Hyrje
Horizonti u soll përreth boshtit të vet, duke na sjellë kujtimin e begatë të Hixhretit, i cili nuk harrohet kurrë. Historia islame regjistroi gjurmët e hixhretit, që ato të mbesin të pavdekshme gjatë tërë historisë, si dhe të jenë shkëndija për të ndriçuar madhështinë e udhëheqësit tonë (Muhamedit a.s.) në thirrjen e vërtetë dhe ngritjen e Fjalës së Allahut xh.sh., ashtu siç sinjalizojnë vështirësitë e këtij Hixhreti për sinqeritetin dhe dashurinë e ashabëve ndaj Allahut xh.sh. dhe të dërguarit të Tij.
Ngjarjet e përgjithshme të Hixhretit, dëshmojnë gjithashtu edhe kujdesin hyjnor, për besimtarët e devotshëm, të cilët ishin besnikë ndaj fesë së Allahut xh.sh..
Pra, këto dhe shumë mrekulli të tjera, e bëjnë kujtimin e Hixhretit më të ndritshëm dhe më madhështor, kujtim që konsiderohet unikat në historinë e njerëzimit në përgjithësi dhe në atë islame në veçanti, duke pasur parasysh sakrificat në rrugën dhe besimin e drejtë.
Fjala Hixhret, në kuptimin etimologjik Fjala “Hixhret”, rrjedh nga folja arabe “haxhere - juhaxhiru”, që në kuptimin gjuhësor ka këto domethënie: lënie, braktisje, dalje nga një vend dhe shkuarje në një vend tjetër. Po esenca e Hixhretit tek arabët ishte kur beduini dilte nga vendi - atdheu - shtegtar dhe shkonte në qytet. Pra çdo njeri që ndahej nga vendi i tij, qoftë ai shtegtar apo civilizues, dhe vendosej si banor i një vendi tjetër, quhet muhaxhir.
Pra, fjala “hixhret”, nënkupton: kalimin nga një vend drejt një vendi tjetër.
Fjala Hixhret, në kuptimin terminologjik Qysh prej kohës kur Muhamedi a.s., së bashku me shokët e tij, emigruan në Medinë, fjala “hixhret” u bë fjalë e njohur dhe hyri në terminologjinë islame.
Fjala “hixhret” konsiderohet karakteristikë e veçantë e biografisë së Muhamedit a.s. dhe pjesë përbërëse e saj. Mbi të gjitha, Hixhreti është ndarës në mes dy periudhave, mekase (prej shpalljes e deri para emigrimit), si dhe medinase (pas emigrimit e deri në ndarjen e përhershme të Muhamedit a.s., nga kjo jetë në këtë botë).
Muhaxhirët janë quajtur me këtë emër, sepse, për hatër të Zotit xh.sh., patën lënë shtëpitë dhe vendbanimet e tyre, në të cilat ishin, për të kaluar në një vend tjetër, në të cilin nuk kishin familje e as pasuri, duke bërë emigrim drejt Medinës.
Historiani i shquar islam, Ibnul Ethir, në sqarimin e domethënies së fjalës “muhaxhir”, e cila rrjedh nga fjala “hixhret”, thotë se pikësynimi i kësaj fjale në Sheriatin islam është: “Ai që braktis familjen dhe atdheun e tij dhe vjen në vendin e Islamit, që ka për synim Pejgamberin a.s., duke e dashur atë dhe duke qenë i ndikuar prej tij”.
Pra, Hixhreti nënkupton shpërnguljen e Muhamedit a.s. dhe të shokëve të tij të sinqertë, prej Mekës në Medinë, duke lënë familjen, pasurinë dhe atdheun e tyre për hatër të fesë, si dhe duke synuar arritjen e kënaqësisë së Allahut xh. sh. dhe të të dërguarit të Tij.
Shkaqet e Hixhretit
1. Provokimi dhe presioni
Qysh prej kohës kur Muhamedi a.s. shpalosi thirrjen islame, së bashku me besimtarët e tij, u ballafaquan me vështirësi dhe presione të llojeve të ndryshme, nga mushrikët e Mekës. Pikërisht për këtë arsye, Muhamedi a.s. kishte menduar gjithnjë për të gjetur mbrojtje jashtë Mekës, në kohën kur banorët e saj ishin të pabindur. Ashtu siç ishte emigrimi i myslimanëve në Habeshe -Etiopi-, për të kërkuar strehim, po ashtu emigrimi i Muhamedit a.s. në Taif, për të kërkuar mbrojtje, - ishte edhe emigrimi i fundit i Muhamedit a.s. dhe shokëve të tij në Medinë, për të kërkuar strehim, mbrojtje dhe përkrahje për thirrjen islame.
Sa për ilustrim, që të vërtetojmë se prova dhe presioni kanë qenë prej shkaqeve të emigrimit nga Meka në Medinë, kemi fjalën e Ajshes r.a., e cila tregon shkakun e emigrimit të babait të saj - Ebu Bekrit r.a. - për në Medinë: “Ebu Bekri kërkoi leje nga Pejgamberi a.s. që të dilte - të emigronte - nga Meka në Medinë -, në kohën kur presioni ndaj tij u shtua…”1.
2. Kërkim mbrojtjeje
Rrezet e dritës islame në Jethrib - Medinë - u paraqitën, pas takimit të Muhamedit a.s. me disa nga banorët e këtij qyteti, gjatë kohës së Haxhit. Muhamedi a.s. me ata banorë qe takuar në Akabenë e parë dhe të dytë. Ata që i besuan prej tyre, i premtuan ndihmë dhe përkrahje, se do ta ruanin atë - Muhamedin a.s. - ashtu siç e ruanin veten, gratë dhe fëmijtë e tyre. Pastaj, përhapja e fesë islame në mes banorëve të Medinës, mori aq shumë hov e përmasa të mëdha, saqë askush nuk e kishte imagjinuar. Ky përparim i fesë islame në Medinë, kishte shtangur mushrikët e Mekës.
Me këtë parapërgatitje të rrethanave, ishin krijuar kushte për myslimanët e Mekës, që të gjenin vëllezër besimtar të sinqertë, në një vend të sigurt dhe të besueshëm, të Islamit dhe paqes, siç ishte qyteti i Medinës.
Medina, me hapjen e dyerve të saj, për Islamin dhe myslimanët, u bë e gatshme me plot meritë, që të bëhej qendër për përhapjen e thirrjes islame. Nga kjo kuptojmë se ishte e domosdoshme, që thirrja islame të kalonte nga Meka në Medinë, ashtu siç ndodhi.
3. Përgënjeshtrimi dhe dëbimi Përgënjeshtrimi i prijësve më të lartë
kurejshitë, së bashku me shumicën e popullatës kurejshite, që i bënë Muhamedit a.s., bëri që ta detyronin atë të mendonte për ndonjë popull tjetër, i cili do ta besonte. Ashtu siç hasi mirëkuptim në fillim, e më pas edhe besim, siguri dhe përkrahje tek fiset Evs dhe Hazrexh, popullatë medinase, gjatë takimeve në Akabe.
Ashpërsia e popullit të Mekës bëri që ta përgënjeshtronin thirrjen islame, duke përdorur mënyra dhe metoda të ndryshme të dënimit. Përmes këtij dënimi, i cili arriti kulmin, myslimanët e ngratë, u detyruan të braktisnin vendin dhe familjet e tyre, aq shumë të dashur për ta, e të emigronin, në fillim drejt Etiopisë, e më pas edhe drejt Medinës, sepse nuk kishte njeri t’i strehonte, apo t’u ndihmonte. Kjo gjendje e mjerueshme e myslimanëve bëri që ata të shpresonin dhe të arrinin lirinë e besimit dhe të fesë, përderisa populli i Mekës kishte refuzuar Islamin, duke ndjekur anëtarët e tij.
4. Frika e sprovës në fe
Sikur të ishte dhuna dhe presioni i mushrikëve mekas i kufizuar vetëm për njerëz dhe pasuri, apo sikur të ishte për çdo gjë përveç fesë, - atëherë do të ishte më lehtë. Mirëpo, trysnia mekase ishte gjithëpërfshirëse, mbi çdo gjë që lidhej me myslimanët dhe fenë e tyre. Pra, myslimanët, për shkak të fesë së tyre, ballafaqoheshin me sprova e vështirësi të mëdha, që do të thotë, dënoheshin nëse nuk e braktisnin fenë islame.
Kurani fisnik ka dëshmuar këto rrethana të vështira, duke sqaruar se myslimanët, për shkak të besimit të tyre, përballeshin me trysni të ndryshme. Zoti xh.sh. në Kuran thotë: “Pastaj Zoti yt, atyre që, pasi u torturuan, migruan, mandej luftuan dhe qëndruan, dhe pas të gjitha këtyre vuajtjeve, s’ka dyshim se Zoti yt atyre do t’u falë dhe do t’i mëshirojë (Ai është që fal, është mëshirues)”. (Nahl: 110).
“(U lejuan të luftojnë) Ata, të cilët vetëm pse thanë: “Allahu është Zoti ynë!”, u dëbuan prej shtëpive të tyre pa kurrfarë të drejte. …”. (Haxhxh: 40). Ky ajet kuranor bën me dije se mushrikët e Mekës insistuan me këmbëngulje që t’i dëbojnë myslimanët prej shtëpive të tyre pa të drejtë, për shkak se ata thoshin se Zoti i tyre ishte Allahu.
5. Lejimi i luftës
Ibën Is’haku ka përmendur se ajeti i parë që ka zbritur rreth lejimit të luftës për myslimanët, kundër atyre që u bënë zullum, ishte ajeti i kaptinës Haxhxh, ku Allahu xh. sh. thotë: “Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se u është bërë e padrejtë, e Allahu ka fuqi për t’u ndihmuar atyre (myslimanëve)”. (Haxhxh: 39).
Ashabët, së bashku me Pejgamberin a.s., dëshironin me tërë qenien e tyre të arrinin kënaqësinë e Allahut xh.sh., si dhe të duronin ndaj çdo presioni dhe trysnie që u bëhej nga mushrikët, të cilët i detyruan të braktisnin familjen, fisin dhe atdheun e tyre. Sa për ilustrim, të përmendim dëshminë e ashabit të njohur Habbab bin Eretti r.a., që thotë: “Emigruam me të dërguarin e Allahut s.a.v.s., duke kërkuar kënaqësinë e Allahut xh.sh., dhe mirësinë e Tij e arritëm…”2.
Ashabët ankoheshin tek Pejgamberi a.s. për shkak se përballeshin me presionet dhe dëmet e mushrikëve, kurse i dërguari i Allahut s.a.v.s. i këshillonte me durim dhe qëndrueshmëri, duke i premtuar rrugëdalje, se një ditë do t’u lejohej lufta për t’u mbrojtur.
Historiku i Hixhretit Argumentet e vërteta dëshmojnë se zgjedhja e Medinës për vendemigrim të Muhamedit a.s. dhe të ashabëve, ka qenë në përputhshmëri të plotë me vahjin - Shpalljen, ashtu siç erdhi në hadithin e Pejgamberit a.s., ku thuhet: “Kam parë në ëndërr, duke emigruar nga Meka drejt një vendi me palma - pemë hurmash, më shkoi mendja se ai vend mund të jetë El Jemame3, apo Hexher4, por ja, ai vend ishte qyteti Jethrib - Medina”5.
Po ashtu edhe hadithi tjetër, ku Muhamedi a.s. thotë: “Mua m’u mundësua t’a shoh vendemigrimin tuaj, ai vend është me palma, në mes dy vendeve gurore”6.
Historianët e shquar, si Musa bin Ukbe, Ibn Is’haku dhe Ibn S’adi, bien në ujdi se Ebu Seleme bin Abdul Esed ishte i pari që kishte emigruar në Medinë. Po ashtu, nga muhaxhirët e parë qenë edhe Mus’ab bin Umejri dhe Abdullah bin Umi Mektumi, të cilët u mësonin Kuranin medinasve. Pastaj pasuan edhe muhaxhirët e tjerë, si Bilall bin Rebahi, S’ad bin Ebi Vekasi, Am-mar bin Jasiri, si dhe Umer bin Hat-tabi, ky i fundit i shoqëruar me njëzet ashabë, të cilët emigruan të mbështetur në trimërinë e Omerit r.a..
Mushrikët kurejshë qenë përpjekur, me metoda të ndryshme, të parandalonin emigrimin në Medinë, duke i provokuar ata që donin të emigronin, duke u shkaktuar probleme dhe trysni të mëdha. Disave u bllokonin pasuritë, duke mos i lejuar t’i merrnin me vete, disa të tjerëve ua ndalonin të merrnin me vete gratë dhe fëmitë e tyre, siç ndodhi me Ebu Seleme’n, të cilin e ndanë nga bashkëshortja e tij Umu Seleme, e quajtur Hind bint Ebi Umeje, si dhe nga fëmija i tij, që quhej Seleme. Kurse atyre që kishin bërë emigrim më parë, ua konfiskonin shtëpitë dhe përfitonin nga shitja e tyre, siç ndodhi me shtëpinë e Abdullah bin Xhahshit, shtëpinë e të cilit Ebu Sufjani e kishte shitur, pasi kishte emigruar Abdullahu. Mirëpo, këto presione dhe trysni, nuk ndikuan në ndërprerjen e Hixhretit të myslimanëve. Muhaxhirët ishin të përgatitur mirë për çdo sakrificë, edhe për të hequr dorë nga pasuria dhe nga të arriturat në këtë dynja, vetëm për hatër të përgjigjes ndaj thirrësit të besimit islam, i cili ishte ngulitur në zemrat e tyre, dhe s’kishte gjë që t’i luhaste.
Historiani i shquar Ez-Zuhriu, thotë: “Pejgamberi a.s. qëndroi në Mekë pas Haxhit në ditët e mbetura të muajit Dhul Hixh-xhe, në muajin Muharrem dhe në muajin Safer. Pastaj mushrikët kurejshë u tubuan, për të marrë vendimin - d.m.th. për ta vrarë Muhamedin a.s.”
Dijetari El-Hakim thotë: “Argumentet e vërteta të rangut mutevatir, dëshmojnë se dita e daljes së Muhamedit a.s. për emigrim, ka qenë ditë e hënë, si dhe hyrja në Medinë, ditë e hënë”.
Para se t’i lejohej nga ana e Allahut xh.sh. Pejgamberit a.s. për të emigruar, ai për çdo ditë vizitonte Ebu Bekrin r.a., mëngjes e mbrëmje, dhe këtë e praktikonte gjithmonë. Ndërsa, atë ditë kur iu lejua të emigronte, duke qenë i fshehur me mbulesë në kokë, shkoi tek Ebu Bekri në kohën e drekës, jo si e kishte zakon më parë. E lajmëroi për emigrim. Zgjodhi kohën e drekës, për shkak se njerëzit në atë kohë strehohen në shtëpitë e tyre për të pushuar, duke ikur nga vapa. Kurse mbulimi i kokës nënkupton ndjenjën e rrezikut përreth tij, përderisa kurejshitët kishin marrë vendim për mbytjen e Pejgamberit a.s.. Allahu xh.sh. në Kuran thotë: “Kujto (o i dërguar) kur ata që nuk besuan, thurnin kundër teje; të ngujojnë, të mbysin ose të dëbojnë. Ata bënin plane, e Allahu i asgjësonte, se Allahu është më i miri që asgjëson (dredhitë)“. Enfal: 30.
Pasi e njoftoi Ebu Bekrin r.a. për lejen e emigrimit, Pejgamberi a.s. u kthye në shtëpi. Xhibrili a.s. e urdhëroi që atë natë të mos flinte në shtratin e tij. Kur në mesnatë u tubuan djelmoshat e familjeve kurejshite rreth shtëpisë së Pejgamberit a.s., të armatosur me shpata në dorë (mushrikët në Darun-nedve kishin marrë vendim që ta mbysnin Muhamedin a.s.), si dhe pasi e vërejti këtë, Pejgamberi a.s. i tha Aliut r.a.: “Fli në shtratin tim, mbulohu me palltën time të gjelbër hadramite, se prej tyre nuk do të të ndodhë asgjë e urrejtur. Ali r.a., si djalë i ri, konsiderohet sakrifikuesi i parë në Islam.
Pejgamberi a.s. shkoi tek Ebu Bekri r.a., meqë ishin marrë vesh që të takoheshin pas mesnatës. Ebu Bekri r.a. i kishte përgatitur dy deve dhe në çdo çast priste Pejgamberin e dashur.
Muhamedi a.s., në shoqëri me Ebu Bekrin r.a., u nisën në drejtim të shpellës Thevr. Aty qëndruan tri ditë. Gjatë natës i shoqëronte edhe i biri i Ebu Bekrit r.a., Abdullahu, i cili ditën qëndronte në Mekë, kurse në mbrëmje shkonte në shpellën Thevr, për t’i njoftuar se çfarë flitej për ta në qytet. E në mëngjes herët shkonte në Mekë, që të mos hetohej se natën e kishte bërë jashtë qytetit. Kurse bariu i Ebu Bekrit r.a., Amir bin Fuhejre, e kishte për detyrë t’i sillte dhentë për çdo natë deri tek shpella, që t’u jepte atyre në shpellë qumësht dhensh, si dhe për të humbur gjurmat e Abdullahut dhe të Es- mës. E Esma bin Ebi Bekër r.a., për çdo ditë u sillte atyre ushqim. Askush nuk dyshonte se ajo shkonte atje, sepse ishte me barrë, në muajin e shtatë.
Pejgamberi a.s., së bashku me Ebu Bekrin r.a. e kishin paguar Abdullah bin Urejkitin, i cili - edhe pse ishte jomysliman, ishte i besueshëm - që t’ua tregonte rrugën më pak të ngarkuar për në Medinë. Ai shquhej si njohës i shkathët i rrugëve.
Ebu Bekri r.a. mori me vete tërë pasurinë që kishte, për t’ia lënë në kompetencë Pejgamberit a.s.. Esma thotë se ajo pasuri arrinte shumën deri në 5.000 a 6.000 dërhemë.
Gjatë kohës sa qëndruan në shpellë, mushrikët kishin arritur deri aty, duke ndjekur gjurmat e tyre. Ata ishin afruar aq, saqë Ebu Bekri r.a. i kishte parë këmbët e tyre dhe i kishte thënë Pejgamberit a.s.: ‘O i dërguar i Allahut, sikur ndonjëri prej tyre të përkulet për të parë, do të na shohë’. Pejgamberi a.s. i tha: “Hesht, o Ebu Bekër, ç’mendon për dy veta, i treti i tyre është Allahu xh.sh.”.7 Allahu xh.sh. në Kuran thotë: “Në mos e ndihmofshi atë (Pejgamberin), atë e ka ndihmuar Allahu; kur ata që nuk besuan, e nxorën atë vetë të dytin; kur që të dy ishin në shpellë, kur po i thoshte shokut të vet: “Mos u pikëllo (frikëso), Allahu është me ne!” E Allahu i zbriti qetësi (në shpirtin e) atij, e fuqizoi me një ushtri që ju nuk e patë; e fjalën e atyre që nuk besuan, e bëri më të ulëtën, kurse Fjala e Allahut (është) më e larta. Allahu është më i fuqishmi, më i urti”. Et-tevbe: 40.
Mushrikët kurejshë shpallën lajmin se ai që arrinte ta zinte Muhamedin dhe ta dorëzonte tek kurejshët, të gjallë a të vdekur, do të merrte shpërblim njëqind deve. Shpalljen e këtij lajmërimi kurejshët e bënë haptazi para masës, kështu që populli i Mekës, me të dëgjuar për këtë shpërblim, menjëherë u shpërndanë për të kërkuar Muhamedin a.s. dhe shokun e tij, gjë që dëshmon se kontrolli ka qenë shumë i organizuar.
Mund të marrim vetëm një shembull të vërtetuar, i cili dëshmon për këtë kontroll të përpiktë.
Tregimi i Suraka bin Malikut, të cilin e tregon vet Suraka, është i gjatë, mirëpo mund ta japim shkurtimisht.
Suraka bin Malik thotë: “Isha ulur në një klub të fisit tim, kur erdhi një njeri i fisit tonë dhe u ndal para nesh duke thënë: ‘Për Zotin, më herët kam parë tre veta hipurë mbi deve, të cilët kaluan pranë meje; duket të kenë qenë Muhamedi me shokë’. Unë i shkela syrin, që të heshte, e pastaj i thashë: ‘Ata janë të bijtë e filanit, janë duke kërkuar një kafshë që u ka humbur’. ‘Ndoshta’ - u përgjigj ai, pastaj heshti. Unë qëndrova pak çaste dhe shkova në shtëpinë time, mora kalin dhe armët e u nisa drejt Muhamedit dhe shokëve të tij. Gjatë rrugës, kali im u tremb dhe më tronditi, e unë u rrëzova. Thashë ç’është kjo!! U rrëzova edhe një herë. Herën e tretë, kur isha më afër Muhamedit a.s., këmbët e para të kalit tim shafuan në rërë, e unë u rrëzova prapë. Kur kali nxori nga rëra këmbët e para, së bashku me këmbët doli edhe një tym si furtunë. Atëherë i thirra ata me zë të lartë: Unë jam Suraka bin Malik bin Xhu’- shum, më pritni, dua t’ju flas, se, për Zotin, nuk do t’ju sjell asfarë dëmi’. Aq shumë ndieja frikë, saqë doja vetëm siguri, se nuk do të më ndodhte asgjë gjatë rrugës kur të kthehem në shtëpi. Pasi që kërkova, Muhamedi a.s. e urdhëroi Ebu Bekrin të shkruante, dhe ai shkroi një shkresë në një asht apo lëkurë kafshe, e cila nënkuptonte siguri - mbrojtje për mua (Suraka bin Malikun)”.
Pas ngjarjes së Surakas, Muhamedit a.s. nuk i ndodhi asnjë rrezik tjetër, derisa arriti në Medinë.
Kur kishin dëgjuar për daljen e Muhamedit a.s. nga Meka dhe nisjen e tij në drejtim të tyre, myslimanët e Medinës zunë të dilnin për çdo ditë, qysh prej mëngjesit, në skaj të Medinës dhe pritnin deri në drekë, kur dielli përcëllues i detyronte të ktheheshin për shkak të vapës së madhe.
Pas një udhëtimi të mbushur rreziqe, i cili zgjati më shumë se njëmbëdhjetë ditë, qyteti Jethrib, së bashku me popullin e tij mysliman, u nderuan nga ardhja e Muhamedit a.s.. Qe kjo Ardhja që mbushi gëzim dhe krenari myslimanët e Medinës, sepse kishte arritur Pejgamberi i tyre.
Ditën kur Muhamedi a.s. do të arrinte, jethribasit pritën derisa nuk mbeti asnjë vendstrehim, për t’u strehuar, e ata u kthyen. Kur Pejgamberi a.s. arriti, ata tashmë kishin hyrë në shtëpitë e tyre. Të gjithë ishin në pritje me zemrat plot dashuri për ta parë Pejgamberin a.s., dhe sidomos ata që i kishin besuar pa e parë, kur ja, i pari që nga pullazi i shtëpisë së tij, e pa Pejgamberin a.s. tek po vinte, ishte një jahudi jethribas, i cili thirri: “O të bijtë e Kile’s - nëna e dy vëllezërve: Evsit dhe Hazrexhit -, zotëria juaj, që po e prisni, erdhi!”
Të gjithë jethribasit myslimanë, burra, gra dhe fëmijë, dolën për ta pritur të dërguarin e Allahut xh.sh., duke marrë me vete edhe armët e tyre, për të dëshmuar qysh prej momentit të parë, se gjithnjë janë të gatshëm për të mbrojtur Pejgamberin e tyre.
Një transmetim dëshmon se numri i atyre nga ensarët, që kishin dalë për ta pritur Pejgamberin a.s., ishte pesëqind. Duke qenë të rrethuar, Muhamedi a.s. dhe Ebu Bekri r.a., hipur mbi deve, hynë në Medinë, e gjithandej dëgjoheshin zëra: “Erdhi i dërguari i Allahut. Erdhi i dërguari i Allahut”. Burrat dhe gratë kishin hipur mbi shtëpi, kurse fëmijët ishin shpërndarë nëpër rrugët e qytetit dhe thirrnin: “O Muhamed, o i dërguar i Allahut, o Muhamed, o i dërguar i Allahut”!
Ashabi El Bera bin Azib - dëshmitar rasti, thotë: “Nuk e kam parë popullin e Medinës të ishte gëzuar më shumë, aq sa i kishte gëzuar ardhja e Muhamedit a.s.”.
Veçoritë e rëndësishme të Hixhretit:
1- Vendosshmëria: Pse emigroi? Transmeton Buhariu nga Umer bin
Hat-tabi r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Veprat shpërblehen sipas qëllimeve, andaj çdonjërit i takon ajo që ka për qëllim. Pra, kush emigron për hir të Allahut dhe të dërguarit të Tij, emigrimi i tij do të jetë për Allahun dhe për të dërguarin e Tij. Kurse kush bën emigrim me qëllim që të arrijë ndonjë të mirë të kësaj bote, apo për t’u martuar me ndonjë grua, emigrimi i tij do të jetë, për atë që ka pasur për qëllim”. (Buhariu, Muslimi).
Ndonëse emigrimi për martesë nuk është i ndaluar, ashtu siç nuk është i ndaluar as emigrimi për të arritur ndonjë të mirë e të lejuar të kësaj bote, këto lloje të emigrimeve nuk krahasohen me emigrimin që ka për qëllim ngritjen e ymetit islam.
Dallimi është shumë i madh në mes qëllimit të atij që ka braktisur çdo gjë që posedon, për hir të Allahut xh.sh., si dhe duke synuar themelimin e ymetit islam, me qëllim të zbatimit në praktikë të Ligjit të Allahut xh.sh. në tokë, dhe qëllimit të atij që synon vetëm të jetojë, edhe nëse jeta e tij është e lejuar.
2- Emigrimi i domosdoshëm
Dyert e thirrjes islame u mbyllën, qysh tre vjet para Hixhretit, pas vdekjes së Ebu Talibit dhe zonjës Hadixhe r.a. Qysh prej asaj kohe Pejgamberi a.s. filloi të hartonte plane për Hixhret. Sikur takishte besuar ndonjëri prej delegacioneve të fiseve të tjera arabe, të cilave u bëri thirrje Pejgamberi a.s., siç ishin Benu Shejban, Benu Hanife apo Benu Amir, - do të ishte e mundur që vend emigrimi të ishte ndonjë vend tjetër, dhe jo Medina. Mirëpo Allahu xh.sh. deshi që vend emigrimi të ishte Medina e ndritshme. Megjithatë, vend emigrimi nuk ka qenë edhe aq i rëndësishëm, sa ishte i rëndësishëm pikëvrojtimi se emigrimi nuk nënkuptonte një lloj përtacie krahas thirrjes islame në Mekë, apo “shkatërrim” i thirrjes në Mekë. Jo, kurrsesi.. Thirrja islame në Mekë, që prej ditës së parë, ka qenë e vështirë, mirëpo emigrimi i përgjithshëm i myslimanëve, u bë vetëm atëherë kur dyert e thirrjes islame qenë mbyllur tërësisht.
3- Emigrimi - për të gjithë
Natyra e vendit dhe rrethanat e tij, dallonin në mes Etiopisë dhe Medinës. Myslimanët që emigruan në Etiopi, donin ta ruanin veten, në një vend të sigurt, që feja islame të mos çrrënjosej, po qe se myslimanët në Mekë do të përballeshin me gjenocid ose asgjësim. Emigrimi në Etiopi, nuk kishte për qëllim ngritjen e një qeverie islame, po atje myslimanët emigruan si refugjatë tek mbreti i drejtë i Etiopisë. E qëllimi i emigrimit në Medinë, ishte ngritja e një qeverie islame, që qendra kryesore e së cilës të ishte Medina.
Pse i plotësonte kushtet për ngritjen e ymetit islam qyteti i Medinës, dhe Etiopia jo? Shkaku nuk ndërlidhet me largësinë nga Meka, dhe as me dallimet e gjuhës dhe të traditave, edhe pse këta janë prej faktorëve të rëndësishëm, po dallimi kryesor ishte se në Etiopi mbështetje gëzoni vetëm nga një njeri, që ishte Nexhashiu - mbreti i Etiopisë -, dhe, po të vdiste a të shkarkohej ai njeri, atëherë myslimanët do të ndodheshin në rrezik të madh. Madje myslimanët në Etiopi kanë qenë shumë afër këtij rreziku, në kohën kur aty shpërtheu luftë qytetare, kur Nexhashiu gati ta humbte sundimin e tij.. Kështu ishin rrethanat në Etiopi. Ndërsa në Medinë emigrimi nuk mbështetej në një njeri të veçantë, po në popullin e saj. Atmosfera e përgjithshme në Medinë për fenë islame, u bë e dashur dhe e dëshiruar, ose së paku aty kishte gatishmëri për të pranuar ideologjinë islame. Dhe, në fund, emigrimi në Medinë ishte një kolektiv i plotë, i të gjithëve.
4- Vend emigrimi nuk ishte i rastësishëm
Kjo ndikoi që emigrimi të kishte sukses në formimin e ymetit islam. Kurse emigrimi i një pjese në një vend dhe i të tjerëve në një vend tjetër, duke u shpërndarë myslimanët, edhe nëse në këtë mënyrë, disa individë mund të arrinin një sukses të përkohshëm, - kjo nuk nënkupton formimin e një ymeti. Rastësia në fenë islame nuk konsiderohet nga metodat e përmirësimit dhe të suksesit..
Emigrimi i Pejgamberit a.s. dhe i myslimanëve ka qenë organizim i hartuar mirë, me saktësi, krahas përputhshmërisë me atë që vinte nga vahji - Shpallja.
Mësimet e nxjerra nga Hixhreti
Pasi u njohëm me të dhënat e nëntitujve të sipërpërmendur, që janë të ndërlidhura me Hixhretin, është më se e pëlqyer të bëjmë një vështrim të disa mësimeve të nxjerra nga kjo ngjarje e begatë, e të dërguarit tonë Muhamedit a.s. dhe shokëve të tij.
Në vijim do të përqendrohemi tek disa mësime, për të cilat duhet të ketë konsideratë çdo mysliman e myslimane: 1. Hixhreti evidentoi durimin e madh të Pejgamberit a.s., që shfaqi përballë çdo vështirësie dhe trysnie të mushrikëve kurejshitë, përmes të cilave myslimanët dhe Pejgamberi i tyre sprovoheshin. Mirëpo, me gjithë trysninë e madhe e të llojllojshme dhe provokimet e shumta, Muhamedi a.s. duroi derisa triumfoi. Këto trysni nuk ndikuan, veçse në shtimin e besimit dhe në forcimin e përkushtimit të Pejgamberit a.s. dhe të shokëve të tij përballë thirrjes islame.
2. Hixhreti njofton shumë qartë se thirrësi i misionit islam gjithsesi duhet të ketë Muhamedin a.s. mostër në të gjitha sferat e jetës së tij, dhe sidomos në atë fetare. Pra, thirrësi islam e ka të domosdoshme që të kërkojë një vend a ambient, ku thirrja e tij të jetë e pranuar, dhe jo të jetë i cekët, duke e kufizuar vetëm në vendin ku të tjerët e përgënjeshtrojnë, nuk i besojnë dhe nuk dëshirojnë të pranojnë mesazhin e tij fetar.
3. Sikur të mos ishte plani i hartuar nga Pejgamberi a.s. i fshehtë, emigrimi i myslimanëve dhe as i Pejgamberit a.s. nuk do të kishte sukses. Sepse, sikur ta dinin mushrikët atë plan, atëherë do të kishin marrë masa qysh në hapat e parë të emigrimit.
4. Mrrekullitë, me të cilat Pejgamberi a.s. ishte i shoqëruar, meritojnë t’u bëhet një vështrim: Qysh nga fillimi, kur Pejgamberi a.s. gjatë mesnatës doli nga shtëpia e tij pa e hetuar askush prej mushrikëve, të cilët e pritnin për ta mbytur: Gjatë rrugës, kur Suraka bin Malik pretendonte të arrinte shpërblimin e shpallur të mushrikëve, nëse arrinte ta kapte Muhamedin a.s. të gjallë a të vdekur, që nuk arriti ta bënte, etj..
5. Besnikëria dhe sinqeriteti i Ebu Bekrit r.a. konsiderohet si shembull për dashurinë ndaj Muhamedit a.s.. Ebu Bekri r.a., gjatë tërë kohës së Hixhretit, ishte i gatshëm t’i shërbente Muhamedit a.s. në çdo pikëpamje, duke marrë me vete gjatë udhëtimit edhe të gjitha të hollat, vlera e të cilëve arrinte deri në 5.000 a 6.000 dërhemë. Dëshira e Allahut xh.sh. ka qenë që familja e Ebu Bekrit të dallohej prej familjeve të tjera për një karakteristikë të veçantë: 4 gjenerata të familjes së Ebu Bekrit r.a. hynë në rangun e ashabëve:
a) Ebu Kuhafe - babai i Ebu Bekrit.
b) Ebu Bekri r.a.
c) Esma bint Ebi Bekër - vajza e Ebu Bekrit.
d) Abdullah bin Zubejr bin Av-vami - i biri i Esmas, bijës së Ebu Bekrit. Ky i fundit - Abdullahu, konsiderohet djali i parë që ka lindur në Medinë.
6. Hixhreti evidentoi trimërinë e Aliut r.a., kur pranoi të flinte në shtratin e Muhamedit a.s. natën e Hixhretit, edhe pse ishte i rrezikuar nga shpatat e armiqve të Allahut xh.sh., që kishin rrethuar shtëpinë e Muhamedit a.s., që të gjithë me synimin për të goditur Pejgamberin a.s., dhe gjaku i tij të shpërndahej në të gjitha familjet e fisit Kurejsh. Mirëpo, plani i tyre dështoi dhe nuk arritën ta realizonin.
_________________________
Literatura e konsultuar:
1. Es-sire en-nebevije: Ebul Hasen En-nede- vi.
2. Es-sire en-nebevije fi dav il Kur’ani ve s- sune: Dr. Muhamed Ebu Shuhbe.
3. Es-sire ennebevije fi dav il mesadir el aslijje: Prof.Dr. Mehri rizkullah Ahmed.
4. Es-sire en-nebevije es-sahiha: Dr. Ekrem Dija El Umeri.
5. Es-sire ennebevije fi dav il kitab ves-sune: Prof.Dr.Abdul Muhdi Abdul Kadir.
6. Muhamed A’dhamul basher: Muhamed Ahmed Hadër.
7. El Mevsuatul gazevatil kubra: Muhamed bin Ahmed Bashmil.
8. El hatabetul menberijetu: Halid Sej-jid Ali.
9. www.islamstory.com
10. Në përkthimin e ajeteve kur’anore, kam përdorur përkthimin e H.Sherif Ahmetit.
_______________
Fusnotat:
1. Buhariu: Hadithi; 4093.
2. Buhariu: nr; 1276.
3. Jemame: Qytet në Jemen.
4. Hexher: Vend në Bahrejn.
5. Buhariu: nr: 3622.
6. Buhariu: nr: 3905.
7. Buhariu: nr: 4663.
Mr. Samir B. Ahmeti
Dituria Islame 210