Abstrakt
Në këtë punim synojmë të ofrojmë disa mësime të rëndësisë së veçantë që ka surja “El-Bekare”, sikurse do të mësojmë për objektivin kryesor të kësaj sure, që është “istihlafi”, qeverisja në tokë. Kjo sure e vë theksin veçanërisht te tre modele të qeverisjes:
1) modeli i Ademit a.s., 2) modeli i Beni Israilëve, 3) modeli i Ibrahimit a.s.. Dy modelet e para sipas tekstit kuranor të kësaj sureje janë modele të dështuara, ndërsa modeli i Ibrahimit a.s. është modeli më i suksesshëm. Allahu i Gjithëfuqishëm nuk e favorizon askënd, qoftë ai edhe prej umetit të Muhamedit a.s., prandaj kushdo që dështon në bartjen e përgjegjësisë, Zoti do ta zëvendësojë atë, siç i ka zëvendësuar popujt që ishin para umetit të Muhamedit! Fjalët kyçe: qeverisje, objektiv, Beni Israilët, mosbindje, begati.
Karakteristikat e sures „El-Bekare”
Surja El-Bekare është kaptina e parë që ka zbritur në Medinë(1) pas emigrimit. Kjo kaptinë ka shoqëruar formimin e shoqërisë islame në Medinë nga fillimi e deri në mbarim. Është kaptina më e gjatë e Kuranit famëlartë, e cila përbëhet nga gjithsej 286 ajete. Meqenëse ishte kaptina më e gjatë, kjo bëri që të shpallej gati në tërë periudhën e Medinës.
Vlera e sures „El-Bekare” sipas haditheve të Muhamedit a.s.
Janë të shumta hadithet e evidentuara në përmbledhjet e korpusit të porosive dhe udhëzimeve të Pejgamberit a.s., të cilat flasin për vlerën e kaptinës El-Bekare, e cila veçohet nga mesi i kaptinave të përgjithshme kuranore. Këtu më poshtë do të përmendin disa prej tyre:
1. Transmeton Muslimi: “Ditën e Kiametit do të paraqitet Kurani me ithtarët e tij, të cilët kanë vepruar me të në dynja, atyre do t’u prijë surja El-Bekare dhe surja Ali-Imran, duke e mbrojtur personin që ka punuar me to”.(2)
Në një transmetim tjetër thuhet: “Ditën e Kiametit do të paraqitet Kurani me ithtarët e tij, të cilët kanë vepruar me të në dynja, atyre do t’u prijë para surja El-Bekare dhe surja Ali-Imran, sikur të ishin dy re!”(3)
Ditën e Kiametit nxehtësia do të jetë e ashpër! Dielli do të jetë afër mbi kokat e njerëzve, kurse kjo kaptinë vjen dhe i bën hije besimtarit që e ka mësuar përmendësh, ka punuar me të apo e ka lexuar shpesh.
2. Në një transmetim tjetër të përmbledhjes së Muslimit lexojmë hadithin në vijim: “Në shtëpinë ku lexohet surja El-Bekare nuk hyn shejtani!” Në një transmetim tjetër thuhet: “tri ditë nuk hyn shejtani në të”.(4)
Për rolin e kësaj sureje tregohet gjithashtu se Pejgamberi a.s. kur ishte në pozita të vështira gjatë betejës, i thërriste muslimanët: -Ku janë shokët e sures “El-Bekare”? Siç shihet, shokët e sures El-Bekare ishin njerëz të veçantë, që sapo e dëgjonin thirrjen, suleshin me nxitim për t’u përgjigjur thirrjes.
Përputhshmëria e ajetit të fundit të sures „El-Fatiha” me ajetet e para të sures El-Bekare
Surja El-Fatiha në përfundimin e saj tregon se kush janë ata që i ka bekuar Allahu xh.sh., ata që ishte i hidhëruar ndaj tyre si dhe ata që kanë humbur.
