Rrëfimi i Bajrush Rashitit, babait të dëshmorit Fadil Rashiti
I thash, shyqyr që paske pshtu bre djali jem, më tha, ah, më ke uru mirë, i thash pse bre djali jem. Tha pishman jam ba pse se kam meritu me u vra deri sot. Për Zotin, qito fjalë mi ka thanë në telefon”, kështu rrëfen bisedën, babai i dëshmorit dhe imamit, Fadil Rashitit për dashurinë dhe vendosmërinë që djali i tij të japë jetën për çlirimin e vendit.
I ulur këmbëkryq në odën e tij tradicionale, Bajrush Rashiti, po qëndron edhe sot i buzëqeshur. Ai, buzëqeshjen nga fytyra e tij nuk e largon për asnjë çast. Madje as kur flet për djalin e tij, Fadil Rashitin, që nuk jeton më në këtë botë. Me admirim të madh flet për djalin e tij të vogël, teksa kujton me saktësi çdo fjalë të djalit dhe imamit kur fliste për çlirimin e vendit.
Thuajse e gjitha jeta e tij dhe çdo gjë që kishte bërë, dëshmojnë dashurinë e tij të madhe që të luftojë për çlirimin e vendit, por edhe të vdes për të. Ai la gjithçka, familjen, xhaminë e mbushur me besimtarë ku ishte imam, studimet në Fakultetin e Studimeve Islame ku ishte absolvent dhe gjithçka tjetër për të dhënë jetën për liri.
Bajrush Rashiti nga Petrova e Shtimes, thotë se vendosmëria dhe trimëria e Fadilit për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ka bërë të fortë atë, por edhe familjarët e tij. Ai thotë se ndjehet krenar që djali i tij dha jetën për çlirimin e vendit, duke u bërë pjesë e luftës dhe se nuk është penduar asnjëherë që ai u bë një nga çlirimtarët e vendit.
“Kurrë s’jam kanë pishman, vallahi hale s’ka njeri që m’ka pa pikë të lotit tu qit për to edhe kam marrë pjesë në varrim të tina”, thotë Bajrushi, babai i imamit dëshmor.
Bajrushi, thotë se djali i tij ishte rritur në një frymë ku veç të tjerash kishe ndjekur edhe shoqërinë që kishin shtyrë atë të bëhej pjesë e luftës për çlirim. Ai tregon edhe ngjarjet prej të cilave e kuptonte se djali i tij do të jetë në vijë të parë të frontit për çlirimin e vendit.
“Njëherë më kujtohet, erdh një i afërm me ma ndreq rrymën, ke Fadili këtu, tha Fadil ta kam gjet një nuse për hoxhë, po edhe miqtë janë të mirë. Njëherë s’foli hiq, kur i tha prapë, ja nisi me kesh Fadili, edhe i tha: “këqyre çka po të them, e di që koha ka ardh, po besën po ua dha, viti 1998 pa luftë s’ka me na zanë, e atëherë kush të jetë, le të martohet.” Ata se harroj kurrë, më kujtohet mirë”, përmend ai si rast kur ka qenë i bindur se djali i tij do t’i bashkohej luftës së UÇK-së.
Një gjë të tillë ai e bënte edhe nga pozita e imamit në ligjëratat dhe hytbet e tij para besimtarëve në xhaminë e Petrovës, ku bënte thirrje që të luftohej për liri.
“Në xhami shpesh ju ka thanë, o besimtarë ai që s’vdes për atdhe nuk ka për çka tjetër, ky atdhe është shtëpia e vendi jonë. Bile dikush i thojke qysh ti hoxhë e me shku në luftë, ai thoshte që unë në shpi të askujt s’po shkoj, në shpi teme, në tokë tonë s’po na lajnë. Kjo tokë e jona u kanë gjithmonë, s’kemi ku me shku tjetër”, rrëfen babai i tij.
Bajrush Rashiti, kujton hytben lamtumirës të djalit të tij para se t’i bashkohej radhëve të UÇK-së, ku nga ajo hytbe ai u tregoi besimtarëve se më nuk do të ketë mundësi t’ua falte namazet.
“Në hytben e fundit e ka thanë mirë, tha se në xhami nuk vjen ma. Bile do pleq u preken shumë, se nuk u kanë kallaj në fillim me thanë po shkoj në UÇK, e dimë na krejt. Qatë ditë ju patë thanë se kish kësi zana UÇK jemi me ty, e ai ju tha. ‘Leni këto UÇK jemi me ty, po hajdi me mu, une ju çoj ku është vendi te UÇK-ja’. Prej asaj hytbe veç u kuptu edhe ma nja dy muaj se kam ditë as ku është”, rrëfen babai i tij.
Për dy muaj më radhë, Bajrushi nuk e kishte ditur se ku e ka djalin e tij të vogël, përveçse që i është bashkuar UÇK-së, por pa një përshëndetje me familjen. Ai ishte nisur në luftë menjëherë pas hytbes.
Megjithatë, dy muaj më pas, ai thotë se për herë të parë e vizitoi familjen, por kishte qëllim që të kërkonte falje që kishte shkuar pa lejen e babait. Sipas tij, një gjë të tillë nuk e kishte kërkuar nga frika se nuk do ta lejonte t’i bashkohej UÇK-së.
“Mas dy muaji e kishin ndrru pikën edhe ka ardh ka nejt pak. Hoxha tha nuk jam ardh fort me ju pa, po veç me ju kërku falje se edhe me Kuran thotë që duhet me u konsultu me prind kur të shkojsh në luftë, e nuk të kam pyet se jam frikësu që nuk po më len se mendjen e kam pas me të pyet. Tani i thash, ja udha e mbarë të qoftë, tash je i lirë, bon çka dush se hallallin e ki prej meje”, thotë ai.
Veç të tjerash ai thotë se kushtet për ushtarët e UÇK-së kanë qenë jashtëzakonisht të vështira dhe se janë munduar që t’i ndihmojnë luftëtarët që gjendeshin në malet e Kosovës.
“Qatë kohë ka qenë shumë keq puna e ushqimit se furra skish, kështu që u thamë grave të katunit, gatuni bukë sa të mundeni që mas darkës të vinë t’i marrin ushtarët se atje s’kanë qysh”, shton ai.
Fadili kishte ëndërruar që të fitojë
shkallën më të lartë që Krijuesi mund t’i japë një njeriu. Babai i tij rrëfen një bisedë nga pyetjet e shumta të një të afërmi që i kishte bërë Fadilit në cilësinë e imamit.
“Tash s’fundi më ka tregu burri i hallës së Fadilit, shpeshherë kur është kthy prej Medresesë është ndalë te halla në vizitë edhe e kish pyet ai, çka është ma e vlefshme për atë dynja që mundet njeriu me fitu në këtë dynja. Fadili i kish thanë: “Vallahin me vdek për atdhe, fitimi ma i madh është për mu, sen s’më intereson pasuria as asgjë tjetër”, citon babai të ketë thënë Fadili gjatë kësaj bisede.
Bajrush Rashiti, babai i Fadilit
Bajrushi tregon edhe një bisedë të shkurt telefonike me Fadilin gjatë kohës sa ai ishte pjesë e UÇK-së, ku veç të tjerash tregon dëshirën e Fadilit për të dhënë jetën për çlirimin e vendit.
“Kur u thy ofensiva e Jezercit, pas disa dite, se ka pas bombardime tri apo katër ditë pa ndërprerë, edhe më telefoni me telefon ajror a ku ta di unë. I thash shyqyr që paske pshtu bre djali jem, më tha, ah më ke uru mirë, i thash pse bre djali jem. Tha pishman jam ba pse se kam meritu me u vra deri sot. Për Zotin qit fjalë ma ka thanë në telefon.”
Ai tregon që Fadili ka insistuar në luftë edhe atëherë kur ka qenë gati e pamundur të luftohet për shkak të mungesës së armatimit.
“Kanë tregu masanej që edhe kur ka ardh komanda me u tërhjek prej Jezercit pas bombardimeve të shumta, shokët e Fadilit janë tërhjek, ai ka refuzu. Edhe thojshin që i kemi bërë be, disa herë që të tërhjeket prej atij vendi edhe dikur i kish thanë: “Mos um përbeni, se ik prej Petrove, ik prej Jezercit për çka jemi dal na.” Në ato momente tregojnë që Fadili veç dy bume edhe pesë fishekë i kish pas, se tri ditë pa nal hiç luftimet.”
Ai thotë se tre muaj para se të binte dëshmor kishte parë për herë të fundit djalin e tij. Teksa thotë se me shumë vështirësi dhe peripeci mori pjesë në varrimin e tij.
“Na u kallum këtu krejt edhe u dasht me u shpërngul në Ferizaj, veç ma nuk e kam pa kurrë djalin. Dikun ma shumë se tre muaj, edhe në televizor veç kallëzojshin, po na për to nuk e kemi ditë që ka vdek. Tani të nesërmen veç na kanë tregu që djali ka ra shehid. Kur ka shku e kam prit që ka me ra shehid se lufta është luftë, veç kurrë ma s’um ka shku mendja që me thanë pse u vra i jemi. Dikush duhet me u vra në luftë, egjelia vrahet, ymerlia jeton.”
Ai thotë se për çdo ditë të jetës së tij, ndihet krenar me djalin e tij dhe se asnjëherë nuk është penduar që i dha leje djalit të tij që të japë jetën për çlirimin e vendit.
“Unë sot ndihna shumë mirë që jam baba i Fadil Rashitit, po nuk kam qejf me më dhanë privilegje apo lavde, për shkak se me dëshirë të vetën është shku, e ka marr kjo tokë. Kur e merr pushkën në luftë, nuk e di askush se a shpëton apo jo.”
“Kurrë s’jam kanë pishman, vallahin hale s’ka njeri që m’ka pa pikë të lotit tu qit për to, edhe kam marrë pjesë në varrim të tina, unë e di qysh me 100 të zeza kam shku, mirëpo kam shku në varrim të tij”, thotë ai.
Kush ishte Fadil Rashiti
Fadil ef. Rashiti ishte imam në xhaminë e fshatit Petrovë të komunës së Shtimes dhe njëkohësisht absolvent në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë. Ai lindi më 9 janar 1975 në fshatin Petrovë, ndërsa arsimimin e filloi në shkollën fillore “Bajram Curri” në vendlindje, duke vazhduar më pas shkollimin në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë.
Më pas, Fadil Rashiti, vijoi mësimet në Fakultetin e Studimeve Islame (FSI) në Prishtinë në vitin 1998. Ai ka punuar imam i xhamisë në Petrovë gjatë viteve 1993-1998.
Në mars të vitit 1998, duke parë situatën e rënduar në të gjithë Kosovën, ai vendosi t’i bashkohej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka qenë ushtar aktiv në Krojmir të Lipjanit në Brigadën “Ahmet Kaçiku”. Pas një kohë qëndrimi në pikën e Krojmirit, ai do të kalonte në fshatin Rrancë të komunës së Shtimes, për të formuar një pikë të re të Zonës Operative të Nerodimes. Kontributi i tij në këtë pikë ishte i pakontestueshëm. I veshur me uniformë të UÇK-së, Fadil ef. Rashiti, namazin e xhumasë së parë e fali në shtabin e kësaj pike në Rrancë. Fadili Rashiti ka qenë pjesëmarrës në shumë beteja në grykën e Carralevës.
Forcat serbe, të trishtuara nga veprimet e ushtarëve çlirimtarë në këto anë, sidomos nga fundi i shtatorit 1998, kishin marrë ofensivë për të depërtuar në zonat malore, ku ishin të përqendruara forcat e UÇK-së, veçanërisht në fshatin Jezercë të Ferizajt. Kjo ofensive, Fadilin me shumë shokë, Emrush ef. Sumën, Basri ef. Topallin, Kadri Ademajn etj., do t’i gjente të sistemuar nëpër istikame në kuadër të brigadës “Ahmet Kaçiku”.
Pas kësaj beteje, Fadili me disa shokë, shkuan në Shqipëri për t’u furnizuar me armë. Mirëpo, me datën 14 dhjetor 1998, duke u kthyer me armatim nga Shqipëria, në kufirin artificial Kosovë-Shqipëri, në Gorozhup, Fadili ra shehid, së bashku me komandantin Mujë Krasniqin – Kapuçin dhe me bashkëluftëtarë të tjerë.
Fadil efendiu është varrosur në Marinë të Skenderajt, ku është ngritur lapidari i përbashkët për të rënët në Gorozhup.
Realizoi: M.Sc. Agron Canolli
Dituria Islame 386-387