Komentimi i kaptinës “Jasin” (1)


Hyrje

Kaptina “Jasin” është kaptinë mekase, e zbritur pas sures “El-Xhinn”. Ka gjithsej 83 ajete, 729 fjalë dhe3000 shkronja. Në radhitjen e Mus’hafit mban numrin 36. Transmetojnë Ibn Durejsi, Nehasi Ibn Merduvije dhe Bejhekiu në “Ed-Delail” nga Ibn Abbasi të ketë thënë: “Kaptina “Jasin” ka zbritur në Mekë.”
Po ashtu Ibn Merduvije transmeton nga Aishja r.a. të ketë thënë: “Kaptina Jasin ka zbritur në Mekë”.

Emërtimi i kësaj kaptine Kjo kaptinë është emërtuar “Jasinë”,
sipas ajetit të parë të saj, në të cilin Allahu xh.sh. betohet me fjalët: “Ja, Sin”. Në lidhje me kuptimin e kësaj fjale, dijetarët kanë dhënë disa mendime, ndër të cilat mbizotëron mendimi se kjo fjalë nënkupton “ja insan-o njeri”, ose “o Muhamed” etj., por, megjithatë, rreth këtyre mendimeve do të flasim më gjerësisht gjatë komentimit.
Kjo kaptinë në mesin e komentatorëve njihet edhe me disa emra të tjerë, si: “El-Kalb”, “Ed-Dafia’h”, “El-Kadije” dhe “El-Muimmeh”2
Vlera e kësaj kaptine Disa kaptina kuranore kanë porositë e tyre universale në kohë dhe hapësirë, e ndër to, pa dyshim bën pjesë edhe surja “Jasin”, e cila pas asaj “El-Fatiha”, është ndër suret që ka zgjuar interesimin më të madh në mesin e dijetarëve ndër shekuj, për vetë faktin se në të shtjellohen tematika që ndërlidhen drejtpërsëdrejti me besimin në Zotin Një, vërtetësimin e misionit të Muhamedit a.s., ringjalljen etj.
Jasini është fjalë e drejtpërdrejtë e Allahut dhe përgjigje e hapur ndaj të gjithë atyre që i qenë kundërvënë thirrjes kuranore dhe përudhjes së njerëzve, të cilën e ka transmetuar Muhamedi a.s.... Sado që kjo sure, sipas përmbajtjes së vet, është koncize dhe përpjesëtimisht e shkurtër, ajo shënon qartë fondamentet e besimit islam, si pikënisje dhe bazë për ngritjen e mëtejme shpirtërore, morale dhe materiale të myslimanëve.3
Kjo kaptinë ka një vlerë të veçantë, sepse nëpërmjet ajeteve të saj, njeriu arrin përjetimin e ndjenjave të veçanta shpirtërore lidhur me fillimin e krijimit, për të kaluar pastaj në përjetimin e çdo çasti a momenti të kësaj bote, që është e paradestinuar të shkatërrohet, që do të përfundojë me vdekje, dhe përjetimin e ringjalljes, që fillon me llogarinë: shpërblimin ose ndëshkimin.
Kjo kaptinë ishte shumë e dashur për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Transmetohet nga Xhabir bin Semurete të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut në namazin e sabahut e këndonte suren Jasin”.4
Madje, i Dërguari i Allahut kishte porositur dhe nxitur që kjo kaptinë të nxihej përmendsh. Transmetohet nga Ibn Abasi r.a. të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: “Do të dëshiroja që ajo (d.t.th. surja Jasin) të jetë në zemrën e çdo pjesëtari të Ymetit tim”.5
- Nëpërmjet këtyre 83 ajeteve të kaptinës Jasin, shohim se çdo shkronjë dhe çdo fjalë e saj paraqet një imazh dhe rrëfim në vete, nëpërmjet të cilëve njeriu njihet me disa pyetje që shpeshherë mundojnë mendjen e tij: prej nga, deri ku, ç’është ringjallja ?!... etj..
- Kjo kaptinë është me vlerë të madhe edhe për faktin se shtjellon në mënyrë të mahnitshme të gjashtë fondamentet e Imanit. Ndonëse nga periudha mekase kemi edhe disa sure që flasin për degët e Imanit, si suret: “Sad”, “El-A’ëraf”, “Kaf”, dhe “En-Nexhm”, megjithatë, asnjëra prej tyre nuk i ka shtjelluar degët e Imanit në mënyrë aq madhështore e të kapshme sikurse surja “Jasin”.

Hadithet e transmetuara rreth kaptinës Jasin

Në lidhje me vlerën e sures Jasin janë transmetuar shumë hadithe. Ndonëse disa prej tyre janë të vërteta, disa të dobëta, e disa sosh madje edhe të trilluara, kjo megjithatë, absolutisht nuk e zbeh vlerën dhe rëndësinë e madhe që ka kjo kaptinë, sepse, siç thamë, ajo shtjellon bazat e besimit islam. Sa për ilustrim, do të përmendim disa hadithe rreth vlerës së kësaj kaptine:
- Transmetojnë Imam Ahmedi, Ebu Davudi, Nesaiu, Ibn Maxhe, Muhamed bin Nasr, Ibn Hibbani, Taberaniu, Hakimi dhe Bejhekiu6 nga Ma’ëkil bin Jesari të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut: “Atij që e lexon suren Jasin, duke dëshiruar me këtë kënaqësinë e Allahut, do t’i falen mëkatet e kaluara, prandaj lexojeni atë (Jasinin) për të vdekurit tuaj.”7
- Transmetohet nga Ebu Derda’ë të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut: “Nuk ka asnjë të vdekur që t’i lexohet surja Jasin, e të mos i lehtësohet atij.”8
- Transmetohet nga Ibn Abbasi r.a. të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: “Do të dëshiroja që ajo (d.t.th. surja Jasin) të jetë në zemrën e çdo pjesëtari të Ymetit tim”.9
- Është transmetuar nga Enesi r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Çdo gjë ka zemër, e zemra e Kuranit është Jasini....”10
Të njëjtin transmetim e transmetojnë Bezzari dhe të tjerë nga Ebu Hurejre.11
- Aishja r.a. përcjell thënien e të Dërguarit të Allahut: “Është një sure në Kuran, e cila do ta ndihmojë atë që e lexon dhe atë që e dëgjon, e ajo është surja Jasin.”12
- Është transmetuar nga Xhundeb bin Abdullahu të ketë thënë: “Ka thënë Resulullahu s.a.v.s.: “Atij që e lexon suren Jasin, duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, do t’i falen mëkatet.13
- Transmeton Darimiu, Ebu Ja’la, Taberaniu në “El-Evsat”, Ibn Merduvije, dhe Bejhekiu në “Shuabi-l-Iman” nga Ebu Hurejre të ketë thënë: “Atij që e lexon suren Jasin, duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, do t’i falen mëkatet në atë natë”14.
- Është transmetuar nga Hasan el Basriu, Allahu qoftë i kënaqur ndaj tij, të ketë thënë: “Atij që e lexon Jasinin natën, duke pasur për qëllim kënaqësinë e Allahut, do t’i falen mëkatet”, e pastaj shtoi: “Më është përcjellë se ajo (surja Jasin) është e barabartë me këndimin e tërë Kuranit”.15
- Transmetohet nga Ebu Hurejre të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut: “Ai që lexon Jasinin natën, duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, atij do t’i falen mëkatet në atë natë”16
- Transmetohet nga Ata’ë bin Ebi Rebah ka thënë: “Më është përcjellë që i Dërguari a.s. të ketë thënë: “Kush e lexon Jasinin në fillim të ditës, atij do t’i kryhet çdo nevojë”.17
- Transmetohet nga Shehr bin Havsheb të ketë thënë: “Ka thënë Ibn Abbasi: “Ai që e lexon Jasinin kur të jetë zgjuar, atij do t’i jepet lehtësimi i ditës derisa të ngryset, dhe kush e lexon Jasinin në fillim të mbrëmjes, atij do t’i jepet lehtësimi i natës derisa të gdhijë (zgjohet)”.18
Hadithet që flasin rreth vlerës së sures “Jasin”, janë shumë, por ne u mjaftuam vetëm me disa prej tyre, për të argumentuar vlerën që ka kjo sure, duke mos u thelluar në ato transmetime që, në esencë, janë të dobëta, të dyshimta e të trilluara nga ithtarët e shumë fraksioneve islame dhe sekteve të humbura.

Disa fjalë rreth këtyre transmetimeve

- Ndonëse, siç e përmendëm më parë, disa hadithe që janë transmetuar në lidhje me vlerën e kësaj sureje, janë të dobëta, kjo megjithatë nuk i ka penguar pjesën më të madhe të dijetarëve të jurisprudencës dhe të hadithit që të lejojnë të punohet me hadithe të dobëta, në punët dytësore, që nuk kanë të bëjnë me dispozita ligjore (fedailu-l-a’ëmal), natyrisht nëse dobësitë e atij hadithi nuk janë të mëdha, ndërkohë që shumica e këtyre haditheve rreth vlerës së “Jasinit”, hyjnë mu në këtë kategori, që do të thotë se lejohet të veprohet sipas tyre.
- Ajo që është përcjellë nga këto hadithe rreth vlerës dhe sevapit të të lexuarit të sures Jasin, nuk ka nevojë për ndonjë komentim shtesë, sepse edhe ashtu, të lexuarit e sures Jasin dhe tërë Kuranit, është ibadet (adhurim), dhe një gjë të tillë nuk mund ta mohojë askush prej dijetarëve, as prej të hershmëve dhe as të vonshmëve.19
- Ajo që është përcjellë nga këto transmetime, se surja “Jasin” është shkak për lehtësimin e çështjeve, vështirësive, rrëskut dhe plotësimin e kërkesave, - mbase vjen si pasojë e përmbajtjes së kësaj kaptine, në të cilën veçohen bazat e fesë dhe të besimit, pastaj argumentet mahnitëse hyjnore dhe përputhshmëria e përsosur në mes bazave të besimit dhe plotësimit të kërkesave e të çështjeve, siç shihet edhe në përfundimin e kësaj sureje:
“Kur Ai dëshiron ndonjë send, urdhri i Tij është vetëm t'i thotë: “Bëhu!” Ai bëhet menjëherë. I lartë është Ai në dorën e të Cilit është pushteti mbi çdo send dhe vetëm tek Ai ktheheni. (Jasin, 82,83)
- Ajo që është përcjellë nëpërmjet këtyre haditheve, se leximi i saj sjell dhe mbjell gëzim e kënaqësi në zemrat e atyre që lexojnë këtë kaptinë, mund të themi se është vërtetuar edhe në praktikë. Fshehtësia e kësaj mbase qëndron tek përshkrimi që bën Allahu xh.sh. për banorët e Xhenetit, se në çfarë kënaqësish do të jenë ata nesër në Ahiret, sepse në ajetet 55-58 thuhet:
“Ata të Xhenetit tash janë të angazhuar me kënaqësi. Ata dhe shoqet e tyre janë nën hije të mbështetur në kolltukë. Aty kanë pemë dhe ç’të duan. Kanë “Selam”, thënie e Zotit mëshirues!”
A thua çfarë gëzimi më të madh mund të ketë njeriu sesa ky gëzim, kur të ketë përjetuar kënaqësitë e Xhenetit. Prandaj edhe besimtarit, kur t’i lexojë këto ajete, i largohet çdo pikëllim e dëshpërim dhe ai me të drejtë lakmon dhe I lutet Allahut të jetë prej këtij grupi të shpëtuar´, që do të shijojë kënaqësitë e Xhenetit.
- Ajo që është përcjellë se surja Jasin lexohet edhe për të vdekurit, nga disa dijetarë është sqaruar se qëllimi është që t’i lexohet atij që është në prag të vdekjes ose duke dhënë shpirt, për t’ia lehtësuar mundimet e vdekjes. Në lidhje me këtë, është transmetuar nga Ahmedi në Musnedin e tij (16969) nga Ebu Mugire, e ky nga Safvani të ketë thënë: “Më kanë rrëfyer disa dijetarë se ishin të pranishëm kur Gudajf ibnul Harithit, i sëmurë për vdekje, i qe përkeqësuar gjendja shëndetësore, e ai u kishte thënë: A ka dikush prej jush ta lexoni suren Jasin? Atëherë Salih bin Shurejh Es-Sekunij filloi të lexonte, dhe, kur arriti në ajetin 40 të kësaj sureje, Gudajfi dorëzoi shpirtin e tij para Krijuesit. Pas kësaj ngjarjeje, dijetarët thoshin: Nëse i lexohet Jasini atij që është në prag të vdekjes, i lehtësohen vuajtjet.”20
Por ka edhe shumë prej dijetarëve që leximin e sures ”Jasin” e konsiderojnë si diçka të mirë dhe të pranuar edhe për të vdekurit, duke bërë analogji në bazë të haditheve të Pejgamberit a.s., që, nëse tek i vdekuri arrin sevapi edhe pas vdekjes21, për të cilën gjë nuk ka dyshim se arrin, atëherë sigurisht se arrin edhe sevapi i leximit të Kuranit, gjegjësisht “Jasinit”.22
Lidhmëria e kësaj kaptine me atë parapraken - “Fatir” Në mes të këtyre dy kaptinave, sipas komentatorëve, ekziston një lidhmëri shumëdimensionale, e ne do të përmendim vetëm disa sosh:
1. Meqë Allahu xh.sh. në kaptinën “Fatir” në ajetin 37 thotë:
“Ti nuk je tjetër veçse i dërguar që tërheq vërejtjen”, dhe në ajetin 42 të po kësaj kaptine:
“...e kur u erdhi atyre pejgamberi, (Muhamedi) atyre nuk u shtoi tjetër veçse largim.”, këtu qëllimi është për Muhamedin a.s., të cilin hebrenjtë dhe të krishterët e përgënjeshtruan, tash në fillim të kaptinës “Jasin”, Allahu është betuar se misioni (Shpallja) që i ka ardhur Muhamedit, është e vërtetë dhe është nga Allahu, se Muhamedi është në rrugën e drejtë dhe është dërguar më qëllim që t’i tërheqë vërejtjen popullit të tij, ashtu siç ishin paralajmëruar më parë edhe baballarët e tyre. (Shih: Jasin, 1-6)
2. Në mes dy kaptinave ka ngjashmëri edhe në përmendjen e disa argumenteve, që dëshmojnë për fuqinë hyjnore në gjithësi. P.sh. në ajetin 13 të kaptinës “Fatir” Allahu xh.sh. thotë:
“...i nënshtroi Diellin dhe Hënën, që secili lëviz (udhëton) deri në afatin e caktuar”, ndërkohë që në kaptinën “Jasin” thotë:
“Edhe Dielli udhëton për në kufirin e vet (në cakun përfundimtar). Ai është (udhëtim) përcaktim i Ngadhënjyesit, të Dijshmit. Edhe Hënës i kemi caktuar (pozicionet) derisa të kthehet në trajtën e harkut (rremb i hurmës së tharë)“. (Shih: Jasin, 38,39).
3. Në kaptinën “Fatir” Allahu xh.sh. thotë:
“e i sheh anijet se si çajnë ujin për të kërkuar të mirat e Tij”, ndërsa në suren “Jasin” ajeti 41, thotë: “Ne pasardhësit e tyre (të Ademit) i bartëm në anije të mbushur përplot”.
4. Armiqësia e djallit ndaj njeriut, shpërfaqet pothuajse në mënyrë identike në të dyja suret. Në kaptinën “Fatir” Allahu xh.sh. thotë:
“Djalli është armik juaji, pra edhe ju konsiderojeni armik, ai e thërret atë grupin e vet, vetëm për t’i bërë banues të zjarrit.” (Fatir, 6), ndërkohë që në suren “Jasin” (ajetet 60- 61) Allahu xh.sh. thotë:
“O bijtë e Ademit, po a nuk jua dërgova porosinë që të mos e dëgjoni djallin, se me të vërtetë ai është armiku juaj i hapët!? (Ju porosita) Të Më adhuroni Mua, se kjo është rruga e sigurt!“

Përmbajtje e shkurtër e kësaj kaptine

Kjo kaptinë shtjellon në vija të përgjithshme bazat elementare të besimit, ndërkohë që brenda ajeteve të saj shtjellon disa tema të rëndësishme, ndër të cilat do të veçonim këto:
1. Fillimi i sures (ajetet 1-12) flet për betimin e Allahut në Kuranin fisnik, se Muhamedi a.s. vërtet është i dërguar nga Allahu, se është në rrugë dhe udhëzim të drejtë. Këto dy argumente paraqiten si dy parabola imanore kundër mizorisë dhe padrejtësisë, në njërën anë, dhe inatit e xhelozisë së idhujtarëve që nuk e pranonin Shpalljen hyjnore, në anën tjetër.
2. Në pjesën e dytë të kësaj sureje (ajetet 13-32) shtjellohen disa çështje që kanë të bëjnë me besimin e “gajbit”, më saktësisht me besimin e Botës tjetër. Këtu flitet për disa të dërguar (sipas komentatorëve, fjala është për misionarët, apo nxënësit e Isait a.s. të dërguar tek një popull në Entaki, që kishin refuzuar udhëzimin. Ndërkohë këtu si një figurë e dashur na paraqitet një njeri që haptazi përkrah të dërguarit e Allahut dhe e fton edhe popullin e tij ta bëjnë një gjë të tillë, sepse, në të kundërtën, fundi i tyre do të ishte tragjik. Kjo, zaten, ishte një vërejtje edhe për banorët e Mekës, të që mos silleshin si ai popull që u tregua i ngurtë ndaj mësimeve hyjnore, dhe për atë kryeneçësi të tyre, u ndëshkuan rëndë nga Allahu xh.sh.
3. Në pjesën e tretë të kësaj kaptine, (ajetet 33-44) kryesisht kemi të bëjmë me shfaqjen e fuqisë absolute dhe manifestimin e kësaj fuqie hyjnore në proceset natyrore dhe në ekzistencë. Një prej argumenteve të kësaj fuqie absolute, është edhe ringjallja pas vdekjes, etj...
4. Edhe pse argumentet për ringjalljen ishin aq të forta dhe logjikisht të pakontestueshme, kjo megjithatë nuk i bindi idhujtarët që të largonin inatin dhe xhelozinë e tyre ndaj së vërtetës.. Por, për këtë inat të tyre, ata do të ndëshkohen nesër në Ahiret, kurse besimtarët do të kënaqen me begatitë e Xhenetit. (Shih ajetet 45-68)
5. Në pjesën e pestë të kaptinës, shohim disa argumente për vërtetësinë e Shpalljes që i erdhi Muhamedit a.s., për disa karakteristika të kësaj shpalljeje, të cilat i njihnin bashkëkohësit e Resulullahut s.a.v.s. dhe ishin dëshmitarë të tyre, etj.. (Shih ajetet 69- 76).
6. Ndërsa në pjesën e gjashtë tematike të kësaj sureje, (në ajetet 77-81) sërish shfaqen disa argumente për mundësinë e ringjalljes së të vdekurve, pasi të jenë shkatërruar trupat e tyre e të jenë shndërruar në pluhur.
7. Në fund të kësaj sureje (shih ajetet 82-83), vërtetohet edhe një herë se të vërtetat e besimit, të cilat tash do të mund të përmblidheshin në dy cilësi të Allahut: Sundues dhe i Plotfuqishëm, dëshmojnë fuqishëm për Njëshmërinë e Tij. Ai është Sundues për çdo krijesë dhe i Plotfuqishëm për çdo proces në këtë ekzistencë, e ndër këto procese edhe për ringjalljen dhe tubimin e gjithë njerëzimit para Tij, në Ditën e Gjykimit.23

- vijon –


____________________

Fusnotat:

1. Imam Shevkaniu, “Fet’hul Kadir” vëll.IV, fq. 347. El-Mensure-Egjipt 1994.
2. Muhammed Nevevi el Xhavi -“Et-Tefsirul mu- nir li mealim et-tenzil” i njohur më shumë si “Merah Lebid...”- kopje elektronike (shih: http://www.almeshkat.net/books/open.php?cat= 6&book=1013)
3. Mr. Nijaz Shukriq, nga parathënia e “Jasini- përkthim dhe komentim” nga Dr. Sejjid Kutbi, Shkup 1999.
4. Transmeton Taberaniu në “El-Evsat”, (transme- tuesit e këtij senedi janë njerëz të besueshëm.) Shih: “Mexhmeu-z-Zevaid” 2/119; Shih po ashtu: Jusuf el-Bedri “Suretu Jasin-El Xhami- atu li usulil akideti ve shuabil iman” fq. 22, Kajro 1984.
5. Këtë hadith e transmeton Bezzari. Është cekur edhe në tefsirin e Sujutiut “Ed-Durrul menth- ur...” vëll.12 fq. 313, Kajro 2003, ndërsa në veprën e Jusuf el-Bedri “Suretu Jasin - El Xha- miatu li usulil akideti ve shuabil iman” fq. 23, citohet nga tefsiri i Ibn Kethirit 6/542, se hadithi është i kategorisë “hasen”.
6. Imam Bejheki “El-Xhamiu li Shuabil iman” vëll. IV, fq.94, kapitulli:“Vlera e sureve dhe ajeteve”. nr. i hadithit: 2231, Rijad, 2003.
7. Dr.Vehbe ez-Zuhajli “Et-Tefsirul Vexhiz” fq. 441, Damask 1996 (Në këtë tefsir, ky hadith shënohet të jetë i kategorisë “hasen”),
8. Ebu Bekr el-Xhezairij “Ejseru-t-Tefasir” vëll. IV, fq.364, Medinë, 1997.
9. Transmetohet nga Bezzari në “El-Keshf” – (2305).
10. Transmeton Tirmidhiu – (hadithi 2812); Shih: Suneni i Darimiut, - vëll. IV - “Fedailul Kur’an”, Kapitulli 21 - “Rreth vlerës së Jasinit”, ha- dithi nr. 3459 fq. 2149-Rijad, 2000; Shih: “Tefsir Ibn Kethir” vëll III fq. 737, Kuvejt 1998.
11. Shih Bezari 2304 në “Keshf”, ndërsa këtë hadith Shejh Albani e konsideron daif-të dobët. Shih: “Silsiletu ehadith ed-daife” (Vëll.I, fq. 312-314). Rijad, 1992.
12. Ibn Atije el-Endelusi “El-Muharreru-l- Vexhiz...”, vëll. IV. fq.445, Bejrut, 2001; Shih po ashtu: Muhamedinilkerim bin Abdullah “Hadaiku-rr-Rruh ve-rr-Rrejhan fi revabi ulumi-l-Kur’an”, vëll.23, fq. 470, Bejrut, 2001.
13. Transmeton Ibn Hibbani në Sahihun e tij 7/269 nr. i hadithit (3002) duke e konsideruar këtë hadith si “sahih”; Po ashtu “sahih” e konside- ron edhe Hakimi në “Mustedrek”, vëll. 1/565, si dhe Imam Sujutiu në “El-Xhamiu-s-Sagir”.
14. Imam Bejheki “El-Xhamiu li Shuabil iman”
vëll. IV, fq.96, kapitulli:“Vlera e sureve dhe ajeteve”. nr. i hadithit: 2235; Imam Sujutiu “Ed-Durrul Menthur fi tefsiri bil me’ëthur”, vëll. 12, fq.311,
15. Suneni i Darimiut, - vëll.IV - “Fedailul Kur’- an”, Kapitulli 21 - “Rreth vlerës së Jasinit”, hadithi nr. 3458 fq. 2148-2149.
16. Suneni i Darimiut, - vëll. IV - “Fedailul Kur’- an”, Kapitulli 21 – “Rreth vlerës së Jasinit”, hadithi nr. 3460 fq. 2150; Këtë hadith e kanë përcjellur edhe Ebu Ja’ëla, Taberaniu, Ibn Merdevije dhe Bejhekiu në “Shuabi-l-Iman”, ndërsa Ibn Kethiri për isnadin (vargun e transm- etuesve ka thënë se është i mirë. Shih: “Muhte- sar Tefsir Ibn Kethir” redaktuar nga Muhamed Ali es-Sabuni, vëll.III, fq. 154, Bejrut, 1981.
17. Suneni i Darimiut, - vëll. IV - Kreu: “Fedailul Kur’an”, Kapitulli 21 - “Rreth vlerës së Jasinit”, hadithi nr. 3461 fq. 2150.
18. Po aty. hadithi nr. 3462, fq. 2151.
19. Dr.Abdulmexhid El-Bejanuni “El-Kavlu-l- mubin fi tefsiri sureti Jasin”- Xhedë (Arabia Saudite), 2002.
20. Transmeton Imam Ahmedi në “Musnedin” e tij nr. (16355); Shih: Hafidh Ibn Haxheri el As- kelani në “El-Isabeh...” këtë isnad e konsideron të mirë “hasen”. (Shih biografia e Gudajfit).
21. Transmeton Muslimi nga Ebu Hurejra r.a., se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur të vdesë biri i Ademit (njeriu) i ndërpritet puna e tij (burimet e sevapit), përveç tri gjërave: Lëmosha e vazh- dueshme, lënia e diturisë prej të cilës kanë dobi (të tjerët), dhe një fëmijës i devotshëm, i cili bënë lutje për prindërit e tij.”
22. Për këtë gjë do të flasim inshallah në fund të komentimit të kësaj kaptine.
23. Dr.Muhamed bin Ashur “Et-Tahriru ve-t- Tenviru” , vëll. 22, fq. 342-343, Tunis 1984; Dr. Vehbete-z-Zuhajli “Et-Tefsirul Munir” vëll.22, fq. 288-289, Bejrut,1998.



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme