Surja “Llukman” është sure mekase. Transmetojnë Ibn Durejsi, Ibn Merduvije dhe Bejhekiu nga Ibn Abasi të ketë thënë: “Ka zbritur surja“Llukman” në Mekë”.(1) Në anën tjetër Nehhasi transmeton po ashtu nga Ibn Abasi se kjo sure është mekase përveç ajeteve 27-29, të cilat, sipas tij, janë medinase, por sipas studiuesit bashkëkohor, Ibn Ashurit, ky mendim nuk ka ndonjë mbështetje të theksuar(2) dhe për këtë do të flasim më gjerësisht gjatë komentimit të këtyre ajeteve.
Surja“Llukman” ka gjithsej 34 ajete, 548 fjalë dhe 2110 shkronja.(3) Ka zbritur pas sures “Es-Saffat” dhe para sures “Es-Sebe’ë”. Në radhitjen e Mushafit mban numrin 31, kurse në radhitjen e zbritjes është e 57-ta.(4)
Emërtimi i kësaj sure
Kjo sure, në mesin e komentatorëve të Kuranit, njihet vetëm me këtë emërtim “Llukman”. Me këtë emër është radhitur nëpër mushafe, nëpër librat e Tefsirit dhe të Hadithit e po me këtë emër është njohur që nga koha e sahabëve.(5) Në lidhje me këtë është përcjellë nga Berra’ë bin Azibi të ketë thënë: “Kur e falnim namazin e drekës pas Resulullahit s.a.v.s., nganjëherë e dëgjonim prej tij ndonjë ajet
prej ajeteve të sureve: Llukman dhe Edh-Dharijat.(6) Po ashtu kemi edhe fjalët e Ibn Abasit: “Ka zbritur surja“Llukman” në Mekë”.(7)
Arsyeja e emërtimit me emrin “Llukman” është të përmendurit e emrit të Llukmanit të urtë dhe këshillat e tij drejtuar të birit dhe që emri “Llukman” nuk është përmendur në asnjë sure tjetër kuranore.
Vlera e kësaj sure
Surja“Llukman” bën pjesë në grupin e sureve“El-Methani”. Në lidhje me këtë, transmetohet nga Vathilete ibnul Eska’ë El-Lejthi, të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:“Më është dhënë në vend të Tevratit, shtatëshja, (suret nga El-Bekare e deri te El-Enfal ose Et-Tevbe); më janë dhënë në vend të Zeburit, “El-Meine” - njëqindëshet, (suret që kanë mbi 100 ajete); më janë dhënë në vend të Inxhilit,“El-Methani” - (suret që kanë më pak se 100 ajete), ndërsa jam mbinderuar (ndaj të Dërguarve të tjerë) me suret “El-Mufassal” (nga surja Kaf, e është thënë nga El-Huxhurat e deri te En-Nas).(8)
-Transmetohet nga Berra’ë ibn Azib të ketë thënë: “Kur e falnim namazin e drekës pas Resulullahit s.a.v.s., nganjëherë e dëgjonim prej tij ndonjë ajet prej ajeteve të sureve: Llukman dhe Edh-Dharijat”.(9)
Shkaku i zbritjes
Në lidhje me shkakun e zbritjes së kësaj sure, disa prej mufesirëve kanë theksuar se kur kurejshët i kërkuan Muhamedit a.s. t’u rrëfente diçka nga Llukmani dhe këshillat drejtuar të birit të tij, zbriti kjo sure.(10) Ndërkohë, kemi shkaqe të veçanta të zbritjes në lidhje me ajetet: 6, 15, 27 dhe 34, për të cilat do të flasim më gjerësisht gjatë komentimit të tyre.
Lidhja e kësaj sure me suren paraprake – “Er-Rrum”
Lidhja e sures Llukman me atë paraprake - Er-Rrum, shtrihet në disa dimensione.
- Në fund të sures paraprake, në ajetin 57: “Pa dyshim, në këtë Kuran, Ne u kemi sjellë njerëzve gjithfarë shembujsh....” aludohet qartë se ky Kuran është mrekulli hyjnore, ndërkohë që tash në fillim të kësaj sure (ajetet 2-3), Allahu xh.sh. thotë: “Këto janë ajetet e Librit plot urtësi, udhëzim dhe mëshirë për punëmirët.”
- Në suren paraprake, ajeti 58, Allahu xh.sh. thotë: “Por, sikur ti (Muhamed) t’u sjellësh atyre çfarëdo mrekullie, jobesimtarët, me siguri, do të thonë: “Ju jeni vetëm shpifës...”, kurse tash në këtë sure, ajeti 7, i Madhërishmi thotë: “Kur ndonjërit prej tyre i lexohen ajetet Tona, ai e kthen shpinën me mendjemadhësi, shtiret sikur nuk i ka dëgjuar dhe sikur i janë shurdhuar veshët...”
- Në suren Er-Rrum, ajeti 27, Allahu fuqiplotë përmend fillimin e krijimit dhe ringjalljen, duke ua bërë me dije idhujtarëve se Ai është i Plotfuqishëm që të fillojë krijimin dhe të ringjallë çdo krijesë kur thotë: “Ai e zë fill krijimin dhe Ai e përsërit atë, e për Atë (sipas perceptimit tuaj), kjo është edhe më e lehtë”, ndërsa tash në suren Llukman, ajeti 28, i Gjithëpushtetshmi thotë: “Krijimi dhe ringjallja juaj është njësoj si krijimi i një njeriu të vetëm”.
- Në të dyja suret, Allahu xh.sh. vërteton besimin e paluhatshëm që kanë besimtarët në lidhje me ringjalljen dhe jetën e Ahiretit. Në suren Er-Rrum, ajeti 56, në lidhje me këtë thotë: “Ata, të cilëve u është dhënë dituria dhe besimi, do të thonë:“Ju, me të vërtetë keni qëndruar aq sa ju ka caktuar Allahu në Libër - deri në Ditën e ringjalljes”, kurse në suren Llukman, ajeti 4, thotë: “dhe besojnë bindshëm në jetën tjetër”.
- Po ashtu në të dyja suret, Krijuesi fuqiplotë përmend gjendjen e jobesimtarëve dhe të idhujtarëve, të cilët kur janë ngushtë dhe të shqetësuar, në heshtje kërkojnë strehim të Zoti si Krijues absolut, ndërsa sapo t’u kalojë ai shqetësim, kthehen në kufrin dhe mohimin e tyre: Në shenjë të kësaj në suren Er-Rrum, ajeti 33, thotë: “Kur njerëzit i prek ndonjë e keqe, ata me përulje i luten Zotit të tyre, duke iu drejtuar vetëm Atij...”, kurse në suren Llukman, ajeti 32, thotë: “E kur ata i mbulon ndonjë valë sikur reja (apo bjeshka), i drejtohen Allahut sinqerisht me besim vetëm ndaj Tij...”.
- Në suren Er-Rrum, i Lartmadhërishmi ka cekur mendjemadhësinë e idhujtarëve dhe mburrjen e tyre me pasuri, ndërkohë që suren Llukman e përshkon fryma e modestisë dhe e thjeshtësisë, nëpërmjet këshillave që Llukmani ia jep të birit, që të largohet nga mendjemadhësia, e cila është një prej cilësive më të shëmtuara të njeriut etj..
Përmbledhje e shkurtër e përmbajtjes së kësaj sureje
Në Kuran, gjenden disa sure që janë emërtuar me emra njerëzish dhe ata emra pothuajse të gjithë janë emra të të dërguarve të Allahut, si Nuhu, Hudi, Ibrahimi, Jusufi dhe Muhamedi a.s., paqja e Allahut qoftë mbi ta. Nga kjo bëjnë përjashtim vetëm dy sure, të cilat janë emërtuar me emra njerëzish që nuk ishin të dërguar të Allahut. Surja Merjem, e cila është emërtuar në emër të njërës prej katër zonjave të Xhenetit - Merjemes, nënës së Isait a.s., dhe surja Llukman, e cila është emërtuar në emër të një njeriu të cilit Allahu i dha urtësi të pashoqe. Arsyeja e emërtimit të kësaj sure me emrin Llukman, është pikërisht urtësia dhe dituria, me të cilat Allahu e pajisi këtë rob të Tij. Me një fjalë, ai përveçqë ishte i devotshëm, mbi të gjitha ishte një edukator dhe këshillues i shkëlqyer, ndërsa urtësia që rrezatonte nga këshillat e tij, bën që ai vërtet ta meritonte emërtimin e një sureje kuranore me emrin e tij.(11)
Surja Llukman, në vete përmbledh disa tematika, mjaft të rëndësishme. Sigurisht se Njëshmëria e Allahut, urtësia e Kuranit, shpallja dhe ringjallja, janë referenca të padiskutueshme edhe në këtë sure mekase, ashtu siç janë edhe te simotrat e saj.
- Në pesë ajetet e para të kësaj sureje (1-5), të cilat fillojnë me shkronjat simbolike, që sipas shumicës së dijetarëve janë mrekulli sfiduese për të gjithë jobesimtarët, në çdo vend dhe kohë, flitet për Kuranin si Libër plot urtësi, i cili është udhëzim dhe mëshirë për të gjithë ata njerëz që i besuan Allahut dhe Ditës së Gjykimit, ata të cilët kryejnë detyrimet ndaj Krijuesit fuqiplotë siç janë falja e namazit, dhënia e zekatit etj.
- Në vazhdim të sures, Allahu i Madhërishëm, na e shpërfaq arrogancën e idhujtarëve ndaj Kuranit famëlartë. Kjo arrogancë dhe përbuzje e tyre ndaj myslimanëve, ishte kryesisht për shkak se në radhët e besimtarëve
kishin hyrë kryesisht të varfrit dhe robërit. Përderisa për këta besimtarë, Allahu ka përgatitur xhenetet e amshueshme, në të cilat do të jenë përgjithmonë, idhujtarët as që dëshironin të merreshin me argumentet dhe shembujt e shumtë që Allahu ua sillte për të vërtetuar Njëshmërinë e Tij, siç janë krijimi i qiellit, rënia e shiut etj, Shih ajetet: (6-11).
- Ajetet (12-19) përfshijnë këshillat që Llukmani i urtë ia jepte të birit të tij. Këshillat e tij janë aq domethënëse dhe kuptimplote, saqë vazhdwojnë të jenë aktuale edhe sot dhe jo vetëm, por do të mbesin të tilla deri në ditën e fundit të kësaj bote. Këshillat e Llukmanit, në një mënyrë sikur e skicojnë rrugën që një mysliman duhet ta ndjekë, duke u larguar nga sjelljet e vrazhda dhe duke e stolisur veten me cilësitë e njerëzve të devotshëm.
- Qortimi i idhujtarëve për shkak të shirkut të tyre, është në fokus të ajeteve (20-21), kurse në ajetet (22-25) i Madhërishmi sqaron se rruga që ndjekin besimtarët është shpëtim, kurse ajo që ndjekin jobesimtarë është humbje e qartë.
- Ftesa për besim ishte gjithmonë e hapur. I Lartmadhërishmi gjithmonë u ofroi njerëzve edhe argumente shtesë për t’i paqësuar zemrat e tyre në besimin e drejtë. Ai u mundua që nëpërmjet sqarimit dhe argumenteve e veprimeve në këtë gjithësi, t’ua bënte më të kapshëm për mendjet e tyre
besimin në Zotin Një. Pikërisht për vërtetimin e ekzistencës së Allahut të plotfuqishëm, nëpërmjet argumenteve lëndore, bëjnë fjalë ajetet (26-32).
- Në ajetin (33), Allahu xh.sh. fillimisht ua tërheq vërejtjen të gjithë njerëzve, pa dallim, që të mos i bëjnë padrejtësi vetvetes dhe të mos i mashtrojë jeta e kësaj bote, sepse dalja para Madhërisë së Tij në Ditën e Gjykimit, është një moment i vështirë për të gjithë, e lëre më për atë që pas vetes nuk ka asnjë vepër të mirë, por vetëm shëmtira e mosbesim.
Kurse ajeti i fundit i kësaj sureje (34), shpërfaq madhështinë e Dijes absolute të Allahut xh.sh., kur Ai sqaron se çelësat e fshehtësive janë vetëm në Dijen e Tij. Vetëm Ai është pronari i fshehtësive hyjnore, disa prej të cilave mund t’ia zbulojë ndonjërit prej robërve të Vet të zgjedhur e disa i ruan vetëm për Vete.
- vijon –
____________
1. Fet’hul Kadir, vëll. IV. f. 307.
2. Et-Tahri- ru ve-t-Tenviru, vëll. XXI, f. 138.
3. Besairu dhevi-t-Temjizi, vëll. I, f. 370.
4. Et-Tahriru ve-t-Tenviru vëll. XXI, f. 138.
5. Dr. Munire ed-Devserij, Esmau suveri-l Kuran ve fedailuha, f. 306.
6. E transmetojnë Nesaiu (971) dhe Ibn Maxhe (830). Hadithi është i gradës hasen. Shih Kitabul Xhami’u, f. 165.
7. Shih: Es-Sujuti, Ed-Durru-l menthur, (6/503); El-Bejheki, Delailu-n-nubuvveti, (7/142).
8. Transmeton Imam Ahmedi (4/107); Bejhekiu në Shuabi-l Iman (2/465);
9. E transmetojnë Nesaiu (971) dhe Ibn Maxhe (830). Hadithi është i gradës hasen. Shih Kitabul Xhami’u, f. 165.
10. Et-Tef- sirul Munir, vëll. XXI, f. 135.
11. https://bel3arabic.com/feeds/1019_?????-????-??-?????-?????? 10.09.2019)).
Sabri Bajgora