Komentimi i kaptinës “Es-Sexhde”- (6)

Shpërblimi i besimtarëve dhe ndëshkimi i jobesimtarëve

“Vallë a është besimtari njësoj si keqbërësi! Jo, ata nuk janë të barabartë. Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, do ta kenë vendqëndrim Xhenetin, për hir të veprave që i bënë. Ndërsa ata që mëkatuan, vendbanim i tyre do të jetë Zjarri. Sa herë që do të duan të dalin nga ai, do të kthehen në të dhe do t'u thuhet: “Shijoni dënimin e Zjarrit, të cilin e mohonit!” Dhe, Ne do të bëjmë që të shijojnë një dënim më të lehtë (në këtë botë), para dënimit më të madh (në Ahiret), me qëllim që të kthehen (në rrugën e drejtë duke u penduar). Kush është më i padrejtë se ai që, kur i përmenden argumentet e Zotit të tij, ua kthen shpinën atyre? Vërtet, Ne do të hakmerremi ndaj keqbërësve! — (Es-Sexhde, 18-22)

Shkaku i zbritjes së ajetit të 18

- Transmetojnë Vahidiu dhe Ibn Asakiri, nëpërmjet Seid ibn Xhubejrit, e ky nga Ibn Abasi të ketë thënë: Velid bin Ukbe bin Ebi Muajti, i kishte thënë Ali ibn Ebi Talibit: “Unë jam më i shkathtë se ti në hedhjen e shigjetës, më i thjeshtë (më i kuptueshëm) se ti në të folur dhe i mbushi (i plotësoj me trup të madh) më shumë se ti radhët në çetë (ushtarake)”, ndërkohë që Aliu r.a. ia kishte kthyer: “Hesht, sepse ti je fasik”!, për çka zbriti ajeti në fjalë. Ibn Abasi thotë se me fjalën “mumin” aludohet në Aliun, kurse me fjalën “fasik” aludohet në Velidin bin Ukben.(1)
- Të njëjtin transmetim Ibn Xheriri e transmeton nga Ataë ibn Jesari, e po ashtu edhe Ibn Adijj dhe Hatibi e transmetojnë të njëjtin, nëpërmjet disa rrugëve të transmetimit që përfundojnë te Ibn Abasi.(2)
- Ndërsa Hatibi dhe Ibn Asakiri kanë transmetuar nga Ibn Luhej'a, ky nga Amër bin Dinari e ky nga Ibn Abasi të ketë thënë: Ky ajet ka zbritur pas një zënke në mes të Ali ibn Ebi Talibit dhe Ukbe bin Ebi Muajtit(3), e jo me Velidin, mendim i cili del të jetë më i pranuar, sepse Ukbeja, ka vdekur si jobesimtar pas luftës së Bedrit, ndërkohë që Velidi ka qenë besimtar, madje edhe Vali i Kufës, ndonëse me shumë mangësi në sjellje, të cilat e kanë përcjellë gjatë jetës së tij.(4)

Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake

Meqë në ajetet paraprake (15-17) i Lartmadhërishmi sqaroi gjendjen e besimtarëve të sinqertë, duke shijuar kënaqësitë e Xhenetit, ndërsa në ato para tyre (10-14) gjendjen e mjerueshme të jobesimtarëve, të privuar nga mëshira e Zotit, tash këto ajete fillojnë me pyetjen, nëse mund të llogariten njësoj besimtari me mëkatarin, dhe vazhdon me përgjigjen se kurrë nuk mund të jenë njësoj e as të barabartë. Besimtarët i pret shpërblimi i Xhenetit, kurse kriminelët dhe mohuesit, i pret skëterra e Xhehenemit.

Koment:

18. Vallë! A është besimtari njësoj si keqbërësi? Jo, ata nuk janë të barabartë.

Ky grup ajetesh që fillojnë me pyetjen: Vallë si mund të jetë i barabartë dhe njësoj besimtari që beson bindshëm në Krijuesin e tij, në të dërguarit e Tij, dhe që i nënshtrohet e përulet me respekt Allahut të gjithëpushtetshëm, me atë që është fasik, mëkatar i madh, jobesimtar dhe përgënjeshtrues i Ditës së Gjykimit? Përgjigjja është: sigurisht që nuk mund të jenë të barabartë, sepse në Ditën e Gjykimit, kur do të vendosen peshojat e Drejtësisë absolute, secili prej tyre do ta marrë shpërblimin ose ndëshkimin e merituar, besimtari do të shijojë lumturinë e pafund në Xhenet, ndërsa mëkatari, do ta përjetojë dënimin më të rreptë në skëterrat e Xhehenemit.
Ajeti në fjalë, fillon me “hemze” që në gjuhën arabe zakonisht përdoret për mohim të mundësisë për ta konsideruar të barabartë apo njëlloj besimtarin dhe mohuesin. Kjo pyetje çuditëse dhe habitore, ka për qëllim që dëgjuesin apo lexuesin ta ndërgjegjësojë se ekziston një dallim diametralisht i largët në mes dy grupeve të lartcekura.(5) Prandaj, sipas Katades, nuk mund të jenë të barabartë besimtari me mëkatarin (idhujtarin) as në këtë dynja, as në vdekje e as në Ahiret.(6)
Në anën tjetër, në Kuranin fisnik, hasim edhe shumë ajete të ngjashme, që flasin për të njëjtën tematikë, se në asnjë mënyrë nuk do të jenë të barabartë në Ahiret besimtarët dhe jobesimtarët, të devotshmit dhe keqbërësit, si f.v.:
“A ti trajtojmë njëlloj njerëzit e devotshëm dhe njerëzit e mbrapshtë?” (Sad, 28):
“Nuk janë të barabartë banorët e Xhehenemit dhe banorët e Xhenetit: banorët e Xhenetit do të jenë të fituarit.” (El-Hashr, 20):
“A mos mendojnë ata që bëjnë vepra të këqija, se Ne do t'i bëjmë të njëjtë me ata që kanë besuar dhe që kanë bërë vepra të mira, se jeta dhe vdekja e tyre do të jetë e njëjtë? Sa keq që gjykojnë ata!” (El-Xhathije, 21), etj.
Në vazhdim të sures, Allahu xh.sh. përmend shpërblimin e xhenetlinjve dhe ndëshkimin e xhehenemlinjve.

19. “Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, do ta kenë vendqëndrim Xhenetin, për hir të veprave që i bënë”

Ata që i hapën zemrat e tyre për besim në Allahun, që e pranuan Muhamedin a.s. si të Dërguar të Tij, që nuk patën asnjë dyshim në Ringjalljen, dhe që besimin e tyre e shoqëruan edhe me vepra të mira, nesër do të jenë në kopshtet e Xhenetit, duke shijuar kënaqësitë e paimagjinueshme, enkas vetëm për besimtarët dhe vepërmirët. Ajetet paraprake na sqaruan se asnjë mendje njerëzore, e as ndonjë prej melekëve të afërt të Zotit, nuk mund ti imagjinojnë hijeshitë e Xhenetit dhe bukuritë e tij. Xheneti është me grada, dhe në bazë të veprave të tyre njerëzit do të shpërblehen.

20. Ndërsa ata që mëkatuan, vendbanim i tyre do të jetë Zjarri. Sa herë që do të duan të dalin nga ai, do të kthehen në të dhe do t'u thuhet: “Shijoni dënimin e Zjarrit, të cilin e mohoniti”

Në anën tjetër, ata që mohuan Njëshmërinë e Allahut, që devijuan nga natyrshmëria e tyre njerëzore dhe mëkatuan pa llogaritur se do të ringjallen e do të ballafaqohen me të bëmat e tyre nesër në Ahiret, vendbanimi i tyre i përjetshëm do të jetë zjarri i Xhehenemit. Ata do të shijojnë ndëshkim pas ndëshkimi, e kur ndonjëherë do të duan të dalin nga aty, do të kthehen forcërisht në të, të përbuzur e të nënçmuar. Madje atyre në shenjë poshtërimi rojat e Xhehenemit do t'u thonë: shijoni dënimin e këtij zjarri, të cilin e mobhonit(7), shijoni tash përbuzjen për shkak të mendjemadhësisë suaj.

21. Dhe, Ne do të bëjmë që të shijojnë një dënim më të lehtë (në këtë botë), para dënimit më të madh (në Ahiret), me qëllim që të kthehen (në rrugën e drejtë duke u penduar).

I Plotfuqishmi, na bën me dije se mizorët dhe mëkatarët edhe në jetën e kësaj bote do ta shijojnë një lloj tjetër ndëshkimi, para atij dënimit të madh në Ahiret. Sipas një pjese të madhe të dijetarëve në krye me Ibn Abasin, ndëshkime në këtë botëm mund të jenë fatkeqësitë e ndryshme në këtë dynja si: vuajtjet, sëmundjet, vrasjet, sprovat, varfëria, skamja etj., e po ashtu sipas Ibn Abasit këtu hyjnë edhe dispozitat ndëshkuese-‘hududet’, (për besimtarët mëkatarë, të cilët me marrjen e dënimit në këtë botë, lirohen nga barra e dënimit në botën tjetër, sqarim yni, S.B.)(8), me qëllim që ata të vetëdijesohen e të përudhen në rrugën e drejtë, ndonëse ata që e kanë vulosur zemrën e tyre me damkën e kufrit, e kanë zgjedhur rrugën e humbëtirës dhe nuk mund ta shohin dot të vërtetën me sytë e tyre. Në anën tjetër Berraë bin Azibi, Muxhahidi dhe Ebu Abide, janë të mendimit se dënimi “i lehtë” i përmendur në këtë ajet, nënkupton dënimin në varr deri në ringjallje, por si mendim është i dobët dhe si i tillë nuk ka hasur në ndonjë përkrahje nga ana e dijetarëve.(9)
Ndërsa në lidhje me këtë ajet është përcjellë nga Ibn Mesudi të ketë thënë: “Ne do të bëjmë që të shijojnë një dënim më të lehtë (në këtë botë)”, nënkupton humbjen e idhujtarëve në Bedër, si dënim për ta në këtë botë, me fjalët: “para dënimit më të madh (në Ahiret)”, që nënkupton Ditën e Gjykimit, kurse fjalët: “me qëllim që të kthehen (në rrugën e drejtë duke u penduar)., nënkuptojnë ata që mbetën të gjallë në Ditën e Bedrit, se mbase po pendohen e kthehen në rrugën e drejtë”.(10)
Edhe nga aspekti akaidologjik, pjesë e fundit e këtij ajeti “me qëllim që të kthehen (në rrugën e drejtë duke u penduar).”, lë të kuptohet se pendimi dhe kthimi në rrugë të drejtë është gjithmonë i mundshëm dhe është një derë e hapur mëshire nga ana e Allahut që njerëzit të përudhen, ashtu siç kishte ndodhur pas çlirimit të Mekës, kur Islamin e kishin pranuar shumica dërmuese e idhujtarëve të atëhershëm mekas.(11)

22. Kush është më i padrejtë se ai që, kur i përmenden argumentet e Zotit të tij, ua kthen shpinën atyret Vërtet, Ne do të hakmerremi ndaj keqbërësve!

Ky grup ajetesh përfundon me sqarimin dhe arsyen e ndëshkimit të keqbërësve dhe mëkatarëve në Ahiret, e ajo është mizoria e tyre ndaj vetvetes që manifestohet me arrogancë dhe mospërfillje të argumenteve hyjnore që ftojnë për besim në Zotin Një.
Të mjerë janë ata njerëz që refuzojnë dritën e udhëzimit hyjnor. Ata përveçqë do të jenë të përhumbur në agoninë e një vetëmashtrimi në këtë dynja, do ta humbin përjetësisht edhe botën tjetër, e fundi i tyre është zjarri përcëllues i Xhehenemit. Mizoria e tyre nuk do të mbetet pa dënim, sepse kjo është drejtësia absolute, e cila do ta prek secilin, në bazë të veprave që i kanë punuar. Meqë mizoria - zullumi, është prej gjërave më të urryera, Allahu i Madhërishëm ia ka ndaluar Vetes një gjë të tillë, prandaj njeriu duhet të largohet prej çdo vepre të shëmtuar, dhe të përpiqet që veten ta stolisë e zbukurojë me moral të lartë e sjellje të mirë.(12)
Në lidhje me kuptimin e këtij ajeti, Ibn Xheriri përcjell me isnad nga Muadh ibn Xhebeli të ketë thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Ai që i punon këto tri gjëra, vërtet ka bërë mizori: Ai që i prin një çështjeje apo lufte të padrejtë, ai që nuk i respekton prindërit dhe ai që i bashkëngjitet një zullumqari për ta ndihmuar (përkrahur).”(13)

Porosia e ajeteve (18-22)

- Besimtari dhe mëkatari në asnjë mënyrë nuk mund të jenë njësoj në Ditën e Gjykimit, as sipas Drejtësisë absolute të Allahut e as sipas logjikës së shëndoshë njerëzore.
- Vendqëndrim i besimtarëve nesër në Ahiret, do të jenë Xhenetet përrallore, ku do të do të përjetojnë lumturinë e përjetshme.
- Vend ndëshkimi i mëkatarëve që nuk besuan, do të jetë zjarri i Xhehenemit, në të cilin do të ndëshkohen përjetësisht. Sa herë që flakët përcëlluese të tij i shtyjnë lart, ata sërish do të kthehen në greminat e këtyre skëterrave, të përbuzur e të poshtëruar.
- Tek pjesa e ajetit të 19: “Ata që besuan dhe bënë vepra të mira”, shohim se vepra e mirë së bashku me imanin, lënë gjurmë të mira, kurse tek pjesa e ajetit të 20: “Ndërsa ata që mëkatuan” shohim se Allahu nuk e ka përdorur fjalën “dhe bënë vepra të këqija”, sepse fjala “mëkatuan” këtu nënkupton kufrin - mosbesimin, e vepër më të shëmtuar se kufri nuk ka.
- Mizoria më e madhe është mizoria ndaj vetvetes, kur njeriu lë dritën e udhëzimit dhe ndjek errësirat e kufrit.


_______________
1. Vahidiu, Esbabu-n-nuzul, Demmam, 1992, ff. 349-350. (redaktura e Isam bin Abdu-l Muhsin el Humejdan).
2. Imam Sujutiu, Lubabu-n-Nukul, f. 204.
3. Po aty, f. 204.
4. Imam Sujutiu, Ed-Durru-l menthur, Kajro, 2003, vëll. 11, f. 706: Shih edhe: https//:islamweb.net/ar/library/index.php?page=bookcontentsID- 363 idfrom-0idto-0flag=1bk_no-60ayano-0surano-Obookhad=0.5. Ibn Ashur, Et-Tahriru ve-t- Tenviru, vëll. XXI, f. 231.
6. Ibn Adil ed-Dimeshkij, El-Lubab fi Ulumi-l Kitab, Bejrut, 1998, f. 488.
7. Mustafa el Hasan el Mensuri, El-Muktetafu min ujuni-t-tefasir, Damask-Bejrut, 1996, f. 242.
8. Tefsiri i Kurtubiut, El-Xhamiu li Ahkami-l Kuran, (me redakturë të Dr. Abdullah Turki), Bejrut, 2006, vëll. 17, f. 39.
9. Shejh Sharavi, Havatiri havle-l Kurani-l kerim, Kajro, 1991, vëll. IXX, f. 11846.
10. Ed-Durru-l menthur, vëll. 11, f. 707.
11. Ibn Ashur, Et-Tahriru ve-t-Tënviru, vëll. XXI, f. 233.
12. Muhamedinil Emin el Arumi, Hadaiku-r-rrevhi ve-rrejhan..., vëll. 22, f. 378.
13. Muhamed Abdurreuf el Menavi, Fajdul Kadir, vëll. III, f. 291. (Hadithi është “i dobët”). Shih: Daifu-l Xhamië, nr. 2454).



Sabri Bajgora