Inkurajimi para frikësimit në davet dhe mosndjekja e vijave radikale

Kurani është libër i daves dhe metodat e inkurajimit dhe e frikësimit janë metodat më të suksesshme në thirrjen islame, pasi gjen mbështetjen dhe nxit në shpërblim dhe paralajmëron për ndëshkim në mospërmbajtje dhe vijueshmëri të së drejtës hyjnore.

Inkurajimi dhe frikësimi janë nga elementet e metodikës dhe mjeteve të thirrjes islame. Me termin inkurajim nënkuptojmë çdo veprim apo hap që ndërmerr apo ofron inkurajim të thirrurin që t’i përgjigjet thirrjes islame, që si rezultat do të pranonte të vërtetën dhe të jetë i qëndrueshëm në të.(1)
Allahu në Kuran urdhëron e thotë: “E kur ta kryesh (obligimin), atëbotë mundohu me adhurim (Allahut). Dhe, vetëm te Zoti yt përqendro synimin!” (El Inshirah, 7-8).
Kurse, me termin frikësim kihet për qëllim çdo gjë që e frikëson dhe ia tërheq vërejtjen të thirrurit që do të mund të bëhet nga ata që refuzojnë dritën e Zotit dhe të mos jetë nga ata që nuk janë stabilë në praktikimin e saj në jetën e përditshme.(2)
Allahu duke iu drejtuar besimtarëve thotë: “Ata përpiqeshin për punë të mira, na luteshin duke shpresuar dhe duke u frikësuar, ishin respektues ndaj nesh.” (El enbija, 90).
Sekreti i kësaj balance qëndron në natyrën e shpirtit njerëzor, e cila është e tillë që ndikohet në të njëjtën kohë nga frika dhe joshja, i përgjigjet si frikës, ashtu edhe dëshirës. Zbatimi i këtij rregulli e prek njeriun në thellësi të shpirtit dhe ndikon fuqishëm në të. Kur njeriu bie në gjynah, i frikësohet ndëshkimit të Allahut, reflekton në vetvete dhe kërkon rrugëdalje. Një njeri i mirë kur dëgjon për ndëshkimin e Zotit, i largohet mëkatit dhe kur dëgjon për shpërblimin e Zotit, e shton devotshmërinë dhe dëshirën për mirësitë e Allahut në xhenet, kështu ekuilibrohet shpirti njerëzor.(3)
Andaj thirrësi duhet të tregojë aftësi të larta inteligjente që të gjejë mesataren dhe ekuilibrin gjatë predikimit të tij shpresëdhënien dhe frikësimin duke mos i dhënë fuqi dhe përparësi vetëm njërës anë në krahasim me tjetrën. Andaj praktikimi i pjesshëm apo edhe mospraktikimi i këtij rregulli si pjesë e strategjisë së metodës së thirrësit në islam, do të shtynte masën drejt pesimizmit e në pakënaqësi, duke i larguar ata ose do t’i bënte të jetojnë në iluzione të kota dhe do të “bëheshin të varur. “Kush e kundërshton Allahu dhe të dërguarin e Tij, dhe i shkel dispozitat e Tij, atë e shtie në zjarr të përjetshëm. E për të është një dënim i rëndë.” (En-Nisaë, 14).
Apo ajetin tjetër ku Allahu paralajmëron ndëshkimin për mëkatarët duke u thënë: “Është e vërtetë se ata që mohuan armentet Tona, do t’i hedhim në zjarr. Sa herë që u digjen lëkurat e tyre, Ne ndërrojmë lëkura të tjera që të shijojnë dënimin. Allahu është i plotfuqishëm, i drejtë.” (En-Nisaë, 56).
Nëse thirrësi gjatë predikimit do të vazhdonte të përdorte dhe argumentonte vetëm me ajetet e lartcekura apo të ngjashme, do të mbjellte frikë, pesimizëm, që është një nga portat e djallit. Kjo formë e ligjërimit mundëson humbjen e shpresave nga mëshira e Allahut xh.sh., dhe kjo do të krijonte një panoramë të zymtë dhe të mjegullt karshi optimizmit që ofrojnë shumë ajete kuranore siç janë, disa sosh po i përmendim: “Mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut, pse vetëm populli jobesimtar e humb shpresën në Allahun.” (Jusuf, 87). E kështu ajete të shumta japin mesazhe shpresëdhënëse sikurse janë: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!” (Ez-Zumer,53). Përveç ati që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është mëshirues, ndaj Ai fal shumë. (El Furkan,70).
Inkurajimi dhe frikësimi ishte metodë e të gjithë të dërguarve përgjatë misionit të tyre. Kurani kështu e përshkruan.
“Ne të dërguarit nuk i dërgojmë ndryshe vetëm si përgëzues dhe qortues. E kush besoi dhe u përmirësua, ata nuk kanë as frikë as brengë.” (El Enamë,48).
“(Jehuditë i thanë se nuk të besojnë në shpallje Muhamedit). Por, Allahu dëshmon për atë që t’u zbrit ty, atë ta zbriti sipas dijes së Vet, edhe engjëjt dëshmojnë, po mjaft është Allahu dëshmues.” (En-Nisaë, 165).
Kurse në ajetin vijues Allahu xh.sh. për Muhamedin a.s. tha: “O ti Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar përgëzues e qortues. Dhe me urdhëron e Allahut, thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtarë ndriçues. E besimtarëve jepu sihariq se prej Allahut ata kanë dhunti të madhe. (El Ahzabë, 45-47).
Edhe në sunetin e Muhamedit a.s., vërejmë se ai mbolli shpresën dhe besimin tek të ftuarit. Kështu ai ua kishte premtuar xhenetin atyre që ia kishin dhënë besën, siç është shënuar ngjarja nga historia islame në besatimin e parë të dhënë në Akabe: "Nëse e zbatoni premtimin e dhënë, atëherë juve ju takon xheneti.”(4)
Kurse gjatë persekutimit të myslimanëve të parë në Mekë, Muhamedi a.s. u jepte kurajë atyre duke ua kujtuar xhenetin si shpërblimin më të lartë, siç kishte bërë me familjen e Jaserit, të cilët ndëshkoheshin për shkak se e kishin përqafuar besimin islam duke u thënë atyre: ”Duroni, familja e Jaserit, se ju është premtuar xheneti”.(5)

Islami urren mendimin radikal

Ekstremizmi (el guluv) dhe terrorizmi (el irhab) janë fenomene karakteristika të kohës në të cilën po jetojmë, ku në çdo kulturë civilizim apo vend hasim këtë fenomen dhe ka shoqëri që merr qëndrime të tilla. Ky ngjyrim po hap problem të shumta shoqërisë postmoderne në hijen e ndryshimeve të fesë, kulturave dhe civilizimeve të cilave njerëzit u përkasin. Apo ajo që po njihet sot si globalizmi apo shtrirja e një kulture qoftë ajo materiale, ushqimore, në veshmbathje etj., ku të tjerët kontrollojnë shijen dhe stilin e të tjerëve. Çështja është e njëjtë edhe me terrorizmin, i cili si term ka kaluar nga lokalja te globalja dhe në emër të tij janë shkatërruar kultura të lashta, vrarë fëmijë, gra e të pafajshëm.(6)
Duke u bazuar në mendimet e shkencëtarëve të shkencës së logjikës të cilët ndajnë mendimin se nuk mund të jepet verdikt mbi diçka, pa pasur paraprakisht njohuri të bollshme rreth saj, sepse e panjohura dhe e papërcaktuara s’mund të gjykohen. Fjalë për fjalë, ekstremizëm do të thotë pozicionim në pikën më të largët nga qendra. Në mënyrë figurative ai tregon një largim të ngjashëm në fe, mendim dhe sjellje. Një nga pasojat kryesore të ekstremizmit është ekspozimi ndaj rrezikut dhe pasigurisë. Prandaj Islami këshillon moderim dhe ekuilibër në çdo gjë: në besim, ibadet, sjellje dhe legjislacion.(7)
Treguesit e parë të ekstremizmit janë fanatizmi dhe jotoleranca, të cilat si të tilla bëjnë që një person të jetë i vendosur ndaj mendimeve dhe paragjykimeve të tilla si kokëfortësia; por poashtu edhe ngurtësia, të cilat e privojnë që njeriu të shohë kthjellët interesat e qenieve njerëzore, objektivat e sheriatit, apo edhe rrethanat historike, kohore dhe ambientale ku jeton e vepron. Këta njerëz janë të ngurtë në mendime e pikëpamje mbi çështje të ndryshme që as nuk pranojnë mendimin e kundërt e as nuk lëvizin nga pozicionet e veta duke menduar se mendimet e tij janë të drejta.
Por, edhe nga aspekti tjetër, feja islame nuk e ka miratuar pasimin e anës shpirtërore në dëm të asaj materiale, por as të kundërtën siç predikojnë fetë dhe filozofitë e tjera. Mësimet islame këshillojnë që Islami është ekuilibër.
Pejgamberi a.s. thoshte: “O Allah. Ma rregullo fenë time, e cila është mbrojtësja e punëve të mia; m’i rregullo punët e jetës sime në këtë botë, në të cilën po jetoj; ma rregullo ahiretin prej të cilit varet jeta ime e përtejvarrit; bëma jetën burim bollëku për çdo të mirë dhe bëje vdekjen time burim rehatie, duke më ruajtur nga çdo e keqe!”(8)
Fjala e butë dhe e mirë ka efekte shumëdimensionale duke lënë gjurmë të pashlyeshme si dhe prodhon fryte të këndshme në jetën e njerëzve. Në këtë mënyrë u përgatit dhe u formësua Muhamedi a.s. dhe më pas e jetësoi urdhrin e Allahut xh.sh, i Cili na drejtohet duke na thënë: “Dhe ata janë që u udhëzuan me fjalët më të mira dhe u udhëzuan në rrugën e lavdishme.” (El Haxh, 24).
“...dhe njerëzve u thoni fjalë të mira.” (El Beare, 83).
Umeti islam është një umet i drejtësisë dhe moderimit; ai dëshmon çdo shmangie, qoftë ajo majtas apo djathtas, nga rruga e drejtë e mesit, në këtë botë dhe në tjetrën. Tekstet islame i ftojnë myslimanët të jenë të moderuar dhe të hedhin poshtë dhe të kundërshtojnë të gjitha llojet e ekstremizmit: (teprimi), (tejkalim i kufijve, pedantizmi fetar) dhe (rreptësi). Një shqyrtim i hollë i këtyre teksteve tregon që Islami porosit largim nga teprimi.
Bazuar në këto tekste rezulton se popujt, për të cilët bëhet fjalë, janë popujt e besimeve të kaluara, e posaçërisht Ehlu-l-kitab (popujt e Librit) e që janë të krishterët dhe hebrenjtë, madje ajete në Kuran flasin dhe kërkojnë që të mos teprohet dhe të mos ndiqen rrugët dhe gjurmët e tyre. Ja si shprehet Kurani për popujt e kaluar. Thuaju: “O ithtarë të librit, mos e teproni në fenë tuaj jashtë së vërtetës dhe mos shkoni pas epsheve të një populli të mëparshëm që ka humbur dhe që u largua në tërësi prej rrugës së drejtë.” (El Maide, 77).
Ky ajet sikur paralajmëron myslimanët që të marrim yrnek nga e kaluara e tyre dhe të mos pasohen ato rrugë që trasuan ata, u humbën dhe merituan ndëshkimin e Allahut xh.sh..
Gjatë Haxhit lamtumirës, pasi mbërriti në Muzdelife, Muhamedi a.s., i kërkoi Ibni Abasit të mblidhte disa guralecë për të. Ibni Abasi r.a., mblodhi disa guralecë. Pas i pa guralecët i Dërguari a.s. e miratoi madhësinë e tyre dhe tha: Me të tillë (gurë ta qëlloni shejtanin).Ruhuni nga teprimi në fe..”(9)
Kjo tregon qartë se myslimanët s’duhet të mendojnë se përdorimi i gurëve të mëdhenj është i mirë, duke e lejuar kështu teprimin të hyjë në jetën e tyre. Transmetohet që Imam Muhammed ibn Idris Esh-Shafiiu u akuzua si rafidij.(10)
I fyer nga një akuzë e tillë e ulët, ai recitoi një varg poetik: “Nëse dashuria për ehlu- l-bejtin është refd, atëherë të gjithë njerëzit dhe xhinët të dëshmojnë se unë jam rafidij!”
Kur dëgjoi se e kishin quajtur reaksionar, një thirrës islam i ditëve tona tha: “Nëse besnikëria ndaj Kuranit dhe Sunnetit është reaksion, atëherë do të dëshiroja të jetoja, vdisja dhe të ringjallesha si reaksionar.”
Mospërcaktimi dhe moskuptimi i “ekstremizmit fetar”, si dhe lënia e kësaj çështjeje në dëshirat kapriçioze të njerëzve, do të çonte në një përçarje ndërmjet myslimanëve. Kurani thotë: “E sikur të përputhej e vërteta me dëshirat e tyre, do të shkatërroheshin qiejt e toka dhe çdo gjë që gjendet në to.” (El Muminunë, 71) Në këtë pikë, do të dëshiroja të tërhiqja vëmendjen te dy vëzhgime të rëndësishme.
I pari: shkalla e devocionit të personit, po ashtu si edhe e shoqërisë në të cilën jeton, ndikon në gjykimin e tij për të tjerët në lidhje me ekstremizmin, moderimin dhe shthurjen. Zakonisht, një shoqëri fetare krijon një individ të ndjeshëm, i cili ndien antipati për çdo lloj shmangieje apo neglizhence, sado e vogël që të jetë ajo. Duke gjykuar me kriterin e praktikës dhe eksperiencës sime, një individ i tillë do të habitej kur të shihte se ka myslimanë që nuk bëjnë ibadet natën apo që nuk agjërojnë. Historikisht, kjo është e kuptueshme. Nëse shqyrtohen veprat dhe punët e njerëzve, të cilët kanë jetuar në kohën e Pejgamberit a.s. sahabëve të tij dhe tabiinëve, atëherë veprat dhe punët e të devotshmëve të brezave të mëvonshëm do të dukeshin shumë më pak të vlefshme. Nga kjo kuptohet dhe thelbi i thënies: “Meritat e atyre, që janë më afër Allahut, s’janë veçse të metat e të drejtëve”.
Kjo na sjell ndërmend atë që Enes ibn Malik (radijall-llahu anhu) ua thoshte tabiinëve: “Ju bëni gjëra që i konsideroni si vogëlsira. Por, në kohën e të Dërguarit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem), këto veprime i shikonin si mëkate të mëdha”.(11)

Si përfundim të kësaj teme, konkludojmëse thirrësi islam dhe daveja në përgjithësi duhet të karakterizohen nga bindja e plotë ndaj Allahut xh.sh., dhe së dyti që kjo bindje me vullnet të plotë të prodhojë efekte pozitive në sjellje dhe komunikim dhe në predikim të fesë së Tij. Kjo sjellje duhet të jetë e përhershme me çdo njeri të çfarëdo feje, race apo kombi e me të cilin zhvillohet komunikim në çfarëdo kohe. Ajo që e karakterizon një thirrës në rrugën e Allahut xh.sh, është butësia, qetësia në të shprehur, tolerancë dhe reagimet e matura ndaj situatave të ndryshme. Karakteri i mirë dhe mirësjellja mbeten elemente dhe urdhëresë fetare, obligim për predikuesin e fesë dhe assesi nuk duhet të humbin për shkak të sjelljes së njerëzve apo veprimeve të tyre. Lehtësia e jo vështirësia, butësia e jo ashpërsia e vrazhdësia.
Këto faktorë duhet të jenë determinantë në thirrjen islame, sidomos në ambientin tonë shqiptar dhe në rajonin e Evropës, ku shoqëritë janë të përziera, multifetare dhe multinacionale. Secila fe, bindje apo objekt fetar duhet të jetë në shërbim të humanizmit, sepse njerëzit kanë nevojë për dorën e mëshirës, paqes. harmonisë e të respektit të ndërsjellë. E edhe ligjërimi, mendimi dhe qëndrimi i fesë islame duhet të jetë i ndërtuar mbi këto vlera kuranore dhe hadithin që, nëse i përmbahemi, do të kemi begati dhe harmoni të përgjithshme.


____________________
1. Tevfik el Vaië, Eddavetuilall-llah, Daruljekin, botim i dytë, Mensure, 1995, f.199.
2. Tevfik el Vaië, Eddavetuilall-llah, Ibid.f.199.
3. Alaaraur, Adnan. Menhexh ed-da’vefi dev’i el vaki el muasir, përkthyer nga Justinuan Topulli, Tiranë, 2009, f.144, Tradita.
4. Siretu Ibn Hisham, vëll.2, f.41 dhe ngjashëm me këtë shpjegim hasim në vëll.2, f.55.
5. Ibid, vëll. 1, f.342.
6. Abdurrahman El-luvejhik, Mushkiletu-l-guluv, nedhretunsher’ijetunshamileh, f.10. www.aluka.net.
7. Jusuf Kardavi, Es-sahve el islamijebejne-l- xhuhudivettetarruf, bot. i tretë, Katar, 1982, f.24.
8. Muslimi,2820.
9. Ahmedi,1/215,f.247; Ibn Huzejme, 4/2864, f. 2868; Nesaiu, 5/268 në kitabul Haxh, Ibn Maxhe,3029 në kitabul menasik; Hakimi,1/466, e ka vendosur në kategorinë sahih sipas kushteve të shejhajnit, këtë e e ka konfirmuar edhe Dhehebiu por e ka saktësuar edhe IbnTejmije në Iktida,1/289 dhe Neveviu në El Mexhmuë,8/138.
10. Refd- “Kundërshtim”; Rafidi: “Kundërshtues”; një personi cili e do Muhamedin a.s. dhe familjen e Ali bin EbiTalibit por që nuk e pranon hilafetin e EbuBekrit, Umerit e Othmanit.
11. Jusuf Kardavi, Es-sahve el islamije bejne-l- xhuhudi vet tetarruf, bot. i tretë, Katar, 1982, f.33-34.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?