Fragment nga libri “Hera e parë në Mekë”


Dita e tretë në Mekë, 18.03.2022
E premte. Edhe sot e prita diellin të shfaqej e t’i japë dritë tokës ku isha. Tokës së shenjtë. Qielli nuk dukej pastër për shkak se, me gjasë, gjatë natës kishte pasur habub – stuhi pluhuri e rëre nga shkretëtira. Era e kishte davaritur rërën deri në lartësi të mëdha, e megjithatë, prapë nga lartësia e dhomës së hotelit mund ta shihja Qabenë e bekuar. Atë që i nderonte gjithë vizitorët që kishin ardhur ta nderonin nga çdo anë e botës. Duke sakrifikuar kush si kishte mundur, vetëm e vetëm të gjendej aty. Në Bejtullah.
Sot do të largohesha nga Meka. Nga vendi që i ruante të gjalla mrekullitë. Nga vendi ku ishte Arafati, aty ku u takuan Ademi e Havaja pas zbritjes në Tokë nga Parajsa, për ta vazhduar ndjekjen e urdhrit të Zotit.
Në ezel, para se Zoti ta krijonte Ademin, alejhi selam, nga boshti i tij kurrizor i kishte nxjerrë gjithë shpirtrat, të çdo njeriu që do të krijohej, deri në Kiamet, dhe aty ua kishte kërkuar të dëshmonin nëse e njihnin për Zot. Aty shpirtrat kishin deklaruar se, sigurisht se e njihnin vetëm Allahun.
“Kujtoje kur Zoti Yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre, dhe i bëri dëshmitar të vetes së tyre (duke u thënë): “A nuk jam Zoti juaj?!”. Ata thanë: “Po, dëshmuam”, - e (kjo) që të mos thoni në Ditën e Kiametit: Ne për këtë (dëshmi) ishim të pavëmendshëm.”
Më pas Zoti i kishte rikthyer krejt shpirtrat pas në boshtin kurrizor të Ademit, alejhi selam, dhe kishte dhënë urdhër që jeta të fillonte. Një nga interpretimet e emrit Arafat lidhet pikërisht me këtë njohje-pranim të Zotit prej njerëzve, sipas kuptimit morfologjik të fjalës arefe-njohje. E, mua më dukej se edhe unë sikur kisha ardhur këtu për ta rikonfirmuar betimin e shpirtit tim: se Allahun e njihja për Krijues e Zot.
Sot po largohesha nga toka ku kishin shkelur gjithë pejgamberët. Ku nga kontinenti i Evropës, sikurse unë, deri në Mekë dikur kishte ardhur edhe pejgamberi durimtar Ejubi, alejhi selam.
Sot do të largohesha nga toka e Ibrahimit dhe e Ismailit, alejhimu selam. Nga vendlindja e Muhamedit, alejhi selam. Nga vendi ku zbriti Lajmi i fundit i Zotit për njerëzimin mbarë. Nga vendi i civilizimit të lashtë sa vetë njeriu. Nga vendi ku nisi jeta, dhe nga ku buron uji i jetës Zem Zem-i.
Që nga mëngjesi isha pa humor. Kisha mall për këtë vend ende pa u larguar. Nuk më dilte lehtë lamtumira, dhe as që e shprehja. Edhe këtu, me sytë drejtuar Qabesë, nga dhoma, zemra e gjuha shprehnin vetëm mirupafshim. Zemra nuk pranonte asnjë lloj lamtumire.
Zemra nuk pranon me t’thanë lamtumirë Ma i dashuri vend, vendi ma i mirë
Qabe e bekuar, Zoti t’ka nderu
Ah sot unë nga këtu, qysh me u largu
Në koferin tim kisha stivuar rrobat e dhuratat, ashtu që me mjaft zor e bëra edhe mbylljen e tij. Përveç ihramit, gjithçka tjetër e mora me vete. Atë e palosa me kujdes e mirë, dhe bashkë me një copë zemre e kujtimi tepër të dashur e lash mbi shtratin e rregulluar.
Në ndërkohë po afrohej edhe koha e xhumasë. Kjo ishte xhumaja ime e parë që po e falja në Mekë. Namazi zgjati më shumë sesa në Kosovë, ndërsa ligjërata e imamit të Qabesë - hytbeja, m’u duk se ishte më koncize, më e thukët sesa e imamëve kosovarë. Dhe kjo ishte edhe një tjetër gjë që më pëlqeu shumë.
Po ashtu edhe lajmësi, myezini i Qabesë, gjithmonë do të më mbetet në mendje. Zëri i tij ishte magjepsës. Kumbimi në çdo anë i zërit të tij, kur ftonte në namaz, ishte melodia më e dashur për mendjen dhe zemrën.
Sytë drejtuar kah Qabeja, e këmbët drejt derës. Nga dhoma e hotelit pashë plot zogj që fluturonin nëpër qiellin e Mekës. Edhe ata po e bënin tavafin e tyre. Aq sa qielli ngopet me zogj e re, aq ngopej Qabeja me besimtarë. Madhështia e saj sundonte jo vetëm mbi besimtarët që ecnin prajshëm pranë saj, por edhe mbi çdo besimtar, sado qoftë larg saj, pesë herë në ditë duke u drejtuar me fytyrë drejt saj.
Këtë ditë nuk do ta ngrysnim në Mekë. Menjëherë pas namazit të xhumasë duhej të niseshim për në aeroportin e Xhides, sepse fluturimi ynë nga aty për në Vjenë ishte planifikuar në atë orar.
Duhej t’i shmangeshim me të shpejtë trafikut të mesditës, i cili në Mekë ishte më se i zakonshëm çdo të premte. Dhe ia arritëm. Përmes tuneleve nën qytetin e Mekës arritëm të dilnim nga qyteti më shpejt sesa qe planifikuar.
Gjatë gjithë kohës sa udhëtuam, deri në dalje nga Meka, shikova anash, ndërsa pa pushim më nëpërmendej risku i Zotit. Këtyre Zoti u kishte dhënë tokë të thatë, mirëpo ua kishte dhënë edhe Qabenë. Kur do Zoti, te vendi më i shkretë në botë e çon edhe bereqetin e riskun më të madh. Në anën tjetër, toka e Kosovës ishte mjaft e pëlleshme, mirëpo djerrinë. Nuk çmohej e punohej si e sa duhej. Shumë miq që kishin pasur rastin të përkthenin për arabët, kur ata e kishin vizituar Kosovën, më kanë treguar se Kosova u dukej parajsë. Tokë xheneti. Ndërsa ne sikur u kemi vënë perde syve, dhe nuk e shohim vlerën e saj. Vlerën e asaj toke që me prodhimet e saj na rriti. Asaj toke që i mban eshtrat e paraardhësve tanë. Asaj toke që na mban edhe sot.
Kur dolëm jashtë qytetit, derisa po udhëtonim në autostradë, Bashkimi ma bëri një pyetje, sepse jeta në kohën tonë edhe na i lejon shumë fantazi. - Çka nëse do të shuhej teknologjia dhe gjithçka tjetër, duke përfshirë edhe makinat e aeroplanët, dhe do të mbeteshim këtu, apo do të na duhej të ktheheshim në Kosovë vetëm në këmbë, si dikur paraardhësit tanë, që të dy udhët, nga Kosova deri në Qabe, dhe anasjelltas, i kanë bërë në këmbë? A do të ktheheshe?
- Po, - i thashë pa menduar dy herë. Dhe me të diskutimin për dashurinë ndaj vendit ku kishim lindur e vazhduam deri në aeroportin e Xhides. Unë jo se nuk e kisha shijuar Mekën. Jo se nuk e dëshiroja kthimin prapë aty (se sytë nuk ngopeshin duke e shikuar xhaminë e parë të ndërtuar në këtë planet), por sytë kishin mall edhe për nënën, babanë, gruan e vajzat. Sytë kishin mall edhe për Kosovën. Unë jam bir i Kosovës. Zoti ma kishte bërë nasib të lind në Kosovë, prej prindërve shqiptarë. Ndoshta kurrë nuk do ta kuptoj urtësinë e kësaj, mirëpo thellë në vete e prej kohësh e kam përjetuar se kam një amanet ndaj vendit dhe njerëzve të mi. Ta dua vendin tim dhe njerëzit e mi, dhe të punoj gjithë jetën për ta. Të paktën që mos t’ua shpërdoroj sakrificën paraardhësve e dëshmorëve, që për Kosovën qenë shembujt më vetëflijues që njohu historia njerëzore.
Nga ky diskutim Bashkimit i dukej një gëzim në fytyrë. E si mos të kënaqej ai që në luftën e fundit, si ushtar i UÇK-së, Kosovës kishte qenë i gatshëm t’ia falte edhe jetën, ndërsa tani ishte invalid i luftës?!
Kur arritëm në aeroportin e Xhides, rreth orës 15:10, për pak kohë na ra të prisnim në hapësirat VIP. Aty miqtë tanë sauditë sakaq porositën kafe arabe, ëmbëlsira e hurma suker. Shpeshherë ndërhynin në shërbimin e kamerierëve, duke e marrë kupën e kafesë dhe duke na shërbyer vetë. Me këtë veprim sikur dëshironin të na e dëshmonin një nivel më të lartë të mikpritjes. Një mikpritjeje arabe që kurrë më parë nuk e kisha njohur se ishte kaq e ruajtur dhe e sakralizuar njëkohësisht. Më vonë edhe m’u kujtua se ky ishte vendi i Ibrahimit, alejhi selam. Atij që kishte fituar epitetin Halilullah (I dashur i Zotit) përveç tjerash, edhe për shkak të mikpritjes e bujarisë së shprehur ndaj mysafirëve vetëm për hir të Zotit.
Naifi, shoqëruesi ynë arab, ishte ulur përballë meje. Pasi na shikoi të gjithëve, u kthye drejt meje, nxori telefonin e tij dhe, pas pak, m’u drejtua me fjalët:
- Am i tlirshtual, - ndërsa priste prej meje t’i përgjigjesha. Nuk po e kuptoja fare se ç’po thoshte. Me arabishten time nuk e dekodoja dot atë fjali që po e thoshte. Vetëm pasi e përsëriti dy-tri herë, dhe pasi u koncentrova më shumë ta kuptoja se ç’po thoshte, arrita ta zbërtheja. Po më thoshte “Jam i trishtuar”, në kuptimin i mërzitur, sepse ne po shkonim. Sytë e tij tregonin se ai nuk po shtirej.
Në ndërkohë na paralajmëruan të bëheshim gati për t’u nisur drejt aeroplanit. Me Naifin u përshëndetëm me premtimin për t’u takuar shumë shpejt në Kosovë. Dhe unë i besoja premtimit të tij. Sepse e dija se arabët e kanë një fjalë të urtë, e që thotë se premtimi është borxh. Dhe, besimtari po që e shlyen borxhin.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?