Dyshimet e idhujtarëve rreth shpalljes dhe mohimi i saj
“Kur mohuesve u lexohen ajetet tona të qarta, ata, për të vërtetën (Kuranin) që u erdhi, thanë: “Kjo është magji e qartë”. Ose thonë: Ai (Muhamedi) e trilloi atë. Thuaju: “Nëse unë e kam trilluar atë, ju nuk mund të më mbroni prej (dënimit të) Allahut. Ai është më i Dituri për të gjitha shpifjet tuaja rreth tij (Kuranit). Por, mjafton që Ai është dëshmitar ndërmjet meje e ndërmjet jush. Ai është Falësi e Mëshirëploti”. Thuaj: “Unë nuk jam i pari prej të dërguarve (te njerëzit), dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë me mua e as me ju. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet, dhe unë jam vetëm një paralajmërues i qartë”. Thuaj: “Më tregoni se çdo të bëhet me ju nëse ai (Kurani) është prej Allahut, kurse ju e mohuat, ndërkohë që një dëshmitar nga Beni Israilët e dëshmoi si të tillë (të zbritur prej Allahut) dhe e besoi, ndërsa ju bëheni kryeneçë?” Me të vërtetë, Allahu nuk i udhëzon (në rrugën e drejtë) njerëzit zullumqarë.” — (El-Ahkat, 7-10)
Shkaku i zbritjes së ajetit 10
Në lidhje me ajetin e 10-të të kësaj sureje: “Thuaj: “Më tregoni se çdo të bëhet me ju nëse ai (Kurani) është prej Allahut, kurse ju e mohuat, ndërkohë që një dëshmitar nga Beni Israilët e dëshmoi si të tillë (të zbritur prej Allahut) dhe e besoi, ndërsa ju bëheni kryeneçë?” Me të vërtetë, Allahu nuk i udhëzon (në rrugën e drejtë) njerëzit zullumqarë.”, është transmetuar se ky ajet ka zbritur për Abdullah ibn Selamin, një prej dijetarëve të hebrenjve në Medinë, i cili sapo i Dërguari i Allahut bëri hixhret në Medinë, menjëherë e përqafoi Islamin.
- Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi nga Sad ibn Ebi Vekasi se ky ajet ka zbritur për Abdullah ibn Selamin.(1)
- Transmetojnë Ibn Xheriri, Tirmidhiu dhe Ibn Merdevejhi nga Abdullah ibn Selami të ketë thënë:
“Për mua ka zbritur ky ajet”.(2)
Lidhja e Këtyre ajeteve me ato paraprake
Pas vërtetimit të Njëshmërisë në ajetet e kaluara, ku Allahu xh.sh. përmend edhe Shpalljen dhe i qorton idhujtarët për inatin në kufrin e tyre ndaj Islamit dhe Kuranit, tash në këto ajete, do të shohim dyshimet e jobesimtarëve rreth Shpalljes hyjnore, duke e quajtur atë magji dhe legjendë e të parëve, por Allahui Madhërishëm e qetëson të Dërguarin e Vet, që të mos brengosej për fjalët e tyre, por të përqendrohej në ftesën e udhëzimit dhe vetëm ti paralajmëronte ata për pasojat me të cilat do të ballafaqoheshin.
Koment
7. Kur mohuesve u lexohen ajetet Tona të qarta, ata për të vërtetën (Kuranin) që u erdhi, thanë: “Kjo është magji e qartë!”
Madhështia e Kuranit famëlartë është e pashembullt. Ajetet e tij nuk të lënë të vetmuar, por të rrëmbejnë nga një botë në tjetrën, nga një gjendje në tjetrën, saqë të krijohet përshtypja se je gjithmonë në lëvizje, i rrethuar nga ngrohtësia e fjalëve hyjnore. Në ajetet e para të kësaj sureje kemi vërejtur se gjendemi para pamjes së krijimit të qiejve dhe të Tokës, e pastaj pamë shenja se tërë kjo ekzistencën e krijuar, një ditë do të shkatërrohet, më pastaj u ndeshëm me mohuesit e Njëshmërisë dhe idhujtarët që i bënë shirk Allahut, për të përfunduar me pamje nga Dita e Tubimit në Ditën e Gjykimit. E në këto ajete, vazhdojmë sërish udhëtimin tonë, por tash duke u zhvendosur nga Mahsheri në këtë Dynja, për të parë përpjekjet titanike të të Dërguarit a.s. që të udhëzonte popullin e vet. Është e dhimbshme nga perspektiva e sotme të shohim të gjitha ato vuajtje dhe sakrifica të Pejgamberit a.s. për udhëzimin e idhujtarëve, ndërkohë që ai ballafaqohej me ftohtësinë dhe injorimin e tyre duke e quajtur këtë Kuran, si magji dhe fjalë të kotë...!(3)
Ajo që fillimisht vërehet në këtë ajet, është argumenti për vërtetësinë e Shpalljes, sepse i Madhërishmi, këtë Shpallje apo këto ajete, ia atribuon Vetes së Tij duke përdorur përemrin e Madhështisë kur thotë: “ajetet Tona të qarta”, argumente të cilat vërtet janë të pakontestueshme, të qarta dhe mbresëlënëse. Ndërsa fjala “u lexohen” jep shenjë për mrekullinë e Fjalës hyjnore, e cila nesër në Ditën e Gjykimit do të jetë argument shtesë kundër kufrit dhe mosbesimit të tyre. Kur jemi te fjala “kufr”- mosbesim”, shohim se kuptimi i saj në gjuhën arabe është fshehja e një gjëje, si p.sh. kur bujku e mbjell farën, ai në fakt e “fsheh” atë nën dhe. Njëjtë edhe jobesimtarët, e dinë mirë se këto ajete kuranore dhe kjo Shpallje që po i vinte Muhamedit a.s. ishin të qarta e të vërteta. Madje ishin shumë të vetëdijshëm se idhujt që po i adhuronin në vend të Allahut, nuk kishin krijuar diçka as në qiej e as në tokë, por inati dhe mendjemadhësia e tyre i shtynte ata drejt greminave të mosbesimit, duke qenë plotësisht të vetëdijshëm për atë gjë, dhe meqë nuk kishin ndonjë argument për t’iu kundërvënë fjalëve të Allahut, thoshin se ky Kuran është një magji e qartë! Nëpërmjet këtyre shpifjeve, ata dëshironin të hidhnin dyshime në Shpalljen, duke e akuzuar Muhamedin a.s. se po shpifte dhe po e trillonte këtë Kuran nga vetvetja.
8. Ose thonë: Ai (Muhamedi) e trilloi atë. Thuaju: Nëse unë e kam trilluar atë, ju nuk mund të më mbroni prej (dënimit të) Allahut. Ai është më i Dituri për të gjitha shpifjet tuaja rreth tij (Kuranit). Por, mjafton që Ai është dëshmitar ndërmjet meje e ndërmjet jush. Ai është Falësi e Mëshirëploti.
Të ballafaquar me të vërtetat e pakontestueshme, e të shtyrë edhe nga zilia pse Kurani po i rrëmbente me ngrohtësi e dashuri zemrat e njerëzve, idhujtarët mohues të Njëshmërisë, filluan të shpifnin se këtë Kuran e kishte trilluar vetë Muhamedi a.s.. Këto pretendime të ulëta të tyre Allahu xh.sh. i ka përmendur shpeshherë në Kuran, në forma të ndryshme, sa për të na vënë në dijeni, se shpifje të tilla kundër Kuranit do të ketë gjithmonë, por nëpërmjet këtyre ajeteve sqaruese, i jepet mbështetje të Dërguarit të Allahut që të vazhdonte i palëkundur në misionin e tij të shenjtë, përudhjen e njerëzve në dritën e së vërtetës. Allahu xh.sh. i thotë të Dërguarit të Vet, që të mos brengosej për fjalët e tyre, ku ata e akuzonin për trillimin e Kuranit, sepse edhe forma shprehëse që ka ardhur në këtë ajet: “Nëse unë e kam trilluar atë, ju nuk mund të më mbroni prej (dënimit të) Allahut”, është thumbuese dhe ironike për vetë idhujtarët, të cilët para Shpalljes, e kishin njohur dhe cilësuar Muhamedin a.s. si besnik dhe të sinqertë. Atëherë vallë çfarë ndryshoi që pas shpalljes, Muhamedi a.s. të cilësohej si mashtrues dhe i lig, kur ky kishte po ato sjellje të mira, i urtë, i dashur dhe i afërt me të gjithë”?! Prandaj, Allahu ironizon me ata kur nëpërmjet gjuhës së të Dërguarit a.s. iu thotë: Nëse ju pretendoni se unë e paskam trilluar këtë Kuran, atëherë ju nuk do të mund të më ndihmoni aspak, prej “dënimit” të Allahut për këtë trillim! Prandaj, pikërisht për këtë arsye, Allahu xh.sh. ia qetëson zemrën Muhamedit a.s. duke ia bërë të ditur se Ai është në dijeni të plotë për këto shpifje të ulëta ndaj tij, dhe se Allahu do të jetë dëshmitar në mes tij dhe idhujtarëve, në Ditën e Gjykimit. Madje shohim se në këtë pjesë të ajetit, shpërfaqet haptazi hidhërimi i Allahut ndaj idhujtarëve, sepse të shpifësh e të gënjesh për Kuranin se është trillim, kjo pas vetes gjithsesi tërheq ndëshkimin e tmerrshëm të Tij në Ahiret.
Allahu xh.sh. në shumë vende në Kuran e thekson faktin se ky Kuran nuk është trillim i askujt, por është Fjalë e Allahut e zbritur tek i Dërguari i fundit, si f.v. në ajetin 37 të sures Junus: “Ky Kuran është prej Allahut dhe nuk është trillim i askujt. Përkundrazi, ai është vërtetues i asaj që ishte më parë, dhe sqarues i Ligjit (për njerëzit), në të cilin nuk ka dyshim se është prej Zotit të botëve!”
Ndërsa pjesa e fundit e ajetit: ”Ai është Falësi e Mëshirëploti”, është pjesa më motivuese për Muhamedin a.s., që fuqishëm të mbështetej tek Allahu dhe të kërkonte ndihmën dhe bekimin e Tij për ta transmetuar mesazhin hyjnor, në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai është Falës dhe Mëshirëplotë, i Dhembshur dhe i Dashur, e mbi të gjitha, kurrë nuk do të heqë dorë nga i Dërguari i Vet, të cilin e ka cilësuar si “mëshirë për botët”.
9. Thuaj: Unë nuk jam i pari prej të dërguarve (te njerëzit), dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë me mua e as me ju. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet, dhe unë jam vetëm një paralajmërues i qartë.
Allahu e mëson Muhamedin a.s. si t'u përgjigjet pretendimeve banale të idhujtarëve se gjoja ky e kishte trilluar ketë Kuran, duke i thënë. O Muhamed, thuaju idhujtarëve, se nuk jam pejgamberi i parë dhe i vetmi tërheqës i vërejtjes për njerëzit e pa udhëzuar. Përkundrazi, jam i fundit nga vargu i të Dërguarve të Allahut nëpër kohë.
Kur jemi te pjesa e ajetit: “dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë me mua e as me ju, shohim se ky është plotësim i fillimit të këtij ajeti, dhe në një mënyrë, është përgjigje ndaj idhujtarëve, të cilët shpeshherë e tallnin dhe e shpotisnin Pejgamberin a.s., me pyetje banale si: Ae di ku e kam devenë”?!, “Cili është babai imi?!” etj.. Dhe, për tua mbyllur gojën njëherë e përgjithmonë, Allahu xh.sh. i thotë Muhamedit a.s. që t'ua bënte me dije jobesimtarëve, se nuk e di të fshehtën e as të ardhmen, përveç asaj që më shpallet nga Zoti im(4) Madje, kjo pjesë e ajetit përputhet plotësisht edhe me ajetin tjetër kuranor që ka pothuajse të njëjtin kuptim: “Thuaj: “Unë nuk kam në dorë për veten time as ndonjë dobi, as ndonjë dëm, pos çka do Allahu. Sikur ta dija të fshehtën, do të shumoja për vete të dobishmet, e nuk do të më prekte gjë e keqe. Unë nuk jam tjetër vetëm se qortues dhe përgëzues për njerëzit që besojnë.” (El-Araf. 188).
Ndërsa fundi i ajetit: “Unë ndjek vetëm atë që më shpallet, dhe unë jam vetëm një paralajmërues i qartë”, konfirmon edhe njëherë se Muhamedi a.s. është i Dërguar i Allahut, madje më madhështori prej tyre, duke e bërë të ditur se ai ndiqte udhëzimet që i shpalleshin nga Allahu, duke qenë paralajmërues dhe tërheqës i vërejtjes jo vetëm për popullin tek i cili u dërgua, por edhe te njerëzimi mbarë, deri në Ditën e Fundit të kësaj bote.
10. Thuaj: Më tregoni se çdo të bëhet me ju nëse ai (Kurani) është prej Allahut, kurse ju e mohuat, ndërkohë që një dëshmitar nga Beni Israilët e dëshmoi si të tillë (të zbritur prej Allahut) dhe e besoi, ndërsa ju bëheni kryeneçë” Me të vërtetë, Allahu nuk i udhëzon (në rrugë të drejtë) njerëzit zullumqarë.
Fjala “Kul-Thuaj” me të cilën fillon ajeti i dhjetë i kësaj sureje, vjen për herë të katërt në këtë sure, që vështruar nga aspekti i thirrjes islame, ka dimensione jashtëzakonisht të thella. Zakonisht, para se të lexojmë apo të dëgjojmë fjalët e të Dërguarit të Allahut drejtuar jobesimtarëve, ne fillimisht dëgjojmë fjalën urdhërore të të Lartmadhërishmit: Thuaj!”, e cila në vete përmban madhështi dhe respekt, ngase Allahu po ia beson bartjen e një mesazhi fisnik të Dërguarit të Vet. Pa dyshim, kjo fjalë urdhërore që është përsëritur shpeshherë në ajete kuranore, na rikthen në meditim të thellë, se të fshehtat e qiejve e të Tokës nuk i di askush pos Krijuesit të tyre, Allahut xh.sh., dhe kjo, pa dyshim, i jep një ngjyrim krenarie e madhështie tërë kontekstit kuranor. Pra, edhe këtu Allahu xh.sh., nëpërmjet të Dërguarit a.s. iu drejtohet mohuesve me fjalët: më tregoni se çfarë do të bëhet me ju, kur dihet se ky Kuran që ju po e mohoni është vërtet prej Allahut: Si do të arsyetoheni para Allahut në Ditën e Gjykimit, për këto shpifje tuaja të ulëta”?!
Megjithatë, edhe pse një pjesë e madhe e jobesimtarëve po e mohonin vërtetësinë e Kuranit se ishte zbritur prej Allahut, e madje në këtë mohim u ishin bashkuar edhe një pjesë e madhe e Beni Israilëve, megjithatë, prej tyre kishte edhe mendje të ndritura që e kishin pranuar faktin se Kurani është Libri i fundit hyjnor, dhe Muhamedi a.s., i dërguari i fundit dhe vula e krejt pejgamberëve. Një prej këtyre shembujve të ndritur ishte Abdullah ibn Selami. Ashtu siç pamë nga shkaku i zbritjes së ajetit të 10-të: “...ndërkohë që një dëshmitar nga Beni Israilët e dëshmoi si të tillë (të zbritur prej Allahut) dhe e besoi...”, dijetarët që janë marrë me këtë shkencë kanë thënë se i vetmi ky ajet i sures El-Ahkaf ka zbritur në Medinë, dhe atë për Abdullah ibn Selamin, një dijetar hebre në kohën e Pejgamberit a.s. në Medinë, i cili pasi kishte analizuar hollësisht se çfarë ishte shkruar në Tevrat, lidhur me ardhjen e të dërguarit të fundit të Allahut, e kishte pranuar Islamin sapo Pejgamberi a.s. kishte mbërritur në Kuba, duke e pasuar atë në misionin e tij fisnik. Në lidhje me këtë ngjarje, kanë folur gjerësisht librat mbi jetën e sahabëve të zgjedhur,(5) por nuk mund të konstatohet me saktësi nëse fjala është për këtë sahabij të ndershëm, sepse surja El-Ahkaf është mekase, kurse Abdullah ibn Selami ka hyrë në Islam, pas migrimit të Resulullahut s.a.v.s. në Medinë. Megjithatë, dijetarët si Zemahsheriu, Rraziu,(6) dhe të tjerë, e përkrahin mendimin që i vetmi ky ajet i sures El-Ahkaf, të ketë zbritur në Medinë, për këtë sahabij të ndershëm. (Allahu e di më së miri!). Ndërsa pjesa e fundit e ajetit të 10-të: “Me të vërtetë, Allahu nuki udhëzon (në rrugë të drejtë) njerëzit zullumqarë.”, është edhe një tërheqje e vërejtjes për idhujtarët, që nëse nuk do të linin kryeneçësinë dhe ligësitë e tyre, nuk do të gjenin dot rrugën e udhëzimit, sepse Allahu nuk e vë në rrugën e drejtë popullin mizor e zullumqar. Vetëm ata që e hapin zemrën dhe mendjen për të vërtetën, duke besuar në Allahun, në Kuranin, në jetën pas vdekjes dhe në Ditën e Gjykimit, do të mund ta shijojnë ëmbëlsinë e besimit në këtë botë, dhe shpërblimin e Allahut në botën tjetër.
Porosia e ajeteve 7-10
- Ligësia e idhujtarëve mekasë kishte shkuar ag larg, saqë haptazi përgënjeshtruan Kuranin duke e quajtur atë magji dhe i trilluar nga vetë Muhamedi a.s..
- Allahu xh.sh. e këshillon të Dërguarin e Vet, që të mos brengosej për këto shpifje, sepse Vetë Ai do të ishte dëshmitar kundër tyre në Ditën e Gjykimit.
- Nëse njerëzit mëkatarë dhe jobesimtarë, pendohen dhe udhëzohen në rrugën e drejtë, Allahu vërtet është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.
- I Dërguari i Allahut nuk është i pari pejgamber që i erdhi njerëzimit, por i fundit nga ta dhe vulë e krejt profetëve. Ai erdhi si mëshirë për botët, dhe ftoi mbarë njerëzimin në rrugën e drejtë.
- I Dërguari a.s. ishte njeri, dhe nuk ka qasje në të fshehtat hyjnore, përveç asaj që i vjen nga Shpallja-Vahji.
- Këto ajete përmbajnë kërcënim të hapët nga Allahu për idhujtarët, nëse ata do të vazhdonin me tallje, përqeshje dhe me persekutim të myslimanëve.
- Idhujtarët dhe çifutët ishin kryeneçë, mendjemëdhenj dhe nuk hezitonin të nënçmonin myslimanët në raste dhe situata të ndryshme, por megjithatë, edhe prej tyre kishte njerëz që mendonin me logjikë të shëndoshë, duke dëshmuar për vërtetësinë e Kuranit dhe duke pranuar Muhamedin a.s. si të Dërguar të Allahut.
- vijon –
1. Imam Sujutiu, Lubabu-n-nukuli fi esbabi-nuzuli, Bejrut, 2020, f. 232.
2. Po aty, f. 232, Shih edhe: Et-Tefsiru-l munir, vëll. 26, f. 331.
3. Më gjerësisht shih: Ale Hamim-El-Xhathijetu-el Ahkaf, dirasetun fi esrari-l bejan, f. 348.
4. Et-Tahriru ve-t- Tenviru, vëll. 26, f. 17.
5. Ibn Haxher el Askelani, El-Isabetu fi temjizi-s-sahabeti, Kajro, 2008, vëll 6, f. 190-193, (nr. 4747), Izzuddin lbnu-l Ethir, Usdu-l gabeh fi temjizi-s-sahabeti, Bejrut, 2102, vëll. 3, f. 265.
6. Fahruddin er-Rraziu, Mefatihu-l Gajb, Bejrut, 1981, vëll. 28, f. 10.
Sabri Bajgora