Komentimi i kaptinës “El-Ahkaf” (5)

“Njeriun e kemi urdhëruar-porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet. Nëna e mbart atë me mund dhe me mund e lind. Ai mbartet dhe ushqehet mme gji për tridhjetë muaj dhe, kur arrin në moshën e pjekurisë e i mbush dyzet vjet, ai thotë: “O Zoti im! Më frymëzo që të të falënderoj për begatitë që Ti m’i ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur! M’i bën të mirë pasardhësit e mi, unë te Ti pendohem dhe Ty të dorëzohem!”. Këta janë ata njerëz, të cilëve do t’ua pranojmë veprat e tyre më të mira e nuk do t’ua vëmë re veprat e tyre të këqija. Ata do të jenë banorë të Xhenetit; ky është premtimi i vërtetë, që u është premtuar” – (El-Ahkaf, 15-16

Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake

Ajetet paraprake, dëftuan se mëshirën e Allahut e meritojnë vetëm ata njerëz që e pranojnë Njëshmërinë e Tij, ashtu të pastër siç Ai ka urdhëruar e pastaj “qëndrojnë vendosmërisht në rrugën e drejtë”, ndërkohë që tash në ajetet vijuese, shohim shembullin e mirësjelljes kulmore të një fëmije të kujdesshëm ndaj prindërve të tij besimtarë, duke e falënderuar Allahun e gjithëmëshirshëm për nimetet dhe begatitë e mëdha ndaj tij në këtë botë.

Shkaku i zbritjes së ajetit 15

Në lidhje me zbritjen e një pjese të ajetit të 15 të kësaj sureje, Vahidiu transmeton nëpërmjet Merdevejhit e ky nga Ibn Abasi se ky ajet ka zbritur për Ebu Bekrin r.a. Ibn Abasi thekson se Ebu Bekri e kishte shoqëruar të Dërguarin e Allahut qysh në moshë të re. Kur kishin marrë rrugën për tregti në Sham, Ebu Bekri ishte 18 vjeç kurse e i Dërguari a.s. 20 vjeç. Gjatë rrugës për në Sham, ishin ndalur të pushonin nën hijen e një peme të Sidrit. I Dërguari a.s. kishte ndenjur nën hijen e pemës kurse Ebu Bekri kishte shkuar deri tek faltorja që gjendej afër për t’ia drejtuar murgut disa pyetje rreth fesë. Murgu e kishte pyetur Ebu Bekrin se kush ishte ai njeri që po qëndronte nën hijen e asaj peme, ndërsa Ebu Bekri ishte përgjigjur se ai ishte Muhamedi i biri i Abdullahut të Abdulmatalibit, prijësit të kurejshëve. Atëherë murgu i kishte thënë: “Betohem se ky është i dërguar i Allahut, sepse pas Isait të birit të Merjemes, askush nuk ka kërkuar freskim nën hijen e asaj peme, pos një të ngjashmi me të. Ky pra qenka Muhamedi, i Dërguari i Allahut”. Prej atij momenti, në zemrën e Ebu Bekrit u shtua besimi dhe bindja në të Dërguarin a.s., dhe nuk iu nda më për asnjë çast. Kur Muhamedit i erdhi shpallja në moshën 40 vjeçe, Ebu Bekri kishte 38 vjet, dhe menjëherë e përqafoi Islamin, e kur Ebu Bekri arriti moshën 40 vjeçe, tha fjalët të cilat i përjetësoi ky ajet: “dhe, kur arrin në moshën e pjekurisë e i mbush dyzet vjet, ai thotë: “O Zoti im! Më frymëzo që të të falënderoj për begatitë që Ti m’i ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur!”(1)

Koment:

15. Njeriun e kemi urdhëruar-porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet. Nëna e mbart atë me mund dhe me mund e lind. Ai mbartet dhe ushqehet me gji për tridhjetë muaj dhe, kur arrin në moshën e pjekurisë e i mbush dyzet vjet, ai thotë: “O Zoti im! Më frymëzo që të të falënderoj për begatitë që Ti m’i ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur! M’i bën të mirë pasardhësit e mi, unë te Ti pendohem dhe Ty të dorëzohem!

Mirësjellja ndaj prindërve, është një prej porosive më madhore në Kuranin famëlartë dhe prej veprave më fisnike të cilat mund t’i bëjë njeriu, ndërkohë që mospërfillja dhe moskujdesi ndaj prindërve, apo fyerja dhe maltretimi i tyre përbën njërin prej mëkateve më të mëdha. Në lidhje me mirësjelljen dhe kujdesin ndaj prindërve, na porosisin shumë ajete kuranore po edhe hadithe të Pejgamberit a.s.. I Madhërishmi në ajetin 23 të sures El-Isra’ë thotë: ”Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni tjetër përveç Atij dhe të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve…”, duke e sjellë kështu pas urdhrit për besimin në Zotin Një, urdhëresën tjetër për bamirësi dhe kujdes ndaj prindërve. Nëpërmjet këtij ajeti dhe shumë të ngjashmëve në Kuran, Allahu i Plotfuqishëm na jep shenjë se respekti ndaj prindërve duhet të jetë i përhershëm, sepse ata ishin shkaktarë të ardhjes sonë në këtë botë, andaj kur ata t’i arrijë pleqëria, ne ndaj tyre duhet të sillemi butësisht e me dhembshuri, duke treguar ngrohtësi e dashuri ndaj tyre, ashtu siç ata u kujdesën për ne, kur ishim të vegjël.
Arsyeja e veçimit të nënës, duke përmendur mundimet e saj e cila me mundime e vështirësi na bart për nëntë muaj në barkun e saj, e pastaj edhe na lind me vështirësi, është për të na vetëdijesuar se sa jemi borxhli ndaj saj, gjatë jetës sonë. Mbase kjo është edhe arsyeja, pse i Dërguari a.s. na porositi të jemi të kujdesshëm e të sjellshëm ndaj nënës, kur një beduin e pati pyetur: “O i Dërguar i Allahut: Cili njeri është më meritori për shoqërimin tim? I Dërguari a.s. i tha: “Nëna jote!” – Po pastaj? - pyeti ai. I tha: “Nëna jote!”, - Po pastaj? I tha: “Nëna jote!” – Po pastaj? - pyeti ai sërish dhe i Dërguari a.s. tha: “Babai yt!”(2)
Jeta e njeriut ndahet në disa etapa:
Etapa e foshnjërisë, e fëmijërisë, e rinisë, e pjekurisë dhe e pleqërisë.
Ashtu siç na e ka përshkruar Allahu xh.sh. në këtë ajet, mosha 40 vjeçare është mosha kur arrihet pjekuria kulmore e të menduarit dhe të logjikuarit. Kjo ishte mosha kur Pejgamberit a.s. i zbriti shpallja për herë të parë, e ashtu siç e pamë edhe nga shkaku i zbritjes, të cilin e ka përmendur vetëm Vahidiu, Ebu Bekri ishte ai që kur e arriti këtë moshë e falënderoi Allahun për nimetet e dhe begatitë e Tij.
Sipas Hasan el Basriut, kuptimi i këtij ajeti është i përgjithshëm,(3) e që duket të jetë mendimi më i saktë, sepse secili prej nesh, duhet ta falënderojë Allahun për begatitë e Tij ndaj nesh dhe ndaj prindërve tanë më parë, e pastaj edhe ta lusë që të na dhurojë pasardhës të denjë e të mirë, duke qenë plotësisht të dorëzuar para Teje me bindje, si myslimanë të vërtetë.
Respektimi i prindërve hyn në sferën e veprimeve më të larta e më fisnike në jetën tonë, dhe këtij veprimi Islami si fe, i ka dhënë një pozitë tejet të lartë. Mirësjellja jonë ndaj prindërve është moral me të cilin mburremi, sepse në një mënyrë reflekton humanizmin e kësaj feje dhe përkushtimin e saj për familjen dhe mbajtjen e lidhjeve familjare në përgjithësi. Prindi në Islam ashtu siç theksuam më parë është shkaktar i ardhjes së njeriut në këtë jetë. Atij i takon një respekt i përhershëm. Respekti për të duhet të shoqërohet edhe me dashuri dhe sakrificë. Pra, jom vetëm t’i respektosh në kuptim të përmbushjes së nevojave të tyre materiale, por edhe të shfaqësh anën emocionale duke i dashur, duke iu thënë fjalë të mira, duke u kujdesur për ata, mu ashtu siç ata janë përkujdesur për ne kur ishim të vegjël.
Pas sqarimit se si duhet të jetë mirësjellja jonë ndaj prindërve, dhe nënshtrimi ndaj Allahut, në ajetin vijues. Allahu sqaron shpërblimin e këtyre njerëzve mirënjohës dhe të nënshtruar ndaj Allahut kur thotë:

16. Këta janë ata njerëz, të cilëve do t’ua pranojmë veprat e tyre më të mira e nuk do t’ua vëmë re veprat e tyre të këqija. Ata do të jenë banorë të Xhenetit; ky është premtimi i vërtetë, që u është premtuar”

Shpërblimi më i madh tek Allahu për këtë njerëz që i binden Allahut me besim të plotë, duke qenë njëkohësisht të sjellshëm e bamirës edhe ndaj prindërve të tyre, do të jetë Xheneti, sepse veprat e tyre të mira do të jenë të pranuara e të vlerësuara. I Lartmadhërishmi, këtyre njerëzve, do t’ua fshijë ndonjë vepër të keqe që eventualisht mund ta kenë pasur, për hir të besimit dhe mirësjelljes së tyre ndaj prindërve. Të tillët do të jenë banorë të Xhenetit, në të cilin do të shijojnë kënaqësitë e përgatitura për ta, ashtu siç ju është premtuar.

Porosia e ajeteve (15-16)

- Allahu i Madhërishëm e ka bërë mirësjelljen dhe respektimin e prindërve si një prej obligimeve parësore në Islam. Madje respekti ndaj tyre, në disa ajete kuranore, ka ardhur edhe si detyrim i domosdoshëm menjëherë pas besimit në Allahun fuqiplotë. Hidhërimi i tyre nënkupton se mbi vete kemi tërhequr hidhërimin e Allahut, kurse me respektin ndaj tyre, e arrijmë kënaqësinë e Allahut.
- Ndaj nënës duhet të kemi kujdes të veçantë, sepse ajo na ka mbartur në kohën e shtatzënisë për nëntë muaj në barkun e saj, pastaj na ka ushqyer me gjirin e saj, duke e lodhur e sfilitur veten, vetëm që të na rrisë e edukojë.
- Njeriu që e arrin moshën 40 vjeçe, ka arritur kulmin e pjekurisë së tij fizike dhe mendore. Pikërisht për këtë arsye duhet ta falënderojë Allahun për mirësitë e dhuruara, dhe t'i lutet atij për prindërit e tij, e njëkohësisht edhe t’i bëjë pasardhësit e tij të denjë dhe të devotshëm.
-Njeriu sado që të përpiqet, është vështirë ta falënderojë Allahun ashtu siç Ai e meriton, për shkak të mirësive të Tij të pakufishme ndaj nesh.
- Besimtari i vërtetë, zemra e të cilit pulson vetëm për dashurinë ndaj Krijuesit, duhet të ndjekë rrugën e njerëzve të devotshëm, duke u penduar tek Allahu e pastaj duke e lutur atë duke kërkuar istigfar, sepse me këtë arrihet kënaqësia e Allahut në këtë dhe në botën tjetër.
- Xheneti, është vendshpërblim për të devotshmit dhe besimtarët e sinqertë.

(vijon)



1. Imam Vahidij en-Nisaburi, Esbabu-n-nuzul, ff. 605-606 (Redaktuar nga Argijaniu).
2. Buhariu (2/8) nr. 5971; Muslimi (4/1974) nr. 2548.
3. Tefsiru-l Munir, vëll. 26, f. 348



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme