Pastërtia në islam

Pastërtia në terminologjinë e Fikhut njihet me nocionin “Et-Tahare”, që në kuptimin gjuhësor do të thotë: pastrim, mënjanim nga ndyrësirat lëndoremateriale që shihen me anë të syrit, e gjithashtu nënkuptojmë pastrimin figurativ, siç janë të metat dhe mëkatet.

Shprehja “Et-Tahare” në kuptimin terminologjik të Sheriatit islam, ndërkaq, do të thotë: “Veprim, (Pastrim) me të cilin lejohet falja e namazit, duke filluar nga avdesi, pastërtia e trupit e deri te tejem-mumi, që synon largimin e papastërtisë materiale dhe asaj dispozitave.“ Allahu, Xhel-le Xhelaluhu, thotë: “Aty ka burra që dëshirojnë të pastrohen mirë, e Allahu i do të pastrit.“ (Teuvbe :108)
Gjithashtu, kemi edhe hadithin e Pejgamberit (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) që thotë: “Pastërtia është gjysma e imanit.” (Muslimi)
Urtësia e pastërtisë dhe dobitë e saj janë të shumta dhe të natyrave të ndryshme. Fillimisht, njeriu tenton dhe ka për obligim islam dhe moral që të ruajë pastërtinë e tij shpirtërore, si vlerë pa alternativë. Njeriu në përgjithësi, e besimtari islam në veçanti, është i vetëdijshëm për këto vlera dhe për llogarinë ndaj këtyre vlerave. Në anën tjetër, kur njeriu dëshiron të kryejë obligime islame, siç është namazi, ai dëshiron që para Allahut (Xhel-le Xhelaluhu) të dalë jo vetëm me zemër dhe me shpirt të pastër, pastaj detyrimisht që edhe me trup dhe me petk të jetë i pastër.

Ujërat dhe llojet e tij

Para se të fillojmë të themi diç për ujërat, të theksojmë se për pastrim janë të vlefshëm ujërat që zbresin nga qielli apo burojnë nga toka, siç janë: shiu, bora, breshri, lumenjtë, detet, puset, dhe burimet e tjera. Sipas rregullave të Sheriatit islam, ujërat për nga pastërtia dhe papastërtia e tyre ndahen në lloje e që kryesisht janë:

1. Uji i pastër, që ka cilësitë e pastrimit, dhe me të bëhet mënjanimi i papastërtisë, e ky ujë është uji i rëndomtë. Në këtë lloj uji përfshihen:
a) Uji i shiut, i borës, i akullit etj. Për këtë Allahu (Xhel-le Xhelaluhu) thotë: “Ju lëshoi shi nga qielli, për t’ju pastruar me të.”
b) Uji i detit, e këtë e vërteton hadithi i Pejgamberit (Sal-lall-llahu alejhi ve selleme), që thotë: ”Uji i detit është i pastër.”
c) Uji i pusit- bunarit dhe ujërat që burojnë nga toka.
ç) Uji i lumenjve.

2. Uji që është i pastër në esencë, por që nuk i pastron të tjerët. Ky lloj uji është i pastër në esencën e tij, pastron të gjitha papastërtitë materiale (të dukshme në trup, në rroba), mirëpo nuk vlen për avdes dhe pastrim nga papastërtia (xhunubllëku). Ky lloj uji është uji i përdorur, që në terminologjinë e sheriatit islam njihet me termin “Maul musta’mel”.
3. Uji që është i pastër dhe që pastron, por përdorimi i tij është veprim i urryer (Mekruh). Ky është uji nga i cili ka pirë macja e shtëpisë, pula, ose shtazët grabitqare.
4. Uji që është i pastër në esencë, por i dyshimtë në mundësinë e shmangies së papastërtisë, që në terminologjinë e Fikhut njihet me termin “Maul meshkuk“ (ujë i dyshimtë). Ky është ai ujë nga i cili ka pirë ndonjë kafshë veshgjatë, si gomari apo mushka. Dispozita e përdorimit të këtij uji është: nëse mungon ujë tjetër, atëherë mund të merret avdes me të, por pas avdesit duhet t’i bashkëngjitet tejemmumi. Shkaku i dyshimit në këtë lloj të ujit buron nga kundërthëniet e argumenteve që flasin për lejim apo ndalimin e përdorimit të këtij uji.
Uji i ndotur konsiderohet çdo ujë në të cilin ka rënë ndonjë ndyrësi, dhe si pasojë e rënies së kësaj ndyrësie uji ka ndërruar njërën nga cilësitë e tij esenciale, që janë: shija, ngjyra dhe era. Gjithashtu, ujë i papastër (i ndotur) konsiderohet edhe ai ujë, në të cilin ka rënë ndonjë papastërti dhe për të jemi të sigurt.

Uji i mbetur (suri)

Me shprehjen ujë i mbetur, që në terminologjinë e fikhut njihet me termin “s’ur”, synohet uji i mbetur, i parrjedhshëm, nga i cili ka pirë ndonjë krijesë. Edhe su’ri ndahet në disa lloje, që janë:
1. Uji i mbetur “Su’ri” që është i pastër, me cilësi pastrimi dhe me të mund të shërbehemi. Ky është uji nga i cili ka pirë njeriu, pavarësisht se bëhet fjalë për myslimanin apo jomyslimanin. Këtë e kishte bërë edhe Pejgamberi (a. s.), por edhe shokët e tij.
2. Suri i ngelur nga kafshët, mishi i të cilave është i lejuar për myslimanët, siç është: lopa, delja etj. Ky lloj suri është i pastër dhe mund të përdoret për pastrim.
3. Suri i dyshimtë është uji i ngelur, nga i cili ka pirë gomari apo mushka. Me këtë lloj të ujit mund të merret avdes, por me kusht nëse nuk ka ujë tjetër. Nëse me këtë lloj të ujit merret avdes, atëherë menjëherë pas avdesit duhet të merret edhe tejemmum, për shkak të dyshimit të pastërtisë së këtij lloji të ujit.
4. Suri i cili nuk është i pastër, dhe ky ujë nuk mund të përdoret për pastrim. Ky ujë është uji i mbetur nga i cili ka pirë ujë qeni, derri dhe kafshët dhëmbëshqyes.
Papastërtia – ndyrësira (En-Nexhasetu)
Papastërtia në terminologjinë e sheriatit islam njihet me termin “En-Nexhasetu”. En-Nexhasetu është ndyrësira e cila pengon besimtarin islam në kryerjen e obligimeve islame. Prandaj, për kryerjen e obligimeve islame, besimtari islam detyrimisht duhet ta mënjanojë këtë pengesë.
Sipas dijetarëve nga shkolla juridike hanefite, papastërtia ndahet në dy lloje:

1. Papastërti e rëndë (e madhe) Ndyrësia e rëndë, sipas Imam Ebu Hanifes konsiderohet çdo ndyrësi për të cilën ekziston tekst autentik nga Kurani apo Sunneti, që vërteton për ndyrësinë e saj. Në bazë të kësaj, ndyrësirat e mëdha janë: çdo gjë që del nga organizmi i njeriut e që e prish avdesin, pastaj gjaku, mishi i kafshës së ngordhur, ndyrësia e qenit, e derrit, duke përfshirë këtu edhe lëkurën dhe qimet e saj, gjaku i kafshëve të cilave nuk u hahet mishi dhe jargët e tyre, urina e njeriut dhe e kafshëve të cilave nuk u hahet mishi, alkooli me të gjitha llojet e tij, si dhe ndyrësia e shpezëve shtëpiake. Ndyrësira e rëndë, nëse është me madhësi të një dërhemi që peshon 4.5 g, patjetër duhet të pastrohet nëse është e tharë, kurse nëse është e lagët, atëherë duhet të jetë e shtrirë sa të mbajë shuplaka e shtrirë.
2. Papastërti e lehtë (e vogël) Ndyrësira e lehtë është urina e kafshëve mishi i të cilave është i lejuar, siç është urina e lopës, e deles, e devesë etj. Pastërtia e kësaj ndyrësire patjetër të bëhet nëse ajo shtrihet në më shumë se 1/4 e një pjese të trupit. Për besimtarin, është obligim që pastrimin nga ndyrësira ta bëjë nga trupi i tij, nga petku i tij, dhe nga vendi ku duhet falur. Pastrimi nga ndyrësira patjetër duhet të bëhet me ujë të rëndomtë apo me ujë që pastron. Nëse ndyrësira është që duket lëndore, atëherë patjetër duhet pastruar derisa të zhduket tërësisht ajo, e nëse është ndyrësi që nuk duket, atëherë duhet pastruar derisa të fitohet bindja se është pastruar. Pastrimi i ndyrësirës mund të bëhet përmes këtyre formave, që janë:

1. Përmes larjes me ujë apo me ndonjë preparat tjetër,
2. Përmes shtrydhjes (delk),
3. Përmes fshirjes (mes’h),
4. Përmes fërkimit (Ferk),
5. Përmes terjes- tharjes,
6. Përmes shndërrimit në diç tjetër,
7. Përmes therjes – prerjes sipas sheriatit islam,
8. Përmes regjjes.



Hena e re / 289


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?