Përkufizimi i ofertës dhe pranimit: Oferta (ixhabi) dhe pranimi (kabuli) janë pjesë përbërëse e kontratës, që në terminologjinë e jurisprudencës islame njihet me termin “Sigatulakdi” (forma e lidhjes së kontratës), që nënkupton harmonizimin e kuptimit të shprehjeve mes dy palëve kontraktuese.
Meqë oferta (ixhabi) dhe pranimi (kabuli) janë forma të lidhjes së kontratës, nga e cila varet edhe ekzistimi i kontratës, atëherë juristët islamë këtij elementi të lidhjes së kontratës i kushtuan kujdes të veçantë. Dijetarët e shkollës juridike islame hanefite, ofertën (ixhabin) e përkufizuan: parashtrimi i kërkesës së veçantë nga njëra palë kontraktuese, përmes së cilës demonstrohet vullneti i palës, kurse pranimin e përkufizuan: pranimi i ofertës së parashtruar nga pala tjetër me shprehje që demonstron vullnetin e tij.
Nga ky përkufizim i ofertës dhe pranimit që i bënë juristët hanefinj, nënkuptojmë se oferta nuk është veçori e njërës palë kontraktuese, por ajo mund të jetë shprehje e vullnetit nga njëra prej dy palëve kontraktuese, si p.sh., nëse bëhet fjalë për kontratë të shitblerjes, nuk kushtëzohet që oferta të jetë vetëm nga shitësi e pranimi nga blerësi, por oferta mund të jetë edhe nga blerësi e pranimi të jetë nga shitësi. Pra ofertë konsiderohet fjala e parë, kurse pranimi është fjala e dytë, e cila reflekton pëlqimin dhe pajtueshmërinë me shprehjen e parë, pavarësisht se nga cila palë kontraktuese shprehet. Gjithashtu nga ky përkufizim i ofertës dhe pranimit nënkuptojmë se edhe oferta edhe pranimi duhet të jenë shprehje e vullnetit dhe dëshirës së palëve kontraktuese, që nënkupton se imponimi nga jashtë tek cilado palë kontraktuese qoftë, është i papranuar gjatë lidhjes së kontratës.
Kushtet e kontratës
Kushti (sharti) është çështja nga e cila varet ekzistimi i sendit të kushtëzuar, andaj, pa ekzistimin e kushtit, nuk mund të ekzistojë as i kushtëzuari. Për ta pasur më të qartë, po e ilustrojmë me këtë shembull: Abdesi është kusht i namazit, nëse mungon abdesi, atëherë nuk mund të falet namazi. Nga kjo që u tha, vërejmë se edhe kushti edhe rukni janë shtylla esenciale të veprës, por dallimi në mes kushtit dhe ruknit qëndron në faktin se kushti është pjesë e jashtme e veprës, kurse rukni është pjesë e brendshme apo pjesë përbërëse e veprës.
Kur jemi te kushtet e kontratës, duhet theksuar patjetër se juristët islamë, kushtet e kontratës i ndanë në katër lloje, që janë:
Kushtet e lidhjes së kontratës (shurutul in’ikad), janë ato kushte pa të cilat nuk mund të lidhet kontrata. Këto kushte mund të jenë të veçanta vetëm për disa lloje të kontratave, por mund të jenë edhe të përgjithshme për të gjitha kontratat, pra, varësisht nga lloji dhe natyra e kontratës. Këto janë ato kushte të cilat kanë të bëjnë me palët kontraktuese, me formën e lidhjes së kontratës etj..
Kushtet e vlefshmërisë së kontratës (shurutes-sihati) janë ato kushte pa të cilat kontrata është e pavlefshme. Kushtet e zbatimit të kontratës (shurutuen-nifadh), janë ato kushte pa të cilat kontrata mund të lidhet, po nuk mund të zbatohet.
Kushtet e vazhdueshmërisë së kontratës (shurutu-luzum) janë ato kushte nga të cilat varet vazhdimi i kontratës.
Juristët islamë kundruan kontratën dhe kushtet e saj nga këndi se prej nga burojnë këto kushte, kushtet i ndanë në dy lloje, që janë:
Lloji i parë: kushti ligjor (Shartu Sher'ij), që është i paraparë dhe i obliguar nga Sheriati islam, që nënkupton se pa përfilljen e këtij kushti nuk mund të ketë as kontratë.
Lloji i dytë: kushti i paraparë dhe i përcaktuar nga njëra palë kontraktuese (ShartuXha’lij) sipas dëshirës së tij, po që nuk është në kundërshtim me kushtin ligjor apo në kundërshtim të drejtpërdrejtë me qëllimin e kontratës.
Gjurmët — detyrimet e kontratës
Meqë theksuam edhe më parë se kontratat janë domosdoshmëri në jetën shoqërore, për të evituar zënkat dhe mosmarrëveshjet, pa kurrfarë dileme implementimi dhe zbatimi i kontratave është edhe imperativ islam. Kontrata në vete ngërthen detyrimet dhe të drejtat për të dy palët kontraktuese, e ky është edhe synimi final i kontratave. Përmes kontratave arrihet lejimi i sendeve të ndaluara para kontratës, si p.sh. kontrata e martesës lejon dëfrimin mes palëve, që para kontratës ishte veprim i ndaluar. Gjithashtu, përmes kontratave, bëhet edhe transferimi dhe bartja e së drejtës së pronës nga njëra palë tek tjetra. Se cilat janë detyrimet dhe të drejtat që dalin nga kontratat, varet kryesisht nga lloji dhe natyrshmëria e kontratës.
Llojet e kontratave
Të flitet për llojin e kontratave është çështje e mjaft e komplikuar, sepse kontratat, llojet e kontratave varen kryesisht nga liria e rregullimit të marrëdhënieve kontraktuese, që ka mundësuar formimin e kontratave të shumta, përmes të cilave shpalosen dëshira dhe vullneti i individit për të bërë një kontratë. Në anën tjetër, llojet e kontratave dhe ndarja e tyre varet nga këndvështrimi, prizma dhe natyrshmëria që vrojtojmë kontratën. Megjithatë ne do të regjistrojmë disa lloje të kontratave, që mendojmë se janë më të rëndësishme për ne. Nëse e shikojmë kontratën nga aspekti i sistemimit nga ligjdhënësi, atëherë kontratat mund të jenë:
Kontrata e emëruar(8) (Ukuduelmusemma) është ajo kontratë që është e paraparë dhe e rregulluar shprehimisht nga ligjdhënësi përmes dispozitës ligjore dhe i ka vënë emër të veçantë, siç është kontrata e shitblerjes, kontrata e qirasë, kontrata e këmbimit etj.. Kontrata e paemëruar(9) (ukudgajrumusemma) është ajo kontratë që ligjdhënësi nuk e ka rregulluar shprehimisht dhe as që i ka vënë emër, siç është kontrata e ekspozimit, kontrata e botuesit me autorin, kontrata për angazhime hotelerie etj.. Këto lloje kontratash arrihen duke u bazuar në rregullat e përgjithshme të së drejtës kontraktuese.
Nëse i shikojmë kontratat nga prizma e kushteve të domosdoshme që duhet plotësuar patjetër për lidhjen e kontratës, të drejtat dhe detyrimet që dalin nga palët kontraktuese, atëherë kontrata ndahet në: Kontratë konsensuale (ukudridaije), që është kontrata e cila lidhet në mbështetje të vullnetit dhe dëshirës nga dy palët kontraktuese, dhe Kontratë formale (ukudsheklije) janë kontratat të cilat, krahas vullnetit të dy palëve kontraktuese, ajo kontratë për lidhjen dhe vlefshmërinë e saj, me ligj është përcaktuar edhe forma e saj, pra duhet të bëhet patjetër në formë të veçantë, që nënkupton se për lidhjen e kësaj kontrate nuk mjafton vetëm vullneti i palëve kontraktuese, por element konstituiv i kësaj kontrate është forma. Nëse kontratën e kundrojmë nga aspekti i detyrimeve që dalin nga palët kontraktuese, e atëherë kontrata mund të jetë: Kontratë detyruese e njëanshme, (unilaterale) janë kontratat nga të cilat dalin detyra vetëm për njërën palë kontraktuese, ngase vetëm njëra palë bëhet debitor. Si kontrata të njëanshme detyruese (unilaterale) janë kontrata mbi dhuratën, kontrata e huas, etj..
Kontratë detyruese e dyanshme, (bilaterale) janë kontratat që formojnë të drejta dhe obligime për të dy palët kontraktuese. Kontrata të tilla janë kontrata e shitblerjes, kontrata e qirasë, kontrata mbi veprën, kontrata e ortakërisë etj..
Nëse kontratën e shikojmë nga aspekti i shpërblimit dhe përfitimit, atëherë kontrata mund të jetë: Kontratë me shpërblim (oneroze), është kontrata që merr shpërblim kundërvlerën për atë që jep, ose anasjelltas. Në këtë lloj hyjnë kontrata e shitblerjes, e qirasë, e ortakërisë etj..
Kontratë pa shpërblim (lukrative), janë kontrata në të cilat nuk jepet kurrfarë shpërblimi për atë që fitohet, siç është rasti me kontratën e dhuratës, huas, etj..
Nëse kontratat i shikojmë për nga cilësia dhe dispozitat e tyre, juristët islamë i kanë ndarë në tri lloje, që janë:
Kontratë e vlefshme (akdues-sahih), është kontrata e cila ka plotësuar ruknet dhe kushtet e saja e që, sipas juristëve të shkollës juridike islame hanefite, përkufizohet si: “kontrata e cila është e ligjësuar si në esencë, ashtu edhe në cilësi. Implementimi dhe përmbushja e detyrimeve për të dy palët kontraktuese, që dalin nga kjo kontratë, janë detyrimore. Kontrata e vlefshme, sipas juristëve të medhhebit hanefij, mund të jetë: Kontratë e zbatuar. Kontratë e zbatuar është kontrata që buron nga personi kompetent, pavarësisht nëse bëhet fjalë për kontratën nga vetë pronari i pasurisë apo nga i autorizuari i tij. Dispozita e kësaj kontrate është se, menjëherë pas lidhjes së kontratës, palët kontraktuese detyrohen për zbatimin e kontratës duke plotësuar detyrimet që dalin nga kontrata. Kontratë e varur-stopuar.(10) Kontratë e varur quhet kontrata që arrihet nga personi i cili ka aftësi për lidhjen e kontratës, por kontrata e tij është e varur nda dikush tjetër, siç është rasti me kontratën e fëmijës mumej-jiz. Dispozita e kësaj kontrate është se detyrimet që dalin nga kontrata, nuk zbatohen menjëherë, po varen nga leja e kujdestarit.
2. Kontratë e pavlefshme. Kontratë e pavlefshme, sipas juristëve islamë, konsiderohet kontrata që nuk ka plotësuar ndonjë nga kushtet apo ruknet e saj. Juristët islamë nga shkolla juridike hanefite, varësisht nga mungesa që mund të jetë në rukn apo kusht, këtë lloj të kontratës e ndan në dy lloje, që janë:
a. kontratë e kotë (batile). Kontratë e kotë (batile) konsiderohet kontrata që ka mangësi në shtyllën esenciale (ruknin) të kontratës, ose thënë ndryshe, kontrata që nuk është e ligjësuar as në esencë dhe as në cilësi. Nga kjo nënkuptohet se pala kontraktuese nuk ka aftësi as të drejtë të bëjë lidhjen e kësaj kontrate, prandaj kjo kontratë nuk ka fuqi juridike për implementim dhe nga kjo kontratë nuk pason asnjë nga detyrimet e saj për asnjërën palë kontraktuese.
b. kontratë e prishur (faside), Kontratë fasade konsiderohet kontratë që mangësia paraqitet në kushte e jo në rukne, që nënkupton se kontrata në esencë është e ligjësuar, po mungesa paraqitet në kushte, siç është rasti me kontratën për shitjen e sendit të panjohur etj...
(vijon)
8. Kontrata e emëruar njihej edhe tek romakët e vjetër. Në të drejtën romake kontrata e emëruar është kontrata që në raste mosmarrëveshjesh në mes palëve, palët kishin të drejtë të ngrinin padi në gjykatë, për se gjykata do të merrte vendime detyrimore për zgjidhjen e kontestit. (shih Muhamed Ez-Zuhejli, “Flukudu vel musemat” f. 17.
9.Kontrata e paemëruar tek romakët ishte ajo që në rast kontestesh, asnjëra palë nuk kishte të drejtë ta ngrinte çështjen në gjykatë.
10. Shumica e fukahenjve nga shkollat e tjera juridike islame janë të mendimit se kontrata e vlefshme zbatohet menjëherë, sepse, sipas tyre, nuk ekziston kontratë e vlefshme, por e varur.
Jusuf Zimeri