Fiqtë nuk janë fruta të zakonshëm të Hixhazit ose të Medinës (të Gadishullit Arabik), sepse toka e tyre nuk është e përshtatshme me atë që kërkojnë drurët e fikut, prandaj nuk ka ndonjë hadith që flet për fiqtë. All-llahu i gjithëfuqishëm i përmend në Kur'an për të treguar dobitë prej tyre.
Fiqtë janë të nxehtë, kurse ka pikëpamje të ndryshme lidhur me lagështinë dhe thatësinë e tyre. Megjithatë, ka disa lloje të fiqve, kurse lloji më i mirë është fiku i bardhë(1), që duhet të piqen dhe të qërohen para se të hahen. Ngrënia e fiqve të freskët e pengon zhvillimin e urinës toksine, ndihmon në nxjerrjen jashtë të shtresimeve (sedimenteve) të urinës dhe zbërthen sedimentet me rërë që mund të bëhen gur i veshkave. Fiqtë ofrojnë një trajtim të mirë, kurse fiqtë e freskët janë më të shëndoshë sesa fiqtë e tharë. Ngrënia e fiqve shëron zërin e zgjizur, u bën mirë mushkërive dhe fytit, e përtërin mëlçinë dhe shpretkën, e pastron këlbazën si sekrecion të trupit në lukth dhe është ushqim shumë i mirë për tërë trupin. Megjithatë, ngrënia e tepërt e fiqve nxit krijimin e morrave. Fiqtë veprojnë gjithashtu si laksativë, diuretik dhe hapin bllokimet dhe shuajnë etjen që shkaktohet nga mukusi (jarga) e njelmët.
Është thënë se Ebi Derda; njëherë ia kishte ofruar të Dërguarit të All-llahut , s.a.v.s., një pjatë me fiq të freskët, kurse i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., ishte kthyer kah të tjerët duke i ftuar që të hanë së bashku me të. Me këtë rast u kishte thënë: "Sikur të përmendja ndonjë pemë që bie nga Xhenneti, do të thoja se është kjo pemë, sepse pemët e Xhennetit nuk kanë bërthama;. Pastaj kishte shtuar edhe këtë: "Hani këtë pemë se kjo i pengon hemorroidet, shëron njerëzit leshtor
dhe ndihmon në rastet me artrit (lat. Arthrolithiasis).(2)
Fiqtë e thatë janë ushqim i mirë për trupin. Fiqtë janë të mirë për nerva, e hapin traktin tretës dhe më së miri është kur hahen me arra dhe bajame. Galeni thotë se ngrënia e fiqve të thatë me arra dhe me ryzë (bar shpretke - lat. Ruta graveolens) mund të shërojë helmimin nga ushqimi. Fiqtë e thatë ndihmojnë gjithashtu në rastet me kollitje kronike, përputhen me mëlçinë dhe shpretkën, kurse ngrënia e tyre me arra dhe bajame në mëngjes në lukth të zbrazët është shumë e dobishme. Megjithatë, ngrënia e fiqve me shujta të rënda është e dëmshme. Pema më e afërt me fiqtë, në pikëpamje të dobive që u përmendën më sipër, është mani i bardhë, por ai ka vlera ushqyese më të vogla dhe mund të jetë i dëmshëm për lukthin.
1. Fiku përmban 50-58% saharoz, 5% proteina, 1% material yndyror, 5% celulozë, 2-3% mbetje të tjera perimore, 8% amidon dhe
17-24% ujë.
2. Ka shumë mendime lidhur me origjinalitetin e këtij hadithi.
MJEKËSIA E PEJGAMBERIT MUHAMMED
Përktheu nga boshnjakishtja
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi