Në aspektin terminologjik, me therje kuptojmë prerjen ose therjen e kafshës, duke prerë disa pjesë të veçanta në fytin e saj. Ose thënë më ndryshe, sipas rregullave të Sheriatit, prerjen e arterieve kryesore dhe venat, të cilat bartin oksigjenin në kokë, për të shkaktuar gjakderdhjen dhe mbytjen te shtazët.
Ushqimi është një ndër faktorët më të rëndësishëm për jetën e njeriut. Allahu i Lartësuar me urtësinë e Tij, ka bërë që njeriu dhe krijesat e tjera të kenë nevojë për ushqim dhe kjo nevojë e përcjellë njeriun deri në vdekjen e tij.
Mirëpo, sigurimi i ushqimit në sheriatin islam përmban rregulla e dispozita, të cilat janë të vendosura nga ana e Allahut të Lartësuar, e që përmbushja e tyre është obligim për besimtarët. Ndër to, kemi edhe dispozitat lidhur me therjen së kafshëve, për të cilën në literaturën arabe gjejmë shprehjet si: edh-dhebh, en-nahr dhe el-akr. Ndërsa, shprehja që përfshinë termat e lartpërmendur është termi edh-dhekah që në aspektin gjuhësor do të thotë plotësim.(1)
Në aspektin terminologjik, me therje kuptojmë prerjen ose therjen e kafshës, duke prerë disa pjesë të veçanta në fytin e saj.(2) Ose thënë më ndryshe, sipas rregullave të Sheriatit, prerjen e arterieve kryesore dhe venat, të cilat bartin oksigjenin në kokë, për të shkaktuar gjakderdhjen dhe mbytjen te shtazët.(3) Te fukahaja, therja përmendet si shkak, në bazë të të cilit lejohet ngrënia e mishit të kafshës.(4)
Sot, bota po përjeton një zhvillim të madh në fushën e shkencës dhe teknologjisë, duke ndryshuar në një masë të madhe jetën e njerëzve. Shumë punë dhe procese sot kryhen ndryshe nga ajo që janë kryer në të kaluarën, e ky ndryshim vërehet edhe në çështjen e ushqimeve dhe përgatitjes së tyre. Por, edhe legjislacioni islam nuk qëndroi pasiv përballë këtij hovi të zhvillimeve teknologjike. Përkundrazi, ai iu përshtat rrethanave, duke mos lënë asgjë pa qartësuar, sigurisht edhe për gjërat që nuk ishin prezentë te gjeneratat e hershme. Këto ndryshime e zhvillime që kanë ndodhur edhe në industrinë ushqimore, kanë ndryshuar shumë edhe procesin e therjes së kafshëve, gjë që i ka shtyrë dijetarët bashkëkohorë të flasin shumë për këtë çështje e të e studiojnë atë me një kujdes të shtuar, duke bashkuar mes metodave bashkëkohore dhe kushteve të legjislacionit islam. Andaj, çdo formë bashkëkohore që mund të përdoret ose të krahasohet me kushtet e vlefshmërisë së therjes dhe nëse të tillat plotësohen, edhe produkti në këtë rast vlerësohet si i lejuar – hallall, dhe e kundërta.
Therja sheriatike – Kjo therje është kusht për lejimin e konsumimit të kafshës së therur, e nga kushtet e therjes sheriatike është edhe nxjerrja e gjakut jashtë trupit të kafshës. Prandaj, është kusht edhe për therjet bashkëkohore që të derdhet gjaku i kafshës, duke e prerë atë me forcën e mjetit therës, e jo me rëndësinë e peshës së kafshës, çfarëdo qoftë materiali i mjetit therës, qoftë thika, hekuri, guri e të ngjashme. Ibën Rushdi, ka thënë: “Dijetarët janë pajtuar në mënyrë unanime se çdo gjë që e derdh gjakun e kafshës, duke i prerë damarët në pjesën e fytit, me çfarëdo mjeti therës, nga hekuri, guri, shufra apo diçka tjetër, në këto rrethana therja është e lejuar.”(5)
Therja mekanike – teknologjike – Në kohën bashkëkohore ka filluar therja mekanike – teknologjike, ku kafsha theret me anë të mjeteve dhe aparaturave të ndryshme, të cilat e kanë zëvendësuar dorën e njeriut. Pra, kafsha theret nga makina robotike, e jo direkt nga dora e njeriut. Por, cila është dispozita e saj? Nuk ka ndalesë sheriatike, e cila ndalon që therja të bëhet mekanikisht, por me kusht, që ai i cili lëvizë (kontrollon) makinën therëse duhet t’i plotësojë kushtet e therësit,(6) të cilat janë: të jetë i aftë në aspektin psikik, të jetë mysliman ose nga ithtarët e Librit, dhe të mos therë kafshën për dikë tjetër përveç për Allahun.(7) Dhe sigurisht, therja duhet të ndodhë në pjesën e fytit të kafshës, e jo diku tjetër. Andaj, dhe format bashkëkohore duhet ta realizojnë therjen e kafshës në fytin e saj, në asnjë vend tjetër, ngase nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë hyn në kategorinë si e furura, e mbytura, e shpuara, e të ngjashme me to, që përmenden në ajetin kuranor si të ndaluara – haram.
Trullimi i kafshëve me energji elektrike – Në kohën bashkëkohore ka filluar që në proceset e therjes të përfshihen edhe mjete elektrike, me anë të së cilave kafshët pësojnë goditje elektrike para therjes së tyre, e kjo bëhet sipas tyre për shkak të thirrjeve për mëshirë ndaj kafshës gjatë therjes së saj. Kjo bëhet duke e vendosur kafshën në një vend të caktuar dhe më pas i shkaktohet goditje elektrike, duke e përdorur një makinë speciale të ngjashme me gërshërët, e vendosur në pjesën e përparme të kokës së kafshës, kjo bën që ajo t’i humbasë ndjenjat dhe të bjerë në tokë.(8) Pas kësaj goditje, kafsha theret menjëherë. Vlen të theksohet se akoma bëhen studime të këtij procesi, ku ndër studimet e fundit, goditjen me rrymë nuk e shohin si funksionale për humbjen e vetëdijes te kafshët, sidomos te lopa e të ngjashme me të. Por, megjithatë, cili është qëndrimi i legjislacionit islam për këtë proces? Dijetarët kanë folur gjerë e gjatë për këtë çështje, dhe kanë ardhur në këto përfundime:
Kjo goditje duhet të ndodhë vetëm në rastet kur haset në vështirësi të mëdha gjatë therjes, e jo të bëhet rregullisht e pa ndonjë arsye. Kjo goditje elektrike që i shkaktohet kafshëve bëhet nën arsyetimin e dhembshurisë ndaj tyre, por kjo nuk mund të konsiderohet si dhembshuri ndaj tyre, ngase kafsha nëse nuk e ndien dhimbjen e therjes, ajo e ndien dhimbjen e goditjes elektrike. Andaj themi se kjo duhet të realizohet vetëm me nevojë dhe jo të bëhet rregull i përgjithshëm.
Tjetra që është me rëndësi është që kjo goditje elektrike nuk duhet të shkaktojë mbytjen totale të kafshës, e nëse ndodh mbytja e kafshës para se të ndodh therja sheriatike, atëherë ajo automatikisht konsiderohet ngordhësirë dhe nuk konsiderohet produkt hallall. Ajo që dijetarët bashkëkohorë e kanë përmendur është se tensioni elektrik i përdorur duhet të jetë në masë të caktuar, kjo në varësi të madhësisë së kafshës dhe forcës së saj dhe rryma elektrike e ushtruar mbi kafshën duhet të zgjasë 3 deri në 6 sekonda, kjo sipas vendimit të Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut, Fetava El-Lexhneh Daimeh.(9)
Trullosja e kafshëve me mjete të rënda – Sot përdoren edhe disa mjete të tjera për trullosjen e kafshëve para therjes, ndër to është edhe çekiçi (pushka) i hekurt. Në këtë rast, merret një lloj arme, me anë të së cilës goditet kafsha në ballin e saj. Sustat e shtyjnë copëzën e hekurit, duke e goditur kafshën dhe ajo bie përtokë. Kjo metodë ka efekt më të ngadalësuar në kafshë se sa pushka e shkrepjes dhe se shkalla e mbytjes prej saj është më e vogël se ajo e pushkës. Një kafshë e shtangur në këtë mënyrë fillon të lëvizë gjymtyrët e saj pas rreth 5-6 minutash.(10) Kjo lejohet, ngase plaga që merr kafsha nuk është e thellë, dhe nuk mund të vije deri te ngordhja e saj para therjes. Forma që është më diskutabile është goditja me pistoletën me zjarr (Captive Bolt Pistol), e cila drejtohet në pjesën e përparme të kafshës, dhe kur shtypet këmbëza, fisheku i zbrazët lëshohet nga pistoleta për të drejtuar një gozhdë të trashë në brendësi të kafshës, e cila mbetet e lidhur me pistoletën dhe kthehet automatikisht në të. Duke përdorur këtë metodë, zemra vazhdon të rrahë për një periudhë të shkurtër dhe indet e trurit prishen. Kështu, kafsha jo vetëm që shtang, por edhe mbytet. Mbytja e kafshës ndodhë pas 5-8 minutave.
Dijetarët bashkëkohorë nuk e lejojnë këtë formë, për arsye se plagët e kafshës janë të thella dhe gjasat që kafsha të ngordhë para therjes janë shumë të mëdha, dhe si e tillë trajtohet si kafsha e cila vdes nga shpimi, e që është haram përdorimi i mishit të tillë. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Juve u janë ndaluar (t’i hani): ngordhësirat, gjaku, mishi i derrit, ajo që theret jo në emrin e Allahut, e furura, e mbytura, e rrëzuara, e shpuara (nga briri i tjetrës), ajo që e ka ngrënë egërsira, përveç asaj që arrini ta therni (para se të ngordhë), ajo që është therur për idhuj..”(11)
Anestezi e dyoksidit të karbonit – Kjo metodë konsiderohet si një nga metodat jo edhe aq të rralla që përdoren në këtë fushë. U përdorë për herë të parë në një fabrikë të mishit të konservuar në Amerikë, në vitin 1950 dhe më pas u zhvendos në Danimarkë dhe në vende të tjera. Kafshët futen në thertore të veçanta, ku i lëshohet karbon dhe i ndalet oksigjeni, gjë që rëndom qon në mbytje, ose hipoksi.(12) Pamjet e kësaj forme të therjes janë të ashpra dhe agresive dhe çudia është se kjo bëhet në emër të dhembshurisë ndaj kafshëve. E si mund të krahasohet kjo me moralin islam, që ndalon edhe mprehjen e thikës para syve të kafshës, e mos të përmendim maltretimet e shumta që bëhen në këto forma bashkëkohore. Norma e saj është sikurse norma e ngufatjes (e furura), andaj edhe mishi i tillë llogaritet ngordhësirë dhe assesi produktet e këtij mishi nuk marrin tretmanin hallall. Sigurisht se ka edhe forma të tjera të therjes që mund të përdoren sot në vende të ndryshme, por një gjë është e ditur, se çdo formë që nuk i plotëson kushtet e vlefshmërisë së therjes është i ndaluar konsumimi i tij dhe mishi i tillë nuk certifikohet si hallall.
Besimtari duhet të jetojë çdoherë me preokupimin e të ushqyerit hallall, ngase ushqimi hallall ka një ndikim të madh pozitiv në jetën shpirtërore e fizike të besimtarit. Mbi të gjitha, të ushqyerit hallall llogaritet adhurim, e për të cilin ka shpërblim, në dashtë Zoti!
____________________________
1. Dr. Muhamed ibën Ibrahim el-Musa dhe të tjerë, “El-Fikh el-mujesser, Medar el-vatan li-neshr”, Riad, 2018, vëll. IV, fq.16.
2. Dr. Salih el-Feuzan, “El-Mulehhasul-fikhij”, Kuvajt, 2005, fq. 587.
3. Dr. Islam Hasani, “Ushqimi hallall”, Dituria Islame, Prishtinë, 2014, fq. 8.
4. Alaudin Ebi Bekr ibën Mesud el-Kasani, “Bedai’u es-sanai ,Beirut”, Dar el-kutub el-ilmijeh,1997, fq. 198.
5. Muhamed ibën Rushd, “Bidaje el-muxhtehid ve nihaje el-muktesid”, (2/520).
6. “Edh-dhibhu El-Elij Ru’jetu esh-sheriah”, Lidhja e faqes: https:// www.islamweb.net/ar/fatëa/116204. Data e qasjes: 05.05.2021.
7. Shiko: Es-Sa’dij, AbduRrahman ibën Nasir, “Sherh menhexh es-salikin”, Daar el-minhaxh, Rijad, fq. 380.
8. Dr. Hamideh El-A’raxhij, “Et-Tedhkijeh bi taraaik el-hadethijeh”, Lidhja e faqes: https://www.almothaqaf.com/a/b6/914125 , Data e qasjes: 07.05.2021.
9 “ Fetaua el-Lexhneh Daime”, fetvaja nr. 949 22/346, vendimi me nr. 9510/3 .
10. Dr. Hamideh El-A’raxhij, “Et-Tedhkijeh bi taraaik el-hadethijeh”, Lidhja e faqes: https://www.almothaqaf.com/a/b6/914125 , Data e qasjes: 08.05.2021.
11. Surja El-Maide, 103.
12. Po aty. E nëse eventualisht sot ekziston ndonjë metodologji e kësaj natyrë që konstaton se shtaza edhe me këtë metodologji nuk ngordhë duke qenë brenda boksit të therjes, atëherë nuk kontestohet ligjshmëria. Por një gjë ë tillë kërkon konfirmim dhe konstatim të saktë para se të japim gjykimin sheriatik për të.
Mr. Besim Krasniqi