I Lartmadhërishmi në Kuran thotë: “Në rrugën e atyre, të cilët i bekove, jo të atyre që kanë merituar hidhërimin, e as të atyre që kanë humbur!”(5)
Kurse surja El-Bekare fillon me përmendjen e gjithë këtyre të lartpërmendurve, por së pari fillon me përmendjen e të devotshmëve. I Lartmadhërishmi në Kuran thotë: “Ky libër, në të cilin nuk ka dyshim aspak, është udhëzim për të devotshmit.”(6)
Këta janë ata që i ka bekuar Zoti dhe pastaj ofron përshkrimin e atributeve të “el-mutekinëve”, të devotshmëve, në ajetin 3-5, thotë: “Të cilët e besojnë të fshehtën-gajbin, e kryejnë faljen, dhe prej asaj që Ne i kemi furnizuar japin. (3) Dhe ata të cilët e besojnë atë që t’u shpall Ty dhe atë që është shpallur para teje, dhe të cilët për ahiretin (botën tjetër) janë të bindur. (4) Të tillët janë të udhëzuarit nga Zoti i tyre dhe të tillët janë të shpëtuarit(5).”(7)
Pastaj ajeti në vijim: “E për ata që mohuan është njëlloj, ua tërhoqe vërejtjen apo nuk ua tërhoqe, ata nuk besojnë.(8)”
Ky ajet përfshin jobesimtarët ndaj të cilëve është i hidhëruar, sikurse edhe të humburit. Më pas përmend mynafikët, hipokritët, kur thotë:
Ka prej njerëzve që thonë: “Ne i besojmë Allahut dhe jetës tjetër (ahiretit)”, por ata nuk janë besimtarë”.(9)
Pra, ka një përputhshmëri të plotë mes fundit të sures El-Fatiha dhe ajeteve me të cilat fillon surja El-Bekare.(10)
Objektivi i sures: Përgjegjësia e rregullimit të jetës në tokë bie mbi njeriun.
Pa dyshim se çdo sure prej sureve të Kuranit famëlartë ka një objektiv që synon ta arrijë. Objektivi i kësaj sureje është qeverisja në tokë, që do të thotë: O ju njerëz, ju jeni përgjegjës për mbajtjen e rendit dhe rregullit në tokë. Qeverisja dhe menaxhimi në tokë është përgjegjësi që jua ka ngarkuar Allahu xh.sh. dhe këtë përgjegjësi duhet ta kryeni sipas mësimeve dhe udhëzimeve të Tij.
Allahu xh.sh. përgjatë historisë ua dha qeverisjen në tokë popujve të ndryshëm. Disa prej tyre patën sukses e disa dështuan. Tani në fund radhën e ka ky umet. Mirëpo, Allahu i Gjithëfuqishëm nuk e favorizon askënd, qoftë ai edhe umeti i Muhamedit a.s.. Prandaj, nëse pjesëtari i umetit musliman dështon në bartjen e përgjegjësisë, atëherë Allahu do ta zëvendësojë atë, siç i ka zëvendësuar edhe popujt që ishin para umetit të Muhamedit.
Këtu mësojmë edhe arsyen se përse El-Bekare është surja e parë pas sures El-Fatiha, sepse pikërisht kjo sure përcakton udhëzimet për rregullimin organizativ shoqëror në tokë.
Gjithashtu, ne përmes kësaj sureje mësojmë edhe shkakun e zbritjes së saj në Medinë dhe përse ajo vazhdoi të shpallej për nëntë vite me radhë gjatë gjithë periudhës medinase. Pejgamberi a.s., siç edhe dihet, kur emigroi nga Meka në Medinë, filloi të ndërtonte edhe shoqërinë e parë muslimane, e cila kishte nevojë për t’u udhëzuar, se si të ishte përgjegjëse për rregullimin sa më të mirë të jetës në tokë, si dhe për të mësuar se si mund ta kryente misionin për të cilin kjo shoqëri është krijuar që ta kryejë.(11)
Shejh Muhamed el-Gazali thotë: “Është e vërtetë që Muhamedi a.s. urdhëroi që një djalosh -edhe pse ishte shumë i ri- t’i besohej detyra e udhëheqësisë, ngase ai e dinte përmendësh suren El-Bekare! Ai nuk kishte nxënë në mend vetëm shkronjat, por e dinte tërë përmbajtjen e saj, inspirimet dhe dispozitat e saj, dritën e saj dhe tërë atë që ajo e ndante (të vërtetën nga e pavërteta). Kështu formohen dhe ngrihen popujt...”(12)
Njeriu duhet ta dijë se përgjegjësia e rregullimit dhe ndërtimit të tokës bie mbi të. E kjo nuk mund të bëhet ndryshe vetëm se me qeverisje të mirë. Njeriu nuk duhet të pranojë që të jetë i dështuar në jetë, por duhet bërë maksimumi për të qenë i suksesshëm. Kjo bëhet e qartë edhe gjatë analizave dhe leximit të sures El-Bekare.
Kaptina El-Bekare ndahet në katër pjesë;
1. parathënia
2. pjesa e parë
3. pjesa e dytë
4. përfundimi.
Në parathënie përshkruhen llojet e njerëzve dhe karakteri i tyre, duke filluar nga ajeti (1-29), si vijon:
Të devotshmit “el-mutekun”, ajeti 1-5. Ata që mohuan “el-kafirun”, ajeti 6-7. Hipokritët “el-munafikun”, ajeti 8-20.
Sa i përket llojit të fundit, hipokritëve, ata zënë një hapësirë më të madhe, për të tërhequr vërejtjen e kujdesit prej tyre, ngase përbëjnë rrezik dhe dëm të madh në shoqëri, duke e shfaqur publikisht besimin e duke e mbuluar mosbesimin e tyre, këta janë më të rrezikshëm se jo-besimtarët.(13)
Pjesa e parë: Në këtë pjesë paraqiten tre modele nga grupet e njerëzve, që Allahu xh.sh. ua kishte ofruar qeverisjen e tokës. Këto modele janë:
- Ademi a.s. mëkëmbës i parë në tokë, ajeti 30-39. - Beni Israilët, ajeti 40-123.
- Ibrahimi a.s., ajeti 124-141.
Dy modelet e para janë modele të dështuara, ndërsa modeli i Ibrahimit a.s. është paraqitur si model i suksesshëm.
Ademi a.s.
Ademi a.s. u zgjodh nga Krijuesi Fuqiplotë, që të jetë mëkëmbës i parë në tokë, siç na njofton i Lartmadhërishmi në Kuran: “(Përkujto Muhamed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës!”(14)
Ademi ishte përvoja e parë e qeverisjes në tokë. Duke qenë që Ademi ishte zgjedhur nga i Lartmadhërishmi direkt, kjo na mëson që përgjegjësia e qeverisjes dhe barra e menaxhimit në tokë nuk bie mbi ata që nuk e besojnë Allahun xh.sh., e as mbi ata që e kundërshtojnë programin e Tij, por kjo barrë bie mbi supet e besimtarëve sepse Ademi a.s. përveç që u zgjodh si kalif (udhëheqës), ishte edhe Pejgamber/(15)
Fjala e të Lartmadhërishmit thotë: “E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit të gjithë emrat (e sendeve)”.(16) Çka nënkupton kjo?
Kjo do të thotë që i Lartmadhërishmi ia mësoi Ademit natyrën e jetës, metodat e funksionimit të gjërave në këtë jetë, ia mësoi emrat e krijesave dhe funksionet e tyre, të diellit, hënës, detit, pemëve, frutat, etj..(17) Kjo nënkupton paralajmërim për besimtarët që ata të mos mendojnë se do të jenë udhëheqës në tokë pa e ditur se si menaxhohen këto gjëra. Këtë e dëfton edhe ky ajet: “Ai që për ju bëri tokën shtrat, (vendbanim) e qiellin kulm”.(18)
Në këtë ajet Allahu xh.sh. na bën të qartë mjetet e kalifatit - mëkëmbësisë siç janë; nënshtrimi i tokës dhe qiellit dhe mbjellja. Ky ajet gjithashtu na tërheq vërejtjen që mos të kuptojmë se Islami është i përkufizuar vetëm në namaz dhe në agjërimin e muajit ramazan, duke mos kuptuar e duke e lënë anash rolin dhe rëndësinë e besimtarëve për menaxhimin e jetës në tokë. Allahu xh.sh. ia mësoi Ademit se si ta menaxhonte jetën e tij në tokë, e përmes tij për të na treguar edhe neve që gjërat në tokë nuk drejtohen e nuk ndryshohen vetëm me mësimin për besimin në Zot, por edhe me krijimtari të reja, dituri, studim dhe zbulim të vazhdueshëm.(19)
Mosbindja është shkak i zëvendësimit të të vjetrit me të riun
Ajeti 36 na tregon përvojën e Ademit me Iblisin(20): “Po djalli i bëri që ata të dy të mashtrohen në atë (pemë ose xhenetin) dhe i nxori ata nga ajo (e mirë) që ishin në të”.(21)
Këtu në këtë ajet fisnik gjejmë treguesin që na mëson se mosbindja është shkak i zëvendësimit. Duket sikur ky ajet na është drejtuar neve në këtë kohë duke na thënë: “O umeti i Muhamedit, ju vazhduat të jeni përgjegjës për tokën për 1300 vite, e ajo që ju ndodhi në 100 vitet e fundit është për shkak të mosbindjes suaj, ashtu siç i ndodhi babait tuaj, Ademit a.s., me gjithë dallimin e madh mes gabimit të Ademit a.s. si Pejgamber dhe mosbindjeve e shkeljeve të turpshme që bën ky umet sot natë e ditë!
Pra, vini re e mësoni nga gabimet e mëparshme, largohuni prej tyre, që pastaj t’ju kthehet qeverisja”.
Kështu vazhdojnë ajetet për ngjarjen e Ademit deri në ajetin 38, në të cilin thuhet: “Ne u thamë: “Dilni prej aty që të gjithë, e juve gjithqysh do t’u arrijë udhëzim prej Meje, e kush pranon udhëzimin Tim, për ata nuk ka as frikë as që do të brengosen”.(22)
Këtu na thuhet se udhëzimi që do të vijë nga Allahu i Lartmadhërishëm është udhëzimi që është përmendur në fillim të kësaj sureje, që ka për qëllim Kuranin famëlartë: “Ky është libri në të cilin nuk ka dyshim, udhëzues për ata që frikësohen (nga Allahu).”(23)
Kurse ne çdo ditë e lusim Allahun gjatë leximit të sures Fatiha, që të ecim në këtë udhëzim: “Udhëzona në rrugën e drejtë!”
Këtu muslimani mund të shijojë ëmbëlsinë e Kuranit dhe lidhshmërinë e ajeteve të tij.
Beni Israilët
Bëni Israilët(24) janë modeli dhe përvoja e dytë e qeverisjes në tokë. Modeli i Beni Israilëve fillon nga ajeti 40 deri tek ajeti 123 në suren El-Bekare. Këto ajetet të Kuranit famëlartë tregojnë dështimin e Beni Israilëve në bartjen e përgjegjësisë ndaj tokës dhe rënien e tyre në këtë provim.
Përkujtim i begative
Ajeti i parë në këtë kontekst është fjala e Allahut xh.sh.: “O bijtë e Israilit, kujtoni (jini mirënjohës për) të mirat e Mia, të cilat ua dhurova juve dhe zbatoni premtimin që më keni dhënë Mua. Unë zbatoj atë që u premtova dhe të më keni frikë vetëm Mua”.(25)
Pra, ajeti i parë që iu drejtua Beni Israilëve është: “Kujtoni (jini mirënjohës për) të mirat e Mia”.
Kurse fjala e parë që na është drejtuar neve në programin tonë është: “Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!”(26)
Sikur do të thotë që fillimi i çdo umeti për përgjegjësinë e menaxhimit të çështjeve në tokë fillon me përkujtimin e begative të Allahut xh.sh..(27_
Llojet e begative dhe të mirave që Allahu xh.sh. u dha Beni Israilëve
Nga këto begati është: “Dhe kur për ju e ndamë detin e ju shpëtuam, ndërsa ithtarët e faraonit i fundosëm, e ju i shihnit (me sytë tuaj).”(28)
“Mandej edhe pas asaj ua falëm (gabimin), ashtu që të falënderoni”.(29)
Fjala është për faljen e mëkatit të adhurimit të viçit(30). Nga Beni Israilët kërkohej që të jenë falënderues për mirësinë e faljes.(31)
“Dhe Ne bëmë që retë t’u bëjnë juve hije, ju furnizuam me rrëshirë (të ëmbël-manna) dhe me shkurtëza (salëa). (Ju thamë) Hani nga të mirat që ju furnizuam! (Ata nuk qenë mirënjohës). Po Neve ata nuk na bënë kurrfarë dëmi, por ata dëmtuan vetveten”.(32)
Përkujtoni, o Beni Israilë, që nga mirësitë e begatitë e Mia, ku Ne po ashtu i dërguam retë për t’u bërë hije juve gjatë qëndrimit në shkretëtirën e Sinasë si dhe ju furnizuam me ushqime të mrekullueshme. Mirëpo ata prapë ishin jomirënjohës ndaj këtyre të mirave e këtyre dhuntive.(33)
Ajete të njëpasnjëshme që flasin për të mirat e dhuntitë që iu dhanë Beni Israilëve, në vazhdim, një pjesë e tyre flasin edhe për gabimet që ata bënë në jetën e tyre dhe kjo që të shërbejë si mësim për ne që të kemi vëmendjen e t’u shmangemi gabimeve të atyre që ishin para nesh.
Gabimet e umetit para nesh
Kështu fillojnë ajetet e Kuranit famëlartë, që i përshkruajnë gabimet e Beni Israilëve: “Dhe kur i thatë: “O Musa, ne nuk të besojmë ty derisa ta shohim Allahun haptazi”.(34)
Kjo për arsye se ishin popull materialist deri në ekstrem. Nga kjo mësojmë që çdo popull i cili bie në këtë gabim trashanik do të ishte edhe arsye e mjaftueshme për ta zëvendësuar atë. Mbizotërimi i materializmit deri në atë masë kur nuk besojnë në asgjë që nuk mund të preket e shihet me shqisat tona. Këtu e kujtojmë atributin e parë të të devotshmëve në fillim të sures, që ishte: “Të cilët e besojnë të fshehtën”.(35)
Ajete të shumta në këtë sure flasin për krimet fatale që kanë ushtruar Beni Israilët, si p.sh. vrasja e Pejgamberëve, mosbindja ndaj tyre, mohimi i ajeteve e fakteve të zbritura nga Allahu Fuqiplotë, sulmi i “as’habus sebti”(36), dredhitë e tyre me dispozitat e Allahut xh.sh., të cilat vazhdojnë deri te tregimi i cili është edhe boshti i sures, “Tregimi i Lopës”.
Përse është quajtur kjo sure „Kaptina e Lopës”?
Disa mund të pyesin përse është emërtuar kjo sure me emrin “Kaptina e Lopës”? Disa mund të përgjigjen: Është quajtur kështu sepse në të ka ardhur ngjarja e lopës. Mirëpo, në këtë sure ka edhe shumë tregime të tjera interesante, atëherë përse është emërtuar pikërisht me këtë ngjarje, pos ngjarjeve dhe tregimeve të tjera?
Tregimi i lopës përmbledh gabimet e mëdha esenciale të Beni Israilëve, për këtë u emërtua kështu, që muslimanët që do të bëhen përgjegjës për tokën t’i kujtojnë këto gabime dhe t’u shmangen atyre. Në këtë tregim të lopës gjejmë si vijon:
Polemika e paargumentuar është çelësi i të këqijave
Këto gabime që bënë Beni Israilët dalin në pah me ajetin 67 të kësaj sureje:?
“(Përkujtoni) Edhe kur Musai popullit të vet i tha: “Allahu ju urdhëron ta therni një lopë! Ata thanë: “A bën tallje me ne?” Ai tha: “Allahut i mbështetem të më ruajë e të mos bëhem nga injorantët!”67) Ata thanë: “Lute Zotin tënd për ne të na sqarojë çfarë është ajo? Ai tha: “Ai thotë se ajo është një lopë as e vjetër (e moshuar) as e re (mëshqerrë), është e mesme, zbatoni pra atë që urdhëroheni!”(68) Ata thanë: “Lute Zotin tënd për ne që të na sqarojë çfarë është ngjyra e saj? A tha: “Ai thotë se ajo është një lopë e verdhë, ngjyra e saj është e fortë që kënaqë shikuesit”.(69) Ata thanë: “Lute Zotin tënd për ne që të na sqarojë çfarë është ajo, se lopët na janë përzier (janë bërë të ngjashme) e ne do të gjejmë të vërtetën në dashtë Allahu!(70) Ai tha: “Ai thotë se ajo është lopë jo e lodhur duke lëruar tokën as duke ujitur bimët, ajo është pa të meta dhe në të nuk ka shenjë (ngjyrë tjetër)!” Ata thanë: “E tash na e sqarove saktë dhe e therën atë, e për pak e lanë pa e kryer punën.”(71)(37)
Tregimi i lopës fillon kur një person nga Beni Israilët vritet dhe nuk dihet se kush është vrasësi, pastaj mes tyre lind edhe pyetja dhe dyshimet se kush mund ta ketë vrarë. Allahu xh.sh. përmes shpalljes e urdhëron Musain a.s. që t’i urdhërojë të therin një lopë dhe që nga ajo të marrin një pjesë të saj dhe ta prekin të vdekurin me të, kështu që ai (njeriu i vdekur) do të bëhet i gjallë dhe do të tregojë kush e ka vrarë!
Allahu Fuqiplotë kërkoi prej tyre një gjë të tillë ngase ishin skajshmërisht materialistë, në mënyrë që ta shohin me sytë e tyre që Allahu është i Gjithëfuqishëm dhe se gjërat nuk janë ashtu siç po mendojnë, por Ai e ngjall të vdekurin dhe ai foli. Meqenëse ata nuk e kuptuan urtësinë e kësaj duke pasur parasysh që ishin tepër të dhënë pas botës materiale, refuzuan me këmbëngulje zbatimin e urdhrit.(38)
Ngjarja e lopës përmbledh gabimet e Beni Israilëve nga materializimi në polemikë e mosbindje ndaj Pejgamberëve të tyre e deri te mosbindja ndaj Allahut të Lartmadhërishëm përmes përdredhjeve ndaj programit të Tij.(39) E kur e zbatuan atë që u urdhëruan ta bënin, ata e zbatuan atë me imponim e urrejtje, siç njofton edhe Kurani famëlartë: “...Dhe e therën atë, e për pak e lanë pa e kryer punën”.
Në fund të përmbylljes së bisedës për modelin e qeverisjes së Beni Israilëve vjen ajeti i cili është zgjedhur me urtësi të plotë për këtë pozicion kuranor. Ky ajet na njofton në mënyrë të qartë për amanetin e fundit të Jakubit a.s. në prag të vdekjes, që ishte adhurimi i Allahut xh.sh., Zotit një dhe të vetëm.
“A ishit ju (ithtarë të librit) dëshmitarë kur Jakubit iu afrua vdekja, e ai bijve të vet u tha: “Çka do të adhuroni pas meje”? Ata thanë: “Do të adhurojmë Zotin (Allahun) tënd dhe Zotin e prindërve tuaj: Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, një të vetmin Zot dhe ne vetëm Atij i jemi dorëzuar!”(40)
Fjalimi u drejtohet hebrenjve dhe të krishterëve, të cilët po ia bashkëngjisnin Ibrahimit a.s. atë çka nuk e kishin lënë testament bijtë e tij, kinse Ibrahimi ka qenë në fenë hebraike apo të krishterë. Allahu xh.sh. përmes përmendjes së testamentit të Jakubit a.s., biri të Ibrahimit a.s., ua hedh poshtë Beni Israilëve pretendimet e rreme.(41)
Megjithatë tregimi i lopës shpalos realitetin e përmbushjes së këtij amaneti nga Beni Israilët, të cilët amanetin e Jakubit a.s. e zëvendësuan me materializmin e jetës dhe shpikjen e intrigave dhe hileve të ndryshme, me të cilat nuk synonin gjë tjetër por vetëm e vetëm ikjen dhe zmbrapsjen nga urdhrat e Allahut xh.sh.. Ky ishte fati i amanetit të Jakubit a.s..
Përfundimi
Mësimet e sures “El-Bekare” janë të shumta, si në fushën e çështjeve të besimit ashtu edhe në fushën e dispozitave, megjithatë këtu mund të konkludojmë që rëndësi të veçantë i kushtohet “istihlafit”, qeverisjes në tokë. Kjo që thamë rezulton nga fakti i arsyes së krijimit të Ademit a.s. dhe bisedës së Zotit me engjëjt për krijimin e një kalifi-mëkëmbësi të Tij në tokë. Vlen të përmendet se kjo sure e ka mbuluar tërë periudhën e Medinës, që na jep të kuptojmë se formimi i shoqërisë së parë muslimane u bë me monitorimin e kësaj sureje. Kjo sure ofron tre modele të qeverisjes: modelin e Ademit a.s., i cili në eksperimentin që iu bë në xhenet dështoi dhe u përjashtua nga xheneti. Nga ky model dhe kjo ngjarje mësojmë se mosbindja ose shkelja e urdhrit të Allahut xh.sh. si shpagim ka zëvendësimin. Nga modeli i Beni Israilëve mësojmë se heqja e së drejtës së tyre për të qeverisur në tokë kishte shumë shkaktarë, por më kryesorët se ishin mosmirënjohës ndaj dhuntive e begative të shumta që u dha i Lartmadhërishmi, polemika dhe mosbindja ndaj urdhrave të Allahut xh.sh. siç shihet nga tregimi i lopës dhe materializmi i skajshëm i tyre.
Ndërsa sa i përket modelit të Ibrahimit a.s., për këtë do të mësojmë në pjesën e dytë.
________________________________
1. Kjo sure radhitet e dyta në Kuran pas sures El-Fatiha.
2. Muslim ibn Haxhaxh ibn Muslim, Sahih Muslim, Sh.B. Daruasselam, Riad, 2000, Kapitulli: “Vlera e leximit të Kuranit dhe e sures El-Bekare”, Hadithi nr. 1876, f. 325.
3. Po aty.
4. Muslimi (780), El-Hakim, “El-Mustedrek” (2062).
5. Kuran, El-Fatiha: 7.
6. Kuran, El-Bekare: 2.
7. Kuran, El-Bekare: 3-5.
8. Kuran, El-Bekare: 6.
9. Kuran, El-Bekare: 8.
10. www.quran-radio.com.
11. Po aty.
12. Muhamed el-Gazali, Komenti tematik i Kuranit famëlartë, përktheu nga arabishtja: Sadush Tahiri, sh.b: Logos, 2007, Shkup, f. 36.
13. El-Mubarekfuri, Safiurr-rrahman, el-Misbahul Munir fi tehdhibi tefsir Ibën Kethir, Riad: Darusselam 2000, f. 35.
14. Kuran, El-Bekare: 30.
15. https://mawdoo3.com
16. Kuran, El-Bekare: 31.
17. Ibën Ashur, Muhamed Tahir. Et-Tahrir ve-t- Tenvir,sh,b.: Dar tunisije, Tunis 1984, vëll. 1, f. 123.
18 Kuran, El-Bekare: 22.
19. www.quran-radio.com.
20. Djalli.
21. Kuran, El-Bekare: 36.
22. Kuran, El-Bekare: 38.
23. Kuran, El-Bekare: 2.
24. Beni Israilët janë bijtë e Jakubit a.s., të dymbëdhjetë (12), dhe pasardhësit e tyre. Wikipedia, The free Encyclopedia.
25. Kuran, El-Bekare: 40.
26. Kuran, El-Fatiha: 1.
27. www.quran-radio.com.
28. Kuran, El-Bekare: 50.
29 . Kuran, El-Bekare: 52.
30. El-Begavi, El-Husejn Ibën Mes’ud ibën Muhamed, (v. 516h), Mealimut -Tenzil, vëll. I, f. 545.
31 En-Nesefi, Abdullah bin Ahmed, (v. 701 h), Tefsir en-Nesefi, botimi i I-rë, sh.b: Darul Kutubil Ilmije, Bejrut, 1994, vëll. I, f. 123.
32. Kuran, El-Bekare: 57.
33. Et-Tantavi, Muhammad Sejjid, et-Tefsir el-Vasit lil-Kuranil Kerim, sh.b: Dar Nahdatu Miser, 1998, Kajro, vëll. II, f. 78.
34. Kuran, El-Bekare: 55.
35. Kuran, El-Bekare: 2.
36. Banorët e fshatit që jetonin buzë detit, të cilët nuk respektuan ndalimin e peshkimit në ditën e shtunë.
37. Kuran, El-Bekare: 67-71.
38. Urdhri nga Allahu i Lartmadhërishëm ishte therja e një lope.
39 Ibën Ashur, Et-Tahrir ve-t- Tenvir, vëll. 1. F: 223. Esh-Shaaravi, Muhamed Muteveli, (v:1998), Tefsir Havatir, sh.b: Ahbarul Jaum, Kairo 1997, vëll. 1, f. 432.
40. Kuran, El-Bekare: 133.
41. El-Kurtubi, Muhamed bin Ahmed, (671, h), Elxhamiu Liahkamil Kuran, sh.b.: Darul kutub el-Ilmije, Bejrut, 1991, vëll. 2, f. 222.