Hadithet që iu atribuan Muhamedit a.s. nga brezi që atë nuk e takoi

Qëndrimi i ylemave rreth argumentimin me hadithin mursel



HYRJE

Dihet shume qartë se Kurani fisnik dhe suneti i Pejgamberit a.s. janë dy burime parimore të Sheriatit islam, por Kurani dallon nga suneti i Pejgamberit a.s. në aspektin e transmetimit te ne, ngase është i transmetuar i tëri në mënyrë shumë të besueshme e të pashkëputur (tevaturen) dhe se nuk ka kurrfarë dileme rreth mënyrës së transmetimit të tij. E sa i përket sunetit, e shohim se ka prej haditheve që janë të transmetuara në mënyrën e besueshme (tevaturen) dhe në formën individuale (ahad). E sa i përket hadithit që është ahad, ai ndahet parimisht në tri grupe:

1. Ato hadithe që sipas unanimtetit pranohen si argumente;
2. Ato hadithe që sipas unanimitetit nuk pranohen si argumente;
3. Ato hadithe që ka divergjenca për pranimin dhe mospranimin e tyre si argument. E në ketë grup të haditheve bënë pjesë edhe hadithi mursel.

DEFINICIONI I HADITHIT MURSEL

Sipas dijetarëve të hadithit, hadithi mursel definohet kështu: “Hadithi mursel konsiderohet ai transmetim i tabiiut drejtpërsëdrejti nga Pejgamberi a.s., duke mos përmendur në hallkën e zinxhirit të transmetimit sahabiun dhe duke thënë (tabiiu): se Pejgamberi a.s. ka thënë kështu.”(1)
Dijetarët e usulit, hadithin mursel e definojnë kështu: “Hadith mursel sipas usulistëve(2) është që transmetuesi i këtij hadithi, i cili nuk e ka takuar Pejgamberin a.s. të thotë: “ka thënë Pejgamberi a.s.”, pavarësisht se ky hadith është munkat’i,(3) muadal(4) apo mu’alek”.(5)
Imam Sejfudin el-Amidiju e definon hadithin mursel kështu: “Kur transmetuesi i cili nuk e ka takuar Pejgamberin a.s. është i drejtë thotë se Pejgamberi a.s. ka thënë.” Ky është definimi i hadithit mursel sipas Amidijut.(6)
Imam Shevkani, në librin e tij “Irshad el fuhul” ka thënë: “Shumica e dijetarëve të usulit thonë se hadith mursel konsiderohet transmetimi i atij, i cili nuk e ka takuar Pejgamberin a.s., por që thotë se Pejgamberi a.s. ka thënë, pavarësisht se këtë e transmeton tabiiu, tebetabiiu apo dikush tjetër pas tyre.”(7)
Në definicionin që i japin dijetarët e hadithit, hadithit mursel, e bëjnë të qartë se kushdo që argumenton me hadithin mursel, ai në të njëjtën kohë argumenton me hadith maudal(8) dhe munkati.(9) Ndërsa në definicionin e dijetarëve të usulit vërehet qartë se te hadithi mursel e përfshijnë edhe hadithin munkati dhe muadal.

NDARJA E HADITHIT MURSEL

Autori i librit “Mir’at el usul” përmend se hadithi mursel sipas fukahave dhe usulitëve ndahet në katër grupe:
a. Hadithi mursel që e transmeton sahabiu;
b. Hadithi mursel që e transmeton tabiiu dhe tebetabiiu;
c. Hadithi mursel që e transmeton transmetuesi i drejtë i cilësdo kohë qoftë;
ç. Hadithi mursel që e transmetojnë dy transmetues, secili me rrugë të transmetimit në vete, ose që e transmeton një transmetues më dy rrugë të transmetimit.(10)

ARGUMENTIMI ME HADITHIN MURSEL

Sipas ixhmait, hadithi mursel i transmetuar nga sahabiu duhet të merret si argument.(11)
Sa i përket hadithit mursel që e transmeton dikush tjetër përveç sahabiut, dijetarët ndajnë këto mendime:

1. Ebu Hanife r.a., imam Ahmedi r.a. , Maliku r.a. dhe shumica e mutezilitëve janë të mendimit se hadithi mursel duhet të konsiderohet si burim i Sheriatit.(12) Disa prej dijetarëve hanefitë, hadithin mursel e marrin si argument vetëm nëse është transmetuar prej tri gjeneratave të njohura (sahabët, tabiinët dhe tebetabiinët), ndërsa prej tjerëve pas tyre jo.(13) Disa prej dijetarëve mutezilitë, hadithin mursel e konsiderojnë si më të fortë në argumentim se sa hadithin musned, dhe se kur vijnë në mospajtime ndërmjet vete, përparësi në argumentim i japin hadithit mursel.(14)
Hanefitë, mendimin e tyre e mbështesin në këto argumente: a. Në ixhmain e sahabëve – Sahabët kanë pranuar transmetimet e shumta nga Ibën Abasi r.a., e i cili shumë pak ka dëgjuar prej Pejgamberit a.s.;
b. Në ixhmain e tabiinëve – Tabiinët kanë pranuar shumë hadithe mursele nga disa tabiinë të njohur si: Seid bin Musejbi, Ibrahim en-Nehiju, Hasen el-Basriu etj. Transmetimet e tilla vazhdimisht kanë qenë të njohura në mesin e sahabëve dhe tabiinëve pa u kundërshtuar nga askush.
c. Në argumente logjike – Kur transmetuesi i drejtë dhe i sinqertë thotë se Pejgamberi a.s. ka thënë kështu, atëherë nuk mbetet diçka tjetër pos që të pranohet ai. E nëse transmetuesi tradhton në transmetim, atëherë ai nuk konsiderohet i besueshëm dhe se hadithi i tillë është i kategorisë së musnedit.(15)
2. Ibnul Haxhibi dhe Ibnul Humame mendojnë se hadithi mursel duhet të pranohet po që se transmetohet nga dijetarët që janë të përpiktë në transmetim. Sipas Taxhudin es-Subkit, dijetarët që janë të përpiktë në transmetim konsiderohen sahabët, tabiinët dhe tebetabiinët.(16) Këta mendimin e tyre e mbështesin në argumentin logjik që është përmendur më herët.
3. Isa bin Eban e pranon hadithin mursel nëse është transmetuar nga sahabët, tabiinët dhe tebetabiinët, pavarësisht se a transmetohet hadithi mursel prej dijetarëve të përpiktë në transmetim apo nga të tjerët.(17) Ky dijetar, mendimin e vet e mbështet në hadithin e Pejgamberit a.s., i cili thotë: “Më e mira gjeneratë është kjo që jetoj unë, e pastaj ata që vijnë pas tyre, e pastaj ata të cilët vijnë pas tyre, e mandej do të përhapet gënjeshtra.”(18)
4. Imam Sejfuddin el-Amidiju përkrah mendimin se hadithi mursel duhet të pranohet si argument nëse transmetuesi është i drejtë.(19)
5. Imam Shafiu r.a. është i mendimit se hadithi mursel duhet të merret për argument nëse e plotëson njërin prej këtyre kushteve:
a. Nëse hadithi mursel është i transmetuar nga ndonjë sahabiu;
b. Nëse hadithi mursel është i transmetuar nga tabiinët e njohur, të cilët kanë takuar shumë sahabë të Pejgamberit a.s. si f.v. Seid bin Musejbi, Zuhejri etj.;
c. Që kuptimi i hadithit mursel të forcohet më ndonjë hadith që senedi i tij rrjedh nga Pejgamberi a.s.;
ç. Nëse hadithi mursel është i pëlqyer nga fjala e ndonjë sahabiu;
d. Nëse hadithin mursel e pranojnë apo e pëlqejnë shumica e dijetarëve;
e. Nëse hadithi mursel është transmetuar në një rrugë tjetër të transmetimit edhe nëse prapë hadithi i tillë është mursel;
ë. Nëse është hadithi mursel i pranuar sipas mendimit së shumicës së dijetarëve;
f. Nëse transmetuesin e hadithit mursel e shoqërojnë në transmetim hafidhat e hadithit dhe nuk e kundërshtojnë transmetimin e tij;
g. Nëse transmetuesi i hadithit mursel nga i cili transmetohet hadithi është i besueshëm.(20)
Nëse hadithi mursel nuk e plotëson njërin prej këtyre kushteve të përmendur, atëherë sipas Shafiut r.a., hadithi i tillë nuk merret si argument, por refuzohet.
5. Dhahiritë dhe shumica e muhadithinëve,(21) janë të mendimit se hadithi mursel nuk duhet të merret si argument. Këta, mendimin e tyre e arsyetojnë duke thënë:
- kur transmetuesi nga i cili po transmetohet është i panjohur, atëherë mosnjohja e tij sjell atë që të mos njihen atributet e tij, e mos njohja e gjendjes së transmetuesit është shkak që të mos pranohet transmetimi;
- nëse hadithi mursel pranohet si argument, atëherë duhet të pranohet edhe në kohën tonë, ngase shkakun (i’letin) e kanë të përbashkët në çështjen e pranimit;
- nëse pranohet hadithi mursel, atëherë nuk ka vlerë senedi.(22)
6. Imam Muslimi r.a. nuk pranon argumentimin me hadith mursel.(23)
Shembuj të ndikimit të mospajtimeve rreth argumentimit të hadithit mursel në çështjet e jurisprudencës islame
Mospajtimet rreth argumentimit me hadithin mursel ndikojnë në marrjen e vendimeve në jurisprudencën islame si p.sh.:
Çështja e prishjes së abdestit duke qeshur me zë të lartë në namaz. Hanefitë janë të mendimit se të qeshurit me zë të lartë në namaz e prish abdesin, duke u bazuar në hadithin mursel ku Pejgamberi a.s. e kishte urdhëruar një njeri të përsëriste abdesin pasi kishte qeshur me zë të lartë në namaz. Ndërsa shafitët dhe shumica dërmuese janë të mendimit se nuk prishet abdesi kur ndodh të qeshet me zë të lartë në namaz, ngase nuk pranojnë të veprojnë me hadithin mursel.(24)
Çështja e obligimit të zëvendësimit të agjërimit kur ndodh që të prishet agjërimi vullnetar. Hanefitë dhe malikitë janë të mendimit se ai që e prish agjërimin vullnetar duhet doemos ta zëvendësoj atë ditë, duke mbështetur në hadithin mursel, ku Aisheja r.a. tregon: “Unë dhe Hafsa ishim duke agjëruar agjërim vullnetar dhe ne na erdhi ushqim si dhuratë, e ne prishem agjërimin. Në atë moment hyri te ne i Dërguari a.s. dhe Hafsa nxitoi para meje dhe e pyeti atë për çështjen e prishjes së agjërimit tonë.” Ai u përgjigj: “Zëvendësoni agjërimi e tillë me një ditë tjetër.” Imam Shafiu dhe pjesa dërmuese e dijetarëve nuk pranojnë që është obligim zëvendësimi i agjërimit vullnetar, ngase nuk punojnë me hadithin mursel.(25_


1. Dr. Vehbete Zuhajli, Usulul fikhil islamijj, botimi i II, boton “Darul Fikri”, Damask, 1418/1998, vol. I.fq. 373; krahaso: Abdul Kadir Ahmed bin Bedrani, El-Med’halu Ila Medh’hebil Imam Ahmed, boton “El-Munirije”, pa vit botimi, fq. 43; krahaso: Muhammed Ebi Beker bin Kajjim el-Xhevziju, E’alamul Muki’ine, botimi i I, boton: “Es-Se’adetu”, 1374 h. vol. I. fq. 30; krahaso: Ibën Kuddame, Reudatu En- Nadhir , vol.I. fq. 281-327; krahaso: Dr. Mustafa Se’idul Hinn, Etherul Ihtilafi Fil Kava’idil Usulijjeti Fi Ihtilafil Fukahai, botimi i VI, boton “Muesseseturr-Rrisaleti” , Bejrut, 1417/ 1996, fq. 397.
2. Po aty; krahaso: Se’adud-Din Mes’ud bin Umer et-Teftazaniu esh-Shafi’i, Et-Telvihu Alet-Tevdihi, botimi i I , boton “Darul Kutubil I’lmijjeti”, Bejrut, 1416/1996, vol.II. fq. 14-15
3. Munkat’i quajmë atë hadith, në senedin e të cilit ka ra një transmetues,
ose është cekur ndonjë transmetues i panjohur.
4. Muad-dal quajmë hadithin në senedin e të cilit kanë rënë dy transmetues
njëri pas tjetrit.
5. Mual-lak quhet hadithi, në fillim të senedit të të cilit kanë rënë një, dy a
më shumë transmetues njëri pas tjetrit.
6. Sejfuddin Ebil Hasen Alij bin Ebi Alijj bin Muhammed el-Amidijji, El- Ihkam Fi Usulil Ahkam, boton “Darul Fikri”, 1416/1996, Bejrut, vol. I-II. fq. 276.
7. Dr. Mustafa Se’idul Hinn, Etherul Ihtilafi Fil Kava’idil Usulijjeti Fi Ihtilafil Fukahai, botimi i VI, boton “Muesseseturr-Rrisaleti” , Bejrut, 1417/ 1996, fq. 398.
8. Shiko fusnotën nr. 4
9. Shiko fusnotën nr. 3.
10. Muhammed bin Feramuz i njohur si Munlahuseu, Mir’atul Usuli Fi
Sherhi Mirkatil Vusuli, Stamboll, pa vit botimi. pjesa e II, fq. 20-21
11. Muhammed bin Feramuz i njohur si Munlahuseu, Mir’atul Usuli Fi Sherhi Mirkatil Vusuli, Stamboll, pa vit botimi. pjesa e II, fq. 21; krahaso: Dr. Vehbete Zuhajli, Usulul Fikhil Islamijj, botimi i II, boton “Darul Fikri”, Damask, 1418/1998, vol. I.fq. 474.
12. Dr. Vehbete Zuhajli, Usulul Fikhil Islamijj, botimi i II, boton “Darul Fikri”, Damask, 1418/1998, vol. I.fq. 474 krahaso: Dr. Mustafa Se’idul Hinn, Etherul Ihtilafi Fil Kava’idil Usulijjeti Fi Ihtilafil Fukahai, botimi i VI, boton “Muesseseturr-Rrisaleti” , Bejrut, 1417/ 1996, fq . 401; krahaso: Abdul Aziz el-Buhari el-Hanefijj, Keshful Esrari Sherh Usulil Bezdevijj, 750 h. vol. III. fq. 5.
13. Dr. Sami bin Alijj eth-Thekafijji, Esbabu Ihtilafil Fukahai, botimi i I, boton “Darul Bejani” Kairo, 1416-1996, fq. 224; krahaso: Dr. Mustafa Se’idul Hinn, Etherul Ihtilafi Fil Kava’idil Usulijjeti Fi Ihtilafil Fukahai, botimi i VI, boton “Muesseseturr-Rrisaleti” , Bejrut, 1417/ 1996, fq. 401.
14. Dr. Vehbete Zuhajli, Usulul Fikhil Islamijj, botimi i II, boton “Darul Fikri”, Damask, 1418/1998, vol. I.fq. 474 krahaso: Dr. Mustafa Se’idul Hinn, Etherul Ihtilafi Fil Kava’idil Usulijjeti Fi Ihtilafil Fukahai, botimi i VI, boton “Muesseseturr-Rrisaleti” , Bejrut, 1417/ 1996, fq . 401; krahaso: Abdul Aziz el-Buhari el-Hanefijj, Keshful Esrari Sherh Usulil Bezdevijj, 750 h. vol. III. fq. 5.
15. Dr. Vehbete Zuhajli, Usulul Fikhil Islamijj, botimi i II, boton “Darul
Fikri”, Damask, 1418/1998, vol. I.fq. 476.
16. Po aty fq. 474
17. Po aty fq. 475.
18. Transmetojnë Buhariu, Muslimi, Nesaiju, Ahmedi, Darimiju dhe Maliku.
19. Sejfuddin Ebil Hasen Alij bin Ebi Alijj bin Muhammed el-Amidijji, El-
Ihkam Fi Usulil Ahkam, vol. I-II. fq. 272.
20. Muhammed bin Idris esh-Shafi’ij, Err-Rrisaletu, boton “El-meketebetul Ilm’ijjeti”, fq. 462-464; krahaso: Dr. Vehbete Zuhajli, Usulul Fikhil Islamijj, vol. I.fq. 475; krahaso: El-Imamu Muhammed Ebu Zehre, Usulul Fikh, fq. 102-103; krahaso: Muhammed bin Feramuz i njohur si Munlahuseu, Mir’atul Usuli Fi Sherhi Mirkatil Vusuli, pjesa e II, fq. 21-22; krahaso: Dr. Mustafa Se’idul Hinn, Etherul Ihtilafi Fil Kava’idil Usulijjeti Fi Ihtilafil Fukahai, fq 398-299; krahaso: Dr. Sami bin Alijj eth-Thekafijji, Esbabu Ihtilafil Fukahai, fq. 224.
21. Dr. Vehbete Zuhajli, Usulul Fikhil Islamijj, vol. I.fq. 477
22. Dr. Vehbete Zuhajli në librin e tij: Usulul Fikhil Islamijj, vol. I. fq. 475.
23. Sahihul Muslim, vol.I-II, fq. 30.
24. Etherul Ihtilaf fil Kavaidil Usulijeti fq. 356.
25. Po aty.



Dr. Flamur Sofiu


Artikulli radhës
Kurani në Islam

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme