Komentimi i kaptinës “El-Ahkaf” (4)


Shpifjet e jobesimtarëve dhe shpërblimi për besimtarët

“Jobesimtarët thonë për besimtarët: “Nëse (Feja-Kurani) do të ishte ndonjë gjë e mirë, ata nuk do të na kishin paraprirë në të!” E përderisa ata nuk e pranojnë udhëzimin e tij, do të thonë: “Ky është një trillim i lashtë”. Edhe para tij (Kuranit) ishte Libri i Musait, një udhërrëfyes dhe mëshirë, e edhe ky (Kurani) është Libër që vërteton (Tevratin), është në gjuhën arabe për t’ia tërhequr vërejtjen atyre që bëjnë të këqija dhe për t’i përgëzuar vepërmirët. Pa dyshim, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu!” dhe pastaj qëndrojnë vendosmërisht në rrugën e drejtë, për ta nuk ka frikë dhe nuk do të pikëllohen (kur t’u vjen vdekja). Të tillët janë banorë të Xhenetit, aty do të jenë përgjithmonë, si shpërblim për atë që kanë punuar.” - (El-Ahkaf, 11-14)

Shkaku i zbritjes së ajetit 11

Transmeton Taberaniu nga Katadeja të ketë thënë: Kanë thënë disa nga idhujtarët: “Ne jemi më të vlefshmit, Ne..., Ne..,. dhe po të ishte diçka e mire (shpallja që i besuan) nuk do të na kishin paraprirë në këtë filani e filani.” Për këtë arsye zbriti ajeti i 11.(1)
- Ibn Mundhiri transmeton nga Avn bin Ebi Sheddad të ketë thënë: Omeri ibnul Hattabi kishte një robëreshë e cila e kishte përqafuar Islamin, para tij. Emri i saj ishte Zinnin ose Zinnire, ndërsa Omeri r.a. e rrihte atë deri sa edhe vetë dërmohej. Jobesimtarët nga kurejshët thoshin me ironi: Po të ishte diçka e mirë (shpallja që i besuan) nuk do të na kishte paraprirë Zinninja.(2)
Të njëjtin transmetim nga Ibn Sa’di e përcjellin edhe Dahhaku dhe Haseni.(3)
- Ibn Abasi, Kelbiu dhe Zuxhaxhi thonë se: “Ata që mohuan janë fiset:
Benu Amir, Gatafan, Temim, Esed, Handhale dhe Eshxh’aë, kurse për ata që kishin pranuar Islamin nga fiset: Gafar, Eslem, Xhuhejne, Muzejne dhe Huza’ah, thoshin: “Po të ishte e mirë ajo me të cilën ka ardhur Muhamedi, nuk do të na kishin paraprirë në të çobanët e kafshëve, sepse ne jemi më të vlefshëm se ata”.(4)
- Ndërkohë, shumica e mufessirëve thonë se jobesimtarët nga radhët e hebrenjve u thoshin atyre që i besuan shpalljes së Muhamedit a.s., si Abdullah ibn Selamit e të tjerët, se po të ishte feja e Muhamedit e vërtetë, nuk do të na paraprinin këta në të.(5)

Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake

Këto ajete ndërlidhen kuptimisht me ajetet paraprake, duke treguar se dyshimet, talljet, përbuzjet dhe ironitë e jobesimtarëve, karshi Shpalljes hyjnore dhe myslimanëve nuk kishin të ndalur. Ata haptazi po i nënçmonin të dobëtit, robërit dhe të varfrit, të cilët i kishin besuar Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Prandaj, aristokracia kurejshite, kur i shikonin të varfrit si Amar bin Jasirin, Suhejbin dhe Ibn Mesudin, me ironi e përbuzje thoshin se po të ishte kjo feja e Muhamedit e mirë, nuk do të na paraprinin këta varfanjakë në të. Ndërkohë edhe hebrenjtë kur kishin parë Abdullah Ibn Selamin tek kishte përqafuar Islamin, e ai më parë ishte njëri prej prijësve të tyre fetarë, dhe meqë nuk po mund ta kapërdinin dot këtë veprim, thoshin, po të ishte feja e Muhamedit e mirë, nuk do të na paraprinin në këtë, lloji i Ibn Selamit.(6)
Por Allahu xh.sh. në këto ajete, ua bën me dije qoftë idhujtarëve, qoftë hebrenjve se për vërtetësinë e kësaj shpalljeje, dëshmon edhe vetë Tevrati, të cilin e lexojnë hebrenjtë, andaj vetëm ata që i besojnë Allahut dhe i qëndrojnë besnikë të kësaj rruge të drejtë, do të jenë banorë të Xhenetit, përgjithmonë.

Koment:

11. Jobesimtarët thonë për besimtarët: “Nëse (Feja-Kurani) do të ishte ndonjë gjë e mirë, ata nuk do të na kishin paraprirë në të!” E përderisa ata nuk e pranojnë udhëzimin e tij, do të thonë: “Ky është një trillim i lashtë”.

Ky ajet është vazhdimësi e atyre ajeteve paraprake, të cilat flisnin për dyshimet, talljet dhe shpifjet e idhujtarëve, ndaj shpalljes. I Madhërishmi e ka përdorur termin “jobesimtarë”, e jo idhujtarë, sepse ky term është më gjithëpërfshirës dhe ka të bëjë me të gjithë mohuesit, e ndër ta edhe çifutët. Dihet se kur idhujtarët mekas dëshironin ta vënin në siklet Pejgamberin a.s. me ndonjë pyetje provokatore, gjithmonë konsultoheshin me çifutët. Çifutët e Gadishullit Arabik, nuk e pasuan këtë pejgamber të fundit, të cilin e gjenin të përshkruar edhe në Tevratin e tyre, të shtyrë nga mendjemadhësia dhe egoizmi, e në këtë mendjemadhësi ata i ndoqën edhe idhujtarët mekas. Këta të fundit, duke parë se fenë e Muhamedit a.s. e kishin përqafuar kryesisht të varfrit dhe robërit, thoshin me përçmim e përbuzje: “po të ishte kjo fe e mirë, kurrë nuk do të na kishin paraprirë në të njerëzit më të përbuzur nga ne”. Kjo shprehje e tyre, shpreh arrogancën dhe vrazhdësinë që mbanin emrat e tyre të prishura, sepse ata nuk kishin mëshirë ndaj të varfërve e as ndaj robërve. Kjo kategori njerëzish, për ta simbolizonte vetëm frymorë që ecin mbi tokë dhe për të qenë në shërbim të tyre. Por, a thua kush janë këta paraprijës (sabikun)? Këta, pa dyshim, janë njerëzit më të mëdhenj të këtij ymeti, të cilët ndër të parët hapën gjokset e tyre për fenë e Allahut. Të tillët i ka përmendur Allahu në Kuranin famëlartë: “Dhe ata që kanë paraprirë (në besim) e që do të paraprijnë (edhe në Xhenet). Ata janë të afërtit (tek Allahu), në kopshtet e kënaqësisë. Shumica e tyre janë prej të parëve, ndërsa një pakicë prej të mëvonshmëve.” - (El-Vakiatu, 10-14).
Nën këtë emërtim hyjnë edhe të gjithë sahabët, ensarët dhe muhaxhirët, të cilët të parët u rreshtuan në rrugën e dritës, për hir të lartësimit të Fjalës së Allahut, ashtu siç i përshkruan edhe Kurani famëlartë: “Kurse ata që erdhën pas tyre (gjeneratat pas ensarëve dhe muhaxhirëve) thonë: Zoti ynë! Falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë urrejtje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë! Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” – (El-Hashr, 10).
Fundi i këtij ajeti: “E përderisa ata nuk e pranojnë udhëzimin e tij, do të thonë: “Ky është një trillim i lashtë”, konfirmon edhe njëherë se, përderisa idhujtarët dhe jobesimtarët në përgjithësi, nuk e pranojnë këtë udhëzim hyjnor, nga mendjemadhësia, ndonëse e dinin se ky udhëzim ishte prej Allahut, ata do të vazhdojnë të shpifin e të thonë se ky Kuran është trillim i lashtë dhe i kahershëm, të shtyrë nga arroganca dhe sëmundja që kishin në zemra. Pra nga tërë kjo kuptohet se ekziston një hendek i madh në mes diturisë dhe udhëzimit, sikur që ekziston dallimi në mes njohjes së të vërtetës dhe besimit në të vërtetën.(7) Edhe brezi i idhujtarëve të cilët ishin
dëshmitarë të zbritjes së Kuranit, siç ishin Ebu Xhehli dhe shumë të tjerë, e dinin mirë se Muhamedi a.s., ishte i dërguar nga Allahu, por nga inati dhe xhelozia nuk i besonin. Të tillë ishin edhe shumica e çifutëve në Gadishullin Arabik. Ata nuk i besonin nga inati, pse i dërguari i fundit nuk ishte nga radhët e tyre. Prandaj, duke qenë të pafuqishëm të demantonin fjalën e Allahut, thoshin se kjo është gënjeshtër, shpifje dhe trillim i të moçmëve.

12. Edhe para tij (Kuranit) ishte Libri i Musait, një udhërrëfyes dhe mëshirë, e edhe ky (Kurani) është Libër që vërteton (Tevratin), është në gjuhën arabe për t’ia tërhequr vërejtjen atyre që bëjnë të këqija dhe për t’i përgëzuar vepërmirët.

Ky ajet kuranor i kundërshton fuqishëm fjalët e idhujtarëve të thëna në ajetin paraprak: “Nëse (Kurani) do të ishte ndonjë gjë e mirë, ata nuk do të na kishin paraprirë në të!...” dhe: “Ky është një trillim i lashtë!” Arsyeja e përmendjes së Librit të Musait (Tevratit), të përshkruar si udhërrëfyes dhe mëshirë, është se Ai si libër vërtet ishte i tillë, para se të deformohej e shtrembërohej nga duart e çifutëve. Këtë e vërteton katërçipërisht edhe Kurani famëlartë,(8) madje në disa vende, sa për t’ua bërë me dije jo vetëm çifutëve, por edhe tërë popujve të botës, se si Tevrati ashtu edhe Kurani, janë prej të njëjtit burim drite, pra janë Fjalë e Allahut xh.sh.. Dallimi i vetëm është se Kurani famëlartë, është Shpallja e fundit drejtuar njerëzimit, dhe Allahu e garantoi mbrojtjen e tij nga duart e shtrembëruesve, gjë që nuk ndodhi me librat e tjerë para tij: “Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si vërtetues i Librave të mëparshëm dhe mbrojtës (garantues) të tyre.” – (El-Maide, 48).
Idhujtarët, kur u lexoheshin ajetet kuranore, ishin të vetëdijshëm se ato nuk ishin diçka tokësore, siç ishte poezia e tyre në të cilën shkencë tashmë pothuajse kishin arritur kulmin, por çuditeshin se si vallë mund t’i zbriste një njeriu nga mesi i tyre një Shpallje e tillë, kur dihet se atëbotë ata njihnin vetëm çifutët të kishin libra qiellorë. Por i Madhërishmi iu tregon qartë, se ky Kuran ka ardhur pikërisht në gjuhën e pastër arabe, për t’ua tërhequr vërejtjen nga dënimi i Allahut, por njëkohësisht edhe për t’i përgëzuar me Xhenet ata që e pasojnë fenë e Allahut.

13. Pa dyshim, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu!” dhe pastaj qëndrojnë vendosmërisht në rrugën e drejtë, për ta nuk ka frikë dhe nuk do të pikëllohen (kur t’u vjen vdekja).
14. Të tillët janë banorë të Xhenetit, aty do të jenë përgjithmonë, si shpërblim për atë që kanë punuar.”

Ajeti paraprak përfundoi me përgëzimin e vepërmirëve, duke u ndërlidhur fuqimisht tash me këto dy ajete pasuese, të cilat flasin për besimtarët e sinqertë, të cilët i besuan Allahut dhe nuk u zmbrapsën për asnjë pëllëmbë nga parimet e tyre të pastra. Ata pasi u përudhën, në asnjë mënyrë dhe me asnjë çmim, nuk u larguan nga kjo dritë e udhëzimit, por dëshmuan për vërtetësinë e shpalljes dhe i besuan pejgamberisë së Muhamedit a.s., pa marrë parasysh konsekuencat që mund të kishin. Shumë prej tyre edhe u torturuan, e shumë edhe ranë dëshmor në mbrojtjen e besimit të tyre të pastër. Për këtë arsye, Allahu xh.sh. në nderim të tyre i përmend këta njerëz si besimtarë vepërmirë që thanë se Zoti ynë është Allahu, dhe pastaj qëndruan të palëkundur në rrugën e hakut. Për të tillët as nuk ka frikë nga trishtimi dhe llahtaria e Kiametit, e as nuk do të pikëllohen, sepse të tillët i ka përshkuar mëshira e Allahut fuqiplotë, e shpërblimi për ta është Xheneti.
Dijetari i madh, Sejid Kutbi, gjatë komentimit të këtij ajeti, sjell margaritarë fjalësh ku ndër të tjera thotë: “Fjala e të Lartmadhërishmit: “Zoti ynë është Allahu!” - nuk është thjesht vetëm një fjalë goje që thuhet, por është besim i ngulitur në ndërgjegje dhe është program i përsosur i jetës, i cili përfshin çdo pore të jetës së njeriut, në çdo sferë...; “Zoti ynë është Allahu!” - nënkupton se vetëm Allahut i takon adhurimi, vetëm tek Ai duhet të drejtohemi, Atij duhet t’ia kemi dronë dhe vetëm tek Ai duhet të mbështetemi; “Zoti ynë është Allahu!”- nënkupton se vetëm para Tij është llogaria...; “Zoti ynë është Allahu!” – nënkupton se çdo aktivitet, çdo mendim dhe çdo vlerësim i drejtohet vetëm Atij, në kërkim të kënaqësisë së Tij; “Zoti ynë është Allahu!” - nënkupton se nuk ka gjykim tjetër pos gjykimit të Tij, as ligj përveç Sheriatit të Tij, e as udhëzim pos udhëzimit të Tij; “Zoti ynë është Allahu!” - nënkupton se çdo gjë në këtë ekzistencë është e ndërlidhur me ne, e ne takohemi bashkërisht me të gjithë në lidhjen tonë me Zotin...”, e pastaj: “qëndrojnë vendosmërisht në rrugën e drejtë” - nënkupton paluhatshmërinë e tyre në këtë rrugëtim hyjnor me shpirt të pastër e me zemër të qetë..., pa u ndikuar aspak nga shqetësimet dhe lëkundjet e ashpra në rrugën e jetës, rrugë e cila është plot pengesa e plot tatëpjeta...!(9)
Se ajetet kuranore kanë ndërlidhje dhe ndërthurje të mahnitshme ndërmjet vete, mund të bindemi edhe tash, duke sjell një ajet të ngjashëm me këtë, atë të 30 nga surja Fussilet, ku Allahu thotë: “Pa dyshim, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, dhe pastaj qëndrojnë vendosmërisht në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (në prag të vdekjes e do t’u thonë): “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar!”
Në Kuran, janë vetëm këto dy ajete, që kanë ardhur në të njëjtën formë, së pari në suren Fussilet, dhe tash në El-Ahkaf, (13), por ajo që meriton t’i kushtohet vëmendje, është ndërlidhja tejet madhështore e këtyre dy ajeteve me ata paraprakë nëpër suret përkatëse që i përmendëm. Përderisa në suren Fussilet, këtij ajeti i kanë paraprirë ajetet prej: 26, për të përfunduar me ajetin e 29: “Dhe jobesimtarët do të thonë: “O Zoti ynë, na i trego ata xhind dhe njerëz, që na kanë shpënë në humbje, që t’i shkelim me këmbët tona e t’i poshtërojmë!”. Pas këtyre ajeteve (26-29) në të cilët shohim kulminacionin e poshtërimit të jobesimtarëve në skëterrat e Xhehenemit, vjen ajeti që flet për besimtarët e vërtetë të cilët thonë se Zoti ynë është Allahut dhe pastaj përqendrohen vendosmërisht në rrugën e së vërtetës. Njësoj ka ndodhur edhe në suren El-Ahkaf, kur në ajetin 7 të saj thuhet: “për të vërtetën (Kuranin) që u erdhi, thanë: “Kjo është magji e qartë!”, ndërsa në ajetin e 11, për Kuranin thonë “Ky është një trillim i lashtë”, prandaj, pas tërheqjes së vërejtjes ndaj jobesimtarëve me ndëshkim në zjarr të Xhehenemit, tash natyrshëm vjen biseda për vepërmirët, të cilët thanë Zoti ynë është Allahu për të përfunduar me shpërblimin për të cilin flet ajeti i 14 i kësaj sureje. Të tillët janë banorë të Xhenetit, aty do të jenë përgjithmonë, si shpërblim për atë që kanë punuar”.
Kur jemi te ky ajet, dijetarët kanë pyetur, nëse shpërblimi me Xhenet është meritë e robit, apo vlerësim dhe dhunti e Allahut për të? Përgjigja është se kjo është veçse dhunti e Allahut për robin, sepse puna jonë e mirë në këtë dynja është vetëm shkak, e jo çmim i hyrjes sonë në Xhenet. Kur Allahu na përcaktoi ligjet dhe rregullat e fesë e të jetës, këtë e bëri për hir të mirëqenies sonë në këtë botë, dhe ne, jemi ata që korrim frytin e punës sonë të mirë e të vyeshme duke qenë të lumtur me të në këtë botë, e përveç kësaj, Allahu na shpërblen për të në Ahiret, duke na bërë banorë të Xhenetit.(10) Ja, ky pra është shpërblimi meritor, për ata që bartën lart flamurin e Njëshmërisë, pa u përkulur e pa u ligështuar, por duke qenë ballëhapur e krenarë dhe të kënaqur me Allahun Fuqiplotë për dhuntinë e besimit, në të cilin i kishte udhëzuar.

Porosia e ajeteve - (11-14)

- Mendjemadhësia është cilësi djallëzore, e cila e verbon njeriun që të mos shohë askënd para vetes. I tillë ishte edhe qëndrimi i idhujtarëve ndaj të varfërve prej radhës së myslimanëve. Ata duke u munduar ta nënvlerësojnë edhe vetë shpalljen hyjnore, thoshin me ironi e sarkazëm, që po të ishte ndonjë e mirë në këtë fe apo në këtë Kuran, nuk do të na paraprinin në këtë më të ulëtit, të varfrit dhe robërit. Sa për ta arsyetuar veten, thoshin se ky Kuran është trillim dhe gënjeshtër e moçme! Të tilla ishin edhe qëndrimet e çifutëve ndaj Muhamedit a.s. dhe shpalljes hyjnore, sepse nuk mund ta imagjinonin faktin se pejgamberia ishte transferuar prej tyre tek arabët.
- Të gjitha Shpalljet hyjnore kanë të njëjtin burim. Si Tevrati, Zeburi dhe Inxhili, ashtu edhe Kurani, janë libra të zbritur nga Allahu nëpër kohë të ndryshme. Ashtu siç Kurani vërteton librat e mëhershëm, po ashtu edhe në këto libra, është paralajmëruar ardhja e vulës së krejt pejgamberëve, por duart e Ehli Kitabit, u zgjatën drejt tyre, duke ndryshuar dhe shtrembëruar Fjalët e Allahut. Megjithatë, Kurani si shpallja e fundit hyjnore, na sqaroi për ligësitë e tyre duke qenë i vetmi Libër që askush nuk arriti të ndryshonte diçka në të, sepse Allahu xh.sh. garantoi për ruajtjen e tij.
- Ata që merituan epitetin “besimtar”, duke i qëndruar besnik besimit të tyre të paluhatshëm në Zotin xh.sh., dhe duke pasuar Muhamedin a.s., në këshillat e tij, do të jenë banorë të Xhenetit, duke përjetuar kënaqësitë e Allahut, pandërprerë dhe përgjithmonë.

(vijon).

1. Imam Sujutiu, Lubabu-n-Nukul fi esbabi-n-nuzul, f. 232. 2. Po aty, ff. 232-233. 3. Po aty, f. 233. 4. Et-Tefsiru-l Munir, vëll. 26, f. 341 5. Po aty, vëll. 26, f. 341. 6. Et-Tes’hil li te’vili-t-tenzil- tefsir Xhuz’u Ahkaf fi sualin ve xhevabin, f. 34. 7. Ale Ha-mim - El-Xhathije vel Ahkaf, dirasetun fi esrari-l bejan, f. 382. 8. Et-Tefsir el mevdui li suveri-l Kuran, vëll. VII, f. 192. 9. Sejid Kutb, Fi Dhilali-l Kuran, vëll. VI, f. 3259. 10. Tefsir esh-Sharavi-Havatiri havle-l Kurani-l Kerim, vëll. 23, f. 14180.



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme