“(Kujto) Kur i drejtuam disa xhinde te ti, për të dëgjuar Kuranin dhe kur u afruan (të dëgjonin), thanë: “Heshtni!”. Kur përfundoi (leximi), ata u kthyen te populli i vet si këshillues. Ata thanë: “O populli ynë! Ne dëgjuam një libër të shpallur pas Musait, që vërteton atë (Shpalljen) para tij, që udhëzon tek e Vërteta dhe tregon rrugën e drejtë!” O populli ynë! Përgjigjuni thirrësit të Allahut dhe besojini Atij! Ai ju falë gjynahet dhe ju shpëton prej ndëshkimit të dhembshëm. E ata që nuk i përgjigjen thirrësit të Allahut, nuk mund t’i ikin Atij në Tokë dhe, për ata s’ka mbrojtës tjetër, përveç Tij. Të tillët janë në humbje të sigurt!” - (El-Ahkaf, 29-32)
Shkaku i zbritjes së ajeteve 29-32
Transmeton Ibn Ebi Shejbete nga Ibn Mesudi të ketë thënë: “Xhindet zbritën (u afruan) pranë të Dërguarit të Allahut, kur ai ishte duke lexuar Kuran në vendin e quajtur Batnu Nahle. Pasi u afruan për të dëgjuar, i thanë njëri-tjetrit: “Heshtni (dëgjoni me vëmendje)!”. Ata ishin nëntë, e njëri prej tyre quhej Zevbeah, prandaj Allahu zbriti ajetet 29-32.”(1)
Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake
Këto ajete, ndonëse flasin për një botë krijesash, tërësisht të panjohura për ne, xhindet, dhe ne dimë për ta vetëm aq sa na kanë njoftuar Allahu xh.sh. dhe i Dërguari i Tij, megjithatë ndërlidhen fuqishëm edhe me ajetet paraprake, të shkatërrimit të popullit të Hudit a.s., e përputhen gjithashtu edhe me tematikën e sures në përgjithësi. Allahu xh.sh. dëshiron të na vërë në dijeni se ashtu siç ka prej njerëzve, të atillë që besuan dhe të atillë që mohuan, po ashtu edhe prej xhindeve ka njësoj. Në rastin konkret, xhindet që u afruan pranë të Dërguarit a.s., e pranuan menjëherë fenë e Allahut, dhe u kthyen te populli i tyre si këshillues dhe predikues të fesë së Tij. Në fakt, këto ajete erdhën më shumë si një tërheqje e vërejtjes për kurejshët, të cilët e shihnin dhe e dëgjonin çdo ditë Muhamedin a.s., por prapëseprapë zemrat e tyre nuk po hapeshin për ta pranuar dritën e udhëzimit, ndërkohë që xhindet, sapo dëgjuan Kuranin, menjëherë iu nënshtruan Allahut dhe u udhëzuan, duke u bërë këshillues të popullit të tyre.
Koment:
29. (Kujto) Kur i drejtuam disa xhinde te ti, për të dëgjuar Kuranin dhe kur u afruan (të dëgjonin), thanë: “Heshtni!”. Kur përfundoi (leximi), ata u kthyen te populli i vet si këshillues.
Ashtu siç mësojmë nga librat e sires së bekuar, në të kthyer nga Taifi, i zhgënjyer dhe i thyer shpirtërisht, nga shpërfillja dhe mosbesimi i banorëve të tij ndaj thirrjes islame, i Dërguari a.s. ishte ndalur në vendin e quajtur Batnu Nahle, vend që gjendet një natë udhëtimi larg Mekës. Aty e kishte zënë nata, dhe në kohën e namazit të sabahut, po falej dhe po këndonte Kuran.
I trishtuar në shpirt, pse njerëzit nuk po e pranonin Shpalljen e Allahut dhe dritën e shpëtimit, ai pas namazit të sabahut, me përulësi i qe drejtuar me lutje përgjëruese Allahut të Madhërishëm duke thënë: “O Allahu im, Ty po të qahem për dobësinë time dhe gjendjen e rëndë në të cilën gjendem.
