Sjellja e vrazhdë ndaj prindërve dhe mohuesit e ringjalljes
“Ndërsa ai që prindërve të vet u thotë: “Of, ju të dy! A më premtoni se do të ringjallem, kur sa e sa breza kanë kaluar para meje (e nuk u ringjallën)?!” E ata të dy e lusin Allahun që ta udhëzojë (duke i thënë djalit) “I mjeri ti, beso, se premtimi i Allahut është i vërtetë!” Por ai thotë: “Këto nuk janë gjë tjetër vetëm se përralla të të parëve!” Këta janë ata (njerëz) kundër të cilëve u përmbush fjala (dënimi), sikurse u veprua me popujt e xhindeve dhe njerëzve që kaluan para tyre. Vërtet, ata ishin humbësit. Për secilin do të ketë gradë të merituar, sipas asaj që kanë punuar. Shpërblimi për veprat e tyre do t’u jepet i plotë dhe nuk do t’u bëhet e padrejtë. Ditën, kur ata që nuk besuan do të sillen para Zjarrit (do t’u thuhet): “Ju i shfrytëzuat gjithë të mirat në jetën e dynjasë dhe u kënaqët me to. Por sot, do të ndëshkoheni me dënim poshtërues për shkak se ishit arrogantë në tokë pa kurrfarë të drejte, dhe për shkak se mëkatuat (nuk iu bindët Zotit)” – (El-Ahkaf, 17-20)
Shkaku i zbritjes së ajetit 17
- Imam Sujutiu në veprën e tij “Lubabu-n-nukul fi esbab-n-nuzul”, ka regjistruar transmetimin e Ibn Ebi Hatimit nga Suddiu të ketë thënë: “Ky ajet ka zbritur për Abdurrahman ibn Ebu Bekrin, i cili u thoshte dy prindërve të tij, të cilët tashmë kishin përqafuar Islamin, kurse ky vetë refuzonte të bëhej mysliman..., dhe i përgënjeshtronte. Por, më vonë e kishte pranuar Islamin dhe ishte bërë mysliman i mirë...”(1)
Të njëjtin transmetim nga El-Avfi e ky nga Ibn Abaasi, e ka përcjellë edhe Ibn Xheriri.
- Mirëpo Buhariu transmeton nga Jusuf ibn Mahani të ketë thënë: Mervan ibn Hakemi, kishte kërkuar nga Abdurrahman ibn Ebi Bekri që t’ia jepte besatimin Jezidit për halif të myslimanëve, por kur ky e kishte refuzuar një gjë të tillë si të papranueshme, kishte thënë: “O njerëz, ky është ai për të cilin ka zbritur ajeti: “Ndërsa ai që prindërve të vet u thotë: “Of, ju të dy!...”, Kur Aisheja r.a. i kishte dëgjuar këto fjalë ishte hidhëruar shumë dhe kishte thënë: “Allahu nuk ka zbritur asgjë për neve (familjen time) përveç pafajësisë sime.”(2)
- Transmeton Abdurrezaku nëpërmjet Mekkiut se ai e kishte dëgjuar Aishen të mohonte se ky ajet ka zbritur për vëllain e saj Abdurrahmanin, por kishte thënë se ky ajet ka zbritur për filanin, dhe ia kishte përmendur edhe emrin. Hafidh ibn Haxheri në lidhje me këtë thotë: Mohimi i Aishes (se nuk ka zbritur për Abdurrahmanin - sqarim yni) është më i saktë nga aspekti i vargut të transmetuesve dhe më i pranueshëm.(3)
- Mufesiri dhe historiani i famshëm Ibn Kethiri në lidhje me këtë thotë: “Ai që pretendon se ky ajet ka zbritur për Abdurrahman ibn Ebi Bekrin, Allahu qoftë i kënaqur ndaj të dyve, pretendimi i tij është i pabazë dhe i dobët, sepse Abdurrahmani pasi që u bë mysliman, u bë njeri i devotshëm dhe ishte prej të zgjedhurve (dalluarve) të kohës së tij.”(4)
- Gjithashtu, edhe Imam Kurtubiu përcjell nga Zuxhaxhi të ketë thënë: “Si mund të thuhet se ky ajet ka zbritur për Abdurrahman ibn Ebi Bekrin para islamit të tij, kur Allahu xh.sh. vazhdon e thotë: “Këta janë ata (njerëz) kundër të cilëve u përmbush fjala (dënimi)...”, që nëkupton se personi për të cilin flitet është jobesimtar (dhe ka vdekur si i tillë, sqarim yni S.B.), ndërkohë që Abdurrahmani ishte prej myslimanëve më të ndershëm. E vërteta është se ky ajet ka zbritur për një jobesimtar të padëgjueshëm dhe të vrazhdë ndaj prindërve të vet.”(5)
Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake
Përderisa në ajetet paraprake, na u shpërfaq tabloja e një djali të mirë e të sjellshëm me prindërit e tij, i cili kujdeset për ta, duke qenë i vetëdijshëm për vuajtjet e prindërve të tij derisa e kanë rritur me shumë mundime, sidomos nëna e cila e ka bartur në barkun e saj, e pastaj e ka ushqyer edhe me gjirin e saj, tash në këto ajete, shohim të kundërtën e kësaj. Ajetet në vijim, shpërfaqin pamjen e një djali të pasjellshëm e të padëgjueshëm ndaj prindërve, i cili i fyen ata me fjalë të rënda e të vrazhda, ndonëse prindërit tij mundohen ta udhëzojnë në rrugën e drejtë. Pas kësaj, i Madhërishmi sqaron vendin, shpërblimin dhe ndëshkimin që do ta kenë këto dy grupe njerëzish nesër në Ahiret. Të mirët e të devotshmit si dhe ata që u sollën mirë me prindër do të jenë në Xhenet, kurse jobesimtarët që përveç kufrit të tyre edhe u sollën keq me prindërit, do të ndëshkohen në zjarrin e Xhehenemit.
Koment:
17. Ndërsa ai që prindërve të vet u thotë: “Of, ju të dy! A më premtoni se do të dal (nga varri), kur sa e sa breza kanë kaluar para meje (e nuk u ringjallën)?!” E ata të dy e lusin Allahun që ta udhëzojë (duke i thënë djalit) “I mjeri ti, beso, se premtimi i Allahut është i vërtetë!” Por ai thotë: “Këto nuk janë gjë tjetër vetëm se përralla të të parëve! Ky ajet, shfaq sjelljen e keqe dhe të pahijshme të një fëmije mëkatar, i cili nuk ka aspak konsideratë ndaj prindërve të vet. Këtu, nuk bëhet fjalë specifikisht për ndonjë emër, ndonëse te shkaku i zbritjes, pamë disa transmetime tek përmendet djali i Ebu Bekrit r.a. - Abdurrahmani, të cilat transmetime megjithatë nuk e kalojnë pragun e besueshmërisë dhe janë të refuzuara, por fjala është në përgjithësi, për të gjithë ata fëmijë që kanë raporte jo të mira me prindërit, të cilët madje, nuk hezitojnë as t’i fyejnë e as t’u ngërmohen atyre në fytyrë.
Në këtë ajet, të dy prindërit besimtarë nga dhembshuria për të birin e tyre që të mos jetë prej të humburve duke mohuar Zotin e duke pasuar intrigën e shejtanit, e këshillojnë që të besojë dhe të mos bëhet kryeneç. Por i biri me arrogancë e me përçmim e tallje iu thotë: “Of, ju të dy!”. Vallë a po më premtoni se pasi të kem vdekur dhe të jem varrosur, sërish do të dal nga varri?! Më tregoni për dikë që është kthyer nga ata që kanë jetuar me shekuj para nesh?! Nëpërmjet këtyre fjalëve, ai mohonte edhe besimin në Zotin, edhe ringjalljen dhe llogarinë. Vlen të theksohet këtu se ky soj i njerëzve, nuk e përmend fare fjalën ringjallje: “ba’th” apo “nushur”, por e përmend në formë përçmuese si “dalje nga varri”, duke aluduar se një gjë e tillë është e pamundur të ndodhë pas vdekjes.
“... E ata të dy e lusin Allahun që ta udhëzojë (duke i thënë djalit) “I mjeri ti, beso, se premtimi i Allahut është i vërtetë!”
Nga dëshira për ta përudhur të birin në rrugën e drejtë, ata i luten Allahut që ta udhëzojë atë, e ndërkohë edhe i thonë atij: I mjeri ti, beso në Zotin, beso në ringjallje, sepse premtimi i Allahut është i vërtetë. Mos lejo që të vdesësh si jobesimtar, sepse me vdekje merr fund çdo gjë, e pastaj përfundimi yt do të jetë zjarri i Xhehenemit. Por, kur vdesin zemrat, ato i kaplon ndryshku i kufrit dhe nuk mund ta përthithin as dritën e as aromën e imanit, pa lejen dhe dëshirën e Allahut, sepse Ai e përudh kë të dojë në rrugën e drejtë.
“...Por ai thotë: “Këto nuk janë gjë tjetër vetëm se përralla të të parëve!” Këto ishin zakonisht fjalët e idhujtarëve të kohës së Pejgamberit a.s., por edhe të jobesimtarëve para tyre, duke i cilësuar të gjitha thirrjet për besim dhe ringjallje si përralla apo legjenda të të parëve, se askush deri më tash nuk është kthyer pas vdekjes, duke harruar të mjerët se kjo jetë e ka një afat të caktuar dhe një ditë do të përfundojë kur të vjen çasti i caktuar nga Ai që e krijoi jetën dhe vdekjen dhe tërë këtë ekzistencë.
Në lidhje me fatin e këtyre njerëzve, i Madhërishmi në ajetin vijues thotë:
18. Këta janë ata (njerëz) kundër të cilëve u përmbush fjala (dënimi), sikurse u veprua me popujt e xhindeve dhe njerëzve që kaluan para tyre. Vërtet, ata ishin humbësit.
Ndaj atyre që nuk besuan në jetën pas vdekjes, që nuk arritën ta largonin perden e errësirës nga sytë, mendjet dhe zemrat e tyre, që përgënjeshtruan të dërguarit e Allahut nëpër kohë, do të përmbushet fjala-premtimi i Allahut për ndëshkim në skëterrat e Xhehenemit, ashtu siç do të veprohet me të gjithë popujt jobesimtar, qoftë nga xhindet qoftë nga njerëzit, që ishin para tyre.
Ky dënim i Allahut do të jetë meritor për të gjithë ata që fjalët e Allahut dhe këshillat e pejgamberëve i quajtën përralla apo legjenda të të parëve. Në Kuran kemi shumë ajete të ngjashme të cilat flasin për dënimin që do t’i pret të tillët si f.v.: “Vendimi i Zotit tënd do të përmbushet: “Unë do ta mbush Xhehenemin me xhinde dhe njerëz bashkë!” – (Hud, 119).
Të tillët Allahu i Plotfuqishëm i ka përshkruar në Kuran edhe me këto fjalë: “Pikërisht këta janë ata që kanë këmbyer udhëzimin me humbjen, kështu që tregtia atyre nuk u solli kurrfarë dobie dhe as nuk ishin të udhëzuar në rrugën e drejtë.” – (El-Bekare, 16).
19. Për secilin do të ketë gradë të merituar, sipas asaj që kanë punuar. Shpërblimi për veprat e tyre do t’u jepet i plotë dhe nuk do t’u bëhet e padrejtë. Ky ajet flet në mënyrë të përgjithësuar për shpërblimin e të dyja grupeve, të atyre që besuan, që ishin bamirës e të sjellshëm edhe ndaj prindërve, dhe të atyre që mohuan, ishin ngatërrestarë në tokë, të ligj dhe të vrazhdë në sjellje, në veçanti ndaj prindërve.
Drejtësia absolute i takon vetëm Allahut, i Cili në Ditën e Gjykimit do të gjykojë drejtë për secilin, dhe çdonjërin do ta shpërblejë ose ndëshkojë sipas veprave të kryera në këtë botë.
Në kontekstin kuranor, zakonisht, kur është përmendur fjala ‘derexhat’ nënkupton ngritjen-shpërblimin dhe gradat e larta të banorëve të Xhenetit, ndërsa fjala ‘derekat’ nënkupton zbritjen ose shkallët zbritëse të ndëshkimit në humnerat e Xhehenemit.
20. Ditën, kur ata që nuk besuan do të sillen para Zjarrit (do t’u thuhet): “Ju i shfrytëzuat gjithë të mirat në jetën e dynjasë dhe u kënaqët me to. Por sot, do të ndëshkoheni me dënim poshtërues për shkak se ishit arrogantë në tokë pa kurrfarë të drejte, dhe për shkak se mëkatuat (nuk iu bindët Zotit).
Pas sqarimit se në Ditën e Gjykimit, secili grup do t’i jepet haku i merituar, tash në këtë ajet, i Madhërishmi në tregon për ndëshkimin poshtërues që do ta kenë jobesimtarët. Ky ajet vjen edhe si rikujtim apo tërheqje e vërejtjes, se ata që nuk besuan dhe u tallën me dispozitat e Allahut duke i nëpërkëmbur ato, do të sillen para greminave të Xhehenemit dhe në formë poshtërimi do t’u thuhet: Në jetën e dynjasë ju i shfrytëzuar të mirat e Allahut, kënaqësitë e përkohshme që i ofron ajo, por harruat se do të vinte kjo ditë kur do të ringjalleni e do të silleni këtu për ta përjetuat ndëshkimin e përjetshëm në zjarrin e Xhehenemit. Ju ishit arrogantë, të vrazhdë e të shkujdesur dhe mëkatuat vazhdimisht, prandaj sot nuk keni çfarë të kërkoni as mëshirë e as drejtësi nga Ai që ju krijoi, e ua dha çdo mundësi për t’u rikthyer në rrugën e drejtë me anë të pendimit. Ju i përgënjeshtruar argumentet Tona, i përgënjeshtruar të dërguarit Tanë që ju erdhën me këshilla të sinqerta dhe mohuat Zotin tuaj që ju krijoi, prandaj, shijojeni këtë poshtërim të përbotshëm dhe shijojeni ndëshkimin e hidhur për shkak të ligësive tuaja.
Është transmetuar nga Katadeja se një ditë Omeri r.a. gjatë kohës së hilafetit të tij, iu kishte thënë shokëve përreth: “Po të doja, do të ushqehesha më së miri prej jush e do të vishesha më bukur se të gjithë ju, por po dëshiroj që t’i ruaj të mirat e mia për Ahiret, sepse Allahu i ka përshkruar disa njerëz me fjalët: “Ju i shfrytëzuat gjithë të mirat në jetën e dynjasë dhe u kënaqët me to.”(6)
Porosia e ajeteve (17-20)
- Sjellja e keqe dhe mosdëgjueshmëria ndaj prindërve është një prej mëkateve të mëdha, e cila njeriun mund edhe ta shpie në humbje të përhershme të Ahiretit, sepse rëndom ata që kanë sjellje të tilla ndaj prindërve, ata edhe në besim kanë mangësi të mëdha.
- Allahu i Gjithëmëshirshëm ka krijuar në zemrat e prindërve një ndjenjë të dashurisë dhe dhembshurisë ndaj fëmijëve, e cila vështirë se mund të përshkruhet. Pikërisht, për këtë arsye, prindërit gjithmonë kanë dëshirë që fëmija i tyre të jetë i udhëzuar në rrugën e drejtë, të jetë i suksesshëm në jetë, dhe janë të gatshëm që në çdo çast edhe të flijohen për të. Pikërisht për shkak të këtyre ndjenjave të pastra prindore, Allahu xh.sh. e bëri respektin dhe mirësjelljen ndaj tyre si pjesë të pandashme të besimit të pastër islam, dhe rrugë prej atyre shtigjeve të dritës që shpinë në Xhenet.
- Mosrespektimi i prindërve, mosdëgjueshmëria dhe sjellja e keqe ndaj tyre, mund të bëhen shkak që njeriu të përballet me ndëshkime të tmerrshme në Ahiret.
- Në Ditën e Gjykimit, jobesimtarët do të sillen në mënyrë poshtëruese para Xhehenemit ku do të qortohen publikisht, për shkak të mendjemadhësisë dhe arrogancës së tyre, e pastaj do të hidhen në atë zjarr përcëllues të tij, për t’u ndëshkuar përjetësisht.
(vijon)
1. Imam Sujutiu, Lubabu-n-nukul fi esbabi-nnuzul, f. 233.
2. Ale Ha-mim – El-Xhathijetu ve-l Ahkaf, dirasetun fi esrari-l bejan, f. 450.
3. Lubabu-n-nukul fi esbabi-n-nuzul, f. 233.
4. Ibn Kethiri, Tefsiru-l Kurani-l Adhim, Rijad, 1999, vwll. VI, f. 283. (redaktuar nga Sami bin Muhamed es-Selame).
5. Imam Kurtubiu, El-Xhamiu li Ahkami-l Kuran, Kajro, 1947, vwll. XVI, f. 197.
6. Et-Tefsiru-l Munir, vëll. XXVI, f. 366.
Sabri Bajgora