Komentimi i kaptinës “El-Xhumua” – (3)



Mjerimi shpirtëror i pasuesve të Tevratit

5. Shembulli i atyre, që janë obliguar me Tevrat, dhe nuk e zbatojnë atë, është shembulli i një gomari që bart libra. Sa shembulli i keq, është shembull i popullit që përgënjeshtroi ajetet e Allahut, e Allahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë popullin jobesimtarë. 6. Thuaj: O ju që i përmbaheni jehudizmit, nëse e pretendoni se jeni më të afërmit e Allahut e jo njerëzit e tjerë, atëherë kërkojeni vdekjen, po qe se jeni të sinqertë (në atë që thoni). 7. Po, ata nuk dëshirojnë kurrë atë, për shkak të asaj që e punuan me duart e veta, e Allahu e di më së miri se kush janë mizorët. 8. Thuaj: S’ka dyshim se vdekja prej së cilës po ikni, ka për t’ju zënë, e mandej do të silleni te Ai që e di të padukshmen dhe të dukshmen, dhe atëherë Ai do t’ju njoftojë me atë që keni punuar.

Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake

Pasi që në ajetet paraprake, i Lartmadhërishmi vërteton Njëshmërinë dhe esencën e shpalljes së fundit te Muhamedi a.s., të cilin e dërgoi tek arabët por edhe te mbarë njerëzimi, hebrenjtë në shenjë mospajtimi pse pejgamberia dhe shpallja, po bartej prej Beni israilëve tek arabët, të cilët i konsideronin të pashkolluar dhe të padenjë për të, e kishin refuzuar pranimin e shpalljes së fundit hyjnore. Mirëpo, Allahu ua tërheq vërejtjen se kjo mospërfillje ndaj Kuranit, nuk ishte diçka e re për ta, sepse njëlloj kishin vepruar edhe me Librin e tyre të shenjtë-Tevratin, të cilin e kishin deformuar dhe tjetërsuar nga brumi i zbritur hyjnor. Ata ndonëse e kishin përshkrimin e Muhamedit a.s. në Tevrat, nuk dëshironin të pranonin se ky ishte përmbyllësi i vargut të pejgamberëve, duke insistuar se Muhamedi a.s., mund të ishte i dërguar vetëm për arabët por jo edhe për të tjerët, sepse ata ende po e prisnin Mesinë-Shpëtimtarin e paralajmëruar. Këto ajete në vazhdim, (5-8), flasin pikërisht për këtë mjerim shpirtëror të hebrenjve, të cilët kishin shpifur ndaj Allahut dhe kishin ndryshuar qëllimisht fjalët e Tevratit, për t’ia përshtatur interesave të tyre meskine.

Koment:

5. Shembulli i atyre, që janë obliguar me Tevrat, dhe nuk e zbatojnë atë, është shembulli i një gomari që bart libra. Sa shembulli i keq, është shembull i popullit që përgënjeshtroi ajetet e Allahut, e Allahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë popullin jobesimtarë.

Fillimi i këtyre katër ajeteve, që flasin për qëndrimin injorant e mospërfillës të hebrenjve ndaj shpalljes, shpjegon se për ta, tashmë kishte përfunduar roli dhe misioni i bartjes së amanetit hyjnor.(1) Zemrat e tyre pothuajse kishin vdekur. Ato i kishte mbuluar ndryshku i idhujtarisë, sepse Librat e shenjtë që Allahu i kishte zbritur tek ata, i kishin ndryshuar e devijuar nga origjinali. Preokupimi i tyre kryesor ishte pasuria dhe mirëqenia ekonomike duke mos zgjedhur mënyrë e as metodë, që të vinin tek ajo. Shpifjet, talljet, kërcënimet e madje edhe vrasja e pejgamberëve të dërguar te ta, e kishin shkatërruar shpirtin dhe ndërgjegjen e tyre. Allahu ua kishte larguar nga duart e tyre privilegjin e të qenit popull, tek të cilët kishte dërguar vazhdimisht pejgamberë. Por që një popull të jetë i denjë për ta bartur amanetin e Allahut duhen të kenë zemra të gjalla, vitale e të sinqerta dhe mbi të gjitha të zhveshura nga lakmitë e kësaj bote.
Në këtë ajet, i Lartmadhërishmi sjelljet e çifutëve, të cilët ishin obliguar me detyrime fetare, i përshkruan me gomarin i cili bart libra të vlefshëm në shpinën e tij, por nuk ka asnjë dobi prej tyre, ngase as nuk di t’i lex- ojë e as nuk di ta praktikojë atë që është e shënuar në to. Gomari në këtë rast nuk është në gjendje të bëjë dallimin e barrës nëse janë libra apo diçka tjetër, sepse nuk posedon intelekt, andaj edhe kuptimi alegorik i këtij ajeti, shpërfaq mjerimin e madh shpirtëror të çifutëve, të cilët në vend se të ishin mirënjohës e falënderues ndaj Allahut fuqiplotë, i Cili i kishte ngërthyer shumë herë më mëshirën e Tij të pakufishme duke u dërguar pejgamberë të shumtë dhe libra të shenjtë, plot dritë e udhëzim, prapë se prapë të gjitha këto mirësi i kishin hedhur pas shpine, dhe vazhduan jetën e tyre të shthurur, larg nga vlerat e mirëfillta morale.
Çifutët shkuan aq larg në këtë prapësi të tyre saqë shtrembëruan Fjalët e Allahut në Tevrat, hoqën shumë prej tyre duke shtuar fjalë nga vetja e tyre, që u përshtateshin lakmive të tyre egoiste dhe pretenduan se janë të dashurit e Allahut. Ata i përgënjeshtruan ajetet-Fjalët e Allahut, andaj humbën mëshirën dhe udhëzimin e Allahut përjetësisht...

6. Thuaj: O ju që i përmbaheni jehudizmit, nëse e pretendoni se jeni më të afërmit e Allahut e jo njerëzit e tjerë, atëherë kërkojeni vdekjen, po qe se jeni të sinqertë (në atë që thoni).

Çifutët, përveç që përgënjeshtruan fjalët dhe argumentet e Allahut, ishin të vrazhdët dhe armiqësor ndaj disa pejgamberëve të cilët Allahu xh.sh. i dërgoi tek ta. Përveç kësaj, ata paturpësisht pretenduan se ishin edhe “të dashurit” e Allahut, se ishin populli më i zgjedhur dhe madje “popull qiellor”: “... thonë: “Ne jemi fëmijët e Allahut dhe të dashurit e tij!” – (El-Maide, 18).
Ata i shikonin më përbuzje e nënçmim të gjithë popujt e tjerë, duke pretenduar epërsinë ndaj tyre në të gjitha aspektet. Mirëpo, këto pretendime të tyre i demaskoi vetë Allahu xh.sh. kur i sfidon haptazi që nëse mendojnë se kanë privilegje të tilla tek i Lartmadhërishmi, le ta kërkonin ballafaqimin me vdekjen.(2) Përveç këtij ajeti, ka edhe ajete të tjera, ku i Lartmadhërishmi
i sfidon çifutët që të lypnin-kërkonin vdekjen, nëse mendonin se vërtetë ishin të dashurit e Allahut, si f.v.: “Thuaj: “Nëse bota tjetër (Xheneti) te Allahu është vetëm për ju, e jo edhe për të tjerët, lypeni (kërkoni) vdekjen nëse jeni të sinqertë”. - (El-Bekare, 94);
Kjo sfidë hyjnore, kishte për qëllim vetëdijesimin e tyre, që të ndaloheshin nga jeta e shfrenuar materialiste, dhe njëkohësisht të ndaloheshin nga mburrja e mendjemadhësia se ishin populli i përzgjedhur i Allahut për të shijuar Xhenetin.
Ajeti në vazhdim, i demaskon tërësisht pretendimet meskine të çifutëve, sepse ata të mbërthyer nga materializimi i tyre, në asnjë mënyrë nuk e dëshirojnë vdekjen e as ballafaqimin me veprat e tyre...

7. Po, ata nuk dëshirojnë kurrë atë(vdekjen), për shkak të asaj që e punuan me duart e veta, e Allahu e di më së miri se kush janë mizorët.

Çifutët e kohës së shpalljes, e dinin fare mirë se nuk kishin çfarë të kërkonin në botën tjetër, sepse nuk kishin bërë asgjë për të, duke menduar se do të ishin të përjetshëm në këtë botë. Duart e tyre ishin përlyer me shtrembërimin e Fjalës së Tij të shenjtë në Tevrat, në Zebur dhe në Inxhil, prandaj edhe nuk e dëshirojnë me asnjë çmim ballafaqimin me veprat e tyre, e rrjedhimisht me Allahun Fuqiplotë, fjalët e të Cilit i hodhën pas shpine dhe pasuan intrigat e fitnet e shejtanit të mallkuar.
Dihet se ata, që preokupimin kryesor në jetën e tyre e kanë pasurinë dhe aspektin material, duke e harruar anën shpirtërore, e kanë të vështirë ndarjen nga kjo botë. Ata do të dëshironin që kjo botë të zgjaste pafundësisht, që të vazhdonin eksploatimin e tyre ndaj të tjerëve. Ata ishin kredhur në lukset e kësaj bote dhe kishin humbur pothuajse tërësisht ndjenjën shpirtërore të besimit. Ata duke pasur njohuri nga ajo që ishte përfolur nga Librat e tyre të shenjtë, se do të vinte Shpëtimtari-Pejgamberi i Fundit, i cili do t’i bashkonte ata dhe do t’i shpinte drejt fitoreve të reja ndaj popujve të tjerë, e pritnin me padurim shfaqjen e tij në mesin e tyre. Por kur drita e pejgamberisë ndriçoi te një popull tjetër, kjo për ta ishte shokuese dhe e papranueshme...
Ata i llogaritnin arabët e atëhershëm si një popull primitiv, injorantë, të pashkolluar dhe të padenjë për të bartur revelatën e fundit hyjnore, andaj refuzuan ta pranonin Muhamedin a.s. si Pejgamber dhe mëshirë, përveç një pakice e tyre të cilët ndoqën arsyen dhe dritën e udhëzimit.
Shumica e tyre ende vazhdojë të jetojnë në iluzione, se Shpëtimtari-Mesia, një ditë, herët a vonë, do të shfaqet tek ata, dhe kurrë nuk u ndalën nga dashuria dhe pasioni për grumbullimin e pasurisë, duke qëndruar kështu larg nga dëlirësia shpirtërore në të cilën i kishin udhëzuar Musai dhe Isai a.s.

8. Thuaj: S’ka dyshim se vdekja prej së cilës po ikni, ka për t’ju zënë, e mandej do të silleni te Ai që e di të padukshmen dhe të dukshmen, dhe atëherë Ai do t’ju njoftojë me atë që keni punuar.

Ky ajet, në një mënyrë është kërcënues dhe këshillues për të gjithë ata që mendojnë se do të jenë të përjetshëm në këtë botë, ose për ata që nuk besojnë se pas vdekjes mund të ketë ringjallje, ndonëse në mënyrë eksplicite
u është drejtuar hebrenjve. Atyre u bëhet me dije se vdekja të cilën sa për sy e faqe e kërkojnë, duke shpifur se janë të dashurit e Allahut, do të vinte pavarësisht se mundohen të iknin prej saj. Askush nuk mund t’i shmanget kaderit dhe përcaktimit të Allahut.(3) Çdo krijesë ka për ta shijuar vdekjen dhe pastaj tek Allahu do të kthehet. Në lidhje me këtë Allahu xh.sh. thotë: “Çdo shpirt (gjallesë) do ta shijojë vdekjen, e pastaj tek Ne do të ktheheni”- (El-Ankebut, 57) dhe: “Kudo që të jeni, vdekja do t’ju arrijë, qofshi edhe në pallate (kështjella) të fortifikuara.”- (En-Nisa’ë, 78)
Pas vdekjes dhe kalimit të një periudhe të caktuar në jetën e varrezave, çdo krijesë do të ringjallet, për të dalë para Drejtësisë absolute të Allahut xh.sh. Andaj nëpërmjet këtij ajeti, dhe nëpërmjet vulës së profetëve- Muhamedit a.s., u përcillet një mesazh i qartë çifutëve dhe të gjithë atyre materialistëve, të cilët nuk besojnë në ringjalljen, se ata do të sillen para kësaj drejtësie. I
Lartmadhërishmi i Cili e di të fshehtën dhe të padukshmen, do ta njoftojë secilin për veprat e tij në këtë botë, dhe pastaj secili do ta marrë atë që e ka merituar si fryt i veprave dhe ameleve të tij.

Porosia e ajeteve: (5-8)

- Këto ajete shpërfaqin mjerimin shpirtëror dhe moral të çifutëve të atëhershëm, të cilët mohonin shpalljen
e Muhamedit a.s., duke shpresuar se megjithatë tek ata do të vinte i Dërguari i fundit. Këtë mjerim dhe katandisje të tyre e ka përshkruar Allahu xh.sh. duke i krahasuar ata me gomarin i cili bart libra, të cilat edhe pse përmbajnë dituri të shumta, ai nuk mund të
përfitojë prej tyre, por vetëm i bart si barrë dhe peshë të rëndë. Kjo tërheqje e vërejtjes ishte për t’ua rikujtuar se i kishin braktisur mësimet origjinale të Tevratit, të cilin Allahu xh.sh. ia kishte zbritur Musait a.s.
- Gjendja e një të dituri që nuk punon drejt me dijen që posedon, është e keqe dhe e shëmtuar tek Allahu.
- Shpallja dhe dërgimi i pejgamberëve nuk është privilegj vetëm i një populli, por Allahu e dërgon shpalljen aty ku e sheh të nevojshme, dhe e zgjedh njeriun më të denjë për ta kurorëzuar në Pejgamber.
- Në këto ajete demaskohen shpifjet e çifutëve se ata janë të dashurit dhe të privilegjuarit e Allahut. Përkundrazi, ata me veprat e tyre të shëmtuara e kanë merituar mallkimin e Tij, në të dy botët.
- Vdekja e çdo krijese është e pashmangshme. Gjithashtu edhe ringjallja është e pashmangshme. Këto janë caktime të Allahut të Gjithëpushtetshëm.

(Vijon)



(1) Sejjdi Kutb, Fi Dhilali-l Kuran, Kajro-Bejrut, 2003, vëll. VI, (pjesa e 28) f. 3567.
(2) Et-Tefsiru-l mevdui li suveri-l Kuran, vëll. VIII, f.158.
(3) Et-Tefsiru-l Munir, vëll. XXVIII, f. 573.



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?