Komentimi i kaptinës El-Kalem (VIII)

Mëria e idhujtarëve ndaj Kuranit famëlartë dhe ndaj Muhamedit a.s

“E ata që nuk besuan gati sa nuk të zhdukin (rrëzojnë) me shikimet e tyre kur e dëgjojnë Kuranin, e (nga inati) thonë: “Ai është i marrë!” Por ai (Kur’ani) nuk është tjetër, veçse këshillë për botët (të njerëzve e të xhinëve).” – (El-Kalem – 51-52)

51. E ata që nuk besuan gati sa nuk të zhdukin (rrëzojnë-përpijnë) me shikimet e tyre, kur e dëgjojnë Kuranin, e (nga inati) thonë: “Ai është i marrë!”

Idhujtarët mekas, të cilët ishin pozicionuar vendosmërisht kundër së vërtetës dhe udhëzimit të drejtë, nga armiqësia e hapët ndaj të Dërguarit a.s., të cilën nuk mund ta fshihnin dot, gati sa nuk e përpinin atë me shikimet e tyre urrejtëse e armiqësore, kur ky lexonte ajete kuranore në prani të tyre. Dëgjimi i ajeteve kuranore i xhindoste ata edhe më shumë dhe e shikonin vëngër çdo veprim dhe fjalë të tij. Arsyeja e këtyre shikimeve smirëkëqija e ndjellakeqe ishte përpjekja e tyre që t’i bënin keq jo vetëm forcërisht, por edhe ta godisnin me magjinë apo fuqinë vrastare të syrit-shikimit të keq. Ata kishin njohuri të thella lidhur me ndikimin që mund të ketë syri në bërjen keq ndaj dikujt.
Përveç armiqësisë së hapët fizike ndaj tij, idhujtarët kishin vendosur që ta dëmtonin Resulullahin s.a.v.s. edhe me anë të “syrit”- magjisë. Ata paguan një njeri nga fisi Beni Esed, i cili kur dëshironte të “dëmtonte” dikë me syrin e tij, qëndronte pa ngrënë 2-3 ditë. Pas kësaj periudhe, ky e ngrinte një skaj të pelerinës së tij, ndërkohë që para tij kalonin devetë apo delet e ai thoshte: “Nuk kam parë kurrë deve e as dele më të mira se sot!”. Dhe pas një kohe të shkurtër, nga ajo kope, rrëzoheshin të ngordhura një numër i konsiderueshëm i tyre. Idhujtarët i kërkuan këtij “magjistari” që ta godiste me “syrin e keq” edhe Pejgamberin a.s., por Allahu i Madhërishëm e ruajti dhe e mbrojti atë nga shikimet e tilla vrastare e keqbërëse.(1)
Lidhur me fjalët e Allahut: “gati sa nuk të zhdukin (rrëzojnë-përpijnë) me shikimet e tyre”, dijetarët kanë dhënë disa mendime: - Hereviu thotë se ky ajet nënkupton dëmtimin e Resulullahit s.a.v.s. me shikim të keq, me qëllim të largimit të tij a.s. nga pozita e lartë që ia kishte dhuruar Allahu xh.sh. – gradën e Pejgamberisë.(2)
- Ibn Kutejbe thotë: Allahu nuk e ka pasur qëllimin për goditjen e tij (Muhamedit a.s.) nga syri i keq i idhujtarëve, ashtu siç rëndom merr mësysh “syri”, por për shikimet e tyre përbuzëse të përcjella me urrejtje e armiqësi që, po të mundnin, do ta shkatërronin kur ky lexonte Kuran.(3)
- Në anën tjetër El-Kushejri ka thënë: Në mendimin se të Dërguarin mund ta kapë syrimësyshi, ka pak rezerva, sepse syri zakonisht godet nga pëlqim dhe mospërmbajtja kur sheh diçka të bukur, e jo nga urrejtja dhe mëria, prandaj nga kjo mëri, thoshin për të Dërguarin a.s. se ishte i çmendur,, kur e dëgjonin duke lexuar Kuran.(4)
- Ndërsa në lidhje me këtë, Ibn Kethiri thotë: Në këtë ajet ka argument se syri (mësyshi) ka ndikim negativ te një person, natyrisht me lejen e Allahut, duke e përforcuar këtë mendim me thënien e Resulullahit s.a.v.s. kur thotë: “Nëse diçka do t’i paraprinte “kaderit”-“paracaktimit”, atëherë do t’i paraprinte syri (shikimi i përcjellë me urrejtje, smirë e zili të keqe).”(5)

52. Por ai (Kurani) nuk është tjetër, veçse këshillë për botët (të njerëzve e të xhinëve).”

Allahu xh.sh. ua demanton shpifjet e idhujtarëve kur thoshin për Kuranin se është fjalë e një të çmenduri, duke thënë se ky Kuran është Fjalë e Zotit dhe këshillë për botët, si për njerëzit ashtu dhe për exhinët. Është këshillë dhe dritë urtësie për atë që dëshiron të përqafojë udhëzimin e drejtë. Në lidhje me dy ajetet e fundit, Imam Shenkiti thotë: Këto dy ajete na rikthejnë edhe njëherë në fillimin e sures. Kur jobesimtarët e dëgjonin Kuranin, i zgurdullonin sytë me shikimet e tyre të prishura drejt Resulullahits.a.v.s., duke e etiketuar e fyer si njeri të çmendur. Por Allahu xh.sh. u thotë qartë se ky Kuran nuk është fjalë e një të “çmenduri”, por është fjalë hyjnore dhe këshillë e përbotshme për njerëzit dhe exhinët: “Ti, me dhuntinë (mirësinë) e Zotit tënd, nuk je i çmendur!” - (El-Kalem, 2).
Pra, me fjalën “nimetun”-(mirësidhunti), nënkuptohet pikërisht kjo Shpallje dhe ky Kuran që po i zbriste të Dërguarit a.s. nga ana e Allahut xh.sh..(6)
Sejjid Kutbi në lidhje me këto ajetet e fundit thotë: “Këto shikime, gati sa nuk ndikonin në këmbët e të Dërguari të Allahut, dhe gati sa ato nuk i dridheshin e rrëshqitnin për ta humbur baraspeshimin e tij në ecje. Ky ilustrim kuranor, përmban një stil shumë të lartë të shprehjes, teksa përshkruan këto shikime që shpërfaqnin urrejtje, mosdurim, keqbërje, hakmarrje, inat dhe mbi të gjitha shpërfillje nënçmuese. Në fund, të gjitha këto shikime të helmatisura shoqëroheshin edhe me sharje, shpifje e fyerje të ndyra, duke thënë se ai (Muhamedi) është i çmendur..., por Allahu i Madhërishëm që të gjitha këto shpifje e marrëzi të tyre i hodhi poshtë duke thënë se ky Kuran nuk është tjetër veçse këshillë për botët, e këshillën në asnjë mënyrë nuk mund ta transmetojë një i çmendur apo i marrë... I Lartësuar qoftë Allahu që e tha të vërtetën kurse të poshtëruar do të jenë shpifësit që përgënjeshtruan.”(7)

Porosia e këtyre ajeteve (44-52)

- Ndëshkimi, për ata që tallen me Fjalën e Allahut-Kuranin, do të jetë i dhimbshëm edhe në këtë botë, po edhe në botën tjetër. Allahu xh.sh. i lë ata që zgjodhën errësirën të treten në këtë humbëtirë dalëngadalë, derisa të ballafaqohen me vdekjen dhe ringjalljen.
- Allahu i Plotfuqishëm e vonon dënimin e tyre për një kohë në këtë botë, por dënimit të Tij në Ahiret, nuk mund t’i ikë askush prej mohuesve.
- Jobesimtarët e as idhujtarët nuk posedojnë asnjë njohuri paraprake rreth së fshehtës-gajbit, por ata vetëm hamendësojnë, shpifin e gënjejnë.
- Durimi ndaj caktimeve të Allahut është diçka që kërkohet edhe ligjërisht, andaj asnjë besimtari nuk i ka hije ngutia, nxitimi apo hidhërimi ndaj një caktimi hyjnor, ashtu siç pati vepruar Junusi a.s.
- Thirrësi në rrugën e Allahut duhet të jetë i pajisur me durim, përkushtim e qëndrueshmëri. Ai në asnjë moment nuk guxon të luhatet e as të dyshojë në misionin e tij fisnik, pavarësisht refuzimit apo fyerjes që mund t’i marrë nga ata që i thërret në besim.
- Të Dërguarve të Allahut u takon vetëm të thërrasin njerëzit për të besuar në Allahun xh.sh. dhe asgjë më tepër. Mbase, ky edhe është misioni i vetëm i tyre. Këta janë kufijtë dhe kornizat e këtij misioni, kështu që të Dërguarit të Allahut, në asnjë mënyrë nuk i takon t’i tejkalojë këta kufij me sytë apo zemrën e tij, në mënyrë që pastaj të dëshpërohet pse populli i tij nuk besojnë. Mu për këtë shkak, Allahu i Gjithëmëshirshëm e qortoi Junusin a.s., për shkak se braktisi pa leje popullin e vet.
- Idhujtarët nga armiqësia e madhe që kishin ndaj Resulullahit s.a.v.s. e shikonin atë me shikime urrejtëse duke u përpjekur t’i bënin keq. Edhe fetarisht, syri ziliqar i përcjellë me smirë e xhelozi negative, me lejen e Allahut mund ta dëmtojë atë që synohet.
Hasan elBasriu thotë: Për ata që goditen nga syri (mësyshi), ky ajet: “E ata që nuk besuan gati sa nuk të zhdukin (rrëzojnë-përpijnë) me shikimet e tyre, kur e dëgjojnë Kuranin, e (nga inati) thonë: “Ai është i marrë!”, është shërues (me lejen e Allahut).(8)
- Idhujtarët kur e shihnin Resulullahins.a.v.s. duke lexuar Kuran, e akuzonin atë me çmenduri e marrëzi, por Allahu xh.sh. ua demanton këto shpifje të tyre duke thënë qartë se këtë Kuran nuk mund ta bartin e përcjellin as të marrët e as të çmendurit, por vetëm njerëzit më të vlefshëm dhe më të përzgjedhur nga Krijuesi fuqiplotë - të Dërguarit e Tij. (Fund)

(1) Et-Tefsir el mevdui li suveri-l Kuran, vëll.VIII, f.313-314.
(2) Ibn Adil ed Dimeshkij elHanbelij, ElLubab fiulumi-l Kitab, Bejrut 1998, vëll. IXX, f. 310.
(3) Et-Tefsiru-l Munir, vëll. XXIX, f. 81.
(4) El-Lubab fiulumi-l Kitab, f. 310.
(5) Tefsiri i Ibn Kethirit, 4/436; Hadithin e transmeton Imam Ahmedi në Mesnedin e tij: 6/438 nr. (27510). Redaktori i Musnedit shejh Shuajb el Arnauti për këtë hadith thotë se është“hasen”; Po ashtu këtë hadith e transmeton edhe Tirmidhiu (4/395) me vlerësimin“hasen sahih”.
(6) Shih me gjerësisht: EshShenkiti,Advaulbejan (8/433).
(7) Fi Dhilali-l Kuran, (6/3671).
(8) El-BahrulMuhit, vëll.VIII, f. 311.



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Gara ndërkombëtare e Kuranit në Kosovë: Juria e vlerëson si ndër më të mirat e organizuara deri tani