Shpërblimi për të devotshmit dhe mohimi i mundësisë që të jenë të barabartë i nënshtruari me devotshmëri dhe mëkatari
“Është e sigurt se për të devotshmit do të ketë te Zoti i tyre kopshte të kënaqësive. Vallë a do t’i trajtojmë kriminelët njësoj si myslimanët? Ç’është me ju, (o jobesimtarë) si po gjykoni kështu? A mos keni ndonjë libër në të cilin po lexoni (mësoni)? Se do të keni çfarëdo që të zgjidhni (dëshironi)?! A mos keni marrë ndonjë zotim (besatim) të fortë prej Nesh të vlefshëm deri në Ditën e Kiametit, (që ju siguron) se do ta arrini atë që keni përcaktuar? Pyeti ata se cili prej tyre ua garanton atë?A mos vallë ata kanë ortakë (zota) që u garantojnë, atëherë le t’i sjellin ortakët e vet, nëse e thonë të vërtetën? (Përkujto) Ditën kur çështja ashpërsohet deri në kulm (në Kiamet), ata do të ftohen për të bërë sexhde, po nuk do të munden. Shikimet e tyre do të jenë të përulura dhe do t’i mbulojë poshtërimi, sepse kanë qenë të ftuar të përuleshin (të bënin sexhde) sa qenë shëndoshë (dhe nuk kanë pranuar).”– (El-Kalem, 34-43).
Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake
Në ajetet paraprake, pamë pasojat e atyre që iu shmangën rrugës së Zotit, duke mohuar begatitë e Tij. Ato ajete pasqyrojnë veprimin e mbrapshtë të pronarëve të kopshtit. Allahu i ndëshkoi ata në këtë botë, duke ua shkatërruar kopshtin e tyre gjatë natës, me një flakë nga qielli. Porosia hyjnore u qe drejtuar banorëve të Mekës që të mos e mohonin Thirrjen e Muhamedit a.s., sepse ndëshkimi i botës tjetër është shumë më i rëndë sesa lloji i ndëshkimit që e përjetuan pronarët e kopshtit me shkatërrimin e tij.
Ndërkohë që, në ajetet në vijim, shohim shpërblimin e të devotshmëve në Xhenet, duke i demantuar thëniet e jobesimtarëve kur ata hamendësuan se në botën tjetër do të ishin të gjithë njësoj në shpërblime, ndonëse nuk kishin besuar, nuk kishin falur namaz etj...
Koment:
34. Është e sigurt se për të devotshmit do të ketë te Zoti i tyre kopshte të kënaqësive.
S’ka dyshim, se për ata që ia kishin dronë Allahut në këtë botë, në Ahiret do të ketë shpërblime të shumta dhe kënaqësi të pafundme. Besimi i tyre i paluhatshëm në Një Zot, besim i pastër dhe i sinqertë, i shoqëruar edhe me vepra të mira, do të jetë kurorë lavdie dhe është shkaku për shijimin e kënaqësive të papërshkrueshme në pallatet e bukura nën të cilët rrjedhin lumenj. Kopshtet e Xhenetit me pemë e gjelbërim, me erë misku dhe me pallate që shndritin nga shkëlqimi i margaritarëve dhe gurëve të tjerë të çmueshëm, është shpërblimi meritor për ta.
Besimtarët e vërtetë, e kanë kuptuar me kohë realitetin e kësaj botë kalimtare dhe të përkohshme. Ata nuk lejuan për asnjë çast të mashtrohen nga iluzionet e rreme të kësaj bote, sepse po të ndodhte një gjë e tillë, atëherë ata nuk do të kishin hise në kënaqësitë e përhershme të Ahiretit.
Sipas Mukatilit, kur ka zbritur ky ajet, idhujtarët e Mekës u kishin thënë myslimanëve: Vërtet Zoti, na ka dalluar e nderuar në këtë botë ndaj jush, prandaj patjetër që do të na dallojë e mbivlerësojë ndaj jush edhe në Ahiret.(1)
Ata madje ishin të bindur se nëse nuk ndodh ky dallim, atëherë më e pakta që do të ndodhë, është barazia në mes tyre dhe myslimanëve, në shpërblim. Por, përgjigjja hyjnore ndaj konstatimeve të tyre të marra ishte e menjëhershme, kur Allahu xh.sh. thotë:
35. Vallë a do t’i trajtojmë kriminelët njësoj si myslimanët?
36. Ç’është me ju, (o jobesimtarë) si po gjykoni kështu?
Kjo përgjigje e Allahut ndaj supozimeve dhe pretendimeve të idhujtarëve se ata do të ishin më të vlefshëm dhe më superiorë ndaj besimtarëve edhe nesër në Ahiret, është më tepër e natyrës alegorike, shprehur me një dozë sarkazmi. Allahu xh.sh. sikur ua bën atyre pyetjen: Vallë, a mos mendoni se ne do t’i trajtojmë besimtarët e devotshëm, të cilët e patën besimin e pastër në Allahun pa i shoqëruar Atij shok as rival, njësoj si kriminelët dhe ata që mohuan Zotin dhe maltretuan e vranë besimtarët në këtë botë.? Vallë, a mendoni se mund të jenë të barabartë me myslimanët ata që jetën e kësaj bote e kaluan në shkujdesje dhe huti, duke mos çarë kokën për obligimet e tyre ndaj të tjerëve dhe karshi Krijuesit të tyre? Vallë si mund të jenë njësoj besimtari dhe mohuesi i Zotit, mirëbërësi dhe keqbërësi, i devotshmi dhe krimineli? Sigurisht se këta nuk mund të jenë as njësoj e as të barabartë. A nuk thotë Allahu xh.sh.: “Vallë! A është besimtari njësoj si keqbërë- si? Jo, ata nuk janë të barabartë”– (Es-Sexhde, 18).
Imam Maturidiu në lidhje me ajetin e 35-të, thotë: “Allahu xh.sh. ka sqaruar se është mik i besimtarëve të devotshëm dhe armik i kriminelëve, andaj fjalët e Tij kanë këtë kuptim: Vallë, si mund të supozojnë-pretendojnë armiqtë e Mi se Unë do t’i trajtoj ata njësoj sikurse të zgjedhurit (besimtarët) dhe t’i bashkoj ata (në Xhenet)? Sigurisht se kjo nuk do të ndodhë, sepse në këtë veprim do të kishte humbje të urtësisë, e në këtë rast urtësia (logjika e shëndoshë) e bën të detyrueshme ndarjen mes armikut dhe mikut, ndërsa në bashkimin e tyre ajo (urtësia) humb kuptimin e saj.”(2)
Allahu xh.sh. vazhdon me pyetjen tjetër ndaj idhujtarëve se si është e mundur të gjykoni kaq cekët për një gjë të tillë, pa pasur kurrfarë njohurie? Si ka mundësi që pas një jete të shfrenuar, krejtësisht larg nënshtrimit ndaj Allahut, të mohimit të vazhdueshëm të ekzistimit të Tij dhe mundësisë së Ringjalljes, të mendoni se do të jeni në pozita nderi e epërsie ndaj besimtarëve?
Pyetjet hyjnore vazhdojnë, edhe më tutje në ajetet vijuese...
37. A mos keni ndonjë libër në të cilin po lexoni (mësoni)? 38. Se do të keni çfarëdo që të zgjidhni (dëshironi) ?!
Pyetja e radhës me të cilën Allahu xh.sh. u drejtohet idhujtarëve mekas, është nëse ata kanë para vetes ndonjë libër të së fshehtës që t’u ketë zbritur nga qielli nëpërmjet ndonjë të dërguari dhe prej tij po nxirrnin mësime e përfundime të tilla se do të jenë të privilegjuar në botën tjetër?(3)
A thua çfarë argumenti kanë në dorë që të jenë aq të sigurt në pretendimet e tyre se ata do të jenë në pozita më të mira sesa besimtarët në Ahiret. A thua ajo çka ata zgjedhin është e realizueshme? A thua shkruan në atë libër se pretendimet dhe dëshirat e tyre do të plotësohen ashtu, sa çel e mbyll sytë, sipas dëshirave të tyre?!
Sigurisht që jo, por idhujtarët mekas, duke mëkatuar në vazhdimësi, dhe duke ngarendur pas epsheve, dhe duke qenë pothuajse të shkatërruar shpirtërisht nga brenda, përpiqeshin të arsyetonin çdo veprim të tyre. Kur njeriu devijon nga natyrshmëria e tij e pastër, duke qenë zullumqar, përvetësues pa të drejtë i pasurive dhe ndereve të njerëzve të pafajshëm, gjithsesi në momente të caktuara brenda vetes do të ndiejë një çrregullim shpirtëror. Kjo ndjenjë e fajësisë e luhat baraspeshën e tij shpirtërore, andaj në ato momente të dobësisë shpirtërore është i gatshëm të kapet-lidhet pas çfarëdo ideje a mendimi, tek i cili i fle zemra, pavarësisht se ajo ide mund të jetë një iluzion i rremë. Përafërsisht të tilla ndjenja i përshkonin kurejshët në kohën e zbritjes së Kuranit, të cilët jo vetëm që refuzonin udhëzimin e Allahut, duke thënë se ne jemi të pasur, të fortë e autoritativë, por thoshin: Kur të vdesim, nëse ju o myslimanë pretendoni se do të shkoni në parajsë, atëherë ne do të jemi atje para jush. Këto fjalë i thoshin sa për ta qetësuar veten, ndonëse e dinin mirë se ishin vetëm ëndërrime të tyre,(4) sepse ata në realitet nuk besonin fare se do të kishte ringjallje!
39. A mos keni marrë ndonjë zotim (besatim) të fortë prej Nesh të vlefshëm deri në Ditën e Kiametit, (që ju siguron) se do ta arrini atë që keni përcaktuar?
A mos vallë, ju idhujtarë të Mekës, keni marrë ndonjë zotim apo premtim prej Allahut-Krijuesit të botëve, i Cili të jetë i vlefshëm deri në Ditën e Gjykimit se ju do të arrini atë që vetë e keni përcaktuar. Ku është ai premtim se ju do të hyni në Xhenet dhe do të gëzoni të mirat e Zotit Tuaj, pa besuar dhe pa kryer asnjë prej detyrimeve fetare?! Nga ky ajet shihet qartë mohimi i çfarëdo premtimi nga ana e Allahut për këtë kategori njerëzish, përkundrazi shihet si kërcënim për kryeneçësinë dhe shpifjet e tyre, se nëse nuk kthehen në rrugën e udhëzimit, ata do t’i presë ndëshkimi i ashpër në Ditën e Gjykimit.
40. Pyeti ata se cili prej tyre ua garanton atë?
Për t’i demaskuar edhe më tepër thëniet, supozimet dhe pretendimet e tyre të sëmura, Allahu xh.sh. tash i drejtohet Muhamedit a.s.,duke i thënë: Pyeti ata o i Dërguari Im, do të thotë pyeti idhujtarët mekas në formë të tërheqjes së vërejtjes dhe të qortimit, se kush është ai që ua garanton atyre pretendimet e tyre të marra? Kush është garantuesi juaj se ju do të jeni të barabartë me myslimanët nesër në Ahiret? A nuk e keni kuptuar ende momentin e trishtueshëm të Ditës së Gjykimit, ku askush askujt nuk mund t’i bëjë dobi, përveç veprës së tij dhe ndërmjetësimit-shefatit? Atë ditë secili do të jetë i ngarkuar me vetveten dhe hallin e tij. A nuk thotë i Madhërishmi: “Është dita kur askush askujt nuk do të mund t’i ndihmojë asgjë; atë ditë e tërë çështja i takon vetëm Allahut!”– (El-Infitar, 19) dhe: “Vallë, a mund ta shpëtosh ti prej zjarrit atë të cilit i është përcaktuar vendimi për dënim?– (Ez-Zumer, 19).
41. A mos vallë ata kanë ortakë (zota) që u garantojnë, atëherë le t’i sjellin ortakët e vet, nëse e thonë të vërtetën?
A mos vallë, ata kanë ortakë- zota të tjerë, të cilët ua garantojnë mirëqenien në botën tjetër?. Edhe kjo pyetje është alegorike dhe përbën sfidim hyjnor që, nëse ata paskan ndonjë ortak apo ndonjë zot tjetër, atëherë le t’i sjellin me vete ortakët apo zotat e tyre që të ndërmjetësojnë për ta, nëse po e flasin të vërtetën. Por, e vërteta është krejtësisht ndryshe. Ata do të mbesin të heshtur përballë së vërtetës dhe realitetit të trishtë me të cilin do të ballafaqohen. Ata jo që nuk do të jenë të privilegjuar, por do të jenë edhe të nënçmuar e të përbuzur për mëkatet dhe sjelljet e tyre arrogante në këtë botë. Dita e Gjykimit do të jetë ditë e ndëshkimit dhe e turpërimit...
42. (Përkujto) Ditën kur çështja ashpërsohet deri në kulm (në Kiamet), ata do të ftohen për të bërë sexhde, po nuk do të munden.
Allahu xh.sh. i drejtohet të Dërguarit a.s. që t’ua përkujtonte mekasve atë ditë të vështirë të gjykimit, kur çështja do të ashpërsohet deri në kulm, sepse përballja e tyre me verdiktin e Drejtësisë Hyjnore, do të jetë e dhimbshme për ta. Në këtë ditë të vështirë, e cila do të jetë e rëndë edhe për vetë besimtarët, idhujtarët dhe jobesimtarët do të ftohen të bien në sexhde ndaj Allahut fuqiplotë, por, më kot. Gjymtyrët e tyre do t’i tradhtojnë. Ato nuk do t’u binden dhe, për pasojë, nuk do të arrijnë të bien në sexhde e as të përkulen. Do të mbesim të shtangur e të palëvizshëm. Të thirrurit e tyre për të bërë sexhde, nuk është ftesa për sexhdenë e adhurimit siç e kemi bërë ne gjatë jetës në këtë botë, por është ftesë qortuese dhe nënçmuese për ta.(5)
Në lidhje me këtë ajet, është folur shumë nga shkollat e ndryshme akaidologjike nëse ky ajet duhet të kuptohet dhe interpretohet tekstualisht e që nënkupton “gjurin”, apo duhet të sqarohet me alegori, duke iu përmbajtur doktrinës akaidologjike të Ehli Sunetit-(Maturidij-Esharij) se kur flitet për cilësitë e Allahut, Atij nuk guxon t’i vishet asnjë atribut apo përshkrim i krijesave, sepse Ai është jashtë çdo përshkrimi dhe përngjasimi me krijesat. Në këtë rast, ajeti në fjalë në asnjë mënyrë nuk nënkupton“të zbuluarit e gjurit”, por shumica dërrmuese e dijetarëve myslimanë e kanë komentuar si ashpërsi të çështjes në Ditën e Gjykimit,(6) në të cilën askujt nuk i bëhet padrejtësi, dhe secili do ta marrë shpërblimin apo ndëshkimin e merituar.
Ibn Abasi fjalën “sak” e shpjegon si brengë, vuajtje dhe ashpërsi të momentit të Ditës së Gjykimit.(7) Në një transmetim tjetër nga Ibn Abasi, përcillet të ketë thënë: “Ky është momenti më i vështirë i Ditës së Gjykimit”.(8)
Po këtë mendim e ka edhe kolosi i Ehli Sunetit, Imam Maturidiu, i cili thotë se ajeti “Jevme jukshefu an sakin” nënkupton shfaqjen e momentit të kërcënimit më të ashpër me pamje trishtuese, pra fjala “sak” nënkupton vështirësinë dhe ashpërsinë.(9)
Ndërkohë, Imam Kurtubiu në lidhje me këtë ajet “Jevme jukshefu an sakin” thotë: “Ajo që është përcjellë se Allahu në Ditën e Gjykimit “zbulon gjurin e Tij”, të gjithë duhet ta dinë se Allahu është jashtë çdo përshkrimi me gjymtyrë dhe nuk i nënshtrohet ndonjë ndarjeje. Ai është larg çdo përshkrimi se mund “të zbulohet” apo “të mbulohet”, por kjo nënkupton shfaqjen e një çështjeje të Tij madhështore. Është thënë se kjo nënkupton shfaqjen e “Nurit” të Tij.” Kurtubiu sjell si argument edhe një thënie nga Ebu Musa el Eshariu, i cili përcjell nga i Dërguari a.s. të ketë thënë: “Atë ditë Allahu shfaq një Dritë të madhe (Nur) nga e cila Dritë të gjithë do të detyrohen të bien në sexhde.”(10)
43. Shikimet e tyre do të jenë të përulur dhe do t’i mbulojë poshtërimi, sepse kanë qenë të ftuar të përuleshin (të bënin sexhde), sa qenë shëndoshë (dhe nuk kanë pranuar).
Ky ajet, shpërfaq më së miri mjerimin dhe turpërimin publik të atyre që mohuan Krijuesin e tyre. Ata kur do të ftohen të bien në sexhde, do të përpiqen, por siç thamë më parë nuk do të mund ta bëjnë një gjë të tillë. Gjymtyrët e tyre trupore nuk do t’u binden. Seid ibn Xhubejri thotë se ata gjatë jetës në këtë botë ishin thirrur për namaz nëpërmjet ezanit, por nuk i qenë përgjigjur thirrjes.(11)
Ata ishin thirrur ta bënin një gjë të tillë gjatë jetës së tyre në këtë botë, por nuk kishin pranuar e as nuk e kishin përfillur udhëzimin hyjnor. Ata nuk e bënë këtë sexhde adhurimi kur ishin të shëndoshë, kur ende ishin në jetën e kësaj bote dhe kur ende mund të udhëzoheshin.(12)
Ata ngarendën pas lakmive të kësaj bote, u hoqën të mëdhenj ndaj besimtarëve dhe të varfërve, andaj tash do t’i mbulojë turpi e poshtërimi. Ata nuk do të kenë fytyrë të drejtojnë shikimet e tyre, por këto shikime do të jenë të përulura nga nënçmimi. Këta janë banuesit e zjarrit, në të cilin do të jenë përgjithmonë.
Porosia e këtyre ajeteve
- Besimtarët do të gëzojnë në Xhenet mirësitë e pakufishme të Allahut, si shpërblim për jetën e devotshme të kaluar në këtë dynja. Në këto xhenete, ata do të shijojnë begati pas begatie, duke u shkrirë në lumturinë e amshueshme
- Në botën tjetër, në asnjë mënyrë nuk do të jenë të barabartë në trajtim besimtarët dhe jobesimtarët apo mirëbërësit dhe mëkatarët, sepse kjo do të ishte në kundërshtim me drejtësinë hyjnore.
- Në pyetjet hyjnore drejtuar idhujtarëve ka alegori dhe kuptim kërcënimi që ata të logjikonin me arsye të shëndoshë e të mos harliseshin pas jetës së kësaj bote të kredhur në luks e mëkatime në fund të pretendonin se do të ishin në pozitë më të lartë në Xhenet sesa besimtarët.
- Në Xhehenem një prej ndëshkimeve do të jetë edhe thirrja nënçmuese-qortuese për ta që të bien në sexhde, por ata nuk do të arrijnë ta bëjnë këtë përulje, ndonëse tash do të dëshironin ta bënin atë në shenjë pendese.
Sidoqoftë, tashmë është vonë për pendim, por ata do t’i kaplojë përbuzja dhe shikimet e tyre do të jenë të përulura e të poshtëruara. Në anën tjetër, besimtarët do të jenë me fytyra të ndriçuara, të gëzuar e të kënaqur me atë që ua ka dhënë Zoti i tyre si dhuratë për besimin dhe veprat e tyre në këtë botë. (vijon)
(1) Tefsiri i Mukatil bin Sulejmanit, Bejrut, 2002, vëll. IV, f. 407.
(2) Imam Maturidiu, Te’vilatu Ehli-s-Sunneti, vëll. X, f. 150 (redaktuar nga dr. Mexhdi Basel-lum).
(3) Ebu Bekr el Xhezairij, Ejseru-t-tefasiri, vëll. V, f. 415.
(4) http://www.nabulsi.com/ blue/ar/art.php?art=891&id=97&sid=101&ssid=377&sssid=378; (Koment i zgjeruar i sures: El-Kalem, azhurimi i fundit i faqes më 02.01.2018).
(5) Imam Fahru Rraziu, Mefatihul gajb, vëll. 15, f. 84.
(6) Zemahsheriu, El-Kesh-shaf, Rijad, 1998, vëll. VI, f. 190.
(7) Ibn Adil ed-Dimeshkij, El-Lubab fi Ulumil Kitab, vëll. XIX, f. 299.
(8) Tefsiri i Kurtubiut, vëll. XXI, f. 176.
(9) Imam Maturidiu, Te’vilatu Ehli-s-Sunneti, vëll.V, f. 218 (redaktuar nga Fatma el Hajmi).
(10) Tefsiri i Kurtubiut, vëll. XXI, ff. 176-177.
(11) Rumuzul kunuz fI tefsir Kitabil Aziz, vëll. VIII, f. 243.
(12) Abdurrahman Hasen Habenneke el Mejdani, Mearixhu-t-tefekkuri ve dekaiku-t-tedebburi, Damask-Bejrut 2000, vëll. I, f. 255
Sabri Bajgora