Kontrata është burimi kryesor dhe më i rëndësishëm i marrëdhënieve dhe ndërtimit të detyrimeve. Me anë të kontratës rregullohen marrëdhëniet e pjesëmarrësve në qarkullimin e mallrave dhe në ofrimin e shërbimeve.
Hyrje
Kontrata është marrëveshje apo manifestim i vullnetit të dy ose më shumë personave që kanë për qëllim të ndryshojnë a të formojnë ose të anulojnë një marrëdhënie detyrimore në mes tyre.
Duke marrë parasysh faktin se njeriu është qenie sociale, jeton në shoqëri dhe njerëzit ndiejnë nevojën për njëri-tjetrin, atëherë detyrimisht lind edhe nevoja e bashkëpunimit korrekt dhe të sinqertë në mes tyre, prandaj kontraktimi me të tjerët në çështje të ndryshme jetësore është nevojë imanente e njeriut.
Për këtë arsye, kontrata është burimi kryesor dhe më i rëndësishëm i marrëdhënieve dhe ndërtimit të detyrimeve. Me anë të kontratës rregullohen marrëdhëniet e pjesëmarrësve në qarkullimin e mallrave dhe në ofrimin e shërbimeve. Pikërisht, duke mbajtur parasysh këto elemente që janë të pakontestueshme, shpallja hyjnore përmes legjislacionit hyjnor, rregulloi dhe sistemoi këto raporte ndënjerëzore, me qëllim që çdo individ të realizojë të drejtën e tij individuale dhe, në të njëjtën kohë, të ruhet interesi i përgjithshëm shoqëror. Duke u nisur nga këto parime, e drejta islame njeriun e detyron për zbatimin e marrëveshjeve a kontratave që janë ndërtuar mbi vullnetin e tij pa ndonjë imponim nga jashtë. Këtë imperativ e gjejmë nëpër shumë ajete kuranore, ku Allahu xh.sh. thotë: “O ju që besuat! Zbatoni premtimet (obligimet)”. (El Maide, 01) Pastaj ajeti: “Zbatoni premtimin, epse për premtimin ka përgjegjësi”.(El Isra, 34) Pastaj ajeti:“Meqë keni premtuar, pra, zbatojeni premtimin e dhënë ndaj Allahut, e mos i prishni betimet pasi t’i keni vërtetuar ato, meqenëse Allahun E bëtë garant tuajin”. (En-Nahl,91)
Nga këto ajete vërehet qartë imperativi kuranor për zbatimin e kontratës si dhe implementimin e detyrimeve që dalin nga kontrata. Pra, këto janë argumente për ligjshmërinë e kontratave.
Në anën tjetër, kur hulumtojmë në Synetin e Pejgamberit a.s., si burim i dytë autentik i legjislacionit islam, gjejmë hadithe që vërtetojnë ligjësimin e kontratës. I Dërguari i Allahut a.s. moszbatimin e kontratës apo tërheqjen nga detyrimet që dalin nga kontrata, i konsideronte atribut të hipokritëve, nga i cili besimtari islam duhet të largohet gjithsesi. Pejgamberi a.s. thoshte: “Shenjat e hipokritit janë tri: kur flet gënjen, kur premton nuk zbaton, e kur i besohet, tradhton”.( Buhariu)
E Drejta Islame
Në anën tjetër, nisur nga fakti se kontratat që janë nevojë imanente e njeriut gjatë jetës së tij, dhe bëjnë pjesë në grupin e çështjeve juridike bilaterale apo edhe multilaterale, kjo nënkupton se këto çështje duhen rregulluar me norma ligjore. Mirëpo, meqë të gjitha kontratat nuk janë të një natyre dhe prej tyre nuk rezultojnë të njëjtat detyrime, për të mënjanuar dhe evituar zënkat dhe kontestet në mes palëve kontraktuese, juristët islamë teorinë e kontratës e sqaruan veçan për çdolloj kontrate. Nga kjo nënkuptohet se juristët islamë (fukahenjtë), nuk i kushtuan rëndësi të veçantë themelimit dhe ndërtimit të ndonjë teorie të veçantë, e cila do të përfshinte elementet e përbashkëta të të gjitha kontratave. Mirëpo hulumtuesit, duke bërë hulumtime në secilën kontratë veçan, mund të konstatojnë se teoria e përbashkët e kontratave mund të përftohet nga hulumtimi në përkufizimin e kontratës, shtylla legale e kontratës, kushtet e kontratës, dispozitat dhe normat juridike që detyrojnë secilën nga palët kontraktuese etj.. Ky është parimi mbi të cilin edhe sot e kësaj dite funksionon e drejta detyrimore në kuadër të së drejtës civile, jo vetëm të asaj islame po edhe të asaj pozitive.
Nga kjo, konstatohet se parimet e përgjithshme dhe të përbashkëta në teorinë e kontratave në të drejtën islame sqarohen përmes hulumtimit të shtatë fushave dhe disiplinave shkencore, që janë:
Përkufizimi i kontratës,
Themelimi i kontratës (shtylla legale e kontratës),
Kushtet e kontratës,
Gjurmët, respektivisht detyrimet që dalin nga kontrata,
Llojet e kontratës,
E drejta e zgjedhjes në zgjedhjen e kontratës, dhe
Revidimi apo anulimi i kontratës.
Përkufizimi i kontratës
Kontrata në terminologjinë e jurisprudencës islame njihet me nocionin “elakdu”. Juristët islamë nëpër kohë, nocionin “elakdu”- kontratë, për ta bërë më të qartë, e trajtuan në dy aspekte, fillimisht nga aspekti linguistik e më pas edhe nga ai terminologjik –juridik islam.
Nocioni “elakdu” në aspektin gjuhësor, është infinitivi i foljes “akade” që do të thotë: besë, premtim, kontratë, marrëveshje, traktat, nyjë, lidhje, shtrëngim etj., pavarësisht se kjo lidhje mund të jetë materiale apo vetëm kuptimore.(1)
Nocioni “elakdu”, në aspektin gjuhësor nënkupton edhe bashkimin e dy skajeve të një sendi.
Në të drejtën kontraktuese positive, terminologjia e përcaktimit të kontratës nuk është unike(2), sepse, përveç termit kontratë përdoren edhe termat: konventë(3), traktat(4), pakt(5), dakordim dhe marrëveshje.
Juristët islamë janë të mendimit se kuptimi linguistik i nocionit “elakdu” përfshihet edhe në kuptimin terminologjik të jurisprudencës islame, andaj, sipas tyre, nocioni “elakdu” (kontratë) mund të përdoret në dy kuptime, që janë: Kuptimi i përgjithshëm. Kuptimi i përgjithshëm i nocionit “elakdu” është më afër kuptimit linguistik. Në kuptimin e përgjithshëm me këtë shprehje nënkuptojmë “Çdo veprim që ka vendosur ta bëjë njeriu, pavarë- sisht se veprimi manifeston vetëm vullnetin personal, siç është rasti me shkurorëzimin, ose në të të manifestohet patjetër edhe vullneti i palës tjetër, siç është rasti me kontratën e shitblerjes, qirasë etj..
Kuptimi i veçantë. Në kuptimin e veçantë, që do ta kemi objekt të studimit tonë, me nocionin “elakdu” nënkuptojmë: “lidhjen (pajtueshmërinë e plotë) në mes ofertës dhe pranimit në mënyrë të ligjshme, ku vërtetohen detyrimet me lidhjen e saj (kontratës)” ose, me fjalë tjera: lidhja, harmonizimi në mes fjalëve të njërës palë kontraktuese me palën tjetër, për një marrëveshje që juridikisht është e lejuar, dhe detyrimet vërtetohen me lidhjen e kësaj kontrate.(6)
Nga ky përkufizim i juristëve islamë, nënkuptohet se parashtrimi i ofertës dhe pranimit janë shprehje përmes të cilave reflektohet vullneti i dy palëve kontraktuese nga individë që posedojnë aftësi juridike. Pra, çdo shprehje që nuk reflekton vullnetin e lirë të dy palëve po sinjalizon një imponim nga ndonjë faktor i jashtëm, eliminon legjitimitetin dhe validitetin/vlerën e kontratës. Juristët islamë në këtë përkufizim, na e bëjnë me dije qartë se reflektimi i vullnetit apo dëshirës që manifestohet përmes ofertës (ixhabit) dhe pranimit (kabulit), të ketë patjetër mbështetje ligjore, ngase çdo pajtim dhe dëshirë duhet të jetë patjetër e ligjshme në esencë, ngase kontrata nuk mund të jetë legjitime edhe nëse arrihet marrëveshje në mes dy palëve për të bërë një krim që ligjërisht është veprim i ndaluar, si p.sh. dy palët a më shumë sosh të bëjnë një marrëveshje për vjedhje apo vrasje. Edhe kjo në një mënyrë është një lloj kontrate-marrëveshjeje, mirëpo është e paligjshme, e pavlefshme, e kotë dhe nga kjo marrëveshje nuk mund të dalin detyrime konkrete.
2. Shtylla (rukni) e kontratës
Shtylla (rukni), në bazë të asaj që përcaktuan dijetarët e shkencës së Usuli Fikhut, është: çështja esenciale, nga e cila varet ekzistimi i çështjes dhe ajo është pjesë përbërëse e çështjes, që nënkupton se, me ekzistimin vlefshmëria e normës sheriatike.Nëse e kundrojmë këtë në veprimet që quhen adhurime (ibadat), si p.sh. namazi, atëherë konstatojmë se rukui apo sexhdeja, janë rukne (pjesë përbërëse) të namazit, që do të thotë se, nëse i plotësojmë këto rukne, atëherë plotësohet edhe namazi si detyrim, por nëse humbin një prej rukneve të namazit, atëherë edhe namazi është i kotë dhe konsiderohet joekzistues.Rukni i kontratës, sipas juristëve të shkollës juridike hanefite, konsiderohen oferta (ixhabi) dhe pranimi (kabuli)(7), që në terminologjinë e jurisprudencës islame njihet edhe me nocionin “sigatulakdi”- (forma e lidhjes së kontratës). Elementet e tjera të kontratës janë elemente të patjetërsueshme për lidhjen e kontratës.Për sa i përket qëndrimit të shkollave të tjera juridike islame që përfaqësojnë Ehlisunetin, dijetarët e tyre janë të mendimit se kontrata ka tri rukne, tri shtylla esenciale, që janë: dy palët kontraktuese (shitësi dhe blerësi), sendi për të cilin bëhet kontrata dhe çmimi që duhet paguar për të, dhe rukni i tretë është forma e lidhjes së kontratës, pra oferta (ixhabi) dhe pranimi (kabuli).
(vijon)
1) Sulejman Tomçini, Fjalor Arabisht-Shqip, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC), Tiranë 2009; Muhamed RevasKal’axhi dhe Hamid Sadik Kunejbi, Mu’xhemlugatul fukara Arabij-inglizi, daruen-nefais, botimi i dytë 1998, Bejrut, Liban.
2) Dr.sc.Nerxhivane Dauti, E drejta kontraktuese – praktikum-,Universiteti i Prishtinës, Fakulteti Juridik, Prishtinë, 2003.
3) Termi konventë (convention) përdoret si sinonim i termit kontratë në marrëdhëniet ndërmjet shteteve, kur lidhen konventa të ndryshme për rregullimin e çështjeve midis dy a më shumë shteteve, (shih: Dr.Nerxhivane Dauti, f.17).
4) Traktat konsiderohet çdo pajtim i vullnetit ndërmjet shteteve me qëllim të ndryshimit ose të ndërprerjes së ndonjë raporti juridik reciprok. (po aty).
5) Fjala pakt sot përdoret më së shumti për të drejtën ndërkombëtare, edhe pse në të drejtën romake përdorej për kontratën në mes dy e më shumë palëve mbi bazën e vullnetit të tyre. Paktet janë marrëveshje shumë solemne që u referohen çështjeve të ndryshme politike. (Po aty).
6) Dr.Vehbe Zuhejli, el fikhul islami ve edil-letuhu 4/80. Darul Fikri. (neni 1003-104 nga Mexhel-le elahkamuladlijeti , Redul muhtar, Ibni Abidin 2/355).
7) Fet’hul Kadir 5/74, Ibni Abidin, Redul muhtar 4/5/ Vehbe Zuhejli, Fikhul islami ve edil-letuhu 4/92
Jusuf Zimeri