Vlera dhe edukata e ditës së xhuma dhe namazit të xhumasë


Allahu i Madhërishëm e bëri obligim faljen e namazit të xhumasë, në mënyrë që myslimanët të mblidhen, të bashkohen, të afrohen dhe të njihen sa më mirë me njëri-tjetrin. Përveç kësaj, myslimanët gjatë dëjimit të hytbes, kanë rastin më të mirë për të mësuar për fenë e tyre. Në këtë ditë të bekuar, besimtari, përveç pastrimit të shpirtit, pastron edhe trupin dhe rrobat e tij, andaj me plot të drejtë dita e xhuma quhet “festë javore për myslimanët”.
Në vazhdim, do të lexoni se çfarë ka shkruar dijetari i mirënjohur islam, Imam Gazaliu r.a., për vlerën dhe edukatën e ditës së xhuma dhe namazit të xhumasë, në kryeveprën e tij “Ihja ulu-mid-din”:
“Me të vërtetë, dita e xhuma është një ditë madhështore. Allahu e ka madhëruar me të fenë islame dhe i ka veçuar myslimanët nga popujt e tjerë. Allahu në Kuran urdhëron e thotë: “Kur thirret ezani për faljen e namazit të xhumasë, nxitoni (për të përmendur Allahun) dhe lini shitblerjen…”(1) , pra ndalohet preokupimi me çështje të dynjasë dhe me çdo gjë që pengon vajtjen në xhami për faljen e namazit të xhumasë.
Pejgamberi a.s. thotë: “Kush e lë faljen e tri xhumave pa arsye, Allahu do t’ia vulosë zemrën e tij.(2)” Sipas një transmetimi tjetër: “ai e ka hedhur Islamin mbrapa shpinës së tij”(3)
Një njeri e kishte pyetur Ibn Abbasin për dikë që kishte vdekur e nuk kishte prezantuar në namazin e xhumasë dhe as në namazet me xhemat, ai ishte përgjigjur: “do të jetë në zjarr”. Ai nuk kishte pushuar së pyeturi për afro një muaj dhe kishte marrë të njëjtën përgjigje.
Pejgamberi a.s. në një hadith kishte thënë: “Dita më e mirë që lind dielli, është dita e xhuma. Në këtë ditë është krijuar Ademi, në këtë ditë ka hyrë në Xhennet, në këtë ditë ka zbritur në tokë, në këtë ditë u është pranuar pendimi, në këtë ditë ka vdekur dhe po në këtë ditë do të bëhet Kiameti. Tek Allahu quhet dita e shtimit të të mirave, kështu e quajnë melaiket në qiell. Kjo është dita për ta parë Allahun në Xhennet!”(4)
Ka’bi thotë: “Allahu i Madhëruar ka dalluar qytetin e Mekës ndaj qyteteve të tjera, muajin e Ramazanit ndaj muajve të tjerë, ditën e xhuma ndaj ditëve të tjera dhe natën e Kadrit ndaj netve të tjera”.
Po ashtu thuhet se edhe zogjtë në ajër takohen me njëri-tjetrin ditën e xhuma dhe thonë: “Paqe, paqe, për këtë ditë të mirë!”
Pejgamberi a.s. thotë: “Kush vdes ditën apo natën e xhuma, ka vdekur si shehid dhe është i mbrojtur nga dënimi i varrit”!(5)

Edukata e xhumasë

E PARA: Besimtari duhet të përgatitet që nga dita e enjte për ta pritur ditën e xhuma për shkak të vlerës së madhe që ka kjo ditë e bekuar. Përgatitja bëhet duke bërë sa më shumë dua, istigfarë dhe tesbihe pas namazit të ikindisë së ditës së enjte, sepse prej këtu fillon koha e atij çastit ku pranohet lutja tek Allahu fuq plotë.
Një nga të parët tanë ka thënë: “Allahu ka disa të mira (të veçanta) që nuk i jep askujt përveç atij që lutet në mbrëmjen e së enjtes dhe ditën e xhuma”!
Besimtari duhet të përgatitet që nga dita e enjte dhe në paraditën e xhumasë duke u pastruar, duke larë rrobat dhe duke bërë përgatitjet e tjera të nevojshme për të, në mënyrë që të duket sa më bukur në faljen e namazit të xhumasë. Po ashtu, nëse ka mundësi, të mos e preokupojë zemrën e tij me gjëra që e pengojnë shkuarjen e hershme në xhami. Gjithashtu është mirë që këtë natë ta shfrytëzojë duke bërë namaz, duke lexuar Kuran apo duke bërë dhikër Allahun Fuqiplotë, në mënyrë që të arrijë shpërblimin e ditës së xhuma. Në mbrëmjen e së enjtes është i pëlqyeshëm edhe kontakti seksual me bashkëshorten, në mënyrë që edhe ai e edhe bashkëshortja e tij të arrijnë shpërblimin e guslit të ditës së xhuma.
Nëse një besimtar vepron në këtë mënyrë, akoma pa zbardhur agimi i ditës së xhuma, ka plotësuar edukatën e pritjes së kësaj dite të madhe dhe nuk konsiderohet në grupin e njerëzve të shkujdesur (gafil-indiferentë), të cilët, kur zgjohen nga gjumi, pyesin se çfarë dite është sot?
Njëri nga të parët tanë ka thënë: “Shpërblimin më të plotë të ditës së xhuma e ka ai që e pret dhe përgatitet qysh një ditë përpara, kurse shpërblimin më të vogël e ka ai që, kur zgjohet nga gjumi, pyet se çfarë dite është sot.”
Disa prej të parëve tanë kanë fjetur brenda në xhami natën e xhumasë, vetëm e vetëm për të arritur shpërblimin e ditës së xhuma.

E DYTA: Kur zgjohet nga gjumi për të falur namazin e sabahut, së pari merr gusël (nëse nuk është larë më herët). Gusuli në ditën e xhuma është shumë i preferuar, saqë disa ulema e konsiderojnë obligim (vaxhib) duke u bazuar në hadithin e Pejgamberit a.s., që ka thënë: “Pastrimi në ditën e xhuma (gusli) është vaxhib (obligim) për çdo të rritur!”(6)
Hadithi tjetër: “Kush shkon në xhuma, le të marrë gusël!”(7)
Nga banorët e Medinës, kur shaheshin dy veta ndërmjet veti, njëri i thoshte tjetrit: “Ti je më i keq se ai që nuk pastrohet (merr gusul) ditën e xhuma!”
Pejgamberi a.s. thotë: “Kush merr abdes ditën e xhuma, kjo është e mjaftueshme dhe e mirë, por kush pastrohet (merr gusël), kjo është edhe më e mirë!”(8)
Kush pastrohet (merr gusël) nga xhenabeti (pas marrëdhënieve