Medreseja e parë në trojet shqiptare, në bazë të burimeve, është Medreseja e Is'hak Beut në Shkup, e ndërtuar para vitit 1411, Kjo medrese ka qenë institucioni arsimor më prestigjioz në Ballkan (Rumeli), ku kanë dhënë mësim dijetarë të njohur të kohës, ndër ta ka pasur edhe vendas si, Shuxhaudin Iljazi, Ihnu'l Muidi etj.
Periudha Osmane(1) shënon një kthesë zhvillimore në historinë e edukimit dhe të arsimit shqiptar, në krahasim me periudhat historike të më hershme. Kjo kthesë shihet në cilësinë e kurrikulës që ofronte sistemi edukativo-arsimor osman dhe në përmasat e shtrirjes së institucioneve edukative arsimore në tokat etnike shqiptare.
Burimet kryesore të kësaj kthese kanë qenë qëndrimi i Islamit ndaj edukimit, arsimit dhe shkencës, si dhe organizimi dhe funksionimi i sistemit edukativo-arsimor në shtetin osman. Gjithashtu ndër faktorët tjerë që ka ndihmuar funksionalizimin dhe zhvillimin e sistemit edukativ arsimor ndër myslimanët, pjesë e të cilit komunitet është edhe populli shqiptar, në periudhën osmane ka qenë institucioni i vakëfit.(2)
Veprimtaria edukative-arsimore në trojet shqiptare së pari ka filluar të zhvillohet në xhami ose pranë xhamisë, pra qysh nga periudha e parë e krijimit të komunitetit shqiptar mysliman. Andaj historia e arsimit në trojet shqiptare ndërlidhet me historinë e ndërtimit të xhamive të para në këto troje, që ka filluar në vitet e para të vendosjes së pushtetit osman. Sipas të dhënave të shkruara, xhamitë e para në tokat shqiptare janë ndërtuar në Manastir, nga fundi i shek. XIV dhe fillimi i shek. XV.(3)
Në shtetin osman sistemi arsimor-edukativ zhvillohej në tri nivele shkollimi. Niveli i ultë realizohej në mejtepe, kurse niveli i mesëm dhe i lartë i arsimit realizohej në medrese. Përveç këtyre shkollave, në qendrën e Perandorisë Osmane, në Stamboll funksiononte edhe mejtepi Enderun.(4)
Niveli i dytë i arsimimit dhe edukimit në shtetin osman ishte medreseja, që ka qenë boshti i arsimit dhe edukimit. Medreseja e parë në shtetin osman është ndërtuar në Iznik në vitin 1331, nga Orhan Gazi i biri i Osmanit. Ndërsa medreseja e parë në trojet shqiptare, në bazë të burimeve, është Medreseja e Is’hak Beut në Shkup, e ndërtuar para vitit 1411. Kjo medrese ka qenë institucioni arsimor më prestigjioz në Ballkan (Rumeli), ku kanë dhënë mësim dijetarë të njohur të kohës, ndër ta ka pasur edhe vendas si, Shuxhaudin Iljazi, Ibnul Muidi etj. Medresetë e para në Kosovën e sotme janë ndërtuar rreth mesit të shek. XV. Medreseja më e vjetër në Kosovë është ajo e Gazi Ali Beut në Vushtrri, e ndërtuar ndërmjet viteve 1444-1455. Në Pejë kanë funksionuar dy medrese; Medreseja e Vjetër (Medrese-i Atik) e cila bashkë me bibliotekën e saj, imaretin (kuzhinën publike pa pagesë për të varfër dhe mysafirë), teqenë etj., është ndërtuar nga Mehmet Beu para vitit 1516, ndërsa Medreseja e Re (Medrese-i cedid) dhe mejtepi janë ndërtuar nga Kahraman Pasha, i biri i Ibrahim Pashe Begollit, pasi që rinovoi xhaminë e Sinan Agës (Xhamia e Kuqe), në vitin 1759. Medreseja e Mehmet Pashës në Prizren është ndërtuar nga Gazi Mehmed Pasha në vitin 1537, e cila ka qenë njëra ndër institucionet edukative arsimore më prestigjioze në trojet shqiptare. Medreseja e Besharet Begut në Prishtinë është ndërtuar nga Besharet Begu para vitit 1566. Në bazë të sallnameve të Vilajetit të Kosovës dhe të Sallnames së Arsimit të vitit 1900, ne Prishtinë ka funksionuar Medreseja e Sulltan Selimit e cila është ndërtuar nga Sulltan Selimi III ndërmjet viteve 1879-1883 dhe Medreseja e Pirinazit, e cila është hapur me kontributin e popullatës vendase pas vitit 1885; në Prizren në vitin 1900 ka funksionuar Medreseja Mehmet Pasha, Medreseja Sinan Pasha, Medreseja Saraçhane dhe Medreseja e Lagjes Terzi; në Gjakovë në vitin 1893 kanë funksionuar dy medrese që kanë pasur gjithsej 47 talebe; në Pejë ka funksionuar Medreseja Bollazade e cila kishte 16 talebe dhe Medreseja Osman Çavush që kishte 25 talebe; në Gjilan në vitin 1900 ka funksionuar Medreseja e Xhamisë Atik dhe Medreseja e Dobërçanit, në të cilat myderriz kanë qenë Adem efendiu, Selim efendiu dhe Halid efendiu nga Dobërçani; në Vushtrri nga viti në vit ka ndryshuar numri i medreseve, ndërsa ndërmjet viteve 1896-1900 kanë funksionuar dy medrese të cilat kanë pasur 42 talebe, dhe në Mitrovicë ndërmjet viteve 1893-1900 ka funksionuar Medreseja Gazi Isa Bej, e cila ka pasur 32 talebe.(5)
Pra, siç po shihet, gjatë periudhës osmane pothuajse në të gjitha qytetet e Kosovës ka pasur medrese, madje brenda një qyteti jane hapur më shumë se një medrese, siç e kemi rastin me Prishtinën, Prizrenin, Pejën, Gjakovën, etj. Kjo tregon nivelin e arsimit dhe edukimit të shqiptarëve myslimanë, cili ka qenë i kënaqshëm për rrethanat e atëhershme, sidomos në shekullin XVIII. Krejt kjo është arritur falë kontributit të fisnikërisë shqiptare për ndërtimin e institucioneve edukative arsimore e kulturore. Hapja e këtyre medreseve ndikoi edhe në përgatitjen dhe nxjerrjen e kuadrove dhe intelektualëve të shumtë, të cilët me sukseset e tyre arritën që të shërbejnë edhe në institucionet më të larta të shtetit osman.
Plan-programi mësimor në medresetë e Kosovës
Në sistemin e medreseve osmane, mësimi nuk është zhvilluar brenda një programi mësimor të caktuar, domethënë nuk kishte një kurrikulë që mund të ndiqej. Plan-programet përcaktoheshin drejtpërdrejt nga myderrizët. Myderrizët, në cilëndo lami në të cilën ishin të specializuar, në atë lami e merrnin për bazë librin më të njohur për t'ia mësuar studentëve dhe ata studentë që ishin të suksesshëm, atyre u jepnin ixhazetname.(6)
Në medresetë e Kosovës janë mësuar ato lëndë që janë mësuar edhe në medresetë e tjera në Perandorinë Osmane. Në medresetë e Kosovës jepnin mësim myderrizët e arsimuar në qendra të ndryshme të arsimit dhe kulturës islame. Shumë studentë nga Kosova që kryenin medresenë shkollimin e vazhdonin edhe në qendra të tjera, si në Stamboll, Kajro etj.(7)
Medresetë në Kosovë, ashtu si në vendet e tjera të Perandorisë Osmane, nuk kanë qenë të nivelit të njëjtë. Disa kanë qenë të nivelit më të mirë, e disa të nivelit më të dobët. Disa prej tyre, si Medreseja e Mehmet Pashës në Prizren dhe Medreseja e Madhe në Gjakovë etj., me myderrizët që kishin dhe me lëndët të cilat mësoheshin në to, krahasoheshin me Medresetë Fatih të Stambollit që kanë qenë të rangut ma të lartë.(8) Një pasqyre të përgjithshme të lëndëve që janë mësuar në medresetë e Kosovës mund të nxirret duke u bazuar në biografitë e ulemave dhe të myderrizëve, në diplomat e tyre (ixhzetmetë), vakëfnametë etj. Në bazë të shahadetnamesë së Fahri Iljas efendiut, në Medresenë "Mehmet Pasha" në Prizren janë mësuar këto lëndë:(9) Kurani Kerimi, Texhvidi, Usuli fikh, Ilmi Kelam, Shkencat natyrore-fizikë (Hikmeti Tabi'iyye), Teologji (Hikmeti ilahiyye), Logjika (mantiku), Tefsiri, Hadithi, E drejta trashëgimore, Matematika, Histori e profetëve (Tarih-i enbiya), Metafora (Ilmi beyan), Retorik (Ilmi bedi'), Kaligrafi (Husn-i hatt), Bukurshkrim (Imla), Gramatika (Ilmi sarf), Sintaksa (Ilmi nahv).
Mësimi i shkencës së fikhut në medresetë e Kosovës
Qëllimi kryesor i themelimit të medreseve ka qenë mësimi i shkencës së fikhut. Në medrese, përveç lëndës së fikhut janë mësuar edhe shkencat të tjera islame dhe shoqërore që i kemi cekur më lartë, si Kurani, Tefsiri, Hadithi, Kelami, Ahlaku, Logjika (Mantiku), Mjekësia, Filozofia, Gjuhësia, Gramatika (Ilmi sarf), Sintaksa (Ilmi nahv), Matematika, etj.(10) Ekzistojnë informacione të sigurta se në të gjithat medresetë osmane, pjesë e të cilave kanë qenë edhe medresetë në trojet etnike shqiptare, është mësuar shkenca e fikhut.
Me "Rregulloren për Reformimin e Medreseve" të datës 1 tetor 1914, të gjitha medresetë osmane u numëruan si një medrese e vetme dhe u quajtën "Medreseja e Qendrës së Hilafetit" (Daru’l-halifeti’l-aliyye Medresesi). Në bazë të kësaj rregulloreje, mësimi në medresetë do të përbëhej prej tri fazave, ku secila prej të tyre do të zgjaste katër vjet. Faza e parë quhej faza e parë e arsimit të kategorisë së dytë (Tali Kism-i Evvel), faza e dytë quhej faza e dytë e arsimit të kategorisë së dytë (Tali Kism-i Sani) dhe faza e tretë quhej faza e arsimit të lartë (Kism-i Ali). Në vitin e tretë dhe të katër të fazës së parë të arsimit të kategorisë së dytë mësohej lënda e fikhut, në dy vitet e para të fazës së dytë të arsimit të kategorisë së dytë mësohej lënda e fikuht, kurse në dy vitet e fundit mësohej edhe lënda e fikhut edhe lënda e usuli fikhut, ndërsa në fazën e arsimit të lartë gjatë katër viteve mësohej lënda e fikhut dhe usuli fikhut.(11)
______________________
Jeton Neziri
Dituria Islame 366