(Vërtetimi i Ringjalljes dhe gjendja e jobesimtarëve në Ditën e Gjykimit)
“Ata thonë: “Vallë, pasi të tretemi nën tokë, a thua përsëri do të ngjallemi?” Vërtet, ata nuk besojnë se do të takohen me Zotin e tyre. Thuaju:“Shpirtin do t’jua marrë engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj”. E, sikur t’I shihje mëkatarët se si ulin kokat para Zotit të tyre:“Zoti ynë, tash pamë dhe dëgjuam, andaj, kthena (në atë botë) që të bëjmë vepra të mira, se tashmë jemi të bindur”. Sikur Ne të donim, do t’ia jepnim secilit udhëzimin e tij, por do të përmbushet Fjala Ime: “Me të vërtetë, do ta mbush Xhehenemin me xhind dhe njerëz bashkërisht!” Shijoni këtë (dënim) për shkak se ju e patët harruar takimin e kësaj dite, e tash edhe Ne ju harruam, kështu që, për shkak të asaj që keni vepruar, shijoni dënimin e përjetshëm.” – (Es-Sexhde, 10-14).
Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake
Në ajetet paraprake, pamë shumë argumente që dësh- mojnë për Njëshmërinë e Allahut dhe mënyrat e manifestimit të fuqisë së Tij hyjnore në këtë ekzistencë. Së pari, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, pastaj mbizotërimin e Arshit me fuqinë, dijen dhe vullnetin e Tij, pastaj ngritjen e çështjeve tek Ai në një ditë që zgjat sa një mijë vjet tona, krijimin e njeriut të parë nga balta dhe krijimin e pasardhësve të tij nga një pikë lëngu e shpërfillur, kurse tash në këto ajete flitet kryesisht për momentin e vdekjes, për Ringjalljen dhe gjendjen e jobesimtarëve në Ditën e Gjykimit.
Koment:
10. Ata thonë: “Vallë, pasi të tretemi nën tokë, a thua përsëri do të ngjallemi?”
Vërtet, ata nuk besojnë se do të takohen me Zotin e tyre.
Idhujtarët dhe mohuesit e asaj kohe, kur po zbriste Shpallja, nuk mund të pranonin faktin se njeriu, pasi të ketë vdekur e të jetë bërë pluhur e hi, do të mund të ringjallej sërish. Logjika e tyre nuk mund ta perceptonte dot këtë gjë, andaj me tallje dhe shpoti i thoshin të Dërguarit të Allahut, a thua si është e mundur që pasi të jemi tretur nën dhe, të ringjallemi sërish në një krijim të ri?!
Ky qëndrim i tyre ishte për shkak se e krahasonin fuqinë e Allahut me fuqinë e tyre, duke harruar se Ai i ka krijuar ata dhe gjithçka në këtë gjithësi, nga mosqenia, me urdhrin e Tij krijues “Bëhu!”. Zaten, perceptimi i tyre i cektë mendor bënte që ata të mos besonin se do të takoheshin a ballafaqoheshin me Zotin e tyre, të Cilin edhe ashtu e mohonin. Për këtë arsye, Allahu xh.sh. në ajetin në vazhdim, iu tregon se çfarë ndodh me ta në momentin e vdekjes...
11. Thuaju: “Shpirtin do t’jua marrë engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj
Meqë idhujtarët ishin tërësisht mosbesues për ringjalljen pas vdekjes dhe për dhënien e Llogarisë, Allahu xh.sh., ua bë me dije se ata do ta shijojnë vdekjen, dhe shpirtin do t’ua marrë meleku i vdekjes që është caktuar për ta. Ai me urtësinë e Vet, ia përcaktoi exhelin-afatin e vdekjes çdo krijese, e edhe njeriut.
Në lidhje me këtë, Ai në Kuranin famëlartë thotë: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen dhe pastaj te Unë do të ktheheni”- (El-Ankebut, 51)
Pra, jeta e njeriut në këtë botë merr fund, atëherë kur meleku i vdekjes i cili është ngarkuar me këtë mision nga ana e Allahut, ia merr shpirtin, e pastaj shpirti i tij transferohet në një botë tjetër që quhet “Berzah” ose jeta e varrezave. Për emrin e melekut të vdekjes, ka heshtur edhe Kurani, e nuk kemi ndonjë gjurmë të emrit të tij as në hadithet e bekuara të Resulullahut s.a.v.s.
S’ka dyshim se emri i melekut të vdekjes ka mbetur i mistershëm për një urtësi të fshehtë që vetëm Allahu e di. Ndërsa në mesin e popullatës islame pothuajse kudo nëpër botë, ky engjëll është i njohur me emrin “Azrail”, emërtim ky në gjuhën e vjetër hebreje, që do të thotë “Rob i caktuar nga Zoti për marrjen e shpirtrave”.(1)
Megjithatë, emërtimi kuranor “meleku i vdekjes”, përfshin tërë madhështinë e këtij meleku fisnik, i ngarkuar me një prej misioneve më të vështira nga Zoti i Plotfuqishëm.
Ky engjëll bën pjesë në katër engjëjt më të zgjedhur së bashku me Xhibrilin, Mikailin dhe Israfilin, dhe ka ndihmës edhe melekë të tjerë, me rastin e marrjes së shpirtrave, ashtu siç na e përshkruan këtë edhe Kurani famëlartë në suren El-En’am, ajeti 61: “... Kur t’i vijë ndonjërit prej jush vdekja, atij ia marrin shpirtin të dërguarit tanë (melekët) dhe ata nuk bëjnë kurrfarë lëshimi.”; pastaj në ajetin e 93-të, po ashtu të sures El-En’am: “…E sikur t’i shihje mizorët kur janë në agoni të vdekjes, e engjëjt kanë shtrirë duart e veta (me ndëshkim) e (u thonë): shpëtojeni pra vetveten(nëse mundeni)...”; dhe:“Sikur t’i shihje engjëjt kur ua marrin shpirtin atyre që mohuan (do të shihje tmerr), u binin fytyrave dhe shpinave të tyre (para dhe prapa): Shijoni dënimin e djegies”(El-Enfal, 50),
Për ndihmësit e tij nga radhët e melekëve të tjerë flet edhe hadithi i gjatë i cili është transmetuar nga Berra’ë bin Azibi, të ketë thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut: “...Kur besimtarit t’i jetë afruar fundi i jetës në këtë botë, për të kaluar në Ahiret, nga qielli zbresin melekët me fytyra të ndritshme sikur dielli. Me vete sjellin qefinin dhe parfumet më aromatike të Xhenetit dhe ulen përballë besimtarit. Në ato momente në një formë të bukur vjen meleku i vdekjes, i cili ulet te koka e tij dhe thotë: “O shpirt i mirë, urdhëro e dil (eja) në mëshirën dhe kënaqësinë e Allahut”, dhe shpirti i besimtarit del nga trupi sikur që bie pika e ujit nga gota. Pastaj meleku i vdekjes e merr atë shpirt, të cilin melekët e tjerë për asnjë çast nuk ia lënë më në dorën, derisa të mos e mbështjellin me atë qefin (të Xhenetit) dhe ta parfumonin me parfum të Xhenetit. Era e shpirtit të tij e ka aromën më të këndshme se çdo lloj i miskut, parfumit në tokë....”(2)
Sipas hadithit tjetër të Resulullahut s.a.v.s., që njihet si “Hadithi i Surit”(3), meleku i vdekjes do të jetë krijesa e fundit që do të vdesë në këtë ekzistencë, e në fund, me urdhrin e Allahut do ta shijojë edhe vetë vdekjen e do të mbetet vetëm Allahu i Madhërishëm, i Përhershmi pa fillim dhe pa mbarim, ashtu siç na e përshkruan këtë edhe ajeti i 16-të, i sures Gafir: “I kujt është pushteti sot?
I Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit!”
12. E, sikur t’i shihje mëkatarët se si ulin kokat para Zotit të tyre: “Zoti ynë, tash pamë dhe dëgjuam, andaj, kthena (në atë botë) që të bëjmë vepra të mira, se tashmë jemi të bindur”.
Ky ajet pasqyron gjendjen e mjerë të mohuesve në Ditën e Gjykimit. Për këtë arsye Allahu i drejtohet të Dërguari të Vet me fjalët: Sikur t’i shihje o Muhamed, mëkatarët dhe mohuesit në Ditën e Gjykimit se si i ulin kokat e tyre të turpëruar, të nënçmuar e të përbuzur para Zotit të tyre, duke e pranuar fajin dhe gabimin e tyre e duke thënë: O Zoti ynë, ne pamë dhe dëgjuam dhe tash u bindëm, andaj na kthe edhe njëherë në botën e dynjasë, që të bëjmë vepra të mira e të fitojmë kënaqësinë Tënde. Ata në këtë ditë, e fajësojnë veten e tyre pse nuk besuan dhe pse nuk i dëgjuan këshillat e pejgamberëve dhe porositë e Kuranit fisnike të Librave të tjerë të shenjtë, para se ato të shtrembëroheshin nga duart e mizorëve dhe mëkatarëve.
Për këtë pendim të tyre të vonshëm, japin shenjë shumë ajete kuranore si: “Dhe thonë: “Sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim ndër banuesit e zjarrit”.– (El-Mulk, 10), pastaj:“E sikur t’i shihje ata kur janë ndalur pranë zjarrit e thonë: “Ah sikur të ktheheshim (në dynja), të mos gënjejmë faktet e Zotit tonë e të bëhemi nga besimtarët!” - (El-En’am, 27).
Të gjitha këto pendime dhe fajësime të vetvetes, më nuk kanë vlerë, sepse tashmë është koha e llogarisë së fundit dhe ndëshkimi i përjetshëm në zjarrin e Xhehenemit.
Në anën tjetër Allahu e di mirë se këta mizorë, edhe po të ktheheshin në këtë dynja, ata sërish do të ishin mohues dhe përgënjeshtrues të argumenteve të Allahut, gjë të cilën na e qartësojnë edhe këto ajete kuranore: “Jo, (s’është ashtu) po atyre u doli në shesh ajo që e mbanin fshehtë më parë, prandaj edhe sikur të ktheheshin ata do të përsëritnin atë që e kishin të ndaluar, e s’ka dyshim, ata janë gënjeshtarë”. – (El-En’am, 28), dhe “E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira e të kompensoj atë që lëshova!” Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai...” – (El-Mu’minun, 99-100).
13. Sikur Ne të donim, do t’ia jepnim secilit udhëzimin e tij, por do të përmbushet Fjala Ime: “Me të vërtetë, do ta mbush Xhehenemin me xhinde dhe njerëz bashkërisht!”
Ky ajet në kthen në një çështje akaidologjike, të shtjelluar gjerësisht nga ana e dijetarëve të Ilmul Kelamit, nëse Zoti i ka përcaktuar veprat tona dhe nëse ne veprojmë ashtu siç na është shkruar-destinuar.
Mendimi i dijetarëve të Ehli Sunetit, i cili na qetëson shpirtërisht është se Allahu e krijoi njeriun në formën më të përsosur, e pajisi me arsye, mendje dhe logjikë, dhe mbi të gjitha ia dha lirinë dhe mundësinë e të zgjedhurit. Sigurisht se po të ndodhte që Allahu të determinonte veprimet tona, atëherë nuk do të kishte arsye të ekzistonte as Llogaria, as Xheneti e as Xhehenemi.
Pra, nga kjo kuptojmë se ne me veprat e tona e meritojmë shpërblimin ose
ndëshkimin, duke qenë gjithmonë të vetëdijshëm se Dijes së Zotit nuk mund t’i fshihet asgjë. Prandaj edhe i Madhi Allah, kur thotë: “Sikur Ne të donim, do t’ia jepnim secilit udhëzimin e tij...”, dëshiron të na bëjë me dije se Ai është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm për çdo gjë. Ai po të donte do të na jepte udhëzimin në formë urdhri dhe do të na bënte besimtarë të bindur e të nënshtruar, por atëherë, ashtu siç thamë më parë, do të humbte kuptimi dhe urtësia e ardhjes sonë në këtë botë, sepse ne nuk do të mund të zgjidhnim se çfarë do të dëshironim të vepronim, etj.
Pjesa e dytë e këtij ajeti: “...por do të përmbushet Fjala Ime: “Me të vërtetë, do ta mbush Xhehenemin me xhinde dhe njerëz bashkërisht”, na argumenton qartë se pasi që Allahu e diti me Dijen e Tij të pakufizuar në kohë e hapësirë, se çfarë do të zgjidhnin ata me vullnetin e tyre të lirë, (e ata do të zgjidhnin kundërshtimin dhe përgënjeshtrimin) atëherë tha se do të përmbushet Fjala Ime, se vërtet do ta mbush Xhehenemin me xhinde e me njerëz mohues e mosmirënjohës.(4)
14. Shijoni këtë (dënim) për shkak se ju e patët harruar takimin e kësaj dite, e tash edhe Ne ju harruam, kështu që, për shkak të asaj që keni vepruar, shijoni dënimin e përjetshëm.
Atyre që mohuan, pas Llogarisë do t’u thuhet në formë përbuzjeje dhe poshtërimi: Shijoni këtë dënim të merituar, sepse ju e kishit harruar fare këtë Ditë të Llogarisë. Gjatë jetës së dynjasë, u bëtë mendjemëdhenj dhe harruat se do t’ju zë ky çast i trishtuar.
Prandaj, edhe Ne do t’ju “harrojmë” e nuk do të merremi me ju, teksa do të përjetoni ndëshkimet e përjetshme në zjarrin përvëlues të Xhehenemit.
Sigurisht, që fjala “ju harruam apo do t’ju harrojmë” në këtë ajet vjen si shprehje e përbuzjes dhe nënçmimit ndaj mohuesve, sepse ata në këtë dynja kishin harruar udhëzimet dhe porositë e Allahut dhe ndoqën rrugën e shejtanit të mallkuar, me të cilin së bashku do të digjen përjetë- sisht në Xhehenem,(5) ashtu siç ka ardhur edhe në ajetin e 34-të, të sures El-Xhathije: “E u thuhet: “Sot po u lëmë të harruar, ashtu sikurse ju e harruat takimin e kësaj dite, vendi juaj është zjarri, për ju nuk ka ndihmëtarë”.
Porosia e këtyre ajeteve (10-14)
- Idhujtarët që mohonin ringjalljen pas vdekjes, logjikonin mbrapsht teksa e krahasonin fuqinë e tyre me fuqinë absolute të Allahut.
- Fuqia e Allahut është absolute. Ai do të ringjallë të gjitha krijesat pas vdekjes së tyre.
- Allahu ia ka përcaktuar vdekjen dhe exhelin çdo krijese. Për marrjen e shpirtrave e ka ngarkuar njërin prej katër melekëve të mëdhenj-melekun e vdekjes, i cili në popull njihet me emrin Azrail.
- Në Ditën e Gjykimit, idhujtarët tok me jobesimtarët, do të qëndrojnë të turpëruar e me koka të ulura poshtë, për shkak se kishin mohuar Allahun dhe Ditën e Llogarisë. Ata do të kërkojnë nga Allahu t’i kthejë edhe njëherë në këtë botë, që të bëjnë vepra të mira, por kjo është vetëm një fjalë që e thonë ata, sepse Allahu me Dijen e Tij absolute e di se ata edhe po të ktheheshin në këtë botë, prapë do të vazhdonin me kufrin dhe mohimin e tyre.
- Po të donte Allahu, secilit do t’ia jepte udhëzimin, por ishte Vullneti i tij që njerëzit t’i linte të lirë në vepra, në mënyrë që drejtësia absolute të vijë në vend. Ata që besuan dhe bënë vepra të mira do të shpërblehen me Xhenet, kurse jobesimtarët dhe mohuesit do të ndëshkohen në Xhehenem, përjetësisht, sepse kështu përmbushet edhe Fjala e premtimi i Allahut Fuqiplotë.
- vijon –
1. Abdulkahir el Xhurxhani, Durxhu-d-durrerfitefsiri-l Kurani-l Adhim, Aman, 2009, vëll. II, 447.
2. Hadith ‘sahih’. E transmetojnë Ebu Davudi (nr. 4753); Imam Ahmedi (4.287); Nesaiu (4/78) dhe Ibën Maxhe (nr. 1548). Shih Tefsirin e Ibën Kethirit, (redaktuar nga Sami bin Muhamedes-Selame), Riad, 1999, vëll. IV, f. 494-497.
3. Et-Taberani, El-Mu’xhemu-l Kebir, Xhedë, 1993, vëll. 25, f. 266.-277.
4. Shih më gjerësisht: Imam Maturidiu, Te’vilatuEhli-s-Sunneti, Bejrut , 2005, vëll. VIII, f.335-336. (redaktuar nga dr. Mexhdi Basel-lum).
5. SeidHavva, El-Esasufi-t-Tefsir, Kajro, 1985, vëll. VIII, f. 4365.
Sabri Bajgora