Universaliteti i Shpalljes së Muhamedit a.s.
“Çfarë ka në qiej dhe ç’ka në tokë bën tesbih-madhëron Allahun, Sunduesin, të Shenjtin (të Pastrin nga çdo e metë), të Plotfuqishmin e të Urtin. Ai është që arabëve të pashkolluar u dërgoi Pejgamberin nga mesi i tyre, që t’ua lexojë ajetet e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (ligjin e fesë-sheriatin), edhe pse më parë ata ishin në një humbje të dukshme. (U dërgoi) edhe të tjerëve që nuk i arritën ata. Ai është I Plotfuqishmi dhe I Urti. Kjo është mirësi e Allahut, që ia jep atij që do, e Allahu është Zoti i dhuntisë së përsosur.
Koment:
1. Çfarë ka në qiej dhe ç’ka në tokë bën tesbih-madhëron Allahun, Sunduesin, të Shenjtin (të Pastrin nga çdo e metë), të Plotfuqishmin e të Urtin.
Sureja “El Xhumua” është një nga shtatë suret kuranore që fillon me “tesbih”-madhërim dhe lartësim të Allahut të Madhërishëm. Fjala “jusebbihu”, përveç dy kuptimeve të lartpërmendura, nënkupton edhe të zhveshurit e Allahut xh.sh. nga çdo mangësi që dikush mund t’ia përshkruajë Atij, prandaj edhe fillimi i kësaj sureje me këtë ajet ka pikërisht këtë synim: madhërimin, lartësimin dhe pastrimin e Tij nga çdo e metë.
Nga ajeti nistor i kësaj sureje kuptojmë se askush pos Allahut të Gjithëpushtetshëm nuk është i denjë për adhurim, sepse tërë kjo ekzistencë është vepër krijuese e Tij, dhe çdo gjë në të, përfshirë të gjitha krijesat me shpirt: melekët, xhindet dhe njerëzit, pastaj shtazët, shpezët, insektet, lulet dhe bimët, si dhe planetët e yjësitë që ne i konsiderojmë si të ngurta, i bëjnë ‘tesbih’- dhe e lartësojnë Krijuesin e tyre-Allahun Fuqiplotë, në formën dhe mënyrën që Ai e ka përcaktuar, ndonëse ne nuk e kuptojmë këtë gjuhë adhurimi e lartësimi që ata e bëjnë. Në lidhje me këtë Allahu xh.sh. thotë:
“Atë e madhërojnë shtatë qiejt, Toka dhe gjithë çka gjendet në to. Dhe nuk ka asgjë që nuk e madhëron Atë, duke e lavdëruar, por ju (o njerëz) nuk e kuptoni madhërimin që e bëjnë ata...” - (El Israë, 44)
Ajeti përfundon me përmendjen e katër emrave të bukur të Allahut: “El Melik”- “Sunduesi”, që tregon se Allahu xh.sh. e sundon këtë gjithësi me urtësinë e Tij, pa pasur mundësi që dikush nga krijesat t’i përzihet në këtë sundim absolut; “El Kudus” - “I Pastri”, “I Shenjti”, “I Shndritshmi”, që do të thotë se Allahu është i pastër dhe i zhveshur nga çdo e metë a mangësi që mund t’i përshkruhet nga injorantët; “El Aziz” - “Fuqiploti”, “Ngadhënjyesi”, “Madhështori”, që nënkupton se fuqia e Tij absolute mbulon tërë këtë gjithësi, dhe askush nuk është i barabartë me Të, dhe “El Hakim” - “I Urti”, I Cili me urtësinë e Tij hyjnore drejton dhe mbikëqyr proceset e kësaj ekzistence.
Secili prej këtyre emrave është përmendur me një qëllim dhe urtësi të caktuar, dhe është në harmoni e simetri mahnitëse me përmbajtjen e sures si tërësi. Këta emra të bukur të Allahut, të përmendur në këtë ajet, dëshmojnë se Ai në lartmadhërinë dhe shenjtërinë e Tij posedon atribute dhe cilësi të përkryera. Ai është Krijuesi i kësaj ekzistence që e shohim dhe të asaj që nuk e shohim, dhe çdo gjë në të i nënshtrohet vetëm Atij. Ai e lartëson kë do Ai, dhe e ul kë të dojë. Ai është i Vetmi që është i denjë për madhërim nga ana e krijesave në qiej e në Tokë. I pastër është nga çdo e metë dhe mangësi.
2. Ai është që arabëve të pashkolluar u dërgoi Pejgamberin nga mesi i tyre, që t’ju lexojë ajetet e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (ligjin e fesë-sheriatin), edhe pse më parë ata ishin në një humbje të dukshme.
Allahu xh.sh. me të gjitha këto cilësi të përsosura dhe emra të bukur, Ua dërgoi arabëve të pashkolluar një pejgamber nga mesi i tyre, që t’ua përcillte ajetet e Kuranit famëlartë plot dritë e udhëzim. Dërgimi i Muhamedit a.s. tek arabët, ishte edhe përgjigje e lutjes së Ibrahimit a.s., i cili kur po e linte Haxheren në shkrëtëtirat e Mekës, së bashku me djalin e tij të vogël, Ismailin a.s., iu lut Allahut xh.sh.: “Zoti ynë, dërgo ndër ta një të dërguar nga mesi i tyre, që t’ua lexojë atyre ajetet Tua, t’ua mësojë atyre Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë), e t’i pastrojë (prej ndyrësisë së idhujtarisë) ata. S’ka dyshim se Ti je Ngadhënjyesi, I Urti!” (El Bekare, 129).
Misioni i të Dërguarit a.s. ishte që arabëve dhe popujve të tjerë t’ua lexonte e përcillte ajetet dhe porositë e Kuranit famëlartë, i cili përmban urtësi të shumta, ligje dhe dispozita nëpërmjet të cilave përcaktohet legjislativi i shoqërisë islame në çdo kohë. Ky Kuran zbriti që t’i pastronte arabët nga kufri, idhujtaria dhe të gjitha traditat e mbrapshta që i kishin pasur në kohën e injorancës, atëherë kur kishin qenë në humbje të qartë nga aspekti i besimit dhe i normave etike-morale. Arabët, që thirreshin në fenë e pastër të Ibrahimit a.s., kishin devijuar plotësisht nga ato mësime të pastra të tij, duke ndryshuar esencën monoteiste, pikërisht ashtu siç kishin vepruar edhe pjesëtarët e Ehlil Kitabit me Ungjillin dhe Tevratin (Torën). Pasqyrën më të mirë të kësaj gjendjeje të mjerueshme që ishin e ka përshkruar Xhafer bin Ebi Talibi, kur i qe drejtuar Nexhashiut dhe patrikëve të tij me fjalët: “O mbret i nderuar e fisnik!
Ne ishim një popull i padijshëm e injorant. Adhuronim idhujt, hanim cofëtinat, bënim çdo të keqe, shkëputnim lidhjet farefisnore, i keqtrajtonim fqinjët, dhe i forti e keqtrajtonte të ligun. Vazhduam kështu në këtë gjendje derisa Allahu xh.sh. na e dërgoi një pejgamber nga mesi ynë, të cilit ia dimë prejardhjen, drejtësinë, besnikërinë dhe dëlirësinë e tij. Na thirri t’i besojmë dhe ta adhurojmë vetëm një Zot - Allahun xh.sh., dhe të largohemi nga adhurimi i gurëve dhe i idhujve të pashpirt, të cilëve u besonim ne dhe të parët tanë. Na urdhëroi që ta flasim të vërtetën, t’i çojmë në vend amanetet, t’i mbajmë lidhjet farefisnore, të sillemi mirë ndaj fqinjëve, të përmbahemi nga të ndaluarat dhe gjakderdhja, na ndaloi të këqijat dhe nga dëshmia e rrejshme, nga ngrënia e pasurisë së jetimit dhe shpifjet ndaj grave të ndershme. Na urdhëroi që ta besojmë vetëm një Zot dhe të mos i bëjmë shok Atij, ta falim namazin, ta japim Zeqatin dhe ta agjërojmë Ramazanin.”(1)
Kur jemi te pjesa e ajetit “... arabëve të pashkolluar u dërgoi Pejgamberin nga mesi i tyre...”, shpeshherë hasim në disa keqkuptime dhe keqinterpretime të fjalës “ummij”-“i pashkolluar”. Në esencë fjala “i pashkolluar”, nuk nënkupton të paditurin ose injorantin, përkundrazi, mençuria dhe urtësia ekziston te shumica e popujve që të kaluarën dhe historinë e tyre në mungesë të shkrim-leximit e kanë përcjellë edhe gojarisht, brez pas brezi. Shpeshherë nga disa komentues, kur është fjalë për Pejgamberin a.s. fjala “ummij” përdoret në kuptimin “analfabet”, e që nga “dikush” mund të kuptohet si “i paditur”, por që në fakt nuk përkon me realitetin. Nëse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk shkruante e as nuk lexonte, prapa kësaj qëndron një urtësi e madhe e hyjnore, në mënyrë që armiqtë e tij të mos e akuzojnë se këtë Kuran e ka kopjuar apo përcjellë nga ndonjë popull tjetër. Përndryshe, Resulullahi s.a.v.s. ishte njeriu që më së shumti nxiste për dituri e medi- tim, sepse esenca e Shpalljes me të cilën u dërgua ishte dituria (leximi-mësimi-studimi), e artikuluar nëpërmjet fjalës së parë të zbritur nga Kurani famëlartë - “Ikre’ë”- “Lexo”!
3. (U dërgoi) edhe të tjerëve që nuk i arritën ata. Ai është I Plotfuqishmi dhe I Urti.
Ky ajet dëshmon katërçipërisht se Shpallja që i erdhi Muhamedit a.s. nuk ishte e veçantë dhe e kufizuar vetëm për arabët si popull, por ishte universale dhe për mbarë njerëzimin. Pra, Muhamedi a.s. është dërguar pejgamber edhe për të gjithë ata besimtarë joarabë që nuk e kanë arritur e as parë atë, por i kanë besuar Shpalljes së tij, dhe nën këtë term hyjnë të gjithë myslimanët që do të jetojnë me Islamin si fe të tyre, deri në Ditën e Gjykimit. Ky është mendim i Ibën Omerit, i Muxhahidit dhe i Seid bin Xhubejrit.(2) Në fakt, ky është një përgëzim për të ardhmen e ndritshme të Islamit, se kjo fe do të depërtojë në tërë rruzullin tokësor, dhe atë do ta përqafojnë shumë popuj joarabë si: persët, turqit, kurdët, berberët, romakët, tatarët, mongolët, kinezët, indianët etj.,(3) e në mesin e tyre, fatmirësisht, edhe ne shqiptarët.
Kur jemi tek universaliteti gjithëpërfshirës i Shpalljes së Muhamedit a.s., për krejt botët dhe për mbarë njerëzimin, kemi edhe disa ajete të tjera të ngjashme në Kuran, si: “Ne nuk të dërguam ty ndryshe, vetëm se për të gjithë njerëzit, myzhdedhënës dhe tërheqës të vërejtjes...” (Es Sebe’ë, 28), dhe; “Thuaj (o Muhamed!): “O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju...” (El Araf, 158)
Ndërkohë, në lidhje me këtë universalitet të Shpalljes islame kemi edhe disa hadithe të Pejgamberita.s.:
- Transmetohet nga Xhabir bin Abdullahu, të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.: “Më janë dhënë pesë gjëra që nuk i janë dhënë asnjërit (prej pejgamberëve) para meje: Jam ndihmuar me frikësim (të armiqve) në distancë të një muaji (ecje); Më është bërë mua toka vendfalje dhe e pastër, kështu që kudo që një pjesëtar të umetit tim ta zërë koha e namazit, le të falet; Më është lejuar mua preja e luftës, e cila nuk i qe lejuar asnjërit para meje; Më është dhuruar Shefati-Ndërmjetësimi (për të shpëtuar umetin tim nga ndëshkimi i Zjarrit), dhe, para meje, çdo pejgamber është dërguar vetëm për popullin e tij, kurse unë jam dërguar pejgamber për mbarë njerëzimin.”(4)
- Transmeton Ibën Ebi Hatimi, nga Sehl bin Sades Saidij, të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Alllahut s.a.v.s.: “(Shumë) Nga loza e lozës së lozës së burrave dhe grave të umetit tim do të hyjnë në Xhenet pa dhënë Llogari”, e pastaj e lexoi ajetin: “(U dërgoi) edhe të tjerëve që nuk i arritën ata...”, që nënkupton gjenerata e ardhshme (edhe jo arabe) që do të vijnë nga umeti i Muhamedit a.s.(5)
- Transmeton Imam Buhariu, nga Ebu Hurejra r.a., të ketë thënë: “Ishim ulur tek i Dërguari i Allahut, kur i zbriti sureja “El Xhumuatu”, dhe ai na e lexoi atë. Kur arriti tek ajeti i 3-të: “(U dërgoi) edhe të tjerëve që nuk i arritën ata...”, disa nga të pranishmit e pyetën: “Kush janë këta, o i Dërguar i Allahut? I Dërguari i Allahut nuk iu përgjigj pyetjes së tyre derisa e pyetën për së treti herë. Me ne ishte edhe Selman El Farisiu, ndërkohë që i Dërguari a.s. e vendosi dorën e tij mbi Selman El Farisiun, dhe tha: “Po të ishte Imani edhe në Yjësi-Galaktika (të largëta), do ta arrinin burrat prej këtyre (d.t.th. persianët).”(7)
Ky gjest dhe këto fjalë të Resulullahit s.a.v.s., dëshmojnë se ai ishte i Dërguar për mbarë njerëzimin, prandaj edhe shkresat-letrat, që ua dërgoi sundimtarëve më të mëdhenj të botës së atëhershme, perandorit romak, atij persian, sunduesit të Egjiptit, të Abisinisë (Etiopisë) etj., nëpërmjet të cilave i ftoi në Islam, pra dëshmojnë për gjithëpërfshirësinë dhe universalitetin e Shpalljes së tij në nivel botëror.
4. Kjo është mirësi e Allahut, që ia jep atij që do, e Allahu është Zoti i dhuntisë së përsosur.
Mirësitë dhe dhuntitë e Allahut xh.sh. janë të pakufishme. Ai i jep mirësi atij që do. Islami dhe dërgimi i Muhamedit a.s. si pejgamber i fundit për tërë njerëzimin pa dyshim që janë mirësitë më të mëdha, si një prej formave më të ndritshme të mëshirës hyjnore për njerëzinë.
Sipas shumicës së dijetarëve, mirësia e përmendur në këtë ajet ka të bëjë me Islamin si fe-udhëzim dhe me Shpalljen-pejgamberinë, e cila i ishte dhënë Muhamedit a.s. nga ana e Allahut xh.sh. Por, ka edhe të tillë që mendojnë se mirësia në këtë rast përfshin arabët, nga mesi i të cilëve I Madhërishmi zgjodhi më të pastrin dhe më të mirin prej tyre, për ta graduar pejgamber – Muhamedin a.s.
Sipas disa të tjerëve, mirësia në këtë ajet përfshin të gjithë ata myslimanë që nuk e arritën Muhamedin a.s. në të gjallë të tij, por i besuan misionit të tij pa e parë dhe pa e dëgjuar. Mirëpo, komenti në të cilin më së shumti të fle zemra është ai se mirësia në këtë rast përfshin të gjithë besimtarët e Njëshmërisë së pastër islame, pavarësisht nëse e përjetuan kohën e Muhamedit a.s. apo jo, sepse udhëzimi i vërtetë është mirësia më e madhe për njerëzit, deri në Ditën e Gjykimit. Këtë e vërteton edhe ajeti i 164 i kaptinës Ali Imran: “Vërtet Allahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta, nga mesi i tyre, dërgoi një të dërguar që t’ua lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Librin (Kuranin) dhe Urtësinë (ligjin e fesë-sheriatin), edhe pse më parë ata ishin në një humbje të dukshme.” (Ali Imran, 164)
Në lidhje me këtë ajet, transmetojnë Buhariu dhe Muslimi, nga Ebu Hurejra r.a., të ketë thënë: “Të varfrit nga radhët e muhaxhirëve erdhën te i Dërguari i Allahut dhe i thanë: “Të pasurit na tejkaluan në mirësi, dhe arritën shkallët më të larta të kënaqësisë së përjetshme-Xhenetin. “Po cilat janë ato mirësi?” - i pyeti i Dërguari i Allahut. Ata thanë: “Ata falen ashtu siç falemi edhe ne, agjërojnë siç agjërojmë ne, japin sadaka, e ne nuk kemi mundësi të japim sadaka, ata lirojnë robër për hir të Allahut, e ne nuk e kemi mundësinë e lirimit të tyre.” Atëherë i Dërguari a.s. tha: “A dëshironi t’ju mësoj diçka me të cilat do t’i arrini ata që ju kanë tejkaluar, e t’i tejkaloni edhe ata që do të vijnë pas jush, dhe të mos jetë askush më i vlefshëm se ju, përveç nëse e punojnë-veprojnë atë çka ju e punoni-veproni?” - “Po si jo, o i Dërguar i Allahut” - i thanë ata. Atëherë i Dërguari s.a.v.s. tha: “Thoni nga 33 herë, pas çdo namazi: ‘Subhanallah’; ‘El-Hamdulil-lah’; dhe ‘Allahu ekber!” Pas një kohe këta të varfër nga mesi i muhaxhirëve erdhën sërish te i Dërguari i Allahut dhe i thanë: “Vëllezërit tanë të pasur kanë dëgjuar për veprimin tonë, dhe e bënë të njëjtën gjë sikurse ne”, e i Dërguari a.s. ua lexoi ajetin e 4 të kësaj sureje: “Kjo është mirësi e Allahut, që ia jep atij që do, e Allahu është Zoti i dhuntisë së përsosur.”(8)
Porosia e ajeteve: (1-4)
- Çdo krijesë në Tokë e në qiell, përfshirë edhe yjësitë dhe galaktikat e largëta që ne nuk i shohim me sytë tanë, e madhërojnë dhe e lartësojnë Allahun Fuqiplotë, I Cili është i zhveshur nga mangësitë apo shëmbëllimi me cilësitë e krijesave.
- Qëllimi kryesor i dërgimit të Muhamedit a.s. si pejgamber i fundit nga vargu i pejgamberëve të Zotit është që njerëzve-besimtarëve t’ua lexojë e mësojë ajetet e Kuranit famëlartë, të cilat janë fjalë të Allahut të Gjithëdijshëm, në të cilat ka udhëzim; përforcimin dhe pastrim të zemrave të myslimanëve, si njerëz të zgjedhur të umetit më të zgjedhur, për t’i pastruar ata nga ndyrësitë e shirkut dhe mosbesimit, si dhe mësim të dispozitave fetare nga Kurani dhe Suneti, në kuadër të së cilave dispozita ka urtësi dhe fshehtësi të shumta.
- Para se drita e Islamit të ndriçonte Gadishullin arabik arabët ishin një popull i humbur dhe i margjinalizuar nga rrjedha e përgjithshme e historisë njerëzore. Vetëm nën flamurin e Njëshmërisë islame ata u bënë njerëz me peshë, duke i dhënë njerëzimit çelësat e diturisë, me se do t’i hapej rrugë përparimit të shpejtë të shoqërisë njerëzore.
Në lidhje me krenarinë e të qenit mysliman Omeri r.a. thoshte: “Ne jemi popull që nëpërmjet Islamit Allahu na ka lartësuar (bërë krenarë), prandaj nëse ne kërkojmë krenari dhe fuqi jashtë tij (Islamit), Allahu do të na poshtërojë (përul).”
- Në këto ajete konfirmohet vlera e sahabëve ndaj të tjerëve. Ata janë yjet e Islamit, nëpërmjet të cilëve udhëzimi islam u shpërnda gjithandej jashtë kufijve të Gadishullit arabik.
- Muhamedi a.s. ishte i dërguar jo vetëm për arabët, por për mbarë njerëzimin. Shpallja e tij është univer- sale, dhe me dërgimin e tij u mbyllën dyert e pejgamberisë.
(Vijon)
(1) Abdurrahman Refetel Basha, Fragmente nga jeta e sa- habëve, Prishtinë, 2014, f. 255.
(2) Tefsiri i Kurtubiut, vëll. XX, Bejrut 2006, f. 453, (me redakturë të Dr. Abdullahbin Abdu-l Muhsin Et-Turki).
(3) Et-Tahriru ve-t-Tenviru, vëll. VIII, f. 212.
(4) Sahihul Buhari (335).
(5) Et-Tefsiru-l Munir, vëll. XXVIII, f. 565.
(6) Sahihul Buhari. Kreu: Tefsiri I Kuranit-Komentimi i kaptinës “El-Xhumua”, nr. (4615)
(7) Mustafaibnu-l Adevijje, TefsirXhuz’uKadSemiafisualin ve xhevabin, Tanta-Egjipt, 2003, f. 230.
(8) Buhariu (843); Muslimi (595). Shih: Dr. Vehbeez-Zuha- jli, Et-Tefsiru-l munir, vëll. XXVIII, f. 567.
Sabri Bajgora