Kujdesi i Pejgamberit a.s. për gruan me cikël menstrual


“Të pyesin ty për menstruacionet (hajdin)! Thuaj: Ajo është gjendje e neveritur, andaj largohuni prej grave gjatë menstruacioneve dhe mos iu afroni atyre për marrëdhënie derisa të pastrohen. E kur të pastrohen, atëherë afrohuni atyre ashtu siç u ka lejuar Allahu. Allahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme!” (El Bekare, 222).
Femra, në të gjitha fazat e jetës së saj, është e krijuar në atë mënyrë që të jetë më e ndjeshme ndaj situatave dhe ngjarjeve të ndryshme. Kjo vërehet edhe më qartë gjatë periudhës së menstruacioneve, ku ajo përjeton dhimbje fizike, por edhe një luhatje humori, që ndikon në anën psikologjike të saj. Duke qenë kështu, Islami në përgjithësi, por edhe vetë Pejgamberi a.s. në veçanti, si model dhe shembull yni, i kushtoi një kujdes të veçantë femrës gjatë këtyre ditëve, duke treguar kujdes dhe sjellje të veçantë.
Marrë parasysh që disa gjëra janë të ndaluara për femrën gjatë këtyre ditëve, si lehtësim për atë, siç është namazi, agjërimi, bërja e tavafit, leximi i Kuranit, kryerja e marrëdhënieve intime etj., janë disa punë dhe veprime të tjera, të cilat janë të lejuara për të, e madje edhe të preferuara, siç është dhikri, përmendja e Zotit, marrja me dituri fetare etj., por edhe veprime të tjera të përditshme edhe në raport me burrin e saj, përveç veprimeve të ndaluara që i përmendëm më lart.
Nëpër etapa të ndryshme të njerëzimit, femra gjatë ciklit menstrual është trajtuar në mënyrë jo njerëzore. Ajo është ndarë nga shtrati, madje disa kanë shkuar aq larg, sa që e kanë vendosur atë në një vend tjetër, ngase e kanë konsideruar atë si të papastër e të ndyrë. Asaj nuk i është lejuar të gatuaj, e aq më pak që të tjerët të ushqehen prej duarve të saj. Zorastritët, femrën kur ishte në të përmuajshmet, e konsideronin si të fëlliqur dhe atë e mbyllnin në një dhomë të vetmuar. Në traditën hebraike parashihej që burri duhet të qëndrojë larg gruas kur është në të përmuajshmet, jo vetëm gjatë ditëve të tyre, por edhe shtatë ditë më pas, për faktin se trupi i saj dhe rrobat që ka përdorur konsideroheshin si të fëlliqura, dhe për pasojë ishin edhe të ndaluara. Gjatë periudhës së tillë, burrat hebrenj nuk i preknin bashkëshortet e tyre, nuk hanin bashkë dhe nuk flinin në një shtrat me to.(1) Kjo gjë kishte sjellë huti edhe te disa nga sahabët e Pejgamberit a.s..
Për këtë, Enesi r.a., ka thënë: “Me të vërtetë hebrenjtë ishin nga ata që kur ndonjëra nga gratë e tyre ishte në të përmuajshmet, ata nuk hanin me to e as nuk banonin me to në një shtëpi. Sahabët e pyetën të Dërguarin a.s. për këtë, e Allahu i Gjithëfuqishëm e shpalli ajetin: “Të pyesin ty për menstruacionet (hajdin)! Thuaj: Ajo është gjendje e neveritur, andaj largohuni prej grave gjatë menstruacioneve dhe mos iu afroni atyre për marrëdhënie derisa të pastrohen. E kur të pastrohen, atëherë afrohuni atyre ashtu siç u ka lejuar Allahu. Allahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme!” (El Bekare, 222). E i Dërguari a.s., më pas tha: “Bëni çdo gjë përveç Marrë parasysh që disa gjëra janë të ndaluaradhënieve intime me to.”
Kur ky lajm arriti te hebrenjtë, ata thanë: “Ky njeri nuk dëshiron të lejojë asgjë prej gjërave tona, e të mos na kundërshtojë.”
Pas kësaj, tek i Dërguari a.s. erdhën Usejd ibën Hudajri dhe Ubade ibën Bishri, dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut, hebrenjtë flasin këtë dhe këtë, po vallë ne nuk do të kemi kurrfarë marrëdhënie me to?” Pas kësaj fytyra e Pejgamberit a.s. u ndryshua aq fort, sa që këta menduan se është hidhëruar me ta, dhe dolën nga aty. Por kur dolën te dera panë një dhuratë, një sasi qumështi që i ishte dërguar Pejgamberit a.s.. Ai a.s. ua dërgoi qumështin atyre të dyve dhe ata pinë prej ti, e më pas e kuptuan se ai a.s. nuk ishte hidhëruar me ta.(2)
Pejgamberi a.s. për dallim nga hebrenjtë, jo që nuk e largoi bashkëshorten e tij nga shtrati për shkak se ajo ishte në të përmuajshmet e saj, por përkundrazi, ai e vazhdoi rrjedhën e jetës ashtu siç ishte më parë. Për këtë kemi shembullin e Umu Selemes r.a., e cila tregon: “Derisa isha ulur në kadife me të Dërguarin e Allahut a.s., hyra në cikël menstrual. Në mënyrë të heshtur u tërhoqa dhe vesha rrobat e ciklit. I Dërguari i Allahut a.s. më tha: “A të janë paraqitur të përmuajshmet?” “Po” – thash. Më ftoi mua pranë dhe u ula me të në kadife. Unë dhe i Dërguari i Allahut a.s. jemi pastruar nga një enë prej xhunubllëku.”(3)
Pejgamberi a.s. nuk e largoi atë nga mbulesa edhe pasi që iu paraqitën të përmuajshmet, e lërë më të vepronte diç tjetër me të, ta distanconte apo edhe ta largonte atë nga punët që i bënte me duart e saj.
Për ta dëshmuar këtë, në një hadith, të cilin e transmeton Ebu Hurejra, thuhet: “Derisa isha në xhami me të Dërguarin e Allahut a.s., ai i tha Aishes r.a., m’i sill rrobat. Ajo i tha: “Jam në të përmuajshmet.” Pejgamberi a.s. i tha: “Të përmuajshmet nuk i ke në duart tua”, dhe ajo ia solli rrobat.”(4)
Kujdesi i Pejgamberit a.s. ndaj grave të tyre gjatë periudhës së ciklit shfaqej edhe kur ai ishte në itikaf. Aisheja r.a. tregon se kur Pejgamberi a.s. ishte në xhami (në itikaf) e nxirrte kokën nga xhamia përmes dritares në dhomën e saj, dhe ajo ia krihte flokët, edhe kur ishte në ditët e saj.(5)
Mirësjellja dhe kujdesi i veçantë i Pejgamberit a.s. ndaj grave të tyre nuk kishte kohë të caktuar, ai nuk e anashkalonte gruan gjatë periudhës së saj, e më pas ta vazhdonte kujdesin. Ai na mësoi se sjellja e mirë ndaj gruas nuk do të thotë vetëm mbështetja e saj financiare, por rëndësi më të madhe i kushtonte mbështetjes emocionale, duke e bërë atë të ndihej e plotë edhe në gjendjet kur humori i saj binte nën nivel.
Transmetohet nga Aisheja r.a., se ka thënë: “U nisëm për udhëtim, me qëllimin e vetëm për ta kryer haxhin. Por, kur arritëm në Sarif (vend rreth 11km nga Meka) më erdhën ditët e mia. Kur hyri tek unë i Dërguari i Allahut a.s., unë po qaja, e ai më tha: “Çfarë ke kështu? Të erdhën menstruacionet?” “Po” – iu përgjigja. Ai a.s. më tha: “Kjo është një gjë të cilën e ka caktuar Allahu për bijat e Ademit. Kështu pra, bëj të gjitha veprimet që bën çdo haxhi tjetër, përveç tavafit (rrotullimit rreth Qabesë).” Pastaj ajo shtoi: “I Dërguari i Allahut a.s. theri kurban një lopë për gratë e veta.”(6)
Nga ky hadith shkëpusim pjesën e mërzitjes së Aishes dhe të qarën e saj, për të dëshmuar shembullin e lartë se si duhet t’i qaset bashkëshorti gruas së tij gjatë periudhës kur ajo është në të përmuajshmet. I Dërguari a.s. e pa Aishen r.a. duke qarë, dhe e kuptoi se ajo gjendje po e bën të pikëlluar atë. Ne përmendëm më lartë, se gruaja gjatë periudhës së saj, përveç ndryshimeve të humorit, ka edhe ndryshime fizike që shkaktojnë dhimbje te trupi i saj, e duke e marrë parasysh që gjatë kësaj periudhe, asaj i ndalohen edhe disa obligime fetare, ajo bëhet edhe më e ndjeshme për shkak të moskryerjes së tyre në kohën e caktuar, siç ishte rasti me Aishen r.a..
Pejgamberi a.s. kur e pa në atë gjendje, nuk e injoroi, ashtu siç ndoshta do të vepronin të tjerët, por e ngushëlloi atë me fjalët më të mira, duke i treguar se kjo gjendje nuk shkaktohet nga ti, e as që është në dorën tënde, por është caktim nga Lartmadhëria e Tij.
Ndonëse gruaja ka disa ndalesa në obligimet fetare gjatë kësaj periudhe, ajo nuk duhet të privohet plotësisht nga to. Muhamedi a.s. ua mësoi burrave se, ani pse gruaja nuk lexon Kuran gjatë kësaj periudhe, ajo mund të dëgjojë lexim të Kuranit nga burri i saj apo nga TV. Aisheja r.a. tregon se i Dërguari a.s. mbështetej në prehrin tim derisa unë isha në të përmuajshmet dhe ai këndonte Kuran.(7)
Allahu xh.sh. na e solli Pejgamberin a.s. si shembullin më të mirë që ne të ecim hapave të tij. Kur themi shembulli më i mirë, do të thotë që Allahu xh.sh. është kujdesur që shembullin e tij, a.s., të na e pasqyrojë edhe në detaje të vogla, por të rënda në peshore. Dashuria ndaj bashkëshorteve nuk mbaronte me fillimin e ciklit të tyre. Ai përveçse me fjalë, tregonte dashuri edhe me vepra, ani pse të lehta dhe të vogla për t’u vepruar, por në sytë e bashkëshorteve shiheshin si një përkushtim dhe vlerësim ndaj tyre. Aisheja r.a. ka thënë: “Kur isha me cikël kam pirë nga ena dhe më pas atë ia kam dhënë të Dërguarit a.s., e ai e vendosi gojën e vet në të njëjtin vend ku kisha vendosur edhe unë. Po ashtu, derisa isha në atë gjendje, kam kafshuar me dhëmb mishin nga ashti dhe pastaj ia kam dhënë të Dërguarit a.s. dhe ai e vendosi gojën e vet në vendin ku unë e kisha kafshuar.”(8)
Të ngrënit, të pirët, veshmbathja, biseda, krehja e flokëve, shkëmbimi i gjërave me njëri-tjetrin, e plot veprime të tjera, që janë cekur në hadithe, por edhe ato që nuk janë përmendur, janë veprime të thjeshta, të përditshme e të natyrshme, por ajo që i bën të veçanta këto që u përmendën, është shprehja “kur unë isha me cikël”, që tregon se këto kanë ardhur si mësim dhe edukim për të dy bashkëshortët, për të na mësuar se edhe veprat e thjeshta që nuk kërkojnë përpjekje të madhe, nëse bëhen me qëllimin e fitimit të kënaqësisë së Allahut, mund të kthehen në adhurime ndaj Tij. Këtë temë dua ta përmbylli me një hadith të transmetuar nga Aisheja r.a., e cila ka thënë: “Kur ndonjëra nga ne ishte me cikël, i Dërguari i Allahut a.s., e urdhëronte atë ta mbulonte pjesën e poshtme, e më pas mbështetej në të, por kurrë nuk bënte marrëdhënie intime. Mirëpo, cili prej jush është në gjendje t’i mbizotërojë kërkesat e tij, siç i ka mbizotëruar i Dërguari i Allahut a.s.”(9)
Ajo që dua ta vë në pah është fjala e fundit e hadithit: “Mirëpo, cili prej jush...”, e unë do t’ia shtoja, cili prej jush mund të jetë i vetëpërmbajtur sikurse i Dërguari i Allahut?!; Cili prej jush mund të jetë një detajist edhe në jetën e përditshme sikurse i Dërguari i Allahut?!; Cili prej jush mund të jetë kaq shembullor ndaj gruas së tij, sikurse ai, a.s., që ishte më i miri me gratë e tij?!; Cili prej jush mund ta ndjek shembullin e tij në çdo aspekt të jetës?! Kjo mbetet një sfidë për secilin mysliman që synon të jetë më i miri me gruan, fëmijët dhe familjen e tij.


______________________
1. Islami nëpërmjet haditheve
2. Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë, fq. 152.
2. Sahihu i Muslimit, nr. 171, version i shkurtuar, Imam Zekijudin el Mundhiri.
3. Sahihu i Muslimit, nr. 176, version i shkurtuar, Imam Zekijudin el Mundhiri.
4. Sahihu i Muslimit, nr. 173, version i shkurtuar, Imam Zekijudin el Mundhiri.
5. Muhtesar Sahih el Buhari, nr. 206, Imam Zejnudin Ahmed ibën Abdulatif Zebidi.
6. Muhtesar Sahih el Buhari, nr. 204, Imam Zejnudin Ahmed ibën Abdulatif Zebidi.
7. Sahihu i Muslimit, nr. 174, version i shkurtuar, Imam Zekijudin el Mundhiri.
8. Sahihu i Muslimit, nr. 178, version i shkurtuar, Imam Zekijudin el Mundhiri.
9. Sahihu i Muslimit, nr. 177, version i shkurtuar, Imam Zekijudin el Mundhiri.



Samire Bilalli


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?