Feminizmi dhe racionaliteti i luftës së tyre për të drejtat e grave

Kur flitet për feminizmin, në të shumtën e rasteve mendohet si një ideologji që synon të nxjerrë gratë nga binarët, që ka për qëllim prishjen e familjes, që diskriminon meshkujt karshi grave, e shumë paragjykime të tjera të ngjashme.
Në fakt, të gjitha këto paragjykime apo bindje rreth ideologjisë feministe burojnë nga një degë ose valë e caktuar, që ndryshe njihet si feminizmi ekstrem, feminizmi i bardhë apo nënkategori të tjera. Kohë pas kohë, rryma të ngjashme kanë propaganduar idenë se gratë nuk kanë nevojë të kenë një burrë në krah, ia kanë mohuar grave një pjesë të natyrshmërisë së tyre, siç është edhe mëmësia. Para se të kritikohet e gjithë ideologjia, duhet theksuar fillimisht se në ideologjinë feministe mund të gjejmë edhe disa element të dobishëm, pavarësisht qëllimit që qëndron pas, kjo për të qenë më objektiv dhe për të njohur edhe disa aspekte të cilat duhen vlerësuar.
Sidoqoftë, feminizmi nuk ka qenë kurrë një lëvizje monolite. Feminizmi nuk përfaqëson domosdoshmërish një ideologji, e cila gjithmonë lufton për ta prishur familjen, për të ushtruar presion te gratë se mund t'ia dalin dhe vetë në çdo sferë të jetës edhe pa pasur një partner përkrah dhe se nuk kanë nevojë të jenë nëna për t'u ndjerë të plotësuara.
Por, ajo çfarë e karakterizon feminizmin në përgjithësi, pavarësisht rrymave apo valëve të ndryshme të themelimit dhe veprimit, është fakti se njeh mbisundimin e meshkujve ndaj grave dhe lufton për barazi gjinore. Një ndër aspektet e dobishme mund të jetë pikërisht kjo këmbëngulje për ndërgjegjësuar fillimisht vetë gratë, pastaj dhe burrat për ligësinë dhe dëmet e patriarkalizmit, si dhe për të luftuar kundër këtij sistemi, i cili shtyp të drejta themelore të grave të garantuara nga vetë Zoti. Andaj duhet të bëjmë kujdes kur flasim në emër të feminizmit duke specifikuar se për cilën rrymë apo valë po flasim.
Gjithashtu, duhet të bëjmë kujdes edhe kur përdorim termin feministe. Sa e përshtatshme është të quash një grua feministe vetëm e vetëm sepse ngre zërin rreth të drejtave të disa grave, dhe jo të gjithave grave? Sa korrekt është politikisht të quash feministe gra të cilat vetët e tyre nuk i kanë quajtur të tilla?
Sabina Lovibond, specialiste e çështjeve gjinore, duke e kritikuar feminizmin radikal, shprehet se një nga dështimet e kësaj rryme ka të bëjë me mos përcaktimin e një grupi vlerash të qarta dhe të dallueshme nga feminizmi reformist. Ky i fundit mund të përkufizohet si një rrymë e kohës sonë, post-moderniste, e cila synon të rishikojë edhe një herë ideologjinë feministe, duke e parë nga lente të ndryshme, përveçse të feminizmit të bardhë. Kjo arrihet duke marrë parasysh praktikat vendase, tipare lokale dhe duke u përpjekur për t'i kuptuar në një kontekst global.
Sipas Elizabeth Grosz, kriza e racionalitetit të feminizmit ka të bëj edhe me krizën e maskulinitetit. Vitet e fundit, të ndjerë nën presion nga lobimi i fuqishëm feminist, duket se ka një rizgjim dhe vetëdijesim për maskulinitetin.

Feminizmi dhe post-modernizmi

Vetë termi post-modernizëm duket si një sinonim i një periudhe kohore bashkëkohore përtej modernizmit, duke e bërë këtë të fundit si diçka të prapambetur dhe që tashmë i takon të shkuarës. Në thelb, feminizmi i ka rrënjët të ngulitura në idetë e iluminizmit. Si i tillë promovohet nga elita për të theksuar më shumë përpjekjet kolonialiste duke propaganduar filozofitë perëndimore, veçanërisht liberalizmin sekular. Andaj si i tillë, nuk ka për qëllim mbrojtën e të drejtave të grave, por për promovimin e ideologjisë liberale. Këtë e vërteton fakti se sa herë që bëhet fjalë për drejtat e grave të kulturave dhe feve të ndryshme, feministet heshtin. Deri më sot, asnjë grup apo organizim feminist nuk janë bërë bashkë për të luftuar të drejtën e grave myslimane për të mbajtur hixhabin dhe për të hedhur poshtë të gjitha ligjet që e ndalojnë atë.

Çfarë është "feminizmi islam" dhe a kanë nevojë myslimanët për feminizmin?

Së pari, ka më shumë pika ku Islami dhe feminizmi ndahen se sa bashkohen. Parimet islame promovojnë nocionin e "drejtësisë hyjnore", e jo të barazisë gjinore, të cilën e promovon feminizmi duke iu dhënë grave të drejta, me pa të drejtë, në kurriz të meshkujve. Duhet theksuar se Islami mbi të gjitha sigurohet që njerëzimi, pavarësisht gjinisë, të meritojë të drejtën që i takon pa u dënuar, as pa u privilegjuar me pa të drejtë vetëm për shkak të gjinisë.
Edhe pse qëllimi i kësaj analize nuk është të përshkruaj gjendjen aktuale të myslimanëve dhe vendeve islame, dështimin e një komuniteti të tërë në mësimin e vlerave dhe parimeve islame, apo dhënia përparësisë së traditave dhe zakoneve vendase para parimeve islame. Qëllimi është vënia në pah e atyre parimeve islame, të cilat iu dhurojnë grave të drejtat që iu takojnë nga Zoti dhe që nuk kanë nevojë për ndonjë lëvizje reformiste për ta arrirë këtë. Ndërgjegjësimi i shumë grave myslimane sot, ndoshta për shkak të efektit të internetit për të përhapur informacion, për të arrirë më lehtësisht te dija fetare e zgjedhur dhe e kërkuar me përpjekje personale dhe jo me imponim nga të tjerët, ka bërë që shumë gra myslimane të ndërgjegjësohen, të kuptojnë dhe të artikulojnë më mirë të drejtat e tyre. Kjo lloj vale ndërgjegjësimi, fatkeqësisht është ngatërruar me ndikimin nga lëvizjet feministe. Nëse sot, gratë myslimane refuzojnë të bëjnë punët e shtëpisë, apo ta mbajnë rrogën e tyre për vete pa qenë të detyruara ta sjellin në shtëpi, nuk duhet ta akuzojmë ideologjinë feministe si fajtore, por kthehemi mësimeve islame duke hulumtuar më shumë për fenë tonë. Por, nga ana tjetër edhe vetë gratë myslimane nuk duhet të manipulohen nga ideologji të tilla, por t'i matin veprimet e tyre në përputhje me parimet islame. Nëse për shembull, për çështjen e punëve të shtëpisë, vendimi/hukmi i përgjithshëm nuk përcaktohet nga rolet gjinore, atëherë në këtë rast mësimet islame e lënë të lirë gruan dhe burrin të vendosin me mirëkuptim se kush do merret me disa punë, e kush me disa të tjera dhe kjo mund të variojë nga kushtet dhe rrethanat përkatëse. Mirëpo, nëse dikush e mohon totalisht nevojën e kontributit të një mashkulli në punët e shtëpisë, atëherë kjo mund të përkthehet si një aplikim i partriakalizmit, duke lënë mënjanë parimet hyjnore. Nga tradita profetike, kuptojmë se vetë i Dërguari i Zotit, kalonte një pjesë të mirë të kohës në shtëpi, duke bërë punë, të cilat ishin të pranueshme deri diku nga kultura dhe mentaliteti vendas, si për shembull arnimi, përkujdesja për fëmijët, etj.. Gjithashtu, edhe në rastin kur vetë bija e tij, së bashku me bashkëshortin e saj, iu qasën atij duke iu ankuar për punët e rënda në shtëpi dhe lodhjen e madhe deri në atë gradë sa të merrnin në konsideratë angazhimin e një ndihmëse, tregon gjithashtu se barra e punëve të shtëpisë u kishte rënë të dyve. Edhe në rastet të ekspeditave gjatë natës të udhëheqësit Omer r.a., dalin në pah disa episode ku ai vetë, me ndihmën e gruas së tij filluan të gatuajnë apo të kryejnë shërbime të ngjashme, të cilat hyjnë në kategorinë e punëve të shtëpisë. E njëjta skenë na vjen në mënyrë indirekte kur vetë kalifi zbulon për një grua të moshuar, të verbër dhe të braktisur e cila dëshmon për një vizitor, Ebu Bekrin r.a., i cili përkujdesej për punët e shtëpisë si pastrimi dhe gatimi, nga e cila skenë deduktojmë se edhe meshkujt e kësaj periudhe kohore kanë qenë të pajisur me njohuritë dhe aftësitë e duhura për të ushtruar kontributin në punët e shtëpisë.
