Fiter Bajrami festë për myslimanët

Në rrugëtimin jetësor të njeriut në këtë botë, festat, pa dyshim se zënë një vend të rëndësishëm. Do të ishte e pakuptimtë jeta sikur të jetohej çdo ditë e saj e mos kishte ditë feste gëzimi e hareje. Nëse i hedhim një shikim historikut të njerëzimit, vërejmë se festat ishin dhe janë pjesë e rëndësishme e zhvillimit të kulturës dhe besimit të secilit prej tyre.
Festimi i festave në ditë të caktuara luante dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e besimit të një komuniteti, si dhe në ruajtjen e identitetit kombëtar, racor apo edhe gjuhësor të popujve. Për këtë, popujt dhe besimet e ndryshme kanë edhe festat e tyre, të cilat kanë në thelb të tyre përkujtimin e ndonjë ngjarje të madhe që e karakterizon atë popull apo atë besim, qofshin këto ngjarje me karakter fetar, kombëtar, racor, gjuhësor, etj ..
Kjo gjë manifestohet edhe në fenë islame, ku ne si myslimanë kemi dy festa: festën e Fitër Bajramit dhe festën e Kurban Bajramit. Të dyja këto festa vijnë për të shënuar ngjarje të rëndësishme në jetën e besimtarit mysliman. Të dyja këto ndërlidhen me kryerjen e dy prej kushteve themelore të Islamit, agjërimit dhe haxhit.
Festa e Fitër Bajramit ndërlidhet me përfundimin e agjërimit, që është një ngjarje shumë e rëndësishme për jetën e besimtarit. Agjërimi që është një ritual madhor, në të cilin edukohen shpirti dhe qenia e myslimanit. Me agjërim edukohet shpirti në përkushtim të plotë në adhurim ndaj Krijuesit, edukohet qenia e besimtarit duke forcuar vullnetin dhe durimin e tij, që duke lënë anash ushqimin, pijen dhe kënaqësitë e tij, për hir të Zotit, mundohet ta arrijë kënaqësinë e Tij. Derisa festa e dytë është Kurban Bajrami, që ndërlidhet ngushtë me kryerjen e haxhit.
Fitër Bajrami është festa e besimtarëve myslimanë, të cilët festojnë përfundimin e muajit të bekuar Ramazan, ashtu siç i ka urdhëruar Zoti i Madhërishëm. Besimtarët festojnë këtë ditë duke e falënderuar Allahun xh.sh., që u ka dhënë mundësi dhe forcë për të përballuar vështirësitë e agjërimit.
Festojnë e gëzojnë për suksesin e arritur gjatë muajit Ramazan, gëzohen në shpirt që me vullnet, dëshirë e durim arritën që t'i përgjigjen Zotit të tyre në thirrjen e Tij për agjërim. Se agjëruesi ka gëzim për agjërimin e tij, na kishte mësuar edhe Pejgamberi a.s. kur thoshte: "Agjëruesi ka dy gëzime, gëzohet kur ta çelë iftarin e tij dhe gëzohet kur ta takoj Zotin e tij.”(1)
Festa e Fitër Bajramit është dita që mbulon me gëzim e hare zemrën e besimtarit, atij besimtarit i cili përgjatë një muaji iu përkushtua me plot sinqeritet Zotit, duke agjëruar, falur namaz, dhënë sadaka-lëmoshë, duke lexuar Kuran dhe duke bërë dua-lutje.
Bajrami është rasti thelbësor që me dinjitet besimtarët të tregojnë falënderimet ndaj Allahut të Lartësuar për begatitë e panumërta që Ai na i ka dhuruar, përfshirë këtu edhe muajin Ramazan.
Për këto begati besimtari duhet të gëzohet, ashtu siç na ka mësuar Allahu xh.sh. në Kuran: "Thuaj: Vetëm mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij le t'i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata." (Junus, 58).
Bajrami është një ditë e veçantë dhe duhet të jetë e tillë, të jetë një ditë që harrohet pikëllimi e shqetësimi dhe tëjetë një ditë që shumëfishohet gëzimi e hareja. Për këtë arsye, në ditët e Bajramit ndalohet edhe agjërim për çfarëdo arsye. Në thëniet profetike qëndron se festat janë ditë të ngrënies, pijes dhe përmendjes së Zotit, e jo ditë zie e agjërimi.
Ajo që e bënë këtë festë më të fuqishme dhe këtë gëzim më gjithëpërfshirës është fakti se festa është shoqërore, dhe festohet në menyrë kolektive e jo individuale. Festa e besimtarit nuk dallon vetëm nga motivet, por edhe nga mënyra e manifestimit. Logjikisht, nëse besimtari feston për adhurimin që ka bërë, atëherë shthurja nuk duhet të jetë imazh i kësaj feste. Besimtari festën e vet nuk duhet të degjeneroj me mëkate, me festime të shthurura, në organizime që përcjellin imazhe të kundërta me arsyen dhe motivin e festës. Besimtari, festën duhet ta bëjë me gjërat që na i ka lejuar feja jonë e bukur.

Nëse hedhim një vështrim te popujt e mëhershëm, vërejmë se ata kishin festat e tyre që i festonin për motive të ndryshme dhe në forma të ndryshme.
Kur Pejgamberi a.s. erdhi në Medine, ai i gjeti banorët e Medinës duke festuar dy festa, festa e Nevruzit dhe Karnavaleve- Mihrixhanit.(2) Sipas hulumtimeve, këto ishin festa persiane, por që medinasit i kishin futur në traditën e tyre. Fjala Nevruz është fjalë persiane dhe ka kuptimin "Ditë e re”, ndërsa fjala Mihrixhan gjithashtu është fjalë persiane që ka kuptimin "Festival”.
Pejgamberi a.s. unteresua për këto dy festa dhe i pyeti ensarët pët karakteristikat e tyre dhe motivet e festimit. Ata i thanë se në periudhën e injorancës argëtoheshin në forma të ndryshme në këto ditë. Pas kësaj Pejgamberi a.s. urdhëroi e tha: "Pa dyshim se Allahu këto festat i ka zëvendësuar me dy festa më të mira dhe me të vlefshme, e ato janë: Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami."(3)
Siç e dimë, festa e Bajramit është festuar edhe në kohën e Pejgamberit a.s.. Madje ai kishte perositur shokët e tij që mos t'i pengonin besimtarët në festimin e këtyre festave, mos t'i pengonin që të luanin apo këndonin. Transmetohet nga Aisheja r.a. se një ditë gjatë festës së Kurban Bajramit, në praninë e saj, në shtëpine e saj, dy vajza të vogla këndonin këngë dhe poezi që kshin përmbajtje të një lufte që kishte ndodhur para ardhjes së Islamit në Medine. I Dërguari a.s. ishte në dhomën tjetët, i shtrirë në shtratin e tij, i mbuluar dhe me shpinën e kthyer duke pushuar. Në atë moment hyri Ebu Bekri r.a. dhe duke menduar se janë duke e shqetësuar të Dërguarin e Allahut gjatë pushimit, iu drejtua Aishes: "Pranë Pejgamberit me instrumente të shejtanit?" Pas këtij reagimi të Ebu Bekrit, i Dërguari i Allahut zbuloi fytyrën dhe urdhëroi: "O Ebu Bekër! Mos i pengo ato, sepse këto janë ditë feste”.(4)
Kemi edhe transmetime të tjera nga i Dërguari i Allahut a.s., e që na mësojnë për mënyrën e manifestimit të festave të Bajramit. Transmetohet se në një ditë Bajrami, disa vajza të vogla po këndonin në xhami, ndërsa disa etiopian ë luanin me shtiza dhe mburoja në xhami. I Dërguari i Allahut a.s. së bashku me Aishen r.a. ishin duke i shikuar. Në një moment Pejgamberi a.s., e ndaloi Omerin r.a. që të ndërhynte në shfaqje dhe nuk kishte lejuar që dikush t'i shqetësonte ata në lojën e tyre. Duke u bazuar në jetën e Profetit a.s. dhe sahabëve të tij, dijetarët kanë ardhur në përfundim se lejohet manifestimi i Bajramit me organizime e lojëra të ndryshme, këngë e llahi që nxitin në dashurinë ndaj fesë dhe vatanit. Normalisht lojëra që burojnë nga tradita e vendit apo edhe lojëra bashkëkohore që janë të lejuara dhe që nuk bien ndesh me normat islame.
Sot, sipas traditave të vendeve të ndryshme ku jetojnë myslimanët, festohet edhe Bajrami, në forma të ndryshme, por normalisht, gjithmonë duke i zbatuar normat islame. Mënyra universale që i bashkon gjithë myslimanët në shënimin e kësaj feste, padyshim është përgatitja e ëmbëlsirave në shtëpi, për të treguar se shtëpitë e myslimanëve janë ëmbëlsuar në këtë ditë feste e gëzimi.
Vizitat te njëri-tjetri, urimet e ndërsjella, shtrirja e dorës se pajtimit në këtë ditë, tregojnë që besimtari është afruar për një muaj, në rrafshin vertikal, me Allahun xh.sh. dhe tash afrohet edhe në rrafshin horizontal me familjar e farefisin e tij, duke lënë anash zënkat dhe hasmëritë e mëhershme dhe duke ua shtrirë dorën e pajtimit. Zbukurimi i shtëpive dhe veshja e rrobave të reja dhe më të bukura, gjithashtu e karakterizojnë mënyrën se si festohet Bajrami. E kjo praktikë e zbukurimit ishte edhe njëra nga traditat e të Dërguarit, Muhamedit a.s ..
Transmetohet nga Omeri r.a., të ketë thënë: "Për Bajram, ai vishte rrobat më të mira dhe më të bukura që kishte."(5)
Nga praktika e Pejgamberit a.s. gjatë ditës së Fitër Bajramit ishte dhënia e sadakatul-fitrit, dhënien e të cilit e urdhëroi të bëhet para faljes së namazit të Bajramit "Sadakatul-fitri të jepet para daljes së njerëzve për namaz."(6)
Kjo tregon për kujdesin që duhet të kenë besimtarët ndaj atyre që kanë nevojë, që edhe ata të kenë mundësi të gëzojnë në familjet e tyre festen e Bajramit. Disa veprime që i bënte i Dërguari i Allahut a.s. gjatë ditës së Fitër Bajramit ishin edhe këto: Nuk dilte nga shtëpia ditën e Fitër Bajramit pa i ngrënë disa kokrra hurme, shkuarjen në Bajram e bënte për një rrugë, ndërsa kthimin nga Bajrami e bënte nga një rrugë tjetër.
Besimtari duhet pasur kujdes që sa ma shumë të mundohet të futë gëzim në zemrat e njerëzve gjithmonë, e sidomos në këto ditë. T'i largojë nga njerëzit hidhërimet dhe mërzitë e tyre. Pejgamberi a.s ka thënë: "Prej punëve më të mira të besimtarit është, bërja të gëzuar një besimtar dhe largimi i një brenge të tij”.(7) Për këtë arsye nuk preferohet që në këto ditë feste, gëzimi e hareje, ta bëjmë praktikë që të shkojmë te varrezat dhe të mbajmë zi për ata që nuk i kemi në mesin tonë në këtë botë.


___________________
1. Transmetojnë Buhariu, 1904 dhe Muslimi, 1151.
2. Sherh suneni ibën Maxhe, 123.
3. Transmetojnë Ebu Davudi dhe Nesaiu.
4. Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi, marrë nga libri "IsIami nëpërmjet haditheve VII", botoi Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë, fq. 493.
5. Bejhakiu në "Sunenul-kubra" (3/281).
6. Transmetojnë Buhariu, 1509 dhe Muslimi, 986.
7. Transmeton Buhariu, 5773,



Nexhmi Hoxha
Dituria Islame 389


Artikulli i kaluar
Bajrami i Ramazanit
Artikulli radhës
Një minutë deri në Xhennet

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme