Përkujdesja e Fesë Islame ndaj ndjenjave të femrës në divorc (1)

Jeta e njeriut në tërësi është e rrethuar me sakrifica të ndryshme. Me gjithë përpjekjet që mund t’i ndërmarrë ai për parandalimit e tyre, disa nga sfidat e jetës janë të papërballueshme.

Edhe pse feja Islame ka investuar shumë në ngritjen e institucionit social,me theks të veçantë të atij të martesor, me qëllim që të dy partnerëve t’u sigurojë jetë sa ma të lumtur, të qetë e dinjitoze, duke rekomanduar që të dy bashkëshortët të jenë përfillës të të drejtave reciproke të njëri-tjetrit,megjithatë ndodh që defektet që mund t’i shkaktojë njëri a të dy partnerët karshi njëri-tjetrit, të jenë të pariparueshme, prandaj dërgojnë anijen e lumturisë drejt fundosjes, ose rrënojnë godinën më të çmueshme sociale, dhe kjo i shpie në divorcim. Kjo në raste të rëndomta ndodh kur prishet harmonia, nuk ka vend për dashuri si dhe në zemrat e tyre fillon të zërë vend urrejtja.
Ashtu siç e kemi sqaruar në shkrimet paraprake, divorci duhet të jetë hapi i fundit që mund ta marrë si vendim bashkëshorti, ose që ta kuptojë se ai është stacioni i fundit ku duhet të ndalet në rast të pamundësisë për të vazhduar jetën bashkëshortore, dhe tërë kjo pasi të jenë harxhuar mekanizmat e tjerë, si: zgjidhje nga brenda prej vetë bashkëshortëve, që janë: këshilla me të mirë, ndarja nga shtrati apo rrahja e lehtë-qortimi i saj, si dhe zgjidhje nga jashtë me ndihmën e palëve ndërmjetësuese. Nëse tërë këta mekanizma dështojnë për të kthyer jetën në gjendje normale, pamundësojnë lundrimin e anijes qetas duke u kthyer harmoninë të dy partnerëve, atëherë nuk mbetet përveçse të përdoret mençuria, e shoqëruar nga urtësia në zgjidhjen e këtij konflikti në mënyrën më të mirë të mundshme, siç porosit Allahu në Kuran: “Lëshimi (pas të cilit mund të bëhet rikthimi) është dy herë, e (pastaj) ose jetë e njerëzishme (bashkëshortore) ose shkurorëzim me mirëkuptim...”. (El-Bekare/229), e nëse kjo ndarje bëhet kësisoj, Allahu xh. sh. u garanton të dy palëve furnizim të këndshëm në vazhdimin e jetës, siç thotë: “Por,nëse ndahen prej njëri-tjetrit, Allahu begaton me mirësinë e Tij secilin prej tyre...”. (En-Nisa’ë/130).

1-Historiku i divorcit

Referenca të shumta njoftojnë se divorci- shkurorëzimi ka ekzistuar që nga kohët e hershme te komunitete të ndryshme, mirëpo edhe kjo çështje, si dhe shumë të tjera, janë keqinterpretuar dhe të shumtën e rasteve femra ka qenë viktimë. Në vijim dua të theksoj disa nga shoqëritë e hershme si dhe qëndrimin e tyre ndaj divorcit:

-Divorci te Grekët:

Në shoqërinë greke gruaja ishte pa të drejta të plota, inferiore, e diskriminuar etj.. Burri posedonte të drejtën ekskluzive për ta divorcuar gruan e tij në çdo kohë, për fajin më të vogël, e jo rrallë edhe pa arsye të justifikuar. Mirëpo asaj i mundësohej të ngrinte padi gjyqësore në rast se i shkeleshin të drejtat në jetën bashkëshortore, e më vonë iu dha edhe gruas e drejta e shkurorëzimit.

-Divorci te Egjiptasit e vjetër:

Edhe pse Egjiptasit e vjetër, për dallim nga shoqëritë e tjera të hershme, njihen si komunitet respektues i të drejtave të femrave, për sa i përket divorcit lejohej dhe këtë të drejtë e posedonte vetëm burri. Ky ndryshim ndodhi me pushtimin e Egjiptit nga maqedonasit, pra atëherë iu lejua edhe gruas e drejta e shkurorëzimit.

-Divorci te Romakët:

Ashtu si dhe në shoqëritë e tjera të hershme, edhe te romakët gruaja nuk kishte status të mirë as në familje dhe as në shoqëri, kurse kujdestari i saj posedonte të drejtën e martesës së saj pa të drejtën e saj, njëkohësisht e privonte nga e drejta martesore pa vullnetin e saj apo të burrit të saj. Në shoqërinë romake nuk kushtëzohej vendimi i gjykatës për divorcim, prandaj një vendim të tillë, përveç kujdestarit të gruas, e merrnin të dy bashkëshortët, ose kryhej në mënyrë të njëanshme nga burri, kështu që ai posedonte të drejtën ta nxirrte gruan nga shtëpia pa qenë i detyruar të jepte ndonjë arsye. Kjo gjendje ka vazhduar derisa u përhap Krishterimi në shtetin romak, kur priftërinjtë ishin munduar të ushtronin ndikimin e tyre në qeveri
për të bërë ndryshime në kodin e familjes dhe si rezultat perandori Konstantin në vitin 331 mori vendim që divorci të mos lejohej pa arsye, mirëpo shoqëria ishte e pakënaqur me këtë vendim, prandaj në periudhën e Justinianit u rregullua kodi mbi divorcin.

-Divorci te Arabët para Islamit:

Nocioni “Talak-divorc” e ka prejardhjen nga arabët e periudhës së injorancës, si rezultat i teprimit të tyre në këtë segment, rrjedhimisht ata i shkurorëzonin gratë vend e pa vend, duke luajtur me fatin e tyre, duke mos marrë për bazë numrin e divorcimeve, praktikisht burri sipas vullnetit të njëanshëm të tij, e divorconte gruan dhe e kthente përsëri kur të donte. Fakte të shumta vërtetojnë se në atë periudhë kohore Arabët divorconin gratë e tyre për gjërat më të ë, si: lindja vetëm e vajzave, hidhërimi i pakontrolluar i burrave etj.. Transmetohet se një burrë i tha gruas së tij: “Betohem në Zotin se nuk do të të divorcoj përfundimisht dhe nuk do të të mbaj gjatë gjithë kohës”. Gruaja e pyeti: “Si do ta bësh këtë?” Burri iu përgjigj: “Do të të divorcoj dhe, sapo të afrohet fundi i periudhës së pritjes, do të të kthej përsëri”. Gruaja shkoi tek Ajshja r.a. dhe i rrëfeu ngjarjen. Ajshja r.a. heshti derisa erdhi Pejgamberi a.s. dhe i tregoi atij çfarë i kishte ndodhur gruas. Pejgamberi a.s. heshti derisa zbriti citati kuranor: “Divorci bëhet vetëm dy herë. Pastaj ose jetoni së bashku me mirësi, ose ndahuni me mirëkuptim”. (El-Bekare, 229). Termidhiu/1192.

-Divorci te ithtarët e librit:

Sipas mësimeve hebreje (mendimit të Rabinëve) lejohet që burri, sipas vullnetit të tij, në mënyrë të njëanshme ta divorcoj gruan e tij, kurse sipas disa fraksioneve hebraike, nuk lejohet që burri ta divorcoj bashkëshorten pa pëlqimin e saj. Mirëpo në disa raste lejohet që gruaja t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar divorc, si në vijim: Nëse burri martohet me një grua të dytë jovendëse, apo është steril, ose vuan nga ndonjë sëmundje kronike. Në raste të tilla gjykata i përgjigjet pozitivisht kërkesës së gruas për divorcim. Kurse për sa u përket të krishterëve, të gjitha fraksionet krishtera janë në ujdi që martesa nuk prishet përmes divorcit në asnjë mënyrë,pavarësisht tentimeve të njëanshme apo të dakorduara nga të dy palët për ta realizuar divorcin. Qëndrimi kishtar bazohet në këto parime:
1-Martesa është sekret i shenjtë, që realizohet përmes lutjeve të prijësit shpirtëror, që shpreh vullnetin hyjnor, prandaj tentimi për ta prishur këtë akt në mënyrë të njëanshme apo përmes vullnetit të dy bashkëshortëve, konsiderohet tejkalim i vullnetit hyjnor.
2-Akti martesor nuk realizohet ndryshe përveçse përmes institucioneve fetare, prandaj detyrimisht edhe prishja e këtij akti duhet të ndodhë nga po ai institucion, sepse kush posedon aktin, posedon edhe prishjen e tij.
Edhe pse të krishterët kanë drejtuar akuza të shumta karshi Islamit lidhur me lejimin e divorcit, me kalimin e kohës qëndrimi kishtar lidhur me divorcin ka pësuar ndryshme. Kështu ortodoksët kanë lejuar që cilido nga partnerët të kërkojë divorc; protestantët e kanë lejuar divorcin për dy arsye: në rast të ushtrimit të imoralitetit ose të konvertimit në fe tjetër. Ndërkaq, katolikët nuk e lejojnë divorcin në asnjë mënyrë. Arsyeja e moslejimit të divorcit mbështetet mbi parimin e shenjtërimit, i cili gjen mbështetje në ungjillin e Mateut, Llukës dhe të Markut, duke iu atribuuar Isait a.s., duke thënë: “Unë
ju them: ai që divorcon gruan pos imoralitetit, ai e bën atë prostitutë, ndërsa ai që martohet me gruan e divorcuar, ai bën imoralitet”. Kurse në Ungjillin e Markut shënon: “të që e ka bashkuar Zoti, nuk mund ta ndajë njeriu”.

2-Divorci nga mesjeta deri te koha e rilindjes dhe koha më e re në Evropë

Deri në kohën e mesjetës në Evropë ka mbizotëruar qëndrimi i shkollës katolike - se nuk lejohet divorci në asnjë mënyrë. Nga kjo ka rezultuar që studiues e juristë të ndryshëm që nga shekulli XVI të kërkonin alternativa për legjitimimin e divorcit. Pas një angazhimi të duhur e të gjatë, hapat e parë të ligjeve mbi lejimin e divorcit u vunë në shekullin XVIII, edhe pse kundërshtimet e kishës katolike ishin të rrepta ndaj atyre që lejuan një veprim të tillë. Në anën tjetër, filozofët e shekullit XVIII si: Monteskjë (Montesquieu), Volter, Bentham etj. ngritën teorinë e kundërshtimit martesor fetar-kishtar, i cili nuk lejon divorcin, duke u bazuar në konceptin se dobitë e divorcit janë shumëdimensionale, kurse moslejimin e divorcit e konsideruan vdekje për një shoqëri të zhvilluar. Edhe në Francë divorci ishte i ndaluar në kohën e borgjezisë. Ky ligj vazhdoi të vlente deri në Revolucionin Frëng, po me rikthimin e shkollës katolike në këtë vend në vitin 1816, sërish u ndalua divorci. Divorci do të lejohej përfundimisht me reformat juridike në vitin 1945, kur iu dha e drejta e barabartë të dy partnerëve në divorc. Nga arsyet e lejimit ligjor ishin: amoraliteti, dhuna bashkëshortore, gjykimi me burg afatgjatë për ndonjërin nga bashkëshortët, sëmundjet kronike etj.. Këtë qëndrim e kishin edhe Gjermania, Zvicra, Anglia, etj..

3-Qëndrimi i shtetit italian dhe i Vatikanit lidhur me divorcin

I vetmi shtet evropian që u ka qëndrua besnik deri vonë mësimeve kishtare lidhur me divorcin, është Italia, e cila nuk lejoi divorcin as me norma fetare krishtere dhe as me ndonjë kod ligjor në asnjë formë, përgjatë gjithë historisë, me përjashtim të njëzet viteve sundim të Napolonit në vitet 1795-1815. S’ka dyshim se një qëndrim i tillë i ka sfiduar qytetarët italianë për një kohë të gjatë, dhe kjo gjendje ka imponuar në vitin 1966 formimin e një lige të dijetarëve përfshirë avokatë, politologë, profesorë universitarë etj. për të iniciuar lejimin e divorcit, kështu që më pastaj një numër prej 20 milionë banorësh italianë iu drejtuan parlamentit shtetëror të asaj kohe me një peticion që të merrte vendim për ta lejuar divorcin, mirëpo ata nuk gjetën përkrahje shtetërore. Në të njëjtin vit në kryeqytetin italian, në Romë, u organizua një protestë masive përfshirë bashkëshortët, të cilët i bartnin në supe fëmijët e tyre dhe kërkonin nga qeveria lejimin e divorcit. Kjo betejë e qytetarëve vazhdoi vite me radhë, dhe parlamenti më 28/11/1969 përfundimisht mori vendim për ta lejuar divorcin në mes të katolikëve. Megjithatë Vatikani kundërshtoi një qëndrim të tillë, duke e justifikuar se bie ndesh me marrëveshjen dyzetvjeçare, e cila ishte arritur në mes të Kishës katolike dhe shtetit italian gjatë sundimit të Musolinit. Një vendim i tillë nga parlamentarët italianë ishte një goditje e fuqishme për Vatikanin, si dhe disfatë e madhe për qeverisjen kishtare. Vendimi parlamentar lidhur me lejimin edivorcit, përfshinte disa raste, ndër të cilat: Lejohet divorci nëse dy bashkëshortët jetojnë të ndarë në një periudhë pesëvjeçare pa ndërprerë. Nëse njëri nga dy partnerët dënohet me burg 15 vjet e më shumë. Nëse njëri nga çifti tenton mbytjen e tjetrit apo rrezikon jetën e tij a të fëmijëve, në rast çmendurie etj.

4-Qëndrimi i kanunit shqiptar ndaj divorcit

Për sa u përket pikëpamjeve lidhur me divorcin, kanuni bën dallim në mes divorcit gjatë fejesës dhe atij pas martesës. Sipas kanunit të Lek Dukagjinit,djali ka të drejtë gjatë fejesës të heqë dorë kurdo nga vajza: “Njatë herë kur ti teket djalit, asht i lirë me lshue vajzen e xanun”, mirëpo këtë të drejtë nuk e ka vajza e fejuar: “Vajza e xanun nuk mundet me lshue djalin edhe në mos pastë për sy”. Pas martesës burri ka të drejtë ta divorcojë gruan e tij me arsye, si për kurvëri apo për tradhti, po ashtu në të dyja rastet ka të drejtë, sipas kanunit, ta vrasë gruan e tij, duke mos kërkuar kompensim nga dhëndri. Gruaja e divorcuar si në rastet paraprake, dërgohet në familje të saj pa përcjellës, duke mos marrë asgjë përveç rrobave që ka të veshura. Ndërsa sipas kanunit të Skënderbeut, gruaja për gjëra të imëta nuk divorcohet, po qortohet, e nëse gruaja divorcohet pa arsye të justifikueshme, burri bie në ngatërresë (bie në bela a në gjak) me familjen e saj.

5-Realiteti i divorcit në Evropën bashkëkohore

Nëse u bëjmë një vështrim studimor rregullave përmes të cilave realizohet divorci në Evropë, vërejmë se nuk ka përputhshmëri me konceptet islame, sikur janë: ndarja e divorcit në përputhje me dispozitat fetare dhe divorci në kundërshtim me to, e as divorc me të drejtë kthimi apo pa të drejtë kthimi, as shprehje të veçanta për divorcim si dhe personi që realizon divorcin, qoftë burri apo gruaja. Perëndimorët divorcin e kanë vetëm njëlloj, një nga format, duke ia përshtatur vullnetit të burrit a të gruas. Në Evropë gjithashtu divorci nuk mund të ndodhë ndryshe përveçse me vendimin e gjykatës, në bazë të kërkesës së njërit bashkëshort ose të të dyve, në bazë të nenit 1564 të Kodit civil të Gjermanisë duke mos bërë të ditur fare arsyet e divorcimit. Në bazë të këtij koncepti, në Evropë divorci realizohet fare lehtë, mjafton lidhja me një dashnore dhe qëndrimi për disa ditë në një nga hotelet e famshme, me regjistrimin e emrit në të, si dhe duke pranuar të dy partnerët e çiftit para gjykatës se kanë ushtruar prostitucion, me pretendimin që gjykata të marrë vendim për divorcimin e tyre si dhe t’ua realizojë vullnetin për kurorë të re. Kështu vepron edhe gruaja kur dëshiron ta ndërrojë partnerin. Po ashtu, pjesa dërmuese e gjykatave evropiane nuk marrin vendim për divorc pa u vërtetuar kontakti amoral i burrit apo i gruas.



(1) Abdusemi Mahmud Shalan, Dirase mukarene li nidham elusre bejne elmesihije ve elislam. Disertacion doktorature, mbrojtur pranë Universitetin al-Azhar në Kajro viti 1976, mentor prof. Dr. Mustafa Emin en-Nazi, f. 443.
(2) Prof. Dr. Beqir Topallogllu, Gruaja në Islam, përktheu: Mithat Hoxha, Universiteti Marmara, Ilahiyat, bot 2, Stamboll, 2000, F. 111.
(3) Po aty, f. 444.
(4) Sead Ibrahim, Et-talak bejne elitlaki ve ettakjjid, disertacion magjistrature, mbrojtur pranë Universitetit al-Azhar në vitin 1976 në Kajro, f. 604.
(5) Mr. Sadat Rrustemi, Ahkam el muslimat f dijar gajr elislam-dirase fkhije mukarene, disertacion magjistraturë e mbrojtur pranë Universitetit Amerikan i Hapur, Kajro, 2008, f. 392.
(6) Amal Abdurrhaman el Buhajri, Nefadh et-talak f esh-sheria ei-islamije, disertacion magjistrature, mbrojtur në Universitetin al-Azhar – Fakulteti i Studimeve Islame dhe Arabe për femra, në Kajro viti 1992, mentor: Prof. Dr. Hatixhe Ahmed f. 42-44. Hilmi Batris, Ahkam ahval eshahsije lil misrijin gajr el muslimin, pa nr botimi Kajro viti 1956, f. 94.
(7) Et-talak bejne el itlaki ve et-takjjid, f. 2- marrë nga ungjilli i Mateut 31-32.
(8) Muhamed Reshid Rida ibn shejh Ragib el Kabani, men lehu hak et-tatlik. Disertacion doktorature në Universitetin al-Azhar
Fakulteti i Sheriatit dhe Kanunit, Kajro viti 1975, f. 128.
(9) Encyclopaedia univeralis, franceze, s, a. 1968, volume 5, deuxime prolication, decembre 1970, editeur a paris 5/725.
(10) Mavlana Muhamed Ali, et-talak f el islam. Mektebet Sadir 1950 Bejrut, pa numër botimi, f. 31. Encyclopaedia univeralis, v. 5, f. 726. Dr.abdurrahman es-Sabuni, Meda hurrijet ez-zevxhejn f isti’mali et talak f esh-sheria el islamije, bot 2-Bejrut viti 1968, v1, f. 56



Dr. Sadat Rrustemi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme