Cilësitë e besimtarëve dhe shpërblimi i tyre në Ahiret
“Argumentet (Fjalët) tona i besojnë vetëm ata të cilët, kur u përmenden, bien në sexhde, të cilët madhërojnë Zotin e tyre në shenjë falënderimi dhe nuk bëhen mendjemëdhenj. Ata ngrihen nga shtrati, duke iu lutur Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe nga ajo që Ne ua kemi dhënë (nga pasuria), ata japin. Askush nuk di se çfarë kënaqësish janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Es-Sexhde, 15-17)
Shkaku i zbritjes së ajetit të 16-të
- Transmeton Bezzari nga Bilali r.a. të ketë thënë: “Derisa qëndronim në xhami, një grup sahabësh falnin namaz ndërmjet namazit të akshamit dhe atij të jacisë, prandaj zbriti ajeti: “Ata ngrihen nga shtrati, duke iu lutur Zotit të tyre me frikë e shpresë.”(1)
- Transmeton Tirmidhiu duke e konsideruar si “sahih” këtë transmetim nga Enesi r.a. të ketë thënë: “Ky ajet: “Ata ngrihen nga shtrati, duke iu lutur Zotit të tyre me frikë e shpresë” ka zbritur përderisa prisnim namazin që quhet ‘El-Atemetu’ (e ky është namazi i jacisë)”(2)
- Malik ibën Dinari thotë: E pyeta Enes ibën Malikun në lidhje me këtë ajet, se për kë ka zbritur: Tha: “Ishin disa nga sahabët e Resulullahut s.a.v.s., që falnin namaz (nafile) ndërmjet dy namazeve, të akshamit dhe atij ta jacisë së fundit, me ç’rast zbriti ky ajet.”(3)
- Transmeton Katadeja nga Enes ibën Maliku të ketë thënë: “Për ne, parinë e ensarëve ka zbritur: “Ata ngrihen nga shtrati, duke iu lutur Zotit të tyre me frikë e shpresë.” E falnim akshamin dhe nuk ktheheshim në shtëpitë tona derisa e falnim edhe jacinë e fundit pas të Dërguarit të Allahut.”(4)
- Hasen el Basriu, Muxhahidi dhe El Evzai, janë të mendimit se ky ajet ka zbritur në përgjithësi për ata që falin namaz të natës duke u ngritur në një pjesë të saj. Vërtetësinë e këtyre fjalëve të tyre e dëshmon edhe një transmetim nga Muadh ibën Xhebeli i cili ka thënë: “Derisa ishim së bashku me të Dërguarin e Allahut në luftën e Tebukut, na zuri vapa, dhe njerëzit u shpërndanë gjithandej (në kërkim të ndonjë hijeje). Shikova pranë vetes, kur ja, i Dërguari a.s. ishte më së afërmi meje, prandaj iu afrova edhe pak dhe e pyeta: “O i Dërguar i Allahut. Më njofto për një vepër që më fut në Xhenet dhe më largon nga zjarri.” Tha: “Vërtet pyete diçka madhështore, dhe ajo do t’i lehtësohet atij që ia lehtëson Allahu: Ta adhurosh Allahun dhe të mos i shoqërosh Atij asgjë në adhurim, t'i falësh namazet farz, ta japësh zekatin, e të agjërosh Ramazanin. Nëse dëshiron, mund të të njoftoj me të gjitha dyert e mirësisë”? “Po si jo, o i Dërguar i Allahut”, i thashë. Ai vazhdoi e tha: “Agjërimi është mburojë, sadakaja e fshin gjynahun dhe ngritja e njeriut për namaz në mes të natës, duke synuar kënaqësinë e Allahut”, e pastaj e lexoi këtë ajet: “Ata ngrihen nga shtrati, duke iu lutur Zotit të tyre me frikë e shpresë.” (Es-Sexhde, 16)(5)
Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake
Në ajetet paraprake, pamë gjendjen e mjerueshme të jobesimtarëve gjatë marrjes në llogari, të mbuluar nga turpi, nënçmimi dhe përbuzja, për shkak të mosbesimit të tyre, për ç’gjë i pret dënimi i ashpër dhe i përjetshëm në zjarr të Xhehenemit. Ata nuk besonin në ringjalljen pas vdekjes, kështu që, duke ndjekur teket dhe pasionet e tyre të ulëta, ndoqën rrugën e djallit të mallkuar i cili i çoi në humbëtirë, kurse tash në këto ajete, Allahu i Madhërishëm na
tregon se besimtarët në Njëshmërinë e Zotit, gjatë jetës në këtë botë, e madhëronin Allahun dhe i binin Atij në sexhde. Këta njerëz me zemra të pastra, ngriheshin natën për të falur namaz, me shpresë se Allahu do t’i përfshijë në rahmetin e Tij. Prandaj, të tillët, në Ahiret, do të kenë shpërblime të cilat nuk mund t’i imagjinojë kurrë mendja e njeriut.
Koment
15. Argumentet (Fjalët) tona i besojnë vetëm ata të cilët, kur u përmenden, bien në sexhde, të cilët madhërojnë Zotin e tyre në shenjë falënderimi dhe nuk bëhen mendjemëdhenj.
Në këtë ajet, janë përmendur besimtarët, të cilët besojnë bindshëm në argumentet e Allahut, besojnë se Kurani është Fjalë e Allahut, besojnë në të dërguarit e Tij dhe besojnë në shenjat e panumërta hyjnore në këtë ekzistencë. Por, ajo çka i bën këta besimtarët të veçantë prej të tjerëve, është përulësia ndaj Krijuesit të tyre Fuqiplotë e të Gjithëmëshirshëm.
Besimtarët e sinqertë, janë mirënjohës e falënderues ndaj Allahut, në çdo gjendje dhe në çdo kohë, qoftë për mirësitë e dhuruara nga ana e Tij, qoftë për sprovat me të cilat i sprovon dhe e kalitin imanin e tyre.
Të tillët sa herë që u lexohen apo u përmenden ndonjë prej këtyre argumenteve apo fjalëve hyjnore, bien të përulur në sexhde, me zemra të mbushura me iman, të cilat pulsojnë me dashuri ndaj Zotit të tyre. Këta besimtarë të dëlirë, nuk janë as mendjemëdhenj e as të vrazhdët, por janë modestë e të përulur me frikërespekt ndaj Krijuesit të tyre.
Sexhdeja, nënkupton nënshtrimin e plotë dhe përulësinë, e përcjellë me përvujtni ndaj të Madhërishmit. Sexhdeja është pjesë përbërëse enamazit, ku në të balli ynë prek tokën, duke lartësuar e madhëruar Allahun xh.sh.. Me këtë sexhde përulësie, robi ngrihet dhe afrohet edhe më shumë shpirtërisht te Krijuesi i tij.
Se çfarë vlere ka sexhdeja në namazin tonë, këtë e ka sqaruar më së miri i Dërguari i Allahut kur thotë: “Njeriu (robi) më së afërmi me Zotin e tij, është kur bie në sexhde, prandaj shpeshtojini duatë në të.”(6)
Ajeti i 15-të i kësaj sureje, njëkohësisht është edhe një prej ajeteve në të cilat është obligim sexhdeja gjatë leximit të saj, e cila në terminologjinë e shkencave kuranore quhet “Sexhdetu-t-tilaveti”, pas së cilës, sipas juristëve myslimanë, duhet bërë një sexhde, pavarësisht nëse je në namaz, duke lexuar Kuran, ose e dëgjuar leximin e saj nga dikush tjetër.
Sipas juristëve të shkollës hanefite, në Kuran janë 14 ajete, pas leximit apo dëgjimit të të cilave obligohemi me sexhde. Në disa nga medhhebet e tjera juridike, llogaritet edhe një sexhde tjetër shtesë, ajo e sures El Haxh, ajeti 77, e cila tek hanefinjtë nuk konsiderohet e tillë.
Sipas medhhebit tonë juridikhanefij, personi i cili e lexon apo e dëgjon njërin nga këto ajete të sexhdes, e ka vaxhib rënien në sexhde, kurse sipas medhhebeve të tjera kjo sexhde është sunet.(7)
Në lidhje me këtë lloj të sexhdes, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kur njeriu ta lexojë sexhden e leximit dhe të bëjë sexhde, shejtani vetmohet dhe duke qarë thotë: ‘Mjerë për mua, njeriut iu urdhërua sexhdeja dhe u bind e do ta fitojë xhenetin, kurse mua më është urdhëruar sexhdeja dhe refuzova, e më përket xhehenemi’!”(8)
16. Ata ngrihen nga shtrati, duke iu lutur Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe nga ajo që Ne ua kemi dhënë (nga pasuria), ata japin.
Ashtu siç pamë edhe nga shkaqet e zbritjes së këtij ajeti, ka të ngjarë që ky ajet të ketë përshkruar besimtarët e devotshëm, të cilët faleshin në xhaminë e Pejgamberit a.s., ashtu siç është përcjellë edhe nga Enes ibën Maliku, por mund të përshijë edhe të gjithë besimtarët e sinqertë, në çdo vend dhe kohë, të cilët ngrihen në pikë të natës dhe falin namaz nafile, apo namaz të natës, me të cilin synojnë afrimin tek Allahu me vepra të mira.
Në lidhje me ta, Allahu xh.sh. ka zbritur: “dhe ata që e kalojnë natën duke iu lutur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë (të ngritur në namaz)”- (El-Furkan, 46).
Namazi i natës është një prej adhurimeve më madhështore. Ka qenë traditë e të gjithë të dërguarve të Zotit, paqja e Allahut qoftë mbi të gjithë ata, dhe e njerëzve të devotshëm. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Faleni namazin e natës, sepse ky namaz është traditë e njerëzve të mirë (devotshëm) para jush, është afrim te Zoti juaj, është fshirje e mëkateve tuaja dhe ndalesë nga veprat e shëmtuara”.
Namazi është forca që ripërtëritë vullnetin e njeriut, është lidhja me Allahun e cila kurrë nuk shkëputet. Prandaj, ata që falen vazhdimisht, e përveç namazeve farz, falin edhe namaze të tjera nafile-namaz të natës, vërtet janë të denjë dhe meritorë që nesër të jenë banorë të Firdevsit, sepse të tillëve, kujtimi i Madhërisë së Allahut, u forcon edhe më tepër besimin. Ata i përkulen dhe i bien në sexhde vetëm Atij që është i denjë për adhurim, me shpresë që ta arrijnë bekimin dhe mëshirën e Tij, e njëkohësisht me dro dhe ndjenë turpi që të mos bëjnë ndonjë mëkat, që e hidhëron të Gjithëmëshirshmin. Përveç kësaj, këta besimtarë japin pandërprerë nga ajo mirësi dhe pasuri të cilën ua ka mundësuar Allahu xh.sh., duke respektuar maksimalisht çdo dispozitë hyjnore.
Në lidhje me këtë ajet, është përmendur nga Tha’ëbiu, ‘merfuan’ e ky nga Esma bint Jezid të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: “Kur Allahu t’i ketë tubuar të parët dhe të fundit, do të vijë një thirrës e do të thërrasë me zë të lartë, të cilin do ta dëgjojnë të gjitha krijesat. “Sot, këta të tubuar do të shohin se kush do të nderohet e do të fisnikërohet. Ai thirrës do të thotë sërish: Lë të ngrihen ata “të cilët ngriheshin nga shtrati dhe i luteshin Zotit të tyre me frikë e shpresë...”, dhe ata do të ngrihen, e janë një grup i vogël. Pastaj thirrësi do të kthehet sërish e do të thërrasë: “Le të ngrihen ata të cilët e kanë falënderuar Allahun në çdo gjendje, qoftë në mirëqenie, qoftë në vështirësi.” Ata do të ngrihen, e janë një grup i vogël. Pastaj prej aty, do të dërgohen të gjithë në Xhenet, e pastaj do të vazhdojë Llogaria e njerëzve të tjerë.”(9)
Një transmetim pothuajse i ngjashëm është përcjellë edhe nga Ukbe bin Amir el Xhuhenij, edhe me këtë shtesë: “Pastaj vjen një thirrës e thërret: “Ku janë ata që:“... nuk i pengon as tregtia e as shitblerja për ta përmendur Allahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zeqatin. Ata i frikësohen Ditës kur do të tronditen zemrat dhe shikimet.”- (En-Nur, 37).(10)
17. Askush nuk di se çfarë kënaqësish janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.
Ashtu siç kemi cekur në fillim të kësaj sureje, në lidhje me këtë ajet, është transmetuar nga Ebu Hurejre, e ky nga i Dërguari i Allahut të ketë thënë: “Allahu xh.sh. në një hadith kudsij thotë: “Kam përgatitur për robërit e Mi të mirë (në Xhenet) çka syri kurrë s’e ka parë, çka veshi kurrë s’e ka dëgjuar dhe çka as nuk ka mundur t’i ketë shkuar ndonjë njeriu në mendje (të imagjinojë diçka të tillë nga mirësia).”(11)
Ebu Hurejre vazhdon e thotë: Po deshët, lexoni ajetin e 17-të të kësaj sureje: “Askush nuk di se çfarë kënaqësishjanë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.”
Ja, ky pra është Xheneti i premtuar nga ana e të Lartmadhërishmit për robërit e Tij të sinqertë, me kënaqësi të përjetshme, të cilat nuk kanë kurrfarë ngjashmërie me kënaqësitë e kësaj bote. Ky nderim i madh, është rezultat i veprave të besimtarëve, të cilët punët e mira nuk i bënin për syfaqësi, por vetëm për hir të Allahut, dhe në fshehtësi të plotë, e një prej këtyre punëve është ngritja natën për të falë namaz, për të fituar kënaqësinë e të Madhit Zot.
Është përcjellë nga Sehl bin Sa’desSaidij r.a. të ketë thënë: Kam prezantuar në një ndejë (mexhlis) me të Dërguarin e Allahut, i cili e përshkroi Xhenetin gjerë e gjatë, derisa përfundoi e pastaj tha: “Në të ka gjëra (të bukura) të cilat syri kurrë s’i ka parë, që veshi kurrë s’i ka dëgjuar dhe (ka prej shpërblimeve) çka as nuk ka mundur t’i ketë shkuar ndonjë njeriu në mendje.”, e pastaj e lexoi ajetin: “Askush nuk di se çfarë kënaqësish janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.”(12)
Po ashtu transmeton Hakimi në Sahihun e tij nga Ibën Mesudi të ketë thënë: “Kjo është e shkruar edhe në Tevrat, që Allahu ka përgatitur për ata “të cilët ngriheshin nga shtrati dhe i luteshin Zotit të tyre me frikë e shpresë...”, atë çka syri (i njeriut) kurrë s’e ka parë, që veshët kurrë s’e kanë dëgjuar dhe (prej shpërblimeve) çka as nuk ka mundur t’i ketë shkuar ndonjë njeriu në mendje, çka nuk e di asnjë melek i afërt, e as ndonjë i Dërguar, e kjo gjendet edhe në Kuran: “Askush nuk di se çfarë kënaqësish janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.”(13)
Porosia e ajeteve (15-17)
- Besimtarët e vërtetë të Njëshmërisë, janë njerëz me zemra ta pastra, të përulur e respektues ndaj Krijuesit të tyre. Atyre sa herë që u përmendet ndonjë argument që flet për përulësi e nënshtrim ndaj Allahut fuqiplotë, bien në sexhde, duke e madhëruar Atë me fjalët” “Subhane Rabbije-l A’ëla”14 ose “Subhanallahi ve bihamdihi”(15)
Përveç kësaj, ata vazhdimisht janë mirënjohës e falënderues ndaj Zotit të tyre në çdo gjendje qofshin, dukem mos qenë mendjemëdhenj e as arrogantë.
- Besimtarët e sinqertë, përveç pesë namazeve ditore, ngrihen në mes të natës nga shtretërit e tyre, për t’iu lutur e rënë në sexhde falënderimi Allahut Mëshirëplotë. Ata ndoshta në shikim të parë e privojnë veten nga gjumi i natës, por në anën tjetër e fitojnë bekimin dhe mëshirën e Allahut, duke shpresuar si shpërblim mirësitë e pakufishme e të përjetshme të Xhenetit.
- Sado që të përpiqemi të flasim për të gjitha ato mirësi e kënaqësi që do t’i presin besimtarët në kopshtet e Xhenetit, është e pamundur të themi më tepër se ç’ka thënë Allahu në një hadith kudsij, të cilin e përcjell Pejgamberi a.s. kur thotë: Ka thënë Allahu: “Kam përgatitur për robërit e Mi të mirë (në Xhenet) çka syri kurrë s’e ka parë, çka veshi kurrë s’e ka dëgjuar dhe çka as nuk ka mundur t’i ketë shkuar ndonjë njeriu në mendje (të imagjinojë diçka të tillë nga mirësia)”, fjalë të cilat vërtetohen edhe nga ajeti i 17-të i kësaj sureje: “Askush nuk di se çfarë kënaqësish janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.”
(vijon)
1. Imam Xhelalud-din es-Sujuti, Lubabu-n-nukuli fi esbabi-n-nuzuli, Bejrut, 2002, f. 204. 2. Po aty, f. 204. 3. Imam Vahidiu, Esbabu-n-nuzuli, Rijad, 2005, f. 557. (Me rivajet të Argijaniut). 4. Esbabu-n-nuzuli, f. 557. 5. Esbabu-n-nuzuli, f. 558. Këtë hadith i cili e ka edhe një shtesë tjetër, e kanë transmetuar edhe Hakimi në El-Mustedrek (2/412); San’ani në Musnedin e tij (20303); Imam Ahmedi (5/231); Ibën Maxhe (3873); Tirmidhiu (2616); Nesaiu në Es-Sunen-l Kubra (11394), Taberaniu në El-Mu’xhemu-l Kebir (20/266) dhe Bejhekiu në Shuabi-l Iman (3350). 6. Transmetojnë Muslimi, Ahmedi, Nesaiu, Ibën Hibban. Shih: Imam Shevkaniu, Nejlu-l Evtar, Demmam, 1427 h., vëll. III, f. 90. 7. Për më gjerësisht rreth sexhdes së leximit shih: Hafidhud-din en-Nesefij, El-Bahrur-Rraik sherh Kenzu-d-dekaik fi furui-l hanefijjeti, Bejrut, 1997, f. 210; Abdullah bin Mahmud el Mevsili, El-Ihtijar li ta’lili-l muhtar, Damask, 2009, vëll. I, ff. 254-258. 8. Sahihu Muslim, nr. 133; Ibën Maxhe, (70); dhe Imam Ahmedi (2.442). 9. Imam Bejhekiu, Shuabi-l Iman, (2974). (Hadithi është i kategorisë ‘hasen li gajrihi’). 10. E transmeton Hakimi në El-Mustedrek, (3508). 11. E ka përcjellë Buhariu në kapitullin“Tefsirii sures Es-Sexhde”, vëll. VI, f. 145. (Shih: Fi Rihabi-t-Tefsir, vëll. 21, f. 4070). 12. Sahihu Muslim (8/143); Muhamed bin Abdurrahman el Mubarekfuri, Tuhfetu-l Ahfedhi, sherh Xhamiu-tTirmidhij, (nr.3249), vëll. IX, f. 56. 13. Et-Tefsiru-l Munir (21/226). 14. E tërë Madhështia i takon Zotit tim të lartësuar. 15. E tërë Madhështia dhe lavdërimi i takon vetëm Allahut.
Sabri Bajgora