“Njerëzve u është zbukuruar dashuria ndaj të këndshmeve, ndaj grave, djemve e ndaj pasurisë së grumbulluar nga ari e argjendi, ndaj kuajve të stolisur, bagëtisë e bujqësisë. Këto janë kënaqësi të kësaj bote, po tek Allahu është e ardhmja më e mirë”. (Ali Imran, 14).
Në ajetin e lartpërmendur Allahu xh.sh. na bën të njohur se Ai e krijoi njeriun me natyrë të veçantë, duke ia bërë pasionet dhe epshet ndaj gjërave që u theksuan në ajet, pjesë përbërëse e të pandashme të natyrës së tij. Dhe, në dritën e këtij ajeti shihet qartë natyra e njeriut se si ai anon nga këto dëshira, dhe se ai është i flaktë për t’i poseduar e tubuar ato me çfarëdo çmimi qoftë! Në mesin e këtyre gjërave, për të cilat njeriu ka dëshirë të flaktë t’i ketë, është “pasuria”, për të cilën Allahut xh.sh. thotë: “Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote”. (El Kehf, 46).
Imam Kurtubiu thotë: “Ajo që i bëri pasurinë dhe fëmijët të jenë stoli e kësaj bote, është arsyeja se tek pasuria qëndron bukuria dhe dobia, ndërsa tek fëmija qëndron fuqia dhe mbrojtja, kjo është që i bëri të dyja këto të jenë stoli e jetës së kësaj bote”.(1)
El-Alusi thotë: “Përmendja e pasurisë para fëmijëve në ajet, edhe pse fëmijët janë më të çmuar për shumicën e njerëzve, është bërë për shkak të lashtësisë së lidhjes ndërmjet pasurisë dhe stolisë, duke pasur parasysh se pasuria është më gjithëpërfshirëse, si nga individët ashtu dhe nga koha. Pasuria është stoli si për prindërit, ashtu dhe fëmijët në çdo kohë, kurse fëmijët janë stoli vetëm për atë që është prind. Nga pasuria varet vazhdimi i jetës, kurse prej fëmijëve varet vazhdimi i llojit, dhe për këtë shkak nevoja për pasuri është më e madhe sesa për fëmijë, e pasuria ekziston para fëmijëve, dhe për shkak se pasuria është stoli edhe kur nuk ka fëmijë, kurse fëmijët pa pasuri nuk janë stoli, sepse ai që ka fëmijë e nuk ka pasuri, jeton në një gjendje të vështirë e të mjerueshme”.(2) Pra, stolia dhe bukuria e fëmijëve varen nga pasuria. Allahu i Plotfuqishëm pasurinë e bëri boshtin kryesor të jetës së kësaj bote qysh kur njeriu filloi jetën në të. Ajo është mjeti i vetëm me të cilin njeriu arrin atë që do, qofshin ato gjëra të domosdoshme a të nevojshme, dhe qofshin gjëra që ofrojnë komoditet. Pasuria është elementi më i përdorur në mes njerëzve, si në mënyrë individuale ashtu dhe në mënyrë kolektive deri në ditët tona, si nga besimtarët ashtu dhe nga jobesimtarët, sepse jeta varet nga ajo. Meqë pasuria ka këtë rëndësi për njeriun dhe gëzon prioritet të veçantë, ai u dha shumë pas saj, saqë gati e mbyti veten në të, siç thotë i Lartëmadhërishmi: “Dhe ai është që shumë e do pasurinë”. (El Adijat, 8).Edhe thotë: “Dhe pasurinë e doni së tepërmi”.(El Fexhr, 20) qoftë nga hallalli ose nga harami.(3)
Thotë edhe: “Ai që ka tubuar pasuri dhe atë e ruan të mos i pakësohet. (El Humeze, 2). E e ka përgatitur për fatkeqësitë –telashet- e kohës.(4) Dashuria për pasurinë arriti deri në atë masë, saqë prej mjetit për të jetuar është shndërruar në qëllim, kështu që njeriu mendon vetëm për atë dhe nuk sheh përveçse përmes saj. Njeriu e mori pasurinë si masë për të bërë vlerësime në mes vetes dhe tjetrit, siç na njofton Kurani famëlartë, gjatë rrëfimit në tregimin për pronarin e dy kopshteve. Allahu xh.sh. thotë: “E ai atij shokut të vet (që ishte besimtar) i tha: - duke iu krenuar atij - “Unë kam pasuri më shumë se ti e, kam edhe krah më të fortë!” (El Kehf, 34).
