Komentimi i kaptinës Muhamed – (IX)

Lartësimi i Fjalës së Allahut është rruga e shpëtimit



35. Mos u ligështoni e të kërkoni armëpushim, kur ju jeni më të fortët dhe Allahu është me ju! Ai nuk do t’jua pakësojë kurrë (shpërblimin për) veprat tuaja.
36. Vërtet, jeta e kësaj bote është veç lojë e dëfrim. Nëse besoni dhe druheni, Ai (Allahu) do t’ju shpërblejë dhe nuk do të kërkojë prej jush (krejt) pasurinë tuaj.
37. Se sikur t’ua kishte kërkuar (të tërën) e t’ju shtrëngonte, ju do të tregoheshit koprracë dhe, Ai do t’ua nxirrte në shesh urrejtjen tuaj. 38. Ja, ju jeni ata që thirreni të shpenzoni në rrugën e Allahut, por disa prej jush tregohen koprracë. Kush tregohet koprrac, ia bën vetes, sepse Allahu është i Pasuri, ndërsa ju jeni të varfrit. E, nëse ia ktheni shpinën, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, që nuk do të jetë si ju.” – (Muhamed, 35-38).

Lidhja e këtyre ajeteve me ata paraprakë

Në ajetet paraprake, sërish ishim dëshmitarët të përshkrimit të të dyja grupeve, besimtarëve dhe mohuesve. Ashtu siç është thënë edhe në fillim të komentimit, në këtë sure do të hasim shumë herë tek përmenden jobesimtarët, sepse edhe vetë koha e zbritjes së kësaj sureje, ka ndodhur pikërisht në kohën kur lufta mes besimit dhe kufrit, ishte ashpërsuar deri në maksimum. Dhe nuk është e rastësishme, që edhe pjesa e fundit që e përmbyll këtë sure të bekuar, të flasë sërish për këtë betejë në mes “dritës” dhe “errësirës” e cila betejë do të vazhdojë gjithmonë, mbase deri në Ditën e Gjykimit. Në këto ajete të fundit të kësaj sureje, besimtarët porositen që të jenë të qëndrueshëm në rrugën e Allahut e të mos ligështohen. Porositen të shpenzojnë e të japin në rrugën e Allahut, e nga pasuria e tyre ta ndajnë edhe zekatin, për të varfrit. Nëse nuk e bëjnë këtë, Allahu do t’i zëvendësojë ata me një popull tjetër që do të luftojnë e do të qëndrojnë të patrembur në rrugën e Tij.

Koment:

35. Mos u ligështoni e të kërkoni armëpushim, kur ju jeni më të fortët dhe Allahu është me ju! Ai nuk do t’jua pakësojë kurrë (shpërblimin për) veprat tuaja.
Ata që ngritën lart flamurin e Njëshmërisë, duke çarë pengesat e shumta në lartësimin e Fjalës së Zotit, vijnë sërish në fokusin e këtyre ajeteve fisnike. Nëpërmjet këtij ajeti, Allahu i Madhërishëm i këshillon besimtarët, që frytin e besimit të tyre të pastër, ta ruajnë me kujdes dhe atë farë të besimit ta mbjellin te çdo gjeneratë pasuese, duke qenë shembuj të sakrificës dhe qëndrueshmërisë në rrugën e vërtetë. Besimtarët porositen që kur të jenë në luftë me mohuesit dhe armiqtë e tyre, të mos ligështohen, dhe në asnjë mënyrë të mos kërkojnë armëpushim, kur ata janë në epërsi dhe më të fortë në luftë. Vetëm në rast se armiku kërkon armëpushim, pa ndonjë hile a dinakëri, atëherë myslimanët mund ta pranojnë atë ofertë të tyre, gjithnjë duke ruajtur interesat e tyre strategjike, sepse një gjë të tillë nuk e ka ndaluar as Allahu xh.sh., kur në Kuran thotë: “Nëse ata shfaqin prirje për paqe, atëherë edhe ti ano nga ajo dhe mbështetu tek Allahu, sepse, vërtet, Ai dëgjon dhe di gjithçka” – (El-Enfal, 61). Një rast të tillë e kemi, kur
kurejshët i patën ofruar paqe dhe armëpushim dhjetëvjeçar Pejgamberit a.s., në atë që njihet si Marrëveshja apo Paqja e Hudejbijes.(1)
Në kohën e zbritjes së kësaj sureje(2), myslimanët ende nuk ishin të konsoliduar as si shtet e as si ushtri, por mesazhi i këtij ajeti është tejet largpamës, dhe i drejtohet çdo gjenerate të myslimanëve nëpër shekuj. Kjo është madhështia e shpirti të atyre që janë brumosur me dashurinë e pafund ndaj Krijuesit të tyre. Kjo është ajo ndjenja e zjarrtë për fitimin e kënaqësisë së Allahut që i ka shtyrë përpara gjeneratat e myslimanëve që ta shpërndajnë fenë e Allahut në të katër anët e botës, pavarësisht rrethanave në të cilat janë gjendur. Islami, pati sukses pikërisht aty ku dështuan të tjerët, sepse është fe që nuk thërret në supremacion të një kaste të caktuar ndaj të tjerëve, por të gjithë pjesëtarët e vet i konsideron të barabartë para Zotit, pavarësisht pozitës që mbajnë në shoqëri.(3) Për këtë arsye, ky shkëlqim i Islamit do të vazhdojë, sepse ky është edhe premtim nga ana e Zotit Fuqiplotë, kur thotë: “Allahu, atyre prej jush që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, u ka premtuar se do t’i bëjë mëkëmbës (sundues) në Tokë, ashtu siç i pati bërë mëkëmbës (sundues) ata (besimtarë) që ishin para tyre. Ai do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën është i kënaqur dhe frikën do t’ua shndërrojë në siguri...” – (En-Nur, 55).
Megjithatë, po kthehemi edhe njëherë te pjesa e ajetit “mos u ligështoni...” , sepse kuptimi i tij është madhështor, për shkak të porosisë që bart në vete. Fjala “la tehinu - mos u ligështoni” e ka burimin prej fjalës “el-vehn” që nënkupton dobësinë, pamundësinë apo pa aftësinë për të bërë diçka, e në kontekst të këtij ajeti vjen me kuptimin që njeriu nuk bën t’i dorëzohet ndjenjës së frikës, sepse ajo dalëngadalë arrin të ndikojë në receptorët e ndjenjave tona, dhe na pamundëson të arrijmë qëllimet e larta.(4) Ndërkohë, Allahu na urdhëron që para se të përballemi me armikun, të përgatitemi mirë për luftë, e kur të fillojë lufta, atëherë mos të ligështohemi, por të qëndrojmë të fortë, stoik e të pathyeshëm, sepse lufta bart me vete dy fitore: ose ngadhënjim në fushëbetejë ose ngadhënjim me rënien shehid-dëshmor në rrugën e Allahut. Në lidhje me këtë parapërgatitje luftarake, i Madhërishmi po ashtu na thotë: “Përgatituni kundër tyre me sa fuqi që keni, përfshirë edhe kuajt e luftës, që të tmerroni armikun e Allahut dhe armikun tuaj, si dhe të tjerët përveç tyre, të cilët ju nuk i njihni, por që Allahu i njeh...” - (El-Enfal, 60).
Kurse pjesa tjetër e ajetit: “kur ju jeni më të fortët dhe Allahu është me ju!”, bart me vete dy kuptime. I pari, që kuptohet nga kuptimi i jashtëm i ajetit, nënkupton që gjatë betejave, kur ju jeni duke fituar dhe jeni më të fortë se armiku, mos u tregoni të ndjeshëm ndaj tyre e të kërkoni paqe dhe armëpushim, që pastaj mund t’ua dobësojë moralin, vrullin dhe elanin luftarak, por vazhdoni përpara deri në ngadhënjim përfundimtar, sepse Allahu është gjithmonë në krah të besimtarëve, duke iu ndihmuar atyre, sa kohë që ata janë në rrugën e drejtë.(5)
Kuptimi tjetër i ajetit në mënyrë të tërthortë nënkupton se ju o besimtarë të sinqertë që jeni të nënshtruar ndaj Krijuesit me devotshmëri, do të jeni gjithmonë më të fortët dhe më të lartët. Kjo ngase ju jeni të lidhur me besim të paluhatshëm në Zotin e gjithësisë, ju keni synime të larta e madhore dhe mbi të gjitha, epiteti “besimtarë” që e bartni në zemra, tregon për epërsinë dhe supremacionin që keni në raport me mohuesit e Njëshmërisë. Ju shpresoni nga Allahu ngadhënjim dhe shpërblim, të cilën gjë mohuesit as e shpresojnë e as e kërkojnë.(6)
Kurse pjesa vijuese e këtij ajeti “dhe Allahu është me ju!”, bart me vete përgëzimin dhe premtimin e madh nga ana e Allahut të Madhërishëm për besimtarët, sepse Ai ka thënë: “Është detyra Jonë t’i ndihmojmë besimtarët.” - (Er-Rrum, 47).
Kjo do të thotë se kur Allahu është i kënaqur ndaj jush, Ai do të jetë gjithmonë në përkrahjen tuaj, dhe nuk do të jeni kurrë të vetmuar, por vazhdimisht do ta ndjeni një forcë të padukshme që iu rri pas e ju fuqizon, sa herë që luftoni në rrugën e Allahut dhe e lartësoni Fjalën e Tij.(7)
Ajeti përfundon me fjalët: “Ai nuk do t’jua pakësojë kurrë (shpërblimin për) veprat tuaja.”, që nënkupton se i Lartmadhërishmi nuk do t’ua pakësojë shpërblimin për veprat tuaja të mira, sepse Ai nuk i bën padrejtësi askujt. Drejtësia e Tij është unike, e paparë dhe e papërsëritshme. Ai është i Drejti dhe i Mëshirshmi ndaj robërve të Vet, madje në Ahiret, mëshira e Tij, do të jetë e pakufishme për besimtarët e Njëshmërisë.

36. Vërtet, jeta e kësaj bote është veç lojë e dëfrim. Nëse besoni dhe druheni, Ai (Allahu) do t’ju shpërblejë dhe nuk do të kërkojë prej jush (krejt) pasurinë tuaj.
Në raport me jetën e përhershme të Ahiretit, jeta e kësaj bote vërtet është lojë, sepse është e shkurtër dhe nuk ia vlen ta sakrifikojmë Ahiretin, për hir të kënaqësive të përkohshme të kësaj bote.(8) Mbase për këtë arsye, Allahu xh.sh. sikur dëshiron të na e tërheq vëmendjen që të mos mashtrohemi nga joshja e kësaj bote kalimtare, e cila përveç që është një lojë e dëfrim, është po ashtu edhe garë e mburrje me pasuri e fëmijë ashtu siç ka ardhur në një vend tjetër në Kuran: “Dijeni se jeta e kësaj bote, nuk është tjetër veçse lojë, dëfrim e zbukurim, mburrje mes jush dhe përpjekje për shtim të pasurisë e të fëmijëve!” – (El-Hadid, 20)
Në lidhje me kënaqësitë e përkohshme të kësaj bote, i Madhërishmi po ashtu thotë: “Çdo gjë që ju është dhënë, është veçse kënaqësi e jetës së kësaj bote dhe stoli e saj, kurse ajo që është tek Allahu, është më e mirë dhe e përhershme. Vallë, a nuk mendoni?! A mund të jenë njëlloj ai, të cilit i kemi premtuar shpërblim të mirë dhe që do ta marrë, dhe ai, të cilit i kemi dhënë kënaqësi në jetën e kësaj bote, por që në Ditën e Kiametit, do të jetë prej atyre që do të hidhen në zjarr?!” – (El-Kasas, 60-61).
Pra, çdo veprim në këtë botë që del nga sfera e seriozitetit dhe e përpjekjeve për ta arritur kënaqësinë e të Madhit Zot, vërtet i ngjan një loje dhe një papjekurie, prandaj të tillët që mashtrohen nga lakmitë e përkohshme të kësaj bote, nuk do të kenë hise në shpërblimet e amshueshme të Ahiretit.
Nëpërmjet këtij pasusi të parë të ajetit, Allahu xh.sh. dëshiron t’i nxisë besimtarët që të vazhdojnë përpjekjet e tyre në rrugën e Allahut, dhe lartësimin e Fjalës së Tij, e të mos joshen a mashtrohen nga ndonjë e mirë e kësaj bote siç janë pasuria, fëmijët etj. Vetëm ata që e ruajnë dëlirësinë e tyre shpirtërore, do të jenë fitimtarët e vërtetë, sepse edhe pjesa e dytë e ajetit e konfirmon pikërisht një gjë të tillë: “Nëse besoni dhe druheni, Ai (Allahu) do t’ju shpërblejë dhe nuk do të kërkojë prej jush (krejt) pasurinë tuaj.”
Pra, devotshmëria dhe ndrojtja ndaj Allahut, janë rruga e shpëtimit, sepse Allahu do t’i shpërblejë vepërmirët nga besimtarët e Njëshmërisë, duke mos ua humbur shpërblimin për veprat e bëra.
Në lidhje me këtë, Ai në Kuran thotë: “O ju që keni besuar! Kijeni frikë Allahun dhe besoni të Dërguarin e Tij, se Ai do t’ju japë dyfish nga mëshira e Tij, ju dhuron dritë që të ecni me të, dhe ju fal gjynahet. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” – (El-Hadid, 28).
Përveç kësaj, Ai nga ta kërkon që të japin një pjesë të caktuar të pasurisë, e cila është pothuajse simbolike, në mënyrë që vëllezërit e tyre të varfër nga besimtarët, të kenë mundësinë e një jetese më të dinjitetshme. Në pyetje është zekati në pasuri, i cili është bërë obligim nga i Madhi Zot, për të gjithë ata besimtarë, pasuria e të cilëve e arrin nisabin- sasinë e kërkuar që obligon dhënien e tij.

37. Se sikur t’ua kishte kërkuar (të tërën) e t’ju shtrëngonte, ju do të tregoheshit koprracë dhe, Ai do t’ua nxirrte në shesh urrejtjen tuaj.
Nëpërmjet këtij ajeti, vërehet qartë tendenca e njeriut për lakmi ndaj të mirave të kësaj bote duke grumbulluar pasuri. Allahu xh.sh. duke e njohur mirë shpirtin lakmitar të njeriut, thotë se sikur t’ua kishte kërkuar krejt pasurinë, duke insistuar dhe duke ju shtrënguar që detyrimisht ta jepnit atë, gjithsesi kjo do ta shpërfaqte anën tjetër të shpirtit të njeriut, lakminë dhe dashurinë ndaj kësaj bote. Madje, një gjë e tillë, atyre që janë të dobët në besim, do t’ua shpërfaqte ligësitë dhe urrejtjet e tyre që i mbajnë të fshehura në zemra.(9) Kjo është mbase edhe arsyeja, që Allahu, dëshiron t’i sprovojë zemrat e robërve të Tij të sinqertë, e në këtë sprovë vihen njësoj si të varfrit ashtu edhe të pasurit. Nëse të varfrit, janë të durueshëm dhe i mbështeten Zotit, do të jenë fitimtarët më të mëdhenj, e nëse të pasurit, nuk japin zekatin në dobi të vëllezërve të tyre të varfër myslimanë, atëherë konsiderohen mëkatarë dhe pa dyshim do të sprovohen me gjëra të cilat ua dobësojnë edhe më imanin. Dihet se dashuria ndaj pasurisë e vdes zemrën, por prej kësaj sprove, ata mund të shpëtojnë vetëm nëse e konsiderojnë pasurinë e tyre si një dhuratë nga Zoti, dhe ia dinë vlerën, duke e shpenzuar atë në rrugën e Allahut, e cila është një fushë e pakufishme për mirësi.

38. Ja, ju jeni ata që thirreni të jepni (shpenzoni) në rrugën e Allahut, por disa prej jush tregohen koprracë. Kush tregohet koprrac, ia bën vetes, sepse Allahu është i Pasuri, ndërsa ju jeni të varfrit. E, nëse ia ktheni shpinën, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, që nuk do të jetë si ju.”
Kjo sure e bekuar, përfundon me këtë këshillë madhore nga i Lartmadhërishmi, drejtuar besimtarëve të sinqertë. Ajeti në fjalë u flet në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë atyre që e stolisën veten me kurorën e besimit, që të jenë të kujdesshëm, që kur ftohen nga Allahu të japin e të shpenzojnë në rrugën e Allahut, të mos tregohen koprracë e dorështrënguar, sepse kjo veti është veti e shëmtuar dhe mbi të gjitha djallëzore. Fundja, nëse ne tregohemi koprracë, nuk i bëjmë dëm Allahut aspak, por e dëmtojmë vetveten, sepse Allahu është i Pasuri dhe nuk ka nevojë për asgjë nga krijesat, kurse ne jemi të varfrit dhe nevojtarët për mëshirën dhe bekimet e Tij.
Besimtari duhet ta kuptojë, se kjo pasuri që i është dhënë në këtë dynja, është amanet dhe si të tillë duhet të trajtojmë me shumë kujdes. Sa e sa të pasur nëpër shekuj kanë rënë pre e lakmive dhe tundimeve të kësaj bote. Ta marrim si shembull vetëm Karunin, një pjesëtar i Beni Israilëve që jetoi në kohën e Musait a.s.. Meqë ai u mburr dhe u krenua se këtë pasuri e kishte fituar vetë duke u pozicionuar në krah të faraonit dhe kundër Musait a.s., atëherë si dënim për këtë mendjemadhësi të tij, Allahu i Madhërishëm e fundosi në tokë me tërë pasurinë e tij që kishte në posedim: “Dhe Ne e fundosëm atë (Karunin) dhe pallatin e tij në tokë dhe askush nuk arriti që ta mbronte nga dënimi i Allahut, madje as ai vetë nuk mund ta mbronte veten” - (El-Kasas, 81).
Njerëzit e mençur nga kjo histori marrin mësim se pasuria e madhe e Karunit, nuk paraqet asgjë në peshojën e Allahut, sepse Allahu nuk e vlerëson arin, thesarin, margaritarët dhe bagëtinë, nëse shpirti i njeriut është i errët nga brenda.(10)
Çdo besimtar i pasur, nëse tregohet arrogant dhe dorështrënguar në ato detyrime që ia ka caktuar Allahu xh. sh., siç janë zekati, sadekatul fitri dhe bamirësia ndaj të varfërve, duhet të dijë se jeta jonë në këtë botë nuk është e përjetshme, por është kalimtare dhe shkon sa qel e mbyll sytë. Lakmia e pakufishme për pasuri, ruana Zot, edhe mund t’i largojë njerëzit krejtësisht nga besimi, dhe atëherë, të tillë vërtet do ta meritojnë hidhërimin e Allahut, dhe i Plotfuqishmi do t’i zëvendësojë këta me popuj të tjerë, të cilët nuk do të jenë koprracë, por do të flijohen në rrugën e Allahut me jetën dhe pasurinë e tyre. Mbase nëpërmjet këtij ajeti, jepet një shenjë, se Islami do të përhapet ndër popuj të ndryshëm të botës, që nuk janë arabë, ashtu siç edhe ka ndodhur, e të cilët janë edhe numerikisht shumë më tepër se arabët. Ky është mendimi i Hasan el Basriut.(11)
Në anën tjetër, ky ajet njëkohësisht është kërcënimi më i madh hyjnor, drejtuar një grupi të caktuar besimtarësh, të cilëve Allahu ua mundësoi të kenë pasuri në këtë botë, por nëse ata bëhen koprracë dhe nuk japin në rrugën e Zotit, atëherë Ai mund t’i zhdukë përnjëherë nga faqja e dheut dhe në vend të tyre të sjellë njerëz, zemrat e të cilëve pulsojnë me dashuri të papërshkrueshme ndaj të Gjithëmëshirshmit, dhe janë në gjendje të flijohen në tërësi, vetëm e vetëm që ta arrijnë kënaqësinë e Krijuesit të tyre dhe Xhenetin e amshueshëm.

Porosia e ajeteve (35-38)

- Myslimanët në asnjë mënyrë nuk bën të ligështohen e të kërkojnë armëpushim, kur në fushëbetejë janë në epërsi dhe kur e dinë se Allahu është me ta dhe është i kënaqur ndaj tyre. Ai, asnjërit nuk ia pakëson shpërblimin për veprat e tyre të mira.
- Jeta e kësaj bote, krahasuar me jetën e Ahiretit, është shumë e shkurtër, dhe po të vështrohet me kujdes, vërtet i ngjan një loje apo dëfrimi të përkohshëm. Njeriu më i lumtur do të jetë ai që nuk tundohet nga të mirat e kësaj bote, por bën sabër ndaj sprovave që e godasin, dhe si shpërblim do t’i ketë kënaqësitë e përjetshme të Ahiretit.
- Allahu na këshillon të mos bëhemi koprracë e as dorështrënguar, kur është në pyetje dhënia e pasurisë në rrugën e Allahut. Ai na porosit që të ndajmë një pjesë të pasurisë sonë - zekatin, në dobi të të varfërve nga mesi i myslimanëve.
- Besimtarët duhet të kenë kujdes që të mos bien në grackat e shejtanit e të bëhen egoistë, duke u mbyllur në gëzhojën e lakmisë për pasuri, sepse Allahu mund t’i zëvendësojë ata me të tjerë, të cilët janë të gatshëm të flijojnë jo vetëm pasurinë, por edhe jetën në kërkim të kënaqësisë së Allahut.

_________________________
1. Shih më gjerësisht: Muhamed el Gazali, Fikhu-s-Sireti, Kajro, 1965, ff. 348-367; Dr. Ahmed es-Sejid el Kumi, Tefsir sureti-l Fet’h, Kajro 1976, f. 24.
2. Surja Muhamed. (Sqarim yni S.B.).
3. Te’emmulat fi sureti Muhamed, f. 275.
4. Et-Tahriru ve-t-tenviru, vëll. XXVI, f. 130.
5. Havatiri havle-l Kurani-l Kerim, Kajro, 1991, f. 14355.
6. Et-Tes’hil li te’vili-t-tenzil, Tefsir xhuz’u Ahkaf fi sualin ve xhevabin, f.
7. Fi Dhilali-l Kuran, vëll. XXVI, f. 3302.
8. Fajza Muhamed Seid, Suretu Muhamed s.a.v.s. vel kadaja el-leti tualixhuha, Mekë, 1403, f. 80.
9. Ahmed ibn Muhamed ibn Axhibeh, El-Bahru-l medid fi tefsiri-l Kurani-l Mexhid, Kajro, 2000, vëll. V, f. 379.
10. Ahmed Behxhet, Të Dërguarit e Allahut, Prishtinë, 2009, f. 333.
11. Imam Eth-Tha’lebi, El-Keshfu ve-l Bejan, Bejrut, 2002, vëll. IX, f. 39.



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme