Arti krijohet nga përjetimi shpirtëror, dhe e ngushëllon vetëm shpirtin. Në natyrshmërinë e tij, një shpirt domosdo prodhon art, deri kur nevoja materiale nuk “e vret” atë. Pra, deri kur tek ai nuk sundon nevoja materiale.


Askush nuk mund të thotë se arti është kjo që them unë, dhe vetëm kjo. Përkufizimet për artin variojnë në lloje aq sa janë njerëzit. Sepse arti është ajo që del nga shpirti ynë njerëzor. Sepse secili, në atë që frymëzohemi ndryshojmë nga tjetri. Tërheqja, ekspresiviteti nga arti ekziston çdoherë kur shpirti ynë lirshëm ka përjetuar ose përjeton atë që e nxjerr lirshëm shpirti i tjetrit, pra, si art. Kur e gjejmë veten tek arti i tjetrit, ne, duke qenë të lirë, pashmangshëm se e pëlqejmë atë. Sepse e pëlqen shpirti ynë i lirë.
Për shembull, letërsia, si art i lirisë, është e hapur për të gjithë. Ajo është e gjerë sa vetë jeta. Ajo është imitim i jetës (Aristoteli e quante mimesis, nga greqishtja imitim). Megjithëse njihet si arti i fjalës së shkruar, letërsia nuk është vetëm aq. Ajo është arti i realizuar në mënyrën më i lirë në jetë; letërsia është arti ku gjithë artet mund të jenë figura të tij (të gjitha artet i pranon brenda vetes); nëse më paragjykoni për pikturën, kujtoni kaligrafinë, që është edhe art verbal, edhe pamor!
Letërsia është ajo që mundohet të na njohë me vetën tonë. Letërsia është ajo që na mëson se edhe aty, sikurse në jetë, më shumë duhet të pranojmë, sesa të refuzojmë. Duhet të pranojmë, që ta njohim atë pjesën e panjohur të vetes, dhe kështu t’i përgjigjemi Sokratit në imperativin filozofik njihe veten. Duhet ta njohim për njohjen më mirë të vetes.
Siç mund ta shihni, arti dhe liria qëndrojnë shumë të lidhur mes vete. Që ta kuptojmë edhe më mirë, do të na mjaftonte ta krahasojmë/metaforizojmë! Sepse koncepti i të bukurës është në figurën dhe konceptin e krahasimit, respektivisht metaforës (në antikë, mbretëreshës së figurave).
Në anën tjetër, edhe esenca e jetës është vetë liria. Pa të njeriu nuk është komplet njeri. Madje-madje, edhe Zoti e krijoi njeriun që të jetë i lirë, dhe e gjykon vetëm për atë që bën kur është i lirë, natyrisht brenda vullnetit hyjnor të Vet Zotit. Në bazë të këtij koncepti secili edhe duhet ta dijë se kushti i parë i artit është liria e artistit. Arti është vepër e shpirtrave të lirë... të lirë në arenën e lirisë në praninë e origjinës së krijimit.(1)

Epo, kush nuk e do lirinë?

Zoti e begatoi njeriun me shpirt të lirë. Me gjënë më të bukur nga gjithë çfarë i dha. Prandaj, një shpirt i lirë sigurisht se e do të bukurën. Sepse buron nga bukuria. Bukuria Absolute.
Ja pse edhe ne e duam të bukurën. Sepse Zoti e do të bukurën. Ne vetëm bëjmë mimesis, imitojmë krijimtarinë e Zotit – Krijimin e Tij të mrekullueshëm edhe në dashurinë tonë ndaj të bukurës. “Zoti është i bukur, dhe e do të bukurën.”(2), thoshte më i dashuri i Zotit, Muhamedi, (Paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të!). E, po mbi konceptin e të bukurës buron edhe vetë dashuria. “Bukuria është themel dhe shkak i të gjitha dashurive.”, vazhdon transmetimin Ibën Arabiu.(3)
Mirëpo si qëndron realiteti njerëzor përballë këtij koncepti?!
Për anash kësaj pyetjeje që parashtruam më sipër më vjen ndërmend një thënie e filozofit francez Zhan Zhak Ruso (Jean Jacques Rousseau), i cili për “mimesisin” njerëzon përballë “artit hyjnor” pati thënë: “Të gjitha gjërat që bëri Krijuesi janë të mira, mirëpo çdo gjë degjeneroi nga dora e njeriut.”.
Zoti e begatoi njeriun edhe me trup. Trupi i njeriut nuk e prodhon artin. Këtë e bën shpirti: gjëja më e lirë nga gjithë çfarë Zoti i dha njeriut. Prandaj, një shpirt i lirë e do lirinë. Sepse buron nga liria.

Arti dhe shpirti

Pa lirinë si koncept arti nuk do të ekzistonte. Sepse arti është komunikim me shpirtin, dhe jo me trupin. Arti s’është material, dhe nuk i referohet materiales. Arti krijohet nga përjetimi shpirtëror, dhe e ngushëllon vetëm shpirtin. Në natyrshmërinë e tij, një shpirt domosdo prodhon art, deri kur nevoja materiale nuk “e vret” atë. Pra, deri kur tek ai nuk sundon nevoja materiale.
Shpirti është i nënshtruar vetëm ndaj Zotit. Trupi mund të jetë edhe ndaj dikujt tjetër. Pra, parimisht, shpirti është i lirë. Sepse Zoti e bëri të lirë.
Dhe, arti është produkt i shpirtit. Në bazë të këtij koncepti, dhe bazuar në atë që thamë më sipër, edhe arti është i lirë sikurse shpirti. Sepse bëhet për shpirtin, dhe e nënshtron dhe i nënshtrohet vetëm shpirtit.
Edhe pse është i lirë, arti nuk e do rastësinë. Si veçori themelore e artit është eliminimi komplet i rastësisë. Duke qenë se arti është mimesis-imitim i krijimtarisë së të Shumëlartit, dhe krijimtaria e Tij dihet se është unike, pa asgjë të rastit, e patëmetë, edhe arti, pra, nuk e duron rastësinë. Sa më të stabilizuara të jenë kuptimet (idetë) në veprën artistike, aq më pak aty kemi rastësinë. Sa më pak rastësi, arti/vepra artistike është më e arrirë. Vlera unike e veprës artistike del pikërisht në këtë plan; edhe pse në të zakonshmen liria mund të na çojë drejt rastësisë, në art, meqë buron nga shpirti, lirianuk çon drejt rastësisë. Në art liria prin drejt të jashtëzakonshmes, dhe kështu na çon drejt njohjes së të madhërishmes, asaj që është pa të meta. Në art liria është ajo që na prin drejt harrimit të nevojave materiale, dhe kështu na çon drejt njohjes së nevojave shpirtërore.
Fridrih Shiler (Friedrich Schiller), në veprën “Mbi edukimin estetik të njeriut”, shprehet se, për ta bërë artin, shpirti duhet ta braktisë realitetin, dhe me guxim të njerëzishëm të ngrihet mbi nevojën dhe nevojshmërinë; sepse arti është bijë e lirisë, dhe nuk duron ta marrë urdhrin nga nevoja e materies, por nga domosdoshmëria e shpirtrave.(4)

Arti dhe besimi

Shpirti është i pamposhtur, përveç nëse e përdor kodin e kënaqësisë nga liria dhe ajo që del nga ajo, arti. Nëse shpirti e gjen kënaqësinë në njohjen e krijimtarisë së Zotit, siç edhe e gjen, dhe të njëjtën krijimtari e sheh të imituar prej artistit në akëcilën formë arti, liria e tij ndërron koncept. Tani ai, i lirë plotësisht, i nënshtrohet vullnetshëm Krijuesit.
Ana fizike e trupit mund të pushtohet dhe mposhtet, mirëpo jo edhe ana shpirtërore. Prandaj, nevoja për të besuar, apo kënaqësia që e ndiejmë kur shprehim dashuri, nuk janë tjetër veçse formë e shprehjes së lirisë/formë e
shprehjes së artit, nga e cila formë edhe e ushqejmë dhe e kënaqim shpirtin. Kjo formë e shprehjes e rrit ndjenjën e kënaqësisë dhe të dashurisë ndaj lirisë. Respektivisht, dashurisë ndaj të Lirit-Krijuesit.
Një artist-piktor kështu e përshkruan artin dhe veprën e tij artistike: “Arti i mirëfilltë është ai që ta kujton apo ta zgjon në shpirt një dritë dashurie për Krijuesin, nga e cila pastaj fillon ta kuptosh se çdo gjë është krijuar nga dashuria dhe për të dashur. Ne e dimë se dashuria është e bukur, ndërsa Allahu e do të bukurën, e që nuk ka të bëjë vetëm me atë fizike, por edhe me atë metafizike, e cila nuk mund të shprehet as me pendën e shkrimtarit, e as me penelin e piktorit, por mbetet gjë për t’u dëshiruar”, thotë piktori Bilgaip Koçishta (Bige).
Mund të ketë veçori dhe dallime të njërit tip të artit nga tjetri, të ndarë qoftë nga mjetet e imitimit; objektet e imitimit; apo mënyrat e imitimit (Aristoteli, Poetika)(5), mirëpo nuk ka privatizim të artit. Ndarjet apo përkufizimet e dala nga botëkuptimi privatizues vetëm sa e mbyllin artin, ndërsa gjer tani për të disatën herë jemi duke thënë se arti është i lirë. Bijë e lirisë, do të thoshte Shileri. Çdo mendësi e kundërt do të prodhonte shund dhe kiç, zhanre që e mbysin artin e pastër, dhe që realizohen nga imitime të dobëta të krijimtarisë së Zotit. Apo, më troç, forma që imitojnë jo krijimtarinë e Zotit, por atë të krijesës. E, Hygoi thoshte për ata që e imitojnë imitimin (jo krijimtarinë e Zotit, por të krijesave, modelin njerëzor), se shija e tyre është shije për mediokritetin. Rendi (imitimi i krijimtarisë së Zotit) është shija për gjeninë, thoshte Hygoi.
Prandaj, përfundimisht duhet kuptuar se arti është gjithë ajo që del nga një shpirt i lirë dhe për shpirtin e lirë. Ndërsa veprat artistike që kanë këtë origjinë në jetë mbeten ikona të shpirtit.


________________________________
1 Metin Izeti, Pasqyra estetike e traditës perenniale, Vizioni M, Shkup, 2018, f. 11.
2 Beshir Ajvazogllu, Estetika islame, Logos-A, Shkup, 2009, f. 51.
3 Po aty.
4 Friedrich Schiller, Mbi edukimin estetik të njeriut, Plejad, Tiranë, 2004, f. 16.
5 Aristoteli, Poetika, Buzuku, Prishtinë, 2010, f. 7-14.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?