Gjatë komentimit të ajeteve në të cilat rrëfehet tregimi i pronarit të dy kopshteve, Tabatabai bën një analizë të shkëlqyeshme rreth qëndrimit të pronarit të kopshteve, duke komentuar qëndrimin e tij të bazuar në një hipotezë të veçantë, e cila është e devijuar plotësisht nga realiteti, duke shikuar ai veten se është absolutisht i lirë për të vepruar me pasurinë dhe fëmijët që ia ka dhuruar Allahu, dhe se askush nuk ka të drejtë t’i përzihet në atë çfarë do të bëjë. Ai besonte se është pronar i saj, dhe kjo është e vërtetë, mirëpo harroi se Allahu xh.sh. ia mundësoi atij një pronë të tillë vetëm për ta sprovuar përmes stolisë së kësaj bote, të cilën ua nënshtroi njerëzve për t’i sprovuar me të dhe për t’i dalluar se kush është i dëlirë e kush i ndytë. Dhe këtu qëndron dallimi në mes dy përshkrimeve, të asaj që e përshkroi Allahu pronën e tij, kur tha: “Njërit prej tyre i dhamë dy kopshte (vreshta). (El Kehf, 32). E nuk tha: Njëri prej tyre kishte dy kopshte, dhe përshkrimin që i bëri ai burri vetes kur i tha shokut të tij:”Unë kam pasuri më shumë se ti e, kam edhe krah më të fortë!” (El Kehf, 34).
Pasuria është bërë si mjet për të jetuar dhe jo më shumë
Pra, nuk shihte gjë përveç vetes së tij dhe harroi se Zoti ishte Ai Që ia mundësoi atij të kishte gjithë atë pasuri e krah. Prandaj, fjala e tij drejtuar shokut: “Unë kam pasuri më shumë se ti e, kam edhe krah më të fortë!” ishte siç i tha Karuni atij që e këshillonte që të mos gëzohej e krenohej, po të sillej mirë me pasurinë që ia dha Allahu xh.sh.: Ai (Karuni) tha: “Më është dhënë vetëm në saje të dijes sime!” (El Kasas, 78).(5)
Nga ajo që u tha më parë, bëhet e qartë se pasuria është bërë si mjet për të jetuar dhe jo më shumë. Mirëpo ai që është i dhënë i tëri vetëm e vetëm për të tubuar sa më shumë pasuri, dhe është bërë shërbëtor i saj, në vend që ajo t’i shërbejë, deri në atë masë sa ta konsiderojë pasurinë të shenjtë dhe e harron Zotin, i Cili e ka krijuar, - konsiderohet i humbur dhe i lajthitur nga misioni për të cilin është krijuar. S’ka dyshim se ky nuk është njeriu të cilin Allahu xh.sh., e dëshironte të jetë rob i Tij, jo rob i pasurisë. Nganjëherë pasuria merret shkak për ta shprehur mburrjen dhe mendjemadhësinë, ashtu siç i ndodhi Ujejnete ibn Husenit dhe el-Ekra ibn Habis et-Temimijës, siç bën me dije shkaku i zbritjes së ajetit (Shih: El Kehf, 46). Imam Taberiu, gjatë komentimit të këtij ajeti, thotë: “Thotë i Lartmadhërishmi: O ju njerëz, pasuria dhe fëmijët më të cilat po krenohet Ujejnete dhe el-Ekra, dhe po shfaqin mendjemadhësi ndaj Selmanit e Habbabit dhe Suhejbit, është prej stolive të kësaj bote, e jo prej gjërave që vlejnë në Ahiret (kurse veprat e mira /fryti i të cilave është i përjetshëm/ janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt). Thotë: Ajo që po bën Selmani e Habbabi dhe Suhejbi, siç është respekti i urdhrave të Tij, lutja e Tij në agim e mbrëmje me sinqeritet, është më mirë, o Muhamed te Zoti yt, sesa pasuria e fëmija më të cilët po mburren këta paganë”.(6)
Selman el-Farisiju r.a. thotë: “Erdhi njëherë Ujejnete ibn Husni dhe el-Ekra’ ibn Habibi tek i dërguari i Allahut xh.sh. së bashku me kolegët e tij, dhe i thanë: O i dërguari i Allahut, sikur te uleshe në krye të mexhlisit dhe t’i largosh nga ne këta së bashku me erërat e tyre (aludonin Selmanin, Eba Dherrin dhe fukarenjtë e muslimanëve që kishin rroba nga leshi dhensh dhe nuk kishin rroba të tjera për të veshur), do të ishim ulur në mexhlisin tënd dhe do të bisedonim me ty e do të mësonim prej teje. Pas kësaj Allahu zbriti ajetet në vijim: (Shih: El Kehf, 27-29). Me se i kërcënon me zjarr”.(7)
Nga ajo që u tha më sipër, shihet qartë se veprat e mira dhe nënshtrimi ndaj urdhrave të Allahut xh.sh., janë më të mira për robin tek Zoti i tij, dhe gjëja më e bukur që mbetet në akantin e tij Ditën e Kiametit sesa të krenuarit me pasuri e me mendjemadhësi, sepse pasuria është stoli e kësaj bote, dhe është shumë e qartë se stolia e kësaj bote është e paqëndrueshme (fanije), edhe pasuria është pjesë e stolisë së kësaj bote, pra edhe pasuria është e paqëndrueshme (fanije), dhe ajo që i mbetet njeriut, është vetëm veprat e mira që i bën për hir të Allahut xh.sh., e kush mendon ndryshe, ai është në iluzion, i mashtruar, siç u mashtruan Ujejnete dhe el-Ekra, e të tjerët.
Si duhet të sillemi me pasurinë
Kjo bëhet më se e qartë nga ajeti në vijim: (Shih: Esh-Shuara, 89) Mirëpo, për derisa Kurani pohon se pasuria është stoli e kësaj bote dhe, kur kthehemi tek Ai për t’u njohur me dispozitën e kësaj stolie, gjejmë këtë përgjigjeje: (Shih: El Araf, 31-32).
Me ndihmën e këtij ajeti bëhet më se e qartë se çfarë qëndrimi ka Kurani për përdorimin e stolisë, në përgjithësi, e, në veçanti, të pasurisë që zë pozitën kryesore në stolinë e kësaj bote. Mirëpo, si të mënjanohen dëmet dhe rreziqet e pasurisë e të arrihet që të jetë me të vërtetë stoli e bukuri, pa pësuar atë që u theksua më parë? Pa dyshim, atë që e ka krijuar Krijuesi Fuqiplotë për t’i shërbyer njeriut dhe për t’ia bërë jetën e tij më të hareshme e të lumtur, Ai po ashtu i ka ofruar edhe udhëzimet se si të realizohet një gjë e tillë. Nën këtë ombrellë qëndron edhe pasuria, kështu që, nëse dëshirojmë që pasuria të jetë më të vërtet stoli e bukuri në jetën tonë, atëherë duhet të kërkojmë ndihmë nga Krijuesi Fuqiplotë, ku janë të përcaktuara dispozitat e qarta se si duhet të sillemi me pasurinë nëse shpresojmë të realizojmë një synim të tillë.
Me t’u kthyer në librin e Allahut xh.sh., mësojmë se, për të qenë stoli për ne e jo shëmti, pasuria duhet t’i plotësojë këto kushte:
1. Të fitohet e grumbullohet në mënyrë të drejtë, siç porosit Allahu xh.sh., në Kuran: “O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri në mes jush”. (En-Nisaë, 29).
2. Të bëhet pastrimi i saj nga haku i tjetrit (Shih:El Mearixh, 24-25 dhe El En’am, 41).
3. Të jemi falënderues të Allahut xh.sh. për furnizimin që na bën, ky është edhe urdhër i Tij, e për ata që falënderojnë, ka premtuar shtimin e saj: (Shih: En-Nahël, 114 dhe Ibrahim, 7).
4. Ta shpenzojmë në rrugë të drejtë dhe për dobi të ligjshme, para se të bëhet vonë (Shih: El Munafikun, 10 dhe El Bekare, 267).
Mos grumbullimi i saj, duke investuar në projekte të dobishme si për individin njashtu edhe për shoqërinë, se nëse grumbullohet atëherë bëhet qëllim, e ne duhet ta dimë se ajo është mjet (Shih: Et –Tevbe, 34 dhe El Bekare, 267). Së fundi duhet ta dimë se, nëse me anë të pasurisë njeriu mund të arrijë shpesh atë që nuk e meriton në këtë botë, duke i korruptuar të tjerët, duke u marrë drejtën të tjerëve në saje të pasurisë që ka, duke i thyer ligjet etj., kjo nuk do të ndodhë në Botën tjetër, dhe se ndikimi i pasurisë në Botën tjetër për të arritur atë që nuk e meriton, do të jetë hiç fare! Këtë e bëjn të qartë ajetet në vijim: (Shih: “Es-Sebee, 37 dhe El Munafikun, 9). Këtu kemi një paralajmërim nga i Lartmadhërishmi që të mos hutohemi pas pasurisë e fëmijëve, në mënyrë që t’u shmangemi detyrimeve që kemi ndaj Allahut, përndryshe kjo do të ishte një humbje e madhe! Kjo është ajo që kuptohet nga ana e dukshme e ajetit. Ndërkaq, nga ana e brendshme e ajetit kuptohet se pasuria e madhe të largon nga adhurimi! Dhe kjo, fatkeqësisht, po u ndodh pjesës më të madhe të atyre që kanë pasuri të madhe, e që kanë zgjeruar bizneset e tyre. “S’ka dyshim që pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë, ndërsa ajo që është tek Allahu, është shpërblim i madh”. (Et-Tegabun, 15). Në këtë sprovë nuk dalin fitimtarë përveçse besimtarët që kanë frikë Allahun.
________________
1) El Kurtubi, El Xhamiu li ahkamil Kuran,v. 10, f. 413.
2) El-Alulsi, Ruhul Meani, v. 8, f. 271.
3) El Kurtubi, El Xhamiu li ahkamil Kuran, v. 20, f. 183.
4) Po aty. v.20, f.183.
5) Muhamed husejn et- Taba tabai, El Mijzan fi tefsiril Kur’an, sh,b: Elbu- harijetu, Beirut, v.13, f. 309-311.
6) Et-Taberi, xhamiul bejan, v. 7, f. 213.
7) El- Vahidi, Ali Ibën Ahmet, Esbabu-l- Nuzul, sh.b: Mektebet el Hilal, botimi 1, Beirut, 1983, f. 209, shih po ashtu dhe, es-Sujuti, Xheleludin, Lubabu -l- Nukul Fi Esbabu –l- Nuzul, sh.b: Mektebet el Mustafa el Babi el Halebi, botimi i 2, Egjipt, 1963, f. 99.
Dr. Lulzim Esati