Për t'iu përgjigjur pyetjes se nëse kanë apo jo nevojë myslimanët për feminizmin, ndoshta së pari duhet theksuar se duhen njohur mirë qoftë parimet islame qoftë ideologjia feministe. Përveçse duhen njohur mirë se ku ndahen dhe përputhen, duhet të ndërgjegjësohemi mirë për këto dallime:
Ideologjia feministe ka në fokus gjininë dhe veçanërisht gruan, duke promovuar dëshirën e grave për më shumë të drejta, ndërsa Islami ka në fokus Zotin dhe vullnetin e Tij (irade).
Ideologjisë feministe i mungon autenciteti, pasi nuk ka një libër ku të mblidhen dhe të bien dakord të gjitha manifestet, platformat si dhe aktivistët feminist. Ndërsa Islami është një formë e strukturar me një autoritet të plotfuqishëm (Zoti), një manifest (libër hyjnor, Kurani) dhe një legjislacion i mirë përcaktuar (Sheriati).
Po nëse biem dakord se Islami me feminizmin më shumë kontradiktohen se sa përputhen, atëherë çfarë është feminizmi islam? Feminizmi islam është një lloj lëvizje, e cila synon ri interpretim të parimeve islame nga këndvështrimi feminist, sipas logjikës se, meqenëse një pjesë e mirë e haditheve janë transmetuar nga meshkuj, se një pjesë e mirë e dijetarëve dhe mendimtarëve islam janë meshkuj, atëherë si të tillë kanë bërë një interpretim të gjithë Islamit nga një këndvështrim maskilist dhe se lind nevoja për një interpretim më feminist. Kjo nuk do të thotë se duhet hedhur poshtë puna e të gjithë këtyre kontributorëve të teologjisë islame, por se duhet sjell më në pah dhe promovuar akoma më shumë kontributi i grave në historinë islame dhe në teologjinë islame në përgjithësi.
Për të arrirë këtë, duhen marrë parasysh se shumë nga këta dijetarët islam të mëdhenj, duke nisur nga sahabët dhe tabiinët kanë mësuar hadithe dhe fikh nga nënat e tyre, disa nga vetë gratë e Profetit, për shembull, shumë hadithe të transmetuara nga Aisheja, bashkëshortja e vetë të Dërguarit. Duhen festuar dhe promovuar momente kyçe në historinë islame kur gratë kanë ngritur zërin, disa prej të cilave janë regjistruar edhe në Kuran. Për shembull në suren Muxhaedele (Kad'semiaAllahu) "Vërtet, e dëgjoi Allahu ankuesen e cila u ankua ..., (Muxhadele, 1), bashkëshortet, bijat, mbesat apo kushërirat e tij, të cilat në raste të ndryshme kanë ngritur zërin për të kërkuar hapësira faljesh në xhami, ligjërata të posaçme për to për çështje grash, angazhim në luftë për të fituar edhe ato sevape të barabarta, deri në konsultime se si duhet të veprojë në situata të caktuara kur vetë duhej të merrte ndonjë vendim delikat, si për shembull, martesa përsëri pas humbjes së Hatixhes r.a., lirimi nga ihrami pas një nijeti për të bërë haxh dhe më pas në pamundësi për ta kryer atë etj..
Nga kjo mund të arrijmë në përfundimin se Islami është një sistem vlerash dhe parimesh ndërtuar mbi drejtësinë hyjnore, ku femra dhe mashkulli kanë të drejta meritore dhe zë të barabartë.




Burimet:

1. Braidotti, R. (2003). Becoming woman: Or Sexual Difference Revisited. Theory, Culture Society, 20(3), 43-64. https://doi. org/10.1177/02632764030203004
2. Lovibond, S. (1989, December 1). Feminism and Postmodernism. New Left Review. https://neëleftrevieë.org/issues/i178/articles/ sabina-lovibond-feminism-and-postmodernism
3. Lovibond, S. (1994, October 1). Feminism and the "Crisis of Rationality" New Left Review. https://newleftreview.orglissues/ i207/articles/sabina-lovibond-feminism-and-the-crisis-of-rationality
4. White Feminism. (n.d.). Book by Koa Beck / Official Publisher Page / Simon Schuster.
5. Z. (2018, April 11). Do Muslims Need a Feminist Theology? Zara Faris.



Nada Dosti
Dituria Islame 389

Nada Dosti


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme