Komentimi i kaptinës “El-Ahkaf” (7)


Rrëfimi i Hudit me popullin e tij Adin

“Kujtoje vëllain e fisit Ad (Hudin), kur e paralajmëroi popullin e vet në Ahkaf! Para dhe pas tij, pati paralajmërues, (kur u tha): “Të mos adhuroni asgjë tjetër veç Allahut! Unë, vërtet kam frikë se do t’ju godasë dënimi i Ditës së Madhe!” Ata i thanë: “Vallë, a ke ardhur të na largosh ne prej zotave tanë?! Na e sill tani atë (dënim) me të cilin na kërcënon, nëse thua të vërtetën!” Ai tha: “Dijeninë për të e ka vetëm Allahu, ndërsa unë po ju kumtoj vetëm atë për çka jam i dërguar, por unë po ju shoh se jeni popull injorant”. Dhe kur panë një re që u duk se vinte në drejtim të luginave të tyre, ata thanë: “Kjo re do të na sjellë shi!” “Jo!” (tha Hudi), “Por kjo është ajo që ju e kërkonit me ngut. Është një erë (shtrëngatë) që mbart një dënim të dhembshëm, që, me urdhrin e Zotit të saj, shkatërron çdo gjë.” E në mëngjes u panë vetëm shtëpitë e tyre (të zbrazëta). Ja, kështu e ndëshkojmë Ne popullin keqbërës (zullumqarë). Ne u patëm mundësuar atyre gjëra (fuqi, pasuri, jetë të gjatë), që nuk jua mundësuam juve. Ne u dhamë atyre dëgjim, shikim dhe zemër, por atyre nuk u bëri dobi asgjë, as të dëgjuarit, e as të parit e as zemrat e tyre, e meqë mohonin argumentet e Allahut, i përfshiu ajo me të cilën talleshin. (Edhe më parë) Ne kemi shkatërruar vendbanime përreth jush dhe ua kemi shpjeguar atyre Argumentet (Shpalljet) Tona, që ata të mund të ktheheshin (në rrugën e drejtë). (Atëherë) Përse nuk u erdhën atyre në ndihmë idhujt që i adhuruan si zota krahas Allahut, për t’u afruar tek Ai?! Përkundrazi, ata (idhujt) u zhdukën prej (syve të) tyre. Këto ishin vetëm gënjeshtra dhe shpifje të tyre (idhujtarëve).” – (El-Ahkaf, 21-28)

Lidhja e këtyre ajeteve më ato paraprake

Në ajetet paraprake, pamë qartë kërcënimin kundër jobesimtarëve dhe përfundimin e tyre të dhimbshëm në zjarrin e Xhehenemit, kurse tash në këto ajete, Allahu xh.sh. na sjell shembuj konkret të ndëshkimit të Tij në këtë botë ndaj popujve jobesimtarët e të poshtër, në të kaluarën. Nëse ajetet paraprake, flisnin për përfundimin në Xhehenem të këtyre të pabindurve, tash në këto ajete kemi tërheqje të vërejtjes, se para dënimit në Ahiret, jobesimtarët kryeneçë ndaj të vërtetës
mund t’i godasë edhe dënimi tokësor ashtu siç e kishin përjetuar popujt e pejgamberëve të mëhershëm, e në rastin konkret populli Ad, te të cilët ishte dërguar Hudi a.s..

Koment:

21. Kujtoje vëllain e fisit Ad (Hudin), kur e paralajmëroi popullin e vet në Ahkaf! Para dhe pas tij, pati paralajmërues, (kur u tha): “Të mos adhuroni asgjë tjetër veç Allahut! Unë, vërtetë kam frikë se do t’ju godasë dënimi i Ditës së Madhe!”

Rrëfimi i Hudit a.s. me popullin e tij Adin, është përmendur në disa sure kuranore: El A’raf, Hud, EshShuara, e në mënyrë të tërthortë është përmendur në suren El-Mu’minun dhe në këtë sure El-Ahkaf: “Kujtoje vëllain e fisit Ad (Hudin)”. Madje edhe një sure e plotë e Kuranit, ajo e njëmbëdhjeta, është emërtuar me emrin e këtij pejgamberi - surja “Hud”.
Sipas komentatorëve të Kuranit, përmendja e shpeshtë e rrëfimeve të pejgambërëve në Kuran, si ajo e Nuhit, Hudit, Salihut, Shuajbit, Lutit etj., prapa vetes ka një urtësi e cila shpërfaqet në disa dimensione, e një prej këtyre urtësive është qetësimi i zemrës së Muhamedit a.s., që të mos ligështohej e as të mos pikëllohej përgjatë misionit të tij të thirrjes. Allahu xh.sh. dëshiron ta vërë në dijeni, se edhe para tij, pejgamberët e Zotit nëpër kohë, u përgënjeshtruan nga popujt e tyre, por ata të dërguar, vazhduan stoikisht rrugën në të cilën i kishe urdhëruar Zoti i Plotfuqishëm.
Hudi a.s. ishte dërguar me mision pejgamberik, te populli i Adit shumë kohë pas Nuhit a.s.. Tashmë kishin kaluar gjenerata e gjenerata dhe njerëzit pothuajse kishin harruar porositë dhe këshillat e Nuhit a.s..
Shumë prej tyre iu rikthyen sërish adhurimit të idhujve, duke devijuar nga besimi i drejtë në Allahun Një. Mashtrimi i moçëm djallëzor po rikthehej sërish në skenë dhe populli i Hudit a.s. kishte rënë pre e këtyre intrigave djallëzore. Vendbanimi i këtij fisi ishte vendi i quajtur “Ahkaf”. Ishte kjo një shkretëtirë që karakterizohej me duna rëre të pjerrëta, që zgjateshin deri në bregdet. Nga këto duna rëre, ka ardhur edhe emri i kësaj sureje “El-Ahkaf”, emërtim i cili është përmendur vetëm njëherë në Kuranin fisnik, pikërisht në këtë sure. Thuhet se vendbanimi Ahkaf është në Hadramevt të Jemenit.(1)
Populli Ad ishin njerëzit më të mëdhenj të kohës së tyre nga konstrukti fizik, si nga gjatësia ashtu edhe nga forca. Ata ishin viganë e të fuqishëm dhe askush nuk ishte sikur ata në atë kohë. Por edhe pse ishin shtatlartë, mendjet e tyre ishin të errësuara. Adhuronin idhujt dhe mbronin me ngulm këtë bindje të tyre, saqë verbëria që i kishte kapluar sytë dhe mendjet e tyre, nuk i linte të shihnin asgjë tjetër përveç mendjemadhësisë dhe fudullëkut të tyre. Për më keq, ata talleshin me të dërguarin e Allahut te ta, Hudin a.s., i cili po i thërriste në besimin e pastër: “Të mos adhuroni asgjë tjetër veç Allahut! Unë, vërtet kam frikë se do t’ju godasë dënimi i Ditës së Madhe!”
Kjo thirrje e tij e sinqertë, është ripërsëritur në disa sure kuranore si f.v. në suren Hud, ajeti 50: “...O populli im adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër pos Tij, ju vetëm po hutoheni me trillime”.

22. Ata i thanë: “Vallë, a ke ardhur të na largosh ne prej zotave tanë?! Na e sill tani atë (dënim) me të cilin na kërcënon, nëse thua të vërtetën!”

Një popull i mbrapshtë siç ishte Adi, ishin mashtruar nga fuqia e tyre, duke menduar se askush nuk mund të matet me ta, prandaj edhe i folën me arrogancë dhe në formë kërcë- nuese Hudit a.s.: A mos vallë ke ardhur të na largosh nga ata zota që i besuan edhe të parët tanë? Si ke guxim të akuzosh zotat tanë të cilët i adhuronin etërit dhe gjyshërit tanë?
Ata vazhdimisht talleshin me predikimet e Hudit a.s., prandaj me tone ironie e përqeshjeje i thanë: Ne nuk do të të besojmë ty në atë që po na thërret, prandaj, sillna dënimin të cilin po pandeh se mund të na godasë. Ja ky ishte niveli i këtij populli të mbrapshtë. Meqë nuk po arrinin t’i kundërviheshin Hudit a.s. me argumente logjike, ata filluan ta përqeshnin dhe të kërkonin prej tij që t’ua sillte dënimin të cilin po ua premtonte. Çfarë mendjemadhësie, çfarë mjerimi për cektësinë e mendjeve të tyre. E njëjta fjalë që nuk ndryshon te asnjë popull jobesimtar përgjatë historisë, të verbuar nga krenaria e tyre.
Duke mos besuar fare në mundësinë e një dënimi, ata nga Hudi a.s. kërkuan përshpejtimin e tij, duke qenë të bindur se një gjë e tillë është e pamundur të ndodhte. Kërkesë të tillë kishin bërë popujt e ndryshëm zullumqarë e jobesimtarë,(2) gjë të cilën e ka portretizuar edhe Kurani famëlartë në shumë ajete, si f.v.: “Ata kërkojnë shpejtimin e dënimit, dhe sigurisht Xhehenemi ka për t’i rrethuar jobesimtarët nga të gjitha anët” – (El-Ankebut, 54); “Dhe ata (jobesimtarët) thanë: “O Zoti ynë! Përshpejtoje pjesën tonë (të dënimit) përpara Ditës së Gjykimit” – (Sad, 16), etj..
Hudi a.s., edhe pas këtij përgënjeshtrimi dhe mospërfilljeje, sërish nuk po hiqte dorë nga këshillimi i tyre. Ai ua bëri të ditur se besimi dhe bindja se ekziston Dita e Gjykimit, besimi në ringjallje pas vdekjes, qëndrimi para Krijuesit për të dhënë llogari, e pastaj pranimi i shpërblimit ose i ndëshkimit dhe hyrja në Xhenet ose Xhehenem, që të gjitha këto janë çështje të cilat Allahu ka dashur t’i tërheq vëmendjen njerëzimit dhe t’i lidhë ata me faktin se pas jetës në këtë tokë, ekziston edhe jeta e përhershme e Ahiretit. Prandaj, ua përsëriste vazhdimisht atyre që mos t’i robëronte lakmia e as mos t’i pushtonte egoizmi, sepse një ditë jeta e tyre do të merrte fund, e do të dilnin para Krijuesit të tyre për të dhënë llogari.

23. Ai tha: “Dijeninë për të e ka vetëm Allahu, ndërsa unë po ju kumtoj vetëm atë për çka jam i dërguar, por unë po ju shoh se jeni popull injorant”.

Megjithatë, edhe përkundër të gjitha përgënjeshtrimeve, Hudi a.s. nuk u zmbraps për asnjë çast. I mbështetur te Zoti Fuqiplotë, me këtë iman të pastër e të patundur në Allahun, me bindje në premtimin e Tij, dhe besimin e thellë në ndihmën dhe ngadhënjimin nga ana e Tij, ai pa iu trembur fare syri po u fliste jobesimtarëve. Po e bënte gjithë këtë përkundër faktit se ishte i vetëm, i papërkrahje dhe i pafuqishëm, por me vetëdije të plotë që me vete kishte fuqinë dhe sigurinë e vërtetë të Allahut, Fjalët e të Cilit po i përcilltetransmetonte.
Edhe pse para vetes kishte një popull të pabindur e arrogant, ai ua bëri të qartë se ky ndëshkim përshpejtimin e të cilit po e kërkonin në tone ironike e shpotie, gjithsesi do të vinte, ndonëse për këtë është në dijeni vetëm Krijuesi Fuqiplotë. Ai me urtësinë e Tij e sjell atë kur të dojë, kurse detyrë e imja është vetëm t’ua përcjell mesazhin nga Zoti im dhe juaji, sepse për këtë gjë edhe jam dërguar te ju, por me sa po shoh, mendjet tuaja të errësuara, vështirë se do të këndellen ndonjëherë, sepse ju jeni një popull që fuqia dhe pasuria e juaj ua ka verbuar sytë dhe iu ka larguar nga e vërteta.
Kurani e ka përjetësuar këtë dëshmi të tij të sinqertë kur ai tha popullit të vet: “...Ai tha: “Unë dëshmitar e kam Allahun, e ju dëshmoni se unë jam larg nga ajo çka ju i shoqëroni. (larg adhurimit) Pos Tij. Ju pra, të gjithë përpiquni kundër meje e mos më jepni afat. Unë iu kam mbështetur Allahut, Zotit tim dhe Zotit tuaj, pse nuk ka asnjë nga gjallesat, e që Ai të mos e ketë nën sundim, vërtet Zoti im është i drejtë. Nëse kundërshtoni, unë ju kumtova atë me të cilën jam dërguar te ju. Zoti im do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, Atij nuk mund t’i bëni kurrfarë dëmi. Vërtet, Zoti im është përcjellës i çdo sendi.” - (Hud, 54-57)
Hudi a.s. me fjalët e tij ua bëri me dije popullit të vet se tashmë e kishte kryer amanetin dhe ua kishte përcjellë mesazhin. Hudit a.s. nuk i kishte mbetur rrugë tjetër përveç tërheqjes së vërejtjes së fundit, e cila vërejtje përfshinte kërcënimin e tmerrshëm për të përgënjeshtruarit. Pasi që ata e kishin mohuar sërish, Hudi a.s. ua bëri me dije se Allahu në vend të tyre, do të bënte mëkëmbës dhe trashëgues të tokës, njerëz të tjerë. Kjo nënkuptonte faktin se ata do ta prisnin ndëshkimin hyjnor.(3)
Në këtë mënyrë, Hudi a.s. proklamoi haptazi shfajësinë dhedistancimin e tij nga ata dhe nga zotat e tyre, duke u mbështetur në Allahun e Plotfuqishëm. Hudi a.s. e kuptoi se ndëshkimi mbi jobesimtarët e popullit të tij do të ndodhte gjithsesi. Ky është një prej ligjeve të jetës, kur Allahu dënon jobesimtarët, sado të fuqishëm, të pasur, tiranë apo diktatorë të jenë.

24. Dhe kur panë një re që u duk se vinte në drejtim të luginave të tyre, ata thanë: “Kjo re do të na sjellë shi!” “Jo!” (tha Hudi), “Por kjo është ajo që ju e kërkonit me ngut. Është një erë (shtrëngatë) që mbart një dënim të dhembshëm, 25. që, me urdhrin e Zotit të saj, shkatërron çdo gjë.” E në mëngjes u panë vetëm shtëpitë e tyre (të zbrazëta). Ja, kështu e ndëshkojmë Ne popullin keqbërës (zullumqarë).

Ndëshkimi i Allahut për popujt jobesimtarë përgjatë historisë ndryshoi nga njëri te tjetri. Disa i shkatërroi me përmbytje, disa me britma shurdhuese e disa me gurë që shkatërronin çdo gjë, ndërsa këtij populli, të Hudit a.s. ia kishte dërguar erën (frymën) si ndëshkim. Pas refuzimit të pejgamberit të Allahut, Hudit a.s., tokën e Ahkafit, e kishte pllakosur thatësia e madhe në çdo cep të saj. Për muaj të tërë nga qielli nuk kishte pikuar asnjë pikë e vetme shiu. Dielli po përcëllonte pa mëshirë dunat e rërës së shkretëtirës, saqë edhe pemët e gjelbra kishin filluar të zverdheshin e të thaheshin e së bashku me të edhe të gjitha të mbjellat e tjera. Pas disa muajsh, befas, qiellin mbi luginën e Ahkafit e mbuloi një re e madhe.(4)
Populli i Hudit u gëzua shumë dhe thanë: Më në fund, kjo re do të na sjellë shiun e shumëpritur. Por Hudi a.s. iu tha: Jo, kjo re nuk do t’ua sjell shiun që po dëshironi, por është erë që me vete bart dënimin e tmerrshëm të Allahut për Ju. Pas asaj vape të madhe, tash filloi një acar dhe i ftohtë i ashpër. Erërat filluan të frynin me tërbim, saqë çdo gjë filloi të dridhej, pemët, bimët, burrat, gratë dhe tendat e tyre. Njerëzve filloi t’u ngjethej lëkura, mishi, eshtrat dhe palca. Erërat nuk kishin të ndalur, as natën e as ditën, e acari vetëm sa po shtohej. Populli i Hudit a.s. morën arratinë. Shpejtuan nëpër tendat gjigante për t’u fshehur brenda tyre, ndërkohë që erërat e stuhishme po harliseshin si të çmendura duke shkulur e copëtuar tendat e tyre. Erërat rrëmbyese, përveçqë shqyenin rrobat e tyre, copëtonin e çanin edhe lëkurat e tyre, duke depërtuar në çdo pore dhe vrimë të trupit, e duke shkatërruar çdo gjymtyrë deri në palcë. Këto erëra të tërbuara, me lejen e Zotit, çdo gjë që preknin, e mbytnin pa mëshirë, e shkatërronin duke ia tharë zemrën e duke e bërë hi e pluhur. Këto erërat të dërguara si ndëshkim ndaj popullit të Hudit a.s. vazhduan pandërprerë për shtatë net e tetë ditë, net e ditë të cilat kurrë më parë s’i kishin përjetuar njerëzimi.(5)
Allahu xh.sh. në kaptinën El-Hakkah thotë: “Ndërsa Adi u shkatërrua me një stuhi të fuqishme e të zhurmshme, që Ai e lëshoi kundër tyre shtatë net e tetë ditë rresht. Sikur t’i shihje njerëzit që shembeshin përdhe si të ishin trupa hurmash të zgavruara (kalbura).” - (El-Hakkah, 6-7)
Nga populli i Hudit a.s. nuk mbijetoi asnjë prej jobesimtarëve. Ata ishin kalbur sikur që kalben trupat e tharë të palmave. Kishin mbetur vetëm si mbështjellës i jashtëm. Sapo ta prekje ndonjë prej këtyre trupave, ai shkapërderdhej në ajër në mija grimca. Hudi a.s. dhe ata të paktët që i besuan Allahut shpëtuan, kurse u shkatërruan tiranët dhe mendjemëdhenjtë.

26. Ne u patëm mundësuar atyre gjëra (fuqi, pasuri, jetë të gjatë), që nuk jua mundësuam juve. Ne u dhamë atyre dëgjim shikim dhe zemër, por atyre nuk u bëri dobi asgjë, as të dëgjuarit, e as të parit e as zemrat e tyre, e meqë mohonin argumentet e Allahut, i përfshiu ajo me të cilën talleshin.

Ky ajet u drejtohet idhujtarëve të Mekës si formë qortimi dhe tërheqje e vërejtjes, se populli i Adit që e shkatërruam me ndëshkim të tmerrshëm, ishte shumëfish më i fuqishëm sesa ju, shumëfish më të pasur se ju, me jetëgjatësi të pakrahasueshme me ju(6) dhe me begati të pakufishme të Allahut, dhe ndonëse i kishim pajisur me dëgjim, shikim e me dije, ata megjithatë, refuzuan udhëzimin e Allahut dhe u ndëshkuan për mohimin e tyre. Ata u tallën me mesazhin hyjnor që ua përcolli vëllai i tyre Hudi a.s., prandaj mbetën përjetësisht në histori si popull keqbërës dhe ngatërrestar, që përjetuan ndëshkimin e Allahun edhe në këtë botë, e në botën tjetër do të jenë përjetësisht në zjarr të Xhehenemit.

27. (Edhe më parë) Ne kemi shkatërruar vendbanime përreth jush dhe ua kemi shpjeguar atyre Argumentet (Shpalljet) Tona, që ata të mund të ktheheshin (në rrugën e drejtë).

Edhe ky ajet vazhdon me qortimin e mekasve, që të kthjelleshin nga verbëria që i kishte pllakosur e të merrnin mësim nga fati i keq i popujve që ishin në fqinjësi të tyre që ishin shkatërruar me ndëshkime të tilla hyjnore. Të tillë ishin populli i Shuajbit në Medjen, populli i Salihut, shumë afër tyre, pastaj populli i Lutit te Deti i Vdekur, populli i Sabeit në Jemen,(7) gjurmët
e shkatërrimit të të cilëve, kurejshët i shihnin vazhdimisht gjatë udhëtimeve të tyre tregtare dimrit dhe verës. Allahu i Madhërishëm, ua bën me dije idhujtarëve mekas se ashtu sikur juve, edhe atyre popujve u dërguam udhëzimet tona, që të përudhen në rrugën e drejtë, por refuzuan dhe pësuan poshtërim në këtë botë, e do të jenë të poshtëruar përjetësisht edhe në Ahiret.

28. (Atëherë) Përse nuk u erdhën atyre në ndihmë idhujt që i adhuruan si zota krahas Allahut, për t’u afruar tek Ai?! Përkundrazi, ata (idhujt) u zhdukën prej (syve të) tyre. Këto ishin vetëm gënjeshtra dhe shpifje të tyre (idhujtarëve).

Pyetjet ndaj idhujtarëve mekas, por edhe ndaj mohuesve të çdo kohe vazhdojnë në formën ironike se përse ata idhuj dhe zota të rremë, nuk iu erdhën në ndihmë popullit të Hudit, që ishin populli më i fuqishëm në fytyrë të Tokës. Nëse ata idhuj ishin kaq të fuqishëm e me kaq ndikim, përse nuk i shpëtuan dot popullin e Hudit nga hidhërimi dhe ndëshkimi i Allahut, por nuk u panë gjëkundi.(8)
Këto ajete, do të duhej t’u shërbenin si mësim kurejshëve dhe idhujtarëve të tjerë, që të mos e refuzonin udhëzimin e Allahut, por të pranonin ftesën e sinqertë të Muhamedit a.s., për t’i shpëtuar nga errësirat e kufrit në dritën dhe mirësinë e të Madhit Zot. Sidoqoftë, është vërtetuar sa e sa herë nga pësimet e popujve mëkatarë e të prishur, se besimi i tyre në idhuj, ishte i bazuar në gënjeshtra, shpifje e blasfemi ndaj të vërtetës, andaj edhe ndëshkimi hyjnor nuk vononte.

Porosia e këtyre ajeteve

- Rrëfimi i Adit, popullit tek i cili u dërgua Hudi a.s. është një prej ngjarjeve me ndikimin më të madh në tërë Kuranin fisnik. Peripecitë e këtij Pejgamberi të Allahut janë përmendur në disa sure kuranore. Ngjarjet e tilla të shkatërrimit të popujve të kaluar, prapa vetes lënë mësime dhe tërheqje të vërejtjes për njerëzit të cilëve iu drejtohen, në këtë rast idhujtarëve mekas, dhe të gjithë atyre që do të vijnë pas tyre me mohim e rebelim ndaj të së vërtetës.
- Kryeneçësia e popullit Ad në refuzimin e udhëzimit të Allahut, bëri që ata të ndëshkoheshin me dënim të tmerrshëm në këtë botë. Fat të tillë kishin pasur shumë popuj para dhe pas tyre.
- Erërat të cilat u dërguan si ndëshkim për ta shkatërruar popullin e Hudit a.s., janë ushtri prej ushtrive të shumta të Allahut.
- Sado që kufri dhe e keqja të jetë të fortë, fundin e kanë humbje dhe shkatërrim, sepse besimi i pastër në Allahun, gjithmonë do të ngadhënjejë ndaj kotësisë dhe injorancës.

- vijon –

1. Et-Tefsiru-l Munir, 26/322.
2 Et-Tes’hil li te’vili-t-tenzil - Tefsir Xhuz’u-l Ahkaf fi sualin ve xhevabin, f. 54.
3. Ahmed Behxhet, Të Dërguarit e Allahut, Prishtinë, 2009, f. 107.
4. Ebul Hasen Alij ibn Feddal El-Muxhashi’ij, En Nuket fi-l Kurani-l Kerim, Bejrut, 2007, f. 447.
5. Et-Tefsiru-l Vesit li-l Kurani-l Kerim, Grup i përzgjedhur nga dijetarët e Az’harit, Kajro, 1992, vëll. 8-10, f. 929.
6. El-Imam Ebu Ishak Ahmed, i njohur si El-Imam Eth-Tha’lebi, El-Keshfu ve-l Bejan, (redaktuar nga Muhamed Ibn Ashur), Bejrut, 2002, vëll. IX, f. 18.
7. Ibn Adil ed-Dimeshkij, El-Lubab fi Ulumi-l Kitab, Bejrut, 1998, vëll. XVII, f. 411.
8. Fi Rihabit-Tefsir, vëll. 26. f. 5568.



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme