“Kur të çahet qielli, duke iu bindur urdhrit të Zotit të vet, ashtu siç i takon, dhe kur toka të jetë sheshuar (nga rrënimi i kodrave) në gjerësinë e saj, e të nxjerr çka ka brenda dhe të zbrazet, duke iu bindur Zotit të vet, ashtu siç i takon. (Atëherë) ti o njeri, që përpiqesh shumë, mundin tënd do ta gjesh te Zoti yt. Ai, të cilit do t’i jepet libri i tij nga e djathta, do të llogaritet me një llogari të lehtë, dhe do të kthehet i gëzuar te të afërmit e tij. Kurse ai, të cilit do t’i jepet libri i tij pas shpinës, ai do t’i ndjellë vetes shkatërrim, dhe në skëterrë do të digjet. Ai ka qenë i gëzuar në familjen e vet, dhe ka menduar se nuk ka për t’u kthyer (te Zoti për të dhënë llogari). Po, Zoti i tij, sigurisht që gjithnjë e ka parë (përcjellë) atë. Betohem në kuqërrimin e horizontit pas perëndimit, dhe në natën dhe çka ajo tubon, dhe në hënën kur ajo bëhet e plotë. Ju me siguri do të përjetoni gjendje pas gjendjeje (vështirësi pas vështirësie). E, çka kanë ata që nuk besojnë? Dhe kur u lexohet atyre Kurani, nuk përulen (nuk bien në sexhde)? Përkundrazi, ata që nuk besuan edhe përgënjeshtrojnë? Por Allahu e di më së miri se çka fshehin ata! (Prandaj) Lajmëroji ata me një dënim të dhembshëm. Përveç atyre që besuan e bënë vepra të mira, ata do të kenë shpërblim të pandërprerë!” - (El-Inshikak, 1-25)
***
Kaptina “El-Inshikak” është kaptinë mekase, e zbritur pas sures “El-Infitar” dhe para sures “Er-Rrum”. Transmeton Ibn Merdevejhi nga Ibn Abasi se kjo kaptinë, “El-Inshikak”, ka zbritur në Mekë. Të njëjtin transmetim Ibn Merdevejhi e përcjell edhe nga Ibn Zubejri.(1)
Ka gjithsej 25 ajete, 107 fjalë e 433 shkronja.(2) Në radhitjen e Mus’hafit mban numrin 84, kurse në radhitjen e zbritjes është e 83-ta.(3)
Emërtimi i kësaj kaptine
1. Kjo kaptinë, në mesin e dijetarëve njihet me më shumë se një emër. Emri më i njohur i saj, me të cilin është e radhitur nëpër Mushafe dhe nëpër librat e Tefsirit, është “El- Inshikak”. Arsyeja e këtij emërtimi gjendet në ajetin e parë të saj, ku përmendet çarja e qiellit: “Kur të çahet qielli”, si një prej shenjave të mëdha dhe të fundit të kataklizmës, e cila do ta godasë këtë ekzistencë.
2. Emërtimi i dytë i kësaj sureje është: “Idhe-s-semau-n- shekkat”, bazuar po ashtu në ajetin e parë, të kësaj sureje: “Kur të çahet qielli”. Zaten, ky emërtim është përmendur edhe në hadithin e Resulullahut s.a.v.s. i cili thotë: “Kush dëshiron të shohë me sytë e tij realitetin e Ditës së Kiametit, le të lexojë kaptinat: “Idhe-sh-shemsu kuvviret”, “Idhe-s-semau-n-fetaret” dhe “Idhe-s-semau-n-shekkat”.(4)
Ekzistojnë edhe dy-tri transmetime të tjera në lidhje me këtë emërtim që nga koha e të Dërguarit të Allahut, por për to më gjerësisht do të flasim te “Vlera e sures”.
Me këtë emërtim e kanë radhitur San’ani, Buhariu, Taberiu, Tirmidhiu, Fejruzabadi etj.(5)
3. Emërtimi i tretë i kësaj sureje është “Suretu-n-shekkat”. Me këtë emërtim e kanë quajtur Sehaviu, Fejruzabadi, Alusi, Zemahsheriu, e të tjerë, duke u bazuar po ashtu në ajetin e parë të kësaj sureje: “Kur të çahet qielli”.(6)
4. Emërtimi i katërt i kësaj sureje është “Ked’h”. Ibn Ashuri e ka cekur këtë emërtim nga Xha’beriu, duke konstatuar se këtë emërtim e ka përdorur simbolikisht, pasi që i është përputhur në rimën e vargjeve të tij, mendim që siç duket është më i pranuari dhe më i arsyeshmi.(7)
Vlera e kësaj kaptine
- Surja “El-Inshikak” bën pjesë në grupin e sureve “El-Mu-fassal”, me të cilat Resulullahi s.a.v.s. është nderuar ndaj të dërguarve të tjerë. Në lidhje me këtë, transmetohet nga Vathilete ibnul Eska’ë el-Lejthi, të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: “Më është dhënë në vend të Tevratit, shtatëshja (suret nga ‘El-Bekare’ e deri te ‘El-En- fal’ ose ‘Et-Tevbe’); më janë dhënë në vend të Zeburit, “El-Mi’ine” - njëqindëshet, (suret që kanë mbi 100 ajete); më janë dhënë në vend të Inxhilit, “El-Methani” - (suret që kanë më pak se 100 ajete), ndërsa jam mbinderuar (ndaj të dërguarve të tjerë) me suret “El-Mufassal” (nga surja ‘Kaf’, e është thënë nga ‘El-Huxhurat’ e deri tek ‘En- Nas’).”(8)
- Transmetojnë Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Nesaiu, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe nga Ebi Rafi’ë të ketë thënë: “E fala jacinë me Ebu Hurejren dhe gjatë namazit lexoi (Idhe-s-se-mau-n-shekkat) dhe bëri sexhde. Pas namazit e pyeta pse veprove kështu, e ai ma ktheu: “Kam bërë sexhde pas Ebul Kasimit (Resulullahit s.a.v.s.), prandaj do të vazhdoj të bëjë sexhde (gjatë leximit të saj) derisa ta takojë atë.”(9)
Nesaiu nga Ebu Hurejra e ka edhe këtë shtesë: “Kemi bërë sexhde me Resulullahin s.a.v.s. në: (Idhe-s-semau-n-shek- kat) dhe (Ikre bismi rabbike-l-ledhi halek).”(10)
- Transmetohet nga Ebi Selemete bin Abdurrahman se Ebu Hurejra r.a. ua kishte lexuar atyre në një namaz (Idhe-s-se- mau-n-shekkat) dhe kishte bërë sexhde, dhe pasi e kishte përfunduar namazin, i kishte njoftuar se edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte bërë sexhde të tillë.”(11)
- Transmetojnë Ibn Huzejme në Musnedin e tij si dhe Dija’ul Makdesij në “El-Muhtare” nga El-Beridete të ketë thënë:
“I Dërguari i Allahut gjatë namazit të drekës e lexonte suren “El-Inshikak” dhe të ngjashme”.(12)
- Transmetojnë Imam Ahmedi, Tirmidhiu dhe Hakimi nga Ibn Umeri të ketë thënë: Ka thënë Resulullahi s.a.v.s.: “Kush dëshiron të shohë me sytë e tij realitetin e Ditës së Kiametit, le t’i lexojë kaptinat: “Et-Tekvir”, “El-Infitar” dhe “El-Inshikak”.(13)
Lidhja e kësaj kaptineme atë paraprake “El-Mutaffifin”
Kjo sure si dhe tri kaptinat pararendëse të saj: “El-Mutaf-fifin”, “El-Infitar”, dhe “Et-Tekvir”, që të gjitha në fillimet e tyre trajtojnë momentet e Ditës së Kiametit (Gjykimit), duke përmendur me radhë se çfarë do të ndodhë.
- E shumta e asaj që është përshkruar në suren “Et-Tek-vir” dhe të gjitha ato që janë përshkruar në suren “El-Infit-ar”, do të ndodhin mu në ditën e fundit të kataklizmës, kurse e shumta e asaj që është përmendur në “El-Mutaffifin” nga gjendja e mëkatarëve dhe jobesimtarëve në njërën anë dhe e besimtarëve të devotshëm në anën tjetër, do të ndodhë në Ahiret, kurse në këtë sure, “El-Inshikak”, thuajse janë përmbledhur disa nga pamjet e parashenjave të tmerrshme të Ditës së Gjykimit, dhe disa gjërave që do të ndodhin pas saj, kur përshkruhet llogaria e lehtë për besimtarët (të djathtët) dhe llogaria e vështirë për jobesimtarët (të majtët).
- Në suren “El-Mutaffifin” kemi përshkrimin e disa pamjeve të llahtarshme dhe të tmerrshme të Ditës së Gjykimit dhe të Ringjalljes, kurse surja “El-Inshikak” fillon me për- shkrimin e tmerreve të Ditës së Kiametit.
- Në suren “El-Mutaffifin” është përmendur vendi ku ruhen librat e veprave tona. Veprat e të mirëve gjenden në Il-lijjun: “Jo, nuk janë të njëjtë! Se libri i të mirëve gjendet në Il-lijjun! E ku e di ti se ç’ është Il-lijjun? Është një libër i shkruar (qartë). Të cilin e dëshmojnë engjëjt që janë më të afërmit.” - (El-Mutaffifin, 18-21), kurse i veprave të mëkatarëve në Sixh-xhin: “Jo, (të mos rrinë gafil-të shkujdesur)! Se shënimet e veprave të mëkatarëve janë në Sixh-xhin (në një libër shënimesh të të këqijave). E, ku e di ti se ç’është Sixh- xhini? Ai është një libër i shkruar (në një qeli në fund të Xhehenemit)) - (El-Mutaffifinë, 7-9), ndërkohë që tash në këtë sure kemi shfaqjen e librave të xhenetlinjve në krahun e djathtë: “Ai, të cilit do t’i jepet libri i tij nga e djathta, do të llogaritet me një llogari të lehtë, dhe do të kthehet i gëzuar te të afërmit e tij.” - (El-Inshikak, 7-9), dhe të xhehenemlinjve, ruana Zot, në anën e majtë ose pas shpine: “Kurse ai, të cilit do t’i jepet libri i tij pas shpinës, ai do t’i ndjellë vetes shkatërrim, dhe në skëterrë do të digjet.” - (El-Inshikak, 10-12).(14)
Përmbajtje e shkurtër e kësaj kaptine
- Çështja e besimit-akides dhe udhëzimi i njerëzve, është një prej çështjeve kyçe rreth së cilës shtjellohet në përmbajtjen e kësaj sureje, e cila po ashtu flet për dukuri dhe fenomene të gjithësisë që do të ndodhin në çastet e Kiametit, kur qielli do të çahet, kur toka do të ndryshojë formë etj. (Shih ajetet: 1-5).
- Në këtë kaptinë po ashtu shohim se njerëzit në Ditën e Llogarisë do të ndahen në dy grupe: në të djathtët dhe të majtët. Atyre që u jepet libri i veprave të tyre në anën e djathtë ose përpara, ata do të jenë xhenetlinj, kurse atyre që do t’u jepet libri i veprave të tyre nga ana e majtë apo pas shpine, ata do të ndëshkohen përjetësisht në greminat e Xhehenemit. (Shih ajetet 6-15).
- Në vazhdim, shohim se i Lartmadhërishmi është betuar në horizonte, në natën dhe në hënën, se idhujtarët (jobesimtarët) do të ballafaqohen me lloj-lloj tmerresh duke përjetuar gjendje të ndryshme të ndëshkimit. (Shih ajetet: 16-19).
- Kaptina përmbyllet me qortimin e idhujtarëve, jobesimtarëve, ateistëve dhe materialistëve dhe sojit tjetër të tyre, për mohimin e Allahut xh.sh.. Kaptina po ashtu tërheq vërejtjen për ndëshkimin e dhembshëm që do ta përjetojnë ata, sikur që flitet edhe për shpëtimin e besimtarëve, të cilët besimin e tyre e zbukuruan me vepra të mira, dhe si shpërblim i tyre i përhershëm do të jetë Xheneti dhe mirësitë (kënaqësitë) e tij. (Shih ajetet 20-25).
________________________________
1. Imam Shevkaniu, Fet’hul Kadir, Mensure-Egjipt, 1994, vëll. V, f. 401.
2. Fejruzabadi, Besairu dhevi-t-temjiz…, Kajro, 1996, vëll. I, f. 508.
3. Ibn Ashur, Et-Tahriru ve-t-Tenviru, Tunis, 1984, vëll. XXX f. 217.
4. Imam Ahmedi (8/423); Tirmidhiu (3333); Taberaniu (7/134); Hakimi (4/576).82
5. Dr. Muhamed bin Abdurrahman esh-Shaji’ë, Esmau suveri-l Kurani-l kerim, Rijad, 2011, f. 199.
6. Dr. Munire ed-Devserij, Esmau suveri-l Kurani ve fedailuha, Demmam, 1426 h., f. 534.
7. Et-Tahriru ve-t-Tenviru, vëll. XXX, f. 217
8. Transmeton Imam Ahmedi (4/107); Bejhekiu në Shuabi-l Iman (2/465).
9. Transmeton Buhariu nr. (766) dhe (768); Ebu Davudi nr. (1251) dhe Musnedi i Imam Ahmedit nr. (10319).
10. Dr. Vehbe ez-Zuhajli, Et-Tefsirul Munir, Damask, 2009, vëll. XXX, f. 512.
11. Transmetojnë Buhariu (1074) dhe Muslimi (578)
12. Muhamedinilemin bin Abdullah el Arumi el Hereri, Nuzule kirami-d-dijfani fi sahati hadaiki-r-rrevhi ve-r-rrejhani, Bejrut, 2001, vëll. XXXI, f. 253.
13. Imam Ahmedi, 8/423; Tirmidhiu (3333); Taberaniu 7/134; Hakimi 4/576
14. El-Alusi, Ruhul Meani, vëll. XXX, f. 78. 86
Sabri Bajgora