Ata që i bëjnë padrejtësi dhe e nëpërkëmbin këtë fjalë të shenjtë, të tillët duan t’ia largojnë pastërtinë dhe dëlirësinë që ka kjo fjalë. Kujdes, mos t’ju ikën dashuria e vërtetë. Jo dashuria e atyre që e kuptojnë dashurinë si kënaqësi, e as e atyre që bëjnë thirrje për të, por që kurrë nuk e shijojnë ëmbëlsinë e saj.
Tema për dashurinë është një nga temat më të rëndësishme, si për djemtë ashtu edhe për vajzat. Ne do të shkruajmë sinqerisht dhe me fjalë që burojnë nga zemra. Do të shkruajmë haptazi për të vërtetën, për sinqeritetin ndërmjet djemve dhe vajzave, e do të përpiqemi që vërtet t’i hapim zemrat tona. Sigurisht se unë jam kujdesur që të hyj direkt në temë, ngase disa djem dhe vajza, do të thonë se ne e dimë se çfarë do të shkruhet për këtë temë, andaj edhe refuzojnë mbarimin e leximit të këtij shkrimi. Në fillim, dua ta bëj një pyetje të rëndësishme: A është dashuria instinkt i natyrshëm që e ka krijuar Allahu xh.sh. për njeriun? A mund të jetojë njeriu pa dashuri?
Natyrisht, ju e dini se ne po shkruajmë nga aspekti fetar, dhe do ta imagjinoni se ne do të themi se dashuri është ta duash babanë dhe nënën. E vërtetë! Kjo është një lloj i dashurisë. Në esencë, dashuria është ta duash Allahun xh.sh.. Por, më lejoni që të flas për dashurinë, që përmes saj nënkuptohet dashuria e burrit për gruan. A mund të ndodh që njeriu të mos ketë nevojë për dashuri? Të jetojë pa dashuri apo pa e dashur atë ndokush? Natyrisht se jo, nuk mund të gjendet ndokush që jeton pa dashuri.
Kjo është natyrshmëri dhe instinkt. Po të mos e kishte krijuar dashurinë Allahu xh.sh. te ne, njerëzimi nuk do të kishte ambicie për pasardhës dhe për vazhdimësi të jetës. Instinkti është një nga arsyet që e bën botën të vazhdojë. Asnjëherë nuk mund të mendojmë për shkatërrimin e instinktit dhe se nuk mund që ne ta zhdukim atë nga jeta jonë, ashtu siç nuk mund ta injorojmë dhe të mos flasim për të. Disa mund të mendojnë se, përderisa ne po flasim nga aspekti fetar, nuk ekziston diçka që quhet dashuri. Kjo është një logjikë e gabuar.
Instinkti ka filluar që nga fillimi i jetës, që nga krijimi i Ademit a.s.. Në hadithin profetik, tregohet se kur Ademi a.s. hyri në Xhenet, u mërzitë, edhe përkundër se ai jetonte në Xhenet, ai ndjeu se diçka po i mungonte. Ai ndjeu nevojën për Havanë. Këto fjalë nuk janë fantazi, mirëpo janë fjalë nga hadithi i Pejgamberit a.s.: “Derisa ai ishte në gjumë, Allahu krijoi nga brinja e tij Havanë, dhe kur u zgjua ai e pa atë afër tij dhe i tha: Kush je ti? Unë jam grua – tha ajo. I tha si e ke emrin: Hava – iu përgjigj. E pyeti se përse je krijuar, ndërsa ajo iu përgjigj: “Që të gjesh prehje, qetësi tek unë”, d.m.th., ajo ishte shenja e qetësisë – rahatisë, e kurrsesi robëreshë apo mall i tij.
Nëse lexoni disa libra qiellor dhe jo qiellor te fetë e tjera, është e habitshme se tek ata, Havaja shihet me syrin e fajësisë – kërkoj falje për këto fjalë që po i shkruaj – por, ajo (gruaja) shihet sikurse nuk është nga lloji njerëzor, d.m.th., një rang më i ulët se burri. Ka nga ata që e konsiderojnë atë shkaktare të mëkatit të Ademit, të tillët mendojnë se ajo ishte shkaktare e zbritjes së Ademit në tokë dhe shkaktare se përse ai hëngri nga pema e ndaluar. Por, në realitet, Kurani nuk i thotë këto fjalë, përkundrazi, ai i vendos që të dy së bashku në një shkallë, në një nivel të përgjegjësisë: “U bëri vesvese atyre dyve shejtani.” (El Araf, 20).
Në ajet nuk thuhet se Iblisi “qeshi” me Havanë, apo se e ka mashtruar dhe kaq. Por ai u soll rreth tyre dhe u bëri lajka – vesvese atyre të dyve së bashku. Përgjegjësia është e përbashkët. Që të dy hëngrën nga pema dhe që të dy pastaj zbritën në tokë. Thuhet se Ademi vazhdoi ta kërkonte Havanë derisa u takuan në kodrën e Arafatit. Ademi ishte ai i cili qe lodhur shumë dhe vazhdoi ta kërkonte Havanë derisa arriti tek ajo.
Në fakt, në librat e mufesirëve (komentuesve të Kuranit), do të gjesh fjalë shumë të bukura. Çështja është të tregojmë nevojën e qetësisë dhe jo hamendësime të cilat i shohin disa.
Kurtubiu përmend se melaqet e pyetën Ademin a.s.: “A e do Havanë?” “Po!” – tha. I thanë Havasë: “A e do Ademin?” “Jo!” – tha ajo, e në zemrën e saj kishte shumë më shumë dashuri se në zemrën e Ademit. Unë këtë po e tregoj dhe po e përmend që të shohim të gjithë se instinkti ka filluar qysh nga krijimi i Ademit dhe Havasë.
Për hadithin që flet se Havaja u krijua nga brinja e Ademit, dijetarët thonë: Përse u krijua nga brinja e tij derisa ai ishte në gjumë e jo i zgjuar? Kjo që Ademi mos ta ndiente dhimbjen e krijimit të Havasë. E kundërta e lindjes së një fëmije, kur gruaja është e zgjuar. Thonë se ndjenjat e Havasë janë më të forta se ndjenjat e Ademit. Ajo nuk gërditet (shqetësohet) nga procesi i lindjes dhe nuk u kushton vëmendje dhimbjeve të saj. Ademi nuk do të mund ta përballonte këtë proces.
Këtu po parashtrojmë ide dhe kuptime që ne të arrijmë te pikëpamja islame për gruan.
Nga këto ide është që Ademi është krijuar nga toka – dheu, e Havaja nga brinja, d.m.th. nga diçka e gjallë. Për këtë, e shohim se kur Ademi veproi në këtë dynja, qoftë si tregtar, prodhues, luftëtar apo bujk, ai u morr dhe punoi me materialin nga është krijuar, pra me elementet e tokës.
Ndërsa, Havaja, punoi, veproi dhe u morr me shpirtin, me njeriun. Ajo edukoi dhe u bë nënë, motër, grua, vajzë, kështu ajo punoi me diçka të gjallë, andaj edhe për këtë u quajt Hava, ngase është krijuar nga jeta. (Hava i thuhet ajrit, frymëmarrjes).
Sigurisht kjo është gruaja dhe se ky është roli i saj. Mes burrit dhe gruas ka raporte shumë të bukura dhe të vlefshme.
Çfarë mendoni sikur të ndiejmë edhe pak gjallëri me rrëfimin e dy të dashurve të mrekullueshëm, zotërinë tonë, Ibrahimin a.s. dhe gruan e tij, Sarën. Ai e donte shumë atë, jetoi me të 80 vjet, e ajo nuk lindte fëmijë, por ai për hir të dashurisë ndaj saj nuk donte të martohej assesi me tjetër grua. Kjo ishte deri në atë nivel, sa që ai nuk e martoi zonjën Haxhere (nënën e Ismailit), deri atëherë kur një gjë të tillë ia kërkoi Sara. Ai u detyrua që të martohej që të ketë pasardhës. A mund që dashuria të arrijë deri në atë nivel, ku për 80 vjet nuk dëshironte t’i lëndonte ndjenjat e gruas së tij. Pasi e martoi Haxheren dhe ajo e lindi Ismailin, Sara pati zili, dhe kjo është në natyrën e gruas. Ajo nuk donte të jetonte më me Haxheren në të njëjtin vend. Ibrahimi a.s. u pajtua dhe e mori Haxheren dhe birin e tij, Ismailin, dhe i largoi në një vend të largët, ndoshta vetëm për të kënaqur gruan e tij të dashur. Çfarë mendoni për këto marrëdhënie elegante të klasës së lartë?
Dashuria është e nevojshme dhe e bukur, por... cila është ajo dashuri?
Ta shohim tregimin e zotërisë sonë, Amër ibën Asit, kur erdhi te Pejgamberi a.s.. Muhamedi a.s. po kthehej si fitimtar nga ekspedita që quhej “Dhate Selasil”. Amër ibën Asi donte të kishte hise në zemrën e Pejgamberit a.s., andaj edhe i tha: “Kush është personi më i dashur te ti?” Ai, a.s. tha: “Aisheja”. (Kuptimi i hadithit transmetohet në Sunenin e Tirmidhiut.)
A të ka ndodhur ta pyesësh dikë, se kush është njeriu më i dashur tek ai, e të thotë: gruaja ime. Sfidoj që ta hapim një revistë dhe të lexojmë për ndonjë nga njerëzit që kanë marrë famë të madhe, që të thonë se njeriu që më së shumti e duan është gruaja. Por, Pejgamberi a.s. e tha këtë me thjeshtësi dhe ia përmendi edhe emrin e saj gjithashtu.
Ta shikojmë dashurinë e Omer ibën Hatabit ndaj gruas së tij. Një shok të Pejgamberit a.s. e mërziste shumë gruaja e tij. Ajo gjithmonë e pandërprerë e ngrite zërin dhe fliste me zë të lartë pranë tij. Nga bezdisja që kishte, ai shkoi të ankohej tek prijësi i besimtarëve, Omer ibën Hatabi r.a.. Kur u afrua të trokiste në derë, dëgjoi zërin e gruas së Omerit, e cila po fliste me zë më të lartë se Omeri dhe zëri i saj po dëgjohej në rrugë, u kthye i dëshpëruar. Kur deshi të largohej, Omeri r.a. e hapi derën, dhe i tha: “Sikur po doje të vije tek unë.” Ai tha: “Po, erdha të ankohem për ngritjen e zërit nga ana e gruas sime, por e pash që edhe ti qenke në hall sikurse unë.” Omeri r.a. i ktheu një përgjigje elegante, duke i thënë: “Ajo më ka duruar (duron), më lan rrobat e mia, ma shtron shtratin tim, mi edukon fëmijët e mi, e pastron shtëpinë time, e të gjitha këto i bën, e Allahu nuk e ka obliguar me këto. Ajo i bën këto nga vullneti i saj, dhe të gjitha këto i ka përballuar, e si mos ta duroj e ta përballojë unë ngritjen e zërit të saj.” Kjo është dashuria elegante.
T’i shohim metodat që gjenden sot në aktualitetin tonë. Lidhje miqësie, apo bashkëjetesë, siç e quajnë ata lidhjen mes djemve dhe vajzave. Cilat janë pasojat e kësaj lidhje dhe cilat janë problemet që dalin nga kjo? Ta shikojmë efektin e këtyre lidhjeve, pasi që vërtetuam se dashuria është bazë dhe se nuk ka ndonjë problem në lidhje me të. Dashuria ka pamje fisnike në fenë tonë. Të rinjtë flasin vetë dhe na rrëfejnë për realitetin e tyre. Djali dhe vajza mund të ndiejnë disa emocione, e pastaj kur e kuptojnë se kanë gabuar, përpiqen t’i përmirësojnë gabimet e tyre, mirëpo, për fat të keq, në formën e gabuar, duke bashkëjetuar.
Unë mendoj se kjo është për shkak se Zoti i Madhëruar i do robërit e Vet. Prandaj, Ai e ka krijuar dashurinë për ta. Por, ajo që dua t’iu them vajzave është se humbjet e tyre në këto marrëdhënie janë shumë të mëdha, e më e thjeshta prej tyre, është ajo që vajza ndien se është poshtëruar dhe konsumuar dhe se më nuk është ajo vajza e përkëdhelur dhe e çmuar në shtëpinë e familjes së saj. Ajo vepër e shëmtuar është gjëja e parë që ajo me partnerin e saj e bën, duke qenë larg familjes, sidomos babait. Atëherë ajo fillon ta gënjejë familjen e saj, fillon të ketë probleme në shtëpi. Ajo fillon ta ndiejë se ajo duhet ta drejtojë botën e saj, e vetme dhe pa mendimin e të tjerëve.
Në fakt, humbjet e vajzës nga ky lloj marrëdhëniesh aventureske, dua t’i përmbledh me disa fjalë të thjeshta. Kur i ndaloi Islami këto lidhje, shtrohet pyetja se a i ndaloi për shkak se ai dëshiron t’i kufizojë njerëzit, apo kjo gjë është në interes të të gjithëve? Mendohet se 95% e këtyre lidhjeve “aventureske” nuk mbarojnë me martesë. Pra, vajzës i thyhet zemra dhe është ajo që humb. Andaj, nëse djali ka dhimbje dhe vuan nga depresionet, atëherë lidhja mbaron. Por, si është gjendja me vajzën? A ka ndonjë gjë në Islam që thotë se kjo marrëdhënie është e ndaluar.
Nuk i lejohet femrës të ketë shok apo mik të dashur, sepse vajza dëmtohet dhe i lëndohet dinjiteti kur lidhja e saj dështon. Arsye tjetër e refuzimit të kësaj miqësie është shkatërrimi i familjeve pas martesës, për të cilën folëm pak më parë. Unë kam shumë vajza të afërta, për të cilat di se i kanë njohur shumë djem dhe e kundërta, djem që kanë njohur shumë vajza dhe që i gënjejnë prindërit e tyre. Kështu që, imagjinoni që të gjitha vajzat të jenë të tilla dhe që të mos martohet me asnjërin. Plaken dhe nuk arrijnë të martohen.
Natyrisht, djali për dy- tri vjet “qëndron i lumtur”, por mbetet gjithë jetën i pikëlluar. Po kështu edhe vajza. Zoti i Madhëruar thotë: “Dhe drejtësia nuk është që të vini në shtëpinë nga shpina e tyre, por drejtësia është ai që është i devotshëm, i cili hyn në shtëpi nga dyert e tyre dhe kini frikë Allahun që të gjeni shpëtim.” (El Bekare, 189).
Pra, një vajzë që gënjen familjen e saj, është një tradhtare ndaj babait dhe nënës së saj, përderisa ajo shoqërohet me një djalë të ri, pa dijeninë e tyre. Ky baba që mundohet dhe djersitet për ty, ti a ia kthen bamirësinë duke futur dikë prapa shtëpisë, apo thjesht duke e lajmëruar babin se ka shkuar me dikë pa lejen e tij vetëm përmes telefonit?
Një pyetje për vajzën, nëse babai yt dëgjon nga dikush tjetër se ti je duke folur me një djalë deri në orët e vona të mëngjesit, duke përdorur fjalë të ndaluara e të turpshme, çfarë do të ndodhte me ty? Padyshim se kjo për ty do të nënkuptonte një lloj shkatërrimi e kolapsi. Me siguri se nuk do të mund ta shikonit babanë tuaj në sy. Çfarë thua për faktin se Zoti i Madhëruar është Ai që ju sheh? E ke imagjinuar këtë? Ku është turpi ndaj Zotit të Madhëruar? Si ndihesh ti kur e di që Zoti të dëgjon kur i thua këto fjalë? E vërteta është se një femër humbet shumë nga turpi kur hyn në lidhje të tilla dhe kur e gjen veten duke bërë gjëra që nuk i ka imagjinuar se shkojnë me natyrën e pastër të saj.



Amër Halid
Përktheu nga arabishtja: Shpend Hulaj
Dituria Islame 386-387