Komentimi i kaptinës El-Kalem (VII)


Ndëshkimi i jobesimtarëve për shkak të përgënjeshtrimit të tyre dhe durimi i të Dërguarit a.s. gjatë thirrjes

“Pra më lër Mua me ata që e mohojnë këtë Fjalë (Kuran). Ne do t’i afrojmë ata hap pas hapi (te dënimi) prej nga nuk e presin. Dhe atyre do t’u japim afat; vërtet që ndëshkimi (kurthi) Im është shumë i fortë! A mos po kërkon shpërblim prej tyre, që të kenë frikë se mos po ngarkohen me ndonjë detyrim (tatim)?! A mos ata zotërojnë të fshehtën, dhe prej aty po përshkruajnë?! Por ti, bëhu i durueshëm ndaj caktimit të Zotit tënd e mos u bëj si ai i peshkut (Junusi a.s.) kur (në barkun e balenës) iu lut Zotit të vet, I dëshpëruar! Sikur të mos e përshkonte mëshira nga Zoti i tij, ai do të hidhej në shkretëtirë, i fajësuar (i qortuar)! Por Zoti i tij e përzgjodhi atë dhe e bëri prej të mirëve” - (El-Kalem, 44-50)

Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake

Pasi që Allahu i Plotfuqi- shëm, në ajetet paraprake, i frikësoi dhe i kërcënoi jobesimtarët me ndëshkimet e Xhehenemit dhe u kujtoi që idhujtarëve do t’u mjaftonte madje edhe vetëm ndëshkimi për përgënjeshtrimin e Kuranit për ta ndier ashpërsinë e ndëshkimit të rreptë hyjnor; tash në këto ajete shohim se i Lartmadhërishmi e këshillon të Dërguarin a.s., që të durojë ndaj caktimeve të Tij dhe të mos demoralizohet e të mos humbë shpresën për udhëzimin e popullit të tij. E këshillon që të mos veprojë ashtu siç pati vepruar Junusi a.s., i cili kur humbi shpresën për udhëzimin e popullit të tij, u largua nga ta, dhe pastaj kur e përpiu peshku (balena), ai iu lut Zotit nga errësira e barkut të tij që ta përshkonte me mëshirën e Tij. Sigurisht, po të mos ishte kjo mëshirë ndaj Tij, ai pasi doli nga barku i peshkut, do të dergjej mbase për një kohë të gjatë në shkretëtirë. Në fund, Allahu xh.sh. ia bën me dije Muhamedit a.s. se idhujtarët, nga armiqësia, inati dhe xhelozia që kishin ndaj tij, sa nuk po e përpinin me shikimet e tyre vrastare, kur ky lexonte ajete kuranore para tyre, duke e quajtur të marrë, por ai porositej të mos ligështohej e as të mos demoralizohej, sepse Kurani që po i
zbriste ishte këshillë për botët, si për njerëzit ashtu edhe për exhinët.

Koment

44. Pra më lër Mua me ata që e mohojnë këtë Fjalë (Kuran). Ne do t’i afrojmë ata hap pas hapi (te dënimi) prej nga nuk e presin.

Ky grup ajetesh fillon me qetësimin dhe prehjen e zemrës së të Dërguarit a.s.. Allahu xh.sh. i thotë atij të mos brengoset e as të mos e humbë shpresën nga përgënjeshtrimi që ata po i bënin Kuranit. Na e lër Neve punën e tyre, sepse Ne do të merremi me ta. Ky ajet në të njëjtën kohë është kërcënim i ashpër hyjnor, që nënkupton: “Ne do t’i afrojmë ata (idhujtarët) dalëngadalë drejt dënimit, pa e hetuar fare”. Fjala “se nestedrixhuhum”, nënkupton afrimin e tyre hap pas hapi deri te përfundimi i keq për ta.
Në këtë ajet shohim një mesazh me prapavijë të thellë sprovuese, për të gjithë ata që mendojnë se luksi i kësaj jete, pasuria dhe kënaqësitë, janë pjesë e suksesit të tyre vetjak. Mbase pakkush mendon se të gjitha këto mirësi mund të jenë sprovë nga Allahu, nga e cila do të dalin të zhgënjyer dhe të dështuar, sepse vdekja e tyre nënkupton humbjen e tyre të përjetshme. Allahu i Madhërishëm në shumë ajete kuranore na e shpjegon këtë gjë kur thotë: “A mos mendojnë ata që Ne duke u ndihmuar atyre me pasuri dhe djem, po nxitojmë t’u bëjmë ndonjë të mirë? Jo, kurrsesi, por ata nuk janë të vetëdijshëm (për këtë)” – (ElMu’minun, 55-56); dhe: “E kur ata i harronin paralajmërimet Tona, Ne ua hapnim atyre dyert e çdo mirësie.
Por, sapo të gëzoheshin me atë që u jepnim, Ne i dënonim befasisht dhe atëherë ata zhyteshin në dëshpërim.” – (El-En’am, 44)
Sipas Fahru Rraziut, Allahu xh.sh. për t’i vënë në sprovë, u dërgoi idhujtarëve begati e mirësi të shumta dhe ata, duke menduar se kjo ishte nderim për ta në raport me besimtarët, u bënë mendjemëdhenj dhe harruan pendimin e kërkimfaljen.(1) Kjo bëri që ata të harronin vdekjen dhe ringjalljen.

45, Dhe atyre do t’u japim afat; vërtet që ndëshkimi (kurthi) Im është shumë i fortë!

Harlisja e idhujtarëve pas pasurisë do të jetë me pasoja tragjike për ta nesër në Ahiret. Ata të dhënë pas kënaqësive të kësaj bote, harruan vdekjen dhe ringjalljen dhe harruan se një ditë do të dalin para Madhërisë së Allahut për të dhënë llogari. Në anën tjetër, Allahu i Gjithëpushtetshëm, do t’i lërë në mugëtirën e tyre për një kohë dhe pastaj i rrëmben me ndëshkimin e Tij të rreptë në botën e amshimit. Ata do të merren në pyetje përse mohuan Krijuesin fuqiplotë, përse përgënjeshtruan librat e shenjtë dhe përse u tallën e luftuan kundër të dërguarve të Tij.
I Dërguari i Allahut në lidhje me këtë ka thënë: “Allahu do t’i jap afat
zullumqarit, por kur ta ketë marrë me ndëshkim, ai nuk do të mund t’i shpëtojë më dënimit”(2) e pastaj e lexoi ajetin 102 të sures “Hud”: “Ja, i tillë është ndëshkimi i Zotit tënd, kur dënon vendet që janë zullumqare. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhimbshëm dhe i ashpër.”

46. A mos po kërkon shpërblim prej tyre që të kenë frikë se mos po ngarkohen me ndonjë detyrim (tatim)?!

Lidhur me këtë ajet, kemi folur edhe tek surja “Et-Tur”, ku Allahu, ia bën pyetjen të Dërguarit të Vet nëse ai i kishte ngarkuar idhujtarët me ndonjë tatim apo detyrim material që ata nuk po besonin?! Siç shihet, kjo pyetje në fakt ironizon me shkurtpamësinë dhe injorancën e idhujtarëve, të cilët nuk dëshironin të përudheshin në atë për të cilën po i ftonte Muhamedi a.s., thuajse ky po i ngarkonte me dhënien e ndonjë pagese në lidhje me këtë.
Fjala “min magremin muthkalune”, nënkupton ata që janë të rënduar e mbytur në borxhe e të cilët nuk kanë mundësi t’i japin akujt asgjë. Pra, i tillë është përshkrimi sarkastik për indiferencën e idhujtarëve ndaj thirrjes islame. I Dërguari a.s. po përpiqej me mish e me shpirt, duke sakrifikuar çdo gjë, vetëm e vetëm që t’i udhëzonte popullin e vet në rrugën e drejtë, Ai nuk po i ngarkonte idhujtarët mekas përtej mundësive të tyre, por vetëm dëshironte t’i shpëtonte nga humbëtira në këtë botë dhe në botën tjetër.

47. A mos ata zotërojnë të fshehtën dhe prej aty po përshkruajnë?!

Jobesimtarët, silleshin aq vrazhdë e me arrogancë ndaj Muhamedit a.s. dhe ndaj myslimanëve, thuajse zotëronin të fshehtat e këtij universi. Ata silleshin kështu me mendjemadhësi dhe jonjerëzisht, sikur të kishin në dorë argumentet dhe arsyetimet e pretendimeve të tyre të shpifura, dhe sa herë të donin mund ta kundërshtonin Pejgamberin a.s., duke refuzuar edhe t’i përgjigjeshin kur ky i thirrte në besim.
Sigurisht, kjo arrogancë ishte rezultat i injorancës së shtresuar për shekuj me radhë në zemrat e tyre dhe të paraardhësve të tyre, të cilët besonin se ekziston vetëm kjo jetë dhe se, pas vdekjes, ata humbin e treten dhe nuk ringjallen më. Ndërkohë, fshehtësitë e kësaj ekzistence janë kompetencë vetëm e Allahut fuqiplotë, i Cili krijoi çdo gjë nga mosqenia e, në mesin e kësaj krijimtarie, e krijoi edhe njeriun si qenie të brishtë e të pafuqishme. Andaj, që njeriu të pretendojë se di diçka nga fshehtësitë e universit, kjo është marrëzi dhe tejkalim kompetencash.
Dhe kur tërë kjo marrëzi pothuajse kishte arritur kulmin, Allahu i Gjithëmëshirshëm, i Cili për asnjë moment nuk heq dorë nga përkrahja e të Dërguarve të Vet, e porosit Muhamedin a.s. që të durojë lidhur me caktimet e Tij...

48. Por ti bëhu i durueshëm ndaj caktimit të Zotit tënd e mos u bëj si ai i peshkut (Junusi a.s.) kur (në barkun e balenës) iu lut Zotit të vet, i dëshpëruar!

Ky ajet sikur i jep zemër dhe e fuqizon të Dërguarin e Allahut, pasi që i bëhet me dije se përkrahja hyjnore nuk ka për t’i munguar për asnjë çast. Porosia është më se e qartë: duro ndaj caktimeve dhe urtësive të Zotit tënd në raport me idhujtarët dhe në lidhje me suksesin e misionit tënd. Vazhdo përpara, mos u ndal dhe mos e humb shpresën te mbështetja në Zotin Tënd. Padyshim që e ardhmja të takon ty dhe myslimanëve, kurse mbi armiqtë e tu do ta derdh hidhërimin Tim në botën e ardhshme.
Imam Maturidiu në lidhje me këtë pjesë të ajetit thotë: “Janë tri çështje që Allahu xh.sh. i ka përcaktuar si ligj për të dërguarit e Tij:
1. Që të mos mallkojnë popujt e tyre me shkatërrim, madje edhe nëse keqtrajtimet dhe maltretimet e tyre nuk ndalen,
2. Që në asnjë mënyrë të mos e braktisin popullin e tyre, edhe nëse këta vihen në sprova e mundime nga ta, dhe
3. Që të mos kursejnë asgjë gjatë misionit dhe kumtimit të së vërtetës, madje edhe nëse kanë frikë për sigurinë e tyre personale/ Pastaj, pas këtyre tri çështjeve, shpërfaqen edhe dy të tjera:
- Ata (të dërguarit) janë urdhëruar që të mos hidhërohen veçse për hir të Allahut, dhe
- Të mos pikëllohen për pozitën e tyre nëse tashmë u janë nënshtruar keqtrajtimeve, por të pikëllohen për gjendjen e pashpresë të atij populli tek të cilët janë dërguar, duke ndier dhembshuri dhe mëshirë për ta për ndëshkimin që mund t’i godasë si pasojë e përgënjeshtrimit të pejgamberëve”.(3)
Pjesa e dytë e këtij ajeti, po ashtu ka një domethënie shumë të madhe, me porosi kuptimplote, që të mos demoralizohej gjatë rrugëtimit në thirrjen e mekasve për besim në Zotin dhe të mos bëhej si Junusi a.s., i cili, i thyer shpirtërisht nga mosbesimi i popullit të vet, ishte hidhëruar aq shumë saqë me nxitim ishte larguar prej tyre, pa lejen e Zotit xh.sh.. Zemra e Junusit a.s. ishte mbushur me pezëm për shkak se ata nuk i besonin, kështu që nga hidhërimi vendosi të dilte nga ai vend. Allahu xh.sh. na rrëfen ngjarjen e tij duke filluar me fjalët: “(Rikujto) Edhe atë të peshkut (Junusin) kur doli i hidhëruar (prej popullit) dhe mendoi se nuk do t’i vijë më puna ngushtë...” - (Enbija’ë, 87)
Junusi ishte dëshpëruar nga ky refuzim i tyre, kështu që vendosi t’i linte dhe doli jashtë vendbanimit të tij. Atij i kishte dalë nga mendja se një i Dërguar i Allahut ishte i urdhëruar vetëm të ftojë të tjerët në rrugën e Allahutm dhe nuk ishte punë e tij që ajo Thirrje të kishte apo jo sukses, sepse suksesi apo mossuksesi i këtij misioni ishte në kompetencë vetëm të Allahut xh.sh.. Pasi kuptoi se kishte gabuar, u hodh ne det, ku e përpiu një peshk i madh (lloj balene) dhe ai e pa veten befas në mes tri errësirash të shtresuara njëra mbi tjetrën: errësirën e ngrysur të natës, errësirën e barkut të balenës dhe errësirën e fundit të detit. Aty Junusi a.s. filloi të qante me ngashërim dhe filloi ta madhëronte e t’i bënte tesbih Allahut fuqiplotë. Filloi rrugëtimi i kthimit të tij të sërishëm tek Allahu, por tash si një i burgosur në mes të tri errësirave. Zemra e tij filloi ta madhëronte Allahun, ndërsa buzët e tij ta thara lëvizën duke i bërë tesbih Atij: “La ilahe il-la Ente, Subhaneke, inni kuntu mine-dhdhalimin” - “Nuk ka Zot pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra të padrejtë vetes!” - (El-Enibija’ë, 87)

49. Sikur të mos e përshkonte mëshira nga Zoti i tij, ai do të hidhej në shkretëtirë, i fajësuar (i qortuar)!
50. Por, Zoti i tij e përzgjodhi atë dhe e bëri prej të mirëve.

I Gjithëmëshirshmi pa që pendimi i Junusit a.s. ishte i sinqertë. E kishte
dëgjuar madhërimin dhe pendimin e të
Dërguarit të Tij, të burgosur për së gjalli në barkun e balenës dhe i dha urdhër asaj që nga bota e ftohtë e thellësive të errëta të nëndetshme, të ngrihej lart, drejt sipërfaqes më të ngrohtë, drejt diellit dhe tokës së thatë. E urdhëroi atë ta nxirrte Junusin a.s. në sipërfaqe të detit dhe ta hidhte atë në një ujdhesë të thatë, pa pemë e pa bimë. Trupi i Junusit ishte bërë varrë për shkak të thartirave në lukthin e balenës. Kur dielli filloi të lëshonte rrezet mbi tokë dhe kur këto rreze prekën trupin e tij të plagosur, ai ndjeu dhimbje të mëdha, por megjithatë u përmbajt dhe vazhdoi ta madhëronte Allahun xh.sh.. I Lartmadhërishmi bëri që, nga mëshira e Tij e pakufishme, pranë tij
të mbinte një bimë kungulli i egër, bimë që ka fletë të gjera e të mëdha, për ta mbrojtur trupin e Junusit nga rrezet përcëlluese të diellit. Më pas, Allahu i Gjithëmëshirshëm e shëroi, ia fali gabimin, ia pranoi pendimin e sinqertë dhe sërish e dërgoi si pejgamber tek më shumë se 100 mijë njerëz të popullit të tij që më parë i kishte braktisur.(4)
Njëkohësisht, ia bëri me dije se po të mos ishte madhërimi që ai bëri në barkun e peshkut, do të qëndronte në barkun e atij peshku deri në Ditën e Gjykimit.
Allahu xh.sh. thotë: “Edhe Junusi ishte një nga të dërguarit Tanë. Ai nxitoi drejt një anijeje të mbushur plot (me udhëtarë), dhe hodhi short (me detarët se kush duhej të hidhej) dhe humbi. Pastaj atë e gëlltiti peshku (balena), zaten ai edhe e meritoi qortimin. Dhe, po të mos ishte nga ata që e madhërojnë Allahun, ai do të mbetej në barkun e tij (të peshkut-balenës) deri në Ditën e Ringjalljes. E Ne e hodhëm atë në një tokë pa bimë (shkretëtirë), duke qenë i sëmurë dhe bëmë që sipër tij të mbinte një bimë kungulli (për t’i bërë hije). Ne (pastaj) e dërguam atë te njëqind mijë e më shumë. E ata i besuan, prandaj ua mundësuam atyre (të përjetonin) një jetë të këndshme për një kohë.” - (Es-Saffat, 139-148) dhe: “(Përkujto) Edhe atë të peshkut (Junusin) kur iku i hidhëruar (prej popullit të tij) dhe mendoi se Ne nuk do ta dënojmë, andaj thërriti nga errësira: “Nuk ka Zot pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra të padrejtë vetes! Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga tmerri. Kështu Ne i shpëtojmë besimtarët.” - (El-Enbija’ë, 87-88)
Pas përmendjes së ngjarjes së Junusit a.s., si një mësim për durimin që duhet të ketë gjatë thirrjes, Allahu xh.sh. ia tërheq vërejtjen të Dërguarit a.s. që të ketë kujdes nga armiqësia e idhujtarëve mekas ndaj tij...

- vijon –

1. Fahru Rraziu, Mefatihul Gajbi, vëll. 15. f. 86/
2. Muttefekun alejhi.
3. Imam Maturidiu, Te’vilatu Ehli-s-Sunneti, vëll. X, f. 160.
4. Tefsiri i Kurtubiut, vëll. XXI, f. 184. (Redaktuar nga Abdullah et-Turki)



Sabri Bajgora