Sa i shpërfillur qenkam te njerëzit! Ti je më i Mëshirshmi i të mëshirshmëve! Ti je Zoti që kujdeset për të dobëtit. Ti je Zoti që kujdeset për mua! O Zoti im! Te kush po më lë të mbështetem?! Tek armiku i largët që më trajton me vrazhdësi e ashpërsi!? Apo tek i afërmi të cilit ia ke lënë në dorë çështjen time?! Nëse Ti nuk je i hidhëruar ndaj meje, atëherë nuk mërzitem për asgjë tjetër! Mëshira Jote është më e shtrenjta për mua. Kërkoj mbrojtje dhe strehim me Nurin e Fytyrës Sate, që ndriçoi errësirat dhe rregulloi çështjen e kësaj bote e të Ahiretit, që mos të më përfshijë zemërimi Yt, e mos të bjerë mbi mua hidhërimi Yt. Ty të takon të më qortosh derisa mos të jesh i kënaqur ndaj meje. Nuk ka sundim e as fuqi askush tjetër përveç Teje.”(2)
I Madhërishmi, për t’i dhënë kurajë, dhe për ta qetësuar zemrën e trishtuar të Resulullahit s.a.v.s., i drejtoi tek ai një grup(3) xhindesh që po endeshin në errësirën e natës pikërisht te vendi ku ishte ndalur i Dërguari i Allahut. Kur Allahu dëshiron ta përudhë një zemër, mbjell në të ndjenja të larta për ta parë dhe pranuar të vërtetën. Kështu ndodhi edhe më këtë grup të vogël prej xhindeve, të cilët në fakt nuk ishin një grup i rëndomtë, por ishin zotërinj dhe fisnik të popullit të tyre. Xhindet kishin qëndruar fare pranë Pejgamberit a.s., i cili po falte namazin e sabahut dhe po lexonte Kuran. Ai nuk e kishte ndjerë praninë e tyre, por Kurani famëlartë e ka sqaruar këtë çështje duke treguar në detaje për ndikimin pozitiv që kishin pasur ajetet e Librit të Allahut tek ata. Xhindet sapo u afruan pranë të Dërguarit a.s., dhe dëgjuan Kuranin duke u lexuar prej tij, i thanë njëri-tjetrit: “Heshtni!”, që të mund të dëgjojmë më mirë se çfarë janë këto vargje që po lexohen.
Ky ajet, shpreh mrekullinë gjuhësore të fjalëve kuranore, sepse Allahu xh.sh. këtu e ka përmendur fjalën “jestemiunepër të dëgjuar” që nënkupton se ata u drejtuan enkas deri tek i Dërguari a.s., për t’i dëgjuar Fjalët e Allahut. Xhindet u mahnitën nga këto fjalë të mrekullueshme, dhe deshi i Madhërishmi që aty për aty t’ua hapte zemrat për Islam, gjë për të cilën dëshmon edhe pjesa e fundit e ajetit 29 të kësaj sureje: “Kur përfundoi (leximi), ata u kthyen te populli i vet si këshillues.”, d.t.th. ata u kthyen me të shpejtë te populli i tyre si këshillues dhe tërheqës të vërejtjes, nga dënimi i Allahut që mund t’i godiste, nëse nuk e pasojnë këtë rrugë të drejtë.
Ky grup ajetesh i sures El-Ahkaf, si dhe disa ajete të tjera në Kuranin fisnik, e pastaj edhe shumë hadithe, dëshmojnë se Muhamedi a.s. u dërgua si pejgamber dhe tërheqës i vërejtjes si për njerëzit ashtu edhe për xhindet. Madje në Kuran, ka zbritur edhe një sure e plotë me emrin “El-Xhin”.
Ashtu siç na mësojnë Kurani dhe Suneti, Allahu krahas engjëjve që janë të pagabueshëm, dhe zbatojnë vetëm atë çka Ai i urdhëron, krijoi edhe dy lloje të tjera krijesash me intelekt, duke ua mundësuar lirinë e zgjedhjes: xhindet dhe njerëzit. Xhindet janë krijuar nga zjarri: “E xhindet i krijuam më parë nga flaka e një zjarri shumë të fortë.” – (El-Hixhr, 27).
Edhe xhindet, ashtu sikurse njerëzit, Allahu i krijoi me një qëllim të caktuar, ta njohin dhe ta adhurojnë Atë: “Unë nuk i krijova xhindet dhe njerëzit për gjë tjetër përveçse të Më adhurojnë.” – (Edh-Dharijat, 56), prandaj, që të dyja këto lloj krijesash, janë të ngarkuara me obligime, dhe varësisht nga rruga që do ta ndjekin në këtë botë, do të shpërblehen ose do të ndëshkohen në botën tjetër. Për nga konstrukti, xhindet janë krijesa të padukshme për ne dhe kanë fuqi të jashtëzakonshme në raport me njeriun. Ata kanë mundësi të lëvizin me shpejtësi ta paimagjinueshme prej një vendi në një vend tjetër. Për ta, thjesht, nuk ka pengesa materiale. Ata kanë jetën e tyre, martohen, shtohen, dhe vdesin. Jetëgjatësia e tyre është shumëfish më e madhe se ajo e njerëzve, dhe mund të shkojë madje edhe deri në pesë mijë vjet. Ndonëse ne nuk i shohim, ata na shohin neve, por nuk mund të ndikojnë në jetën tonë, sepse ata jetojnë në një dimension tjetër paralel në këtë Univers...(4)
30. Ata thanë: “O populli ynë! Ne dëgjuam një libër të shpallur pas Musait, që vërteton atë (Shpalljen) para tij, që udhëzon tek e Vërteta dhe tregon rrugën e drejtë!
Kur arritën te populli i tyre, ata ua sqaruan se tashmë kishte ardhur Pejgamberi i fundit me Librin e shenjtë- Kuranin, i cili thërret në të njëjtat parime të besimit, ashtu siç kishte thirrur më parë një i tillë, Tevrati i Musait a.s. Ua sqaruan se ky Kuran udhëzon në rrugën e vërtetë dhe të drejtë.
Komentatorët e Kuranit, kur e kanë zbërthyer urtësinë e përmendjes së Tevratit që i zbriti Musait a.s. në këtë rast, e jo edhe të Inxhilit i zbritur tek Isai a.s., kanë thënë se Tevrati, është libri bazë që u zbrit për Beni Israilët, me ligje e dispozita të qarta për të rregulluar jetën e tyre shpirtërore. Por, pasi që çifutët futën duart e tyre në Tevrat, duke e devijuar dhe shtrembëruar, erdhi Isai a.s. me Inxhilin, i cili ishte më tepër si sqarues dhe plotësues i Tevratit, dhe përmban këshilla shpirtërore.(5)
Pikërisht, për këtë arsye, xhindet që u udhëzuan në Islam, u mahnitën nga ëmbëlsia e Fjalës së Allahut, dhe ua sqaruan të vetëve se Kurani që ka zbritur te Muhamedi a.a., është vërtetues i atyre librave që zbritën pas Musait - Tevratit, Zeburit dhe Inxhilit, dhe përgjithësisht, udhëzon për në të vërtetën e amshueshme, besimin e pastër në Krijuesin fuqiplotë. Xhindet e kuptuan se pas udhëzimit në të vërtetën, nuk mund të ketë diç më madhështore, sesa ndjekja e rrugës së drejtë, që për synim të vetëm ka arritjen kënaqësinë e Allahut.(6)
Dihet se xhindet jetojnë shumë më gjatë se njerëzit, madje shumë prej tyre jetojnë edhe pesë mijë vjet e më tepër, dhe nuk është çudi, që ndonjëri prej atij grupi që dëgjuan Kuranin nga goja e Muhamedit a.s., të ketë qenë dëgjues ndoshta edhe i Tevratit apo Inxhilit, ashtu siç kishin zbritur në origjinal, prandaj ishin këmbëngulës në përudhje të popullit të tyre në Islam. Ky Kuran, të cilin ata e dëgjuan, është pikërisht i tillë siç e ka përshkruar Allahu xh.sh.: “Edhe ty (Muhamed), Ne ta zbritëm Librin me të vërtetën, si vërtetues i librave të mëparshëm dhe garantues (mbrojtës) i tyre...” – (El-Maide, 48).
31. O populli ynë! Përgjigjuni thirrësit të Allahut dhe besojini Atij! Ai ju falë gjynahet dhe ju shpëton prej ndëshkimit të dhembshëm.
Xhindet, me besimin e pastër me të cilin i nderoi Allahu xh.sh., u bënë thirrës në të vërtetën, dhe i këshilluan popullin e tyre që t’i përgjigjeshin pozitivisht thirrjes së Muhamedit a.s. për besim të pastër në Zotin Një. I këshilluan se pavarësisht se jeta e tyre mund të zgjaste me shekuj, ata prapë se prapë një ditë do ta shijonin vdekjen dhe do të përballeshin me llogarinë para Allahut xh.sh. e ata që besojnë, do të jenë në kopshtet e Xhenetit, ashtu siç ka premtuar Allahu xh.sh. kur thotë: “Për atë që i është druajtur daljes para Zotit të vet, janë (përgatitur) dy Xhenete. Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?!” – (Er-Rrahman, 46-47)
Nga këto ajete të sures Err-Rrahman, kemi argument të qartë se Allahu xh.sh. e dërgoi Muhamedin a.s. pejgamber edhe te xhindet, sepse i Dërguari a.s. ua pati lexuar këtë sure në tërësi edhe xhindeve, duke i njoftuar me dispozitat e fesë, me premtimet dhe ndëshkimet e Allahut, sepse në më shumë se 30 ajete të kësaj sureje, i Madhërishmi u drejtohet dy “thekalejnëve” – xhindeve dhe njerëzve, që të mos mohonin të mirat e Tij. Madje, sipas shumë transmetimeve, i Dërguari a.s., pas ngjarjes me xhindet në të kthyer nga Taifi, edhe disa herë ua ka shpjeguar xhindeve obligimet e tyre ndaj Allahut fuqiplotë, dhe raportet shoqërore në mes komunitetit të tyre.(7)
32. E ata që nuk i përgjigjen thirrësit të Allahut, nuk mund t’i ikin Atij në Tokë dhe, për ata s’ka mbrojtës tjetër, përveç Tij. Të tillët janë humbje të sigurt!”
Xhindet që u bënë thirrës në rrugën e Allahut, ishin aq këmbëngulës në përpjekje që asnjë prej popullit të tyre të mos mbetej në errësirën e kufrit, andaj filluan me këshilla që herë pas here, kishin edhe ton qortues, që të mos mbeteshin në injorancë dhe mosbesim. Ata thanë qartë se ai që nuk i përgjigjet kësaj thirrjeje të pastër në Njëshmërinë e Allahut, vetëm vetes do t’i bëjë dëm, sepse nuk mund të shpëtojnë dot nga caktimi dhe kaderi i Allahut as në Tokë e as në qiej.8 Pavarësisht fuqisë së tyre në krahasim me njerëzit, ata sërish do të vdesin, dhe askush pos Allahut nuk mund t’i marrë në mbrojtje. Të mjerët ata që kërkojnë strehim te dikush tjetër përveç Allahut, sepse nesër në Ahiret, do të jenë humbje të qartë e të sigurt.
Porosia e këtyre ajeteve – (29-32)
- Qëllimi i këtyre ajeteve është i qartë, ai është qortimi i idhujtarëve kurejshë, për vrazhdësinë e zemrave të tyre dhe talljen që po e bënin ndaj Fjalës së Allahut. Xhindet, shumë herë më të fuqishëm se ata, sapo dëgjuan këtë Kuran, menjëherë u udhëzuan dhe u bënë thirrës në të vërtetën, ndërsa kurejshët, të verbuar nga pasuria dhe autoriteti i tyre, po përpiqeshin me të gjitha mundësitë ta ndalnin dritën e Fjalës së Allahut të depërtonte në zemrat e njerëzve.
- Këto ajete që flasin për praninë e xhindeve që po dëgjonin Kuranin, kanë ardhur edhe si qetësim për zemrën e thyer të Pejgamberit a.s., i cili po kthehej nga Taifi, i zhgënjyer për arrogancën dhe mosbesimin e banorëve të tij. Atij iu bë me dije që të mos mërzitej, sepse herët a vonë, njerëzit do t’i besonin thirrjes së tij, prandaj, le të mos shqetësohej e as të zhgënjehej, sepse Fjala e Allahut, do të depërtojë gjithandej, pavarësisht rezistencës dhe arrogancës së jobesimtarëve.
- Ajetet po ashtu argumentojnë faktin se i Dërguari ynë s.a.v.s. ishte i dërguar i Allahut edhe për xhindet. Këtë gjë përpos shumë ajeteve kuranore, e vërtetojnë edhe shumë hadithe autentike nga i Dërguari i Allahut, kur thotë: “... Jam dërguar për të gjitha krijesat, dhe me mua është vulosur dërgimi i pejgamberëve.(9)
- Kur të dëgjojmë duke u lexuar Kurani, qoftë gjatë namazit me zë, ose leximit të rëndomtë, jemi të obliguar ta dëgjojmë me vëmendje dhe mundësisht me meditim të thellë, në mënyrë që të na përfshijë mëshira e Allahut.
- Ai që mohon Allahun dhe shpërfill urdhrat e Tij, ai veçse e ka dëmtuar dhe marrë në qafë vetveten, sepse nuk do t’i shpëtojë dot dënimit të Allahut. Ai që sillet me arrogancë duke u tallur me dispozitat hyjnore, fundin do ta ketë të dhimbshëm.
- vijon –
1. Imam Sujutiu, Lubabu-n-nukul fi esbabi-n-nuzul, f. 233.
2. Et-Taberanij, “Kitabu-d-du‘a”, vëllimi V, kapitulli: “Ed-du‘au indel-kerbi ve-sh-shedaid”, Bejrut 1407 h. / 1987 e.r., hadithi nr. 1036, f. 1280. (Kjo lutje është përcjellë në shumë prej librave të sires, me disa ndryshime të vogla në radhitje, (shënim yni, S.B.)
3. Fjala ‘nefer’ në terminologjinë arabe, nënkupton një grup të përbërë prej 3 deri në 9 veta. Pra, jo më pak se 3 dhe jo më shumë se 9.
4. Për më shumë rreth botës së xhindeve shih: Grup autorësh, Mevsuatu-t-Tefsir el mevdui li-l Kuranil Kerim, Rijad, 2019, vëll. XI, ff. 110-138.
5. Et-Tefsiru-l Munir, vëll, 26, f. 383.
6. Ale Hamim, El Xhathijetu-El Ahkaf, dirasetun fi esrari-l bejan, f. 565.
7. Dr. Umer Sulejman El-Eshkar, Alemu-l xhinni ve-sh-shejatin, Kuvajt, 1984, ff. 44-45.
8. Fi Rihabi-t-tefsir, vëll. 26, f. 5572.
9. Transmeton Muslimi (1/370-371) nga Xhabir bin Abdullahu, nr. i hadithit (3/521); Transmeton Ibn Hibbani në Sahihun e tij nga Ebu Hurejra, nr. (2313).
Sabri Bajgora