar në një vend të shkretë. Çdo gjë ishte shkatërruar. Ishte djegur i tëri nga një flakë e mistershme. Doke mos u besuar syve nga ajo që po shihnin, ata u hutuan e thanë: Ne sigurisht e paskemi humbur rrugën. Nuk ka mundësi që ky të jetë kopshti ynë. I ranë atij vendi disa herë vërdallë, për të verifikuar nëse ishin në tokën e tyre. Kur u bindën se ai ishte kopshti i tyre, njëri prej tyre që dukej paksa më i arsyeshëm se të tjerët tha: Jo, o të mjerë, nuk e kemi humbur rrugën, por paskemi mbetur pa kopsht, për shkak të koprracisë sonë. Jemi privuar nga frutat që i kishim, për shkak se e humbëm lidhjen me Zotin dhe menduam me logjikën e koprracisë e të egoizmit.
28. Më i arsyeshmi ndër ta tha: A nuk ju thashë unë se duhet ta lartësoni Allahun?!
29. Lavdëruar qoftë Zoti ynë! - thanë - Ne paskemi qenë vërtet të padrejtë!
30. Atëherë filluan të qortonin njëri-tjetrin.
31. Ah, të mjerët ne! - thanë ata - Paskemi qenë vërtet arrogantë!
32. Ndoshta Zoti ynë mund të na zëvendësojë me ndonjë edhe më të mirë se ai, ne vetëm te Zoti ynë mbajmë shpresën!”
Ai vazhdoi t'u drejtohej vëllezërve të tjerë me fjalë qortuese dhe këshilluese, sepse siç dukej ishte më fetar dhe më i devotshëm se të tjerët. Megjithatë, ka të ngjarë që “zëri” i tij kishte humbur në mesin e tërë atyre zërave të zhurmshëm që ishin kundër tij në mbrëmjen e kaluar. Ai, siç duket, edhe më parë ua kishte tërhequr vërejtjen që ta lartësonin Allahun dhe të ishin mirënjohës ndaj Tij për mirësitë dhe begatitë e Tij ndaj tyre, ashtu siç kishte qenë mirënjohës edhe babai i tyre më parë.“ Siç duket, këto fjalë të tij nxitën ndjenjën e pendimit tek vëllezërit e tjerët. Ata njëzëri filluan ta madhëronin e lartësonin Allahun duke thënë: “Lavdëruar qoftë Zoti ynë! - thanë - Ne paskemi qenë vërtet të padrejtë!”.
Ata vetëm tash filluan të shihnin gabimin që kishin bërë. Qortimi i ndërsjellë ishte shumë i natyrshëm. Ata po i thoshin njëri-tjetrit: Ah sa të padrejtë paskëshim qenë. Sa arrogantë e mosmirënjohës u bëmë ndaj Krijuesit tonë. Ah si nuk ndoqëm gjurmët e babait tonë, i cili ishte bujar e zemërgjerë.
Nga kjo kuptojmë se kur zemra mëkatare pendohet sinqerisht, atëherë shpresa për pranimin e këtij pendimi tek Zoti është gjithmonë e gjallë dhe e pranishme. Ata filluan të kërkonin falje me lotët e vakët të pendesës, duke iu drejtua të Gjithëmëshirshmit me fjalët: “Ndoshta Zoti ynë mund të na zëvendësojë me ndonjë edhe më të mirë se ai, ne vetëm te Zoti ynë mbajmë shpresën!”.
33. I tillë ka qenë dënimi (i tyre), ndërsa dënimi në botën tjetër, do të jetë shumë më i ashpër, sikur ta dinin”
Ja ky ishte shembulli që Allahu xh.sh. ua solli mekasve që të mos bëheshin të tillë, mosmirënjohës e arrogantë, por të përudheshin në të vërtetën. I këtillë ishte dënimi i pronarëve të kopshtit në këtë botë, vetëm pse ishin koprracë dhe mosmirënjohës, andaj Allahu ua tërheq vërejtjen mekasve se dënimi i botës tjetër për shkak të mosbesimit është shumëfish më i rëndë dhe më i dhimbshëm sesa dënimi dhe ndëshkimi i kësaj bote.
Ibn Abasi në lidhje me shembujt që Allahu xh.sh. ka sjellë për banorët e Mekës thotë: Ky shembull përshtetet më së miri me sjelljet e kurejshëve, kur dolën në luftën e Bedrit dhe u betuan se do ta mbysnin Muhamedin a.s. dhe shokët e tij, pastaj kur të ktheheshin në Mekë, do të bënin tavaf rreth Shtëpisë së Shenjtë, do të pinin verë nën ritmin e këngëve dhe kërcimin e valltareve deri në agim.” Por Allahu xh.sh. ua zhdavariti këto planifikime të tyre, kur i turpëroi në Bedër nëpërmjet duarve të myslimanëve, të cilët ndonëse shumëfish më të paktë në numër, i vranë shumë prej krerëve të mëdhenj të kurejshëve dhe zunë robër shumë prej tyre. Me këtë u vërtetua se atë që e përkrah Allahu, kurrë nuk do të humbë, ndërsa ata ndaj të cilëve është i hidhëruar për shkak të mosbesimit të tyre, askush nuk mund t'i shpëtojë prej dënimit të Tij.

Porosia e këtyre ajeteve

- Jeta e kësaj bote është një sprovë e vërtetë. Ashtu siç ishin vënë në sprovën e pasurisë pronarët e kopshtit, po ashtu në këtë sprovë ishin edhe mekasit, të cilëve Allahu i Madhërishëm u kishte dhuruar mirësi të shumta. I kishte bërë fqinjë dhe kujdestarë të Shtëpisë së Shenjtë, të kroit të zemzemit dhe zotërinj të të gjithë arabëve, kur nga mesi i tyre kishte përzgjedhur më të mirin e krejt njerëzimit-Muhamedin a.s.. Vetëm këto do të mjaftonin që ata të ishin thellësisht mirënjohës ndaj Krijuesit të kësaj ekzistence.
- Është mendim i disa dijetarëve se, kur të vjelim fruta apo korrim arat, duhet të japim diçka nga frutat për të varfrit dhe kalimtarët e rastit, dhe kjo pjesë e dhuruar nuk hyn në kategorinë e zekatit të obliguar.
- Njerëzit në këtë botë mund të planifikojnë për të punuar diçka, por është mirë që nijetin e tyre ta shoqërojnë me fjalët “Inshallah-Në dashtë Allahu”, përndryshe, planifikimi i tyre mund edhe të mos realizohet.
- Pendimi për një mëkat të bërë, qoftë edhe me vonesë, është më i mirë sesa vazhdimi në mëkatim. Nëse ky pendim shoqërohet me sinqeritet dhe me punë të mira, pendimi pranohet dhe mëkati fshihet. Po nëse ky pendim mungon atëherë bota tjetër do të jetë vendndëshkim për të gjithë mëkatarët.
- Ftesa e Allahut nëpërmjet të Dërguarve të Tij për në dritën e Imanit ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë e hapur.

(vijon)


______________________
(1) Hadaiku-rrevhi ve-r-rrejhan, vëll. XXX, £. 79.
(2) Hafidh Izzuddin Abdurrezak er-Rres'anij, Rumuzul Kunuzi fi tefsiri-l kitabi-l aziz, Mekë, 2008, vëll. 8, £. 231.
(3) Për më gjerësisht shih tefsirin e IbnKethirit, 4,434.
(4) Imam Sujutiu, Ed-Durrul Men- thur, vvyll. XIV, £. 639.
(5) El-BahrulMuhit, 8, 312.
(6) Et-Tefsiru-l Murnir, vëll. XXIX, f. 69.



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme