Komentimi i kaptinës “El-Inshikak (4)

Betimet hyjnore për gjendjet e vështira në të cilat do të kalojnë jobesimtarët

“Betohem në kuqërrimin e horizontit pas perëndimit, dhe në natën dhe çka ajo tubon, dhe në hënën kur ajo bëhet e plotë. Ju me siguri do të përjetoni gjendje pas gjendjeje (vështirësi pas vështirësie).” - (El-Inshikak, 16-19)

Lidhja e këtyre ajeteve më ato paraprake

Pasi që i Lartmadhërishmi në ajetet paraprake na sqaroi gjendjen e njerëzve në Ditën e Gjykimit se do të jenë të ndarë në dy grupe, të lumturit (të shpëtuarit) dhe fatkeqët (të humburit), tash në ajetet vijuese betohet në horizont, në natën e errët dhe në Hënën, se pa dyshim Ringjallja do të ndodhë gjithsesi, dhe në Ditën e Llogarisë, jobesimtarët - femohuesit, do të përjetojnë vështirësi pas vështirësi, apo gjendje të rënda, të njëpasnjëshme, derisa nuk hidhen pamëshirë në skëterrat e Xhehenemit.

Koment:

16. Betohem në kuqërrimin e horizontit pas perëndimit,

Betimet që pasojnë nga ky ajet e deri në atë të 18-të, kanë një domethënie jashtëzakonisht të madhe, dhe shërbejnë si vërejtje për idhujtarët dhe jobesimtarët në përgjithësi, se gjendja e tyre vërtet është e mjerë dhe për keqardhje, si pasojë e mosbesimit të tyre. Këto betime ndërlidhen me ajetet paraprake, pikërisht për idhujtarët, të cilët nuk besonin se do të ktheheshin ndonjëherë te Zoti i tyre që i krijoi nga mosqenia.
Betimi i parë është në kuqërrimin e horizontit kur dielli sapo të ketë perënduar. Kjo ngjyrë e kuqërremtë paraqet një proces madhështor, të ndërrimit të ditës me natën, sepse kur muzgu dhe errësira pushtojnë hapësirën, në tokë fillon qetësia.
Ndonëse nuk është qëllimi ynë të hyjmë në fushën e dijetarëve të fikhut se çfarë nënkuptojnë me fjalën “shefek”, megjithatë do të përcjellim mendimet e dijetarëve më të mëdhenj të shkollës juridike hanefite lidhur me të. Sipas tyre, teksa shikon në anën e Perëndimit, pasi të ketë perënduar dielli, do të shohësh një ngjyrë të kuqërremtë në horizont. Kjo ngjyrë e kuqërremtë qëndron e tillë në horizont përafërsisht 40 minuta, e mbase edhe më tepër, e pastaj fillon të zhduket dalëngadalë. Kur të zhduket e kuqërremta, pas saj në horizont shfaqet një zbardhëllimë. Sipas Ebu Hanifes, të dyja këto dy ngjyra; ajo e kuqërremta dhe e zbardhëllemja, quhen “shefek”, por ai është i mendimit se fjala “shefek” nënkupton ekskluzivisht zbardhëllimën në horizont, me zhdukjen e së cilës përfundon koha e namazit të akshamit dhe hyn koha e namazit të jacisë, ndërsa të dy shokët e tij, Ebu Jusufi dhe Muhamedi, thonë se “shefeku” është ngjyra e kuqërremtë, me zhdukjen e së cilës, ka përfunduar koha e namazit të akshamit dhe ka hyrë ajo e jacisë. Mendimi i këtyre dy të fundit është më i pranuar.(24)
Ndërkohë, nëse këtij ajeti i qasemi nga aspekti i astronomisë, do të shohim madhështinë e këtij betimi edhe në dimensionin shkencor, sepse fjala horizont nënkupton vijën rrethore më të skajshme në hapësirë deri ku arrin vështrimi ynë, apo vija ku duket sikur puqet qielli me tokën ose me sipërfaqen e ujërave.

17. Dhe në natën dhe çka ajo tubon,

Betimi i dytë është në natën e cila mbulon çdo gjë me errësirën e saj. Sipas dijetarëve, kuptimi i fjalës “veseka”, nënkupton faktin se nata i tubon të gjitha krijesat, qofshin ato shtazë, insekte apo edhe njerëz, dhe që të gjitha në një mënyrë strehohen natën nëpër strofkat e tyre e njerëzit nëpër shtëpitë e tyre, deri në agun e mëngjesit për t’iu lëshuar çlodhjes së tyre nga përditshmëria dhe natyrisht, gjumit si një dhuratë hyjnore nga Krijuesi fuqiplotë, që të nesërmen të fillojnë një ditë të re në kërkim të rrizkut.
Disa dijetarë janë të mendimit se kjo fjalë nënkupton yjet që shihen të shkapërderdhur në qiellin e hapët, sikur të ishin margaritarë të shndritshëm. Madje ky mendim sipas Ibn Ashurit, mund të jetë më i përafërti pasi që në ajetin vijues, Allahu xh.sh. është betuar në Hënën e plotë (bedër).(25)

18. Dhe në hënën kur ajo bëhet e plotë.

Betimi i tretë dhe i fundit është në Hënën e plotë,(26) e cila plotësohet në gjysmën e çdo muaji hënor, dhe zakonisht me të nënkuptohen ditët e bardha. I Madhërishmi është betuar në Hënën edhe në disa ajete të tjera kuranore, për shkak se arabët i njehsonin ditët e kalendarit të tyre me lëvizjet e hënës.

19. Ju me siguri do të përjetoni gjendje pas gjendjeje (vështirësi pas vështirësie).

Ky ajet është përgjigje e tri betimeve të mëparshme në kuqërrimin e horizontit kur dielli fillon të perëndojë, në natën e errët që mbulon dhe tubon gjithçka me errësirën e saj, si dhe në Hënën e plotë, e cila ka një rëndësi jetike për jetën e njerëzve në tokë.
Ajeti në fjalë, sqaron shumë mirë, se idhujtarët pas vdekjes së tyre e deri në gjykimin përfundimtar, do të përjetojnë vështirësi pas vështirësie, ndëshkim pas ndëshkimi, për shkak të kufritmohimit të tyre, ku vendqëndrimi i tyre i përjetshëm do të jetë zjarri i Xhehenemit.

Porosia e këtyre ajeteve (16-19):

- Allahu i Lartmadhërishëm është betuar në tri gjëra madhështore: në kuqërrimin e horizontit pas perëndimit të diellit, që simbolizon kohën në mes namazit të akshamit dhe të jacisë, në natën e cila mbulon çdo gjë me errësirën e saj, dhe përfshin periudhën e gjumit e të pushimit, si dhe në Hënën e plotë, e cila natën nëpër shkretëtirë ndriçon si një llambadar orientimi, se Ringjallja dhe Dita e Gjykimit me të gjitha lemeritë dhe skenat e llahtarshme, patjetër do të vijë.
- Këto betime vijnë si një tërheqje e vërejtjes që njerëzit të mos hutohen nga kjo botë, por të meditojnë edhe rreth botës tjetër, e cila është e përjetshme. Le të meditojnë se kënaqësitë e kësaj bote janë të shkurtra dhe të përkohshëm, kurse ato të Ahiretit të përhershme që nuk ndalen kurrë.

Kryeneçësia dhe insistimi në mosbesim, janë të ndëshkueshme në Ahiret

“E, çka kanë ata që nuk besojnë? Dhe kur u lexohet atyre Kurani, nuk përulen (nuk bien në sexhde)? Përkundrazi, ata që nuk besuan edhe përgënjeshtrojnë? Por Allahu e di më së miri se çka fshehin ata! (Prandaj) Lajmëroji ata me një dënim të dhembshëm. Përveç atyre që besuan e bënë vepra të mira, ata do të kenë shpërblim të pandërprerë!” - (El-Inshikak, 20- 25)

Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake

Në ajetet paraprake, pamë betimet hyjnore në kuqërrimin e horizontit, në natën dhe në Hënën, se Ringjallja të cilën mosbesimtarët e mohuan me ngulm, ajo të ndodhë, dhe ishte një paralajmërim se gjendja e jo- besimtarëve do të shkojë vetëm duke u përkeqësuar, etapë pas etape, kurse tash shpjegohen arsyet pse ata përgënjeshtruan argumentet e Allahut.
Ata nuk përfillën asnjë porosi të Allahut, përkundrazi talleshin me Kuranin dhe përgënjeshtruan çdo gjë që ua përcillte Muhamedi a.s.. Pikërisht për këtë arsye, Allahu xh.sh. i thotë të Dërguari a.s. që t’i lajmëronte ata me këtë sihariq të trishtë, se ata do t’i pret ndëshkimi i tmerrshëm, ndërsa atyre që besuan dhe punuan vepra të mira, nuk do t’u ndalen kurrë shpërblimet e Xhenetit, në të cilin do të jenë përgjithmonë.

Koment:

20. E, çka kanë ata që nuk besojnë?

Në vazhdim të sures, Allahu i Madhërishëm u drejtohet jobesimtarëve me fjalët qortuese, se çfarë kanë që nuk besojnë? Përse janë duke mohuar faktet e pamohueshme për ekzistimin e Zotit? Përse janë duke e mohuar mundësinë e ringjalljes dhe përse janë duke e mohuar me kryeneçësi Shpalljen që po i zbriste Muhamedit a.s.?
Përse idhujtarët nuk ndalen të paktën një çast e të meditojnë rreth asaj në të cilën po i ftonte Allahu dhe i Dërguari i Tij? A nuk u mjaftonin rrëfimet e shkatërrimit të popujve të kaluara, disa prej të cilëve i kishin pasur në fqinjësi të tyre?!

21. Dhe kur u lexohet atyre Kurani, nuk përulen (nuk bien në sexhde)?

Idhujtarëve-jobesimtarëve, edhe kur u lexoheshin ajetet kuranore, nuk përkuleshin e as nuk binin në sexhde. Përkundrazi, ata i mbyllnin sytë dhe veshët dhe nuk dëshironin të pranonin mrekullinë e Kuranit famëlartë. Në fakt, ata kishin mbetur shumë herë të mahnitur e gojëhapur nga madhështia e ajeteve kuranore, sepse e njihnin mirë metaforën, poezinë dhe gjuhën e pastër arabe, por urrejtja që ndienin në zemra ndaj Muhamedit a.s. dhe Islamit, i cili po ua rrënonte botëkuptimet e tyre të mykura, nuk i lejonin t’i përkuleshin Krijuesit të vetëm të kësaj gjithësie.
Allahu xh.sh. sa për ilustrim të kësaj madhështie të Kuranit famëlartë, thotë:
“Sikur Ne ta zbritnim këtë Kuran mbi ndonjë kodër, do të shihje atë të përulur e të çarë prej frikës nga Allahu. Këta janë shembuj që ua sjellim njerëzve, që ata të mendojnë.” – (El-Hashr, 21).
Prandaj edhe është për t’u çuditur qëndrimi mospërfillës i idhujtarëve dhe të tjerëve karshi Kuranit, i cili u sillte dhjetëra argumente të pakontestueshme për besimin e pastër në Allahun Një. Kurani u fliste atyre me gjuhën e fitres (natyrshmërisë), duke iu dhënë rast zemrave të tyre që të hapen ndaj dritës imanore e të përkulen e të bien në sexhde ndaj Atij që i krijoi dhe që është në gjendje edhe t’i ringjallë.(27)
Ashtu siç e kemi përmendur më herët te vlera e kësaj sureje, ajeti i 21 i saj: “Dhe kur u lexohet atyre Kurani, nuk përulen (nuk bien në sexhde)?”, është ajet që na obligon të bëjmë sexhde, sepse Ebu Hurejra dhe shumë as’habë të tjerë kanë treguar se kanë bërë sexhde pas këtij ajeti së bashku me të Dërguarin e Allahut.(28) Në mesin e dijetarëve të shkollave juridike ka divergjenca nëse ky ajet konsiderohet si ajet që e bën të detyrueshme sexhden apo jo? Te hanefitë, ky ajet e bën vaxhib sexhden, prandaj sa herë që lexohet apo dëgjohet, duhet bërë sexhde.(29)
Te shafitë, leximi i këtij ajeti nënkupton se sexhdeja është synet, kurse Imam Maliku nuk e konsideron si ajet që e obligon sexhden.


________________________
24. Shih: Çështje të Fikhut sipas Kuduriut, nga Muhamed Ashik Ilahi el-Bureni, Prishtinë, 2002.
25. Shih: Et-Tahriru ve-t-Tenviru, vëll. XXX, f. 227.
26. Nexhmuddin Sulejman et-Tuhi el Hanbeli, Tefsir suver Kaf, El-Kijameh, En-Nebe’ë, El-Inshikak, Et-Tarik, Rijad, 1992, f. 93. (redaktuar nga dr. Ali Husejn el-Bevab).
27. Muhamed Mutevel-li Esh-Sharavi, Tefsir xhuz’u Amme, Kajro, 2008, f. 244.
28. Shih më gjerësisht: Seid Havva, El-Esasu fi-t-Tefsir, Kajro-Halep-Bejrut, 1985, f. 6442.
29. Muhamed Ashik Ilahi el-Bureni, Çështje të Fikhut sipas Kuduriut, Prishtinë, 2009, vëll. I, f.89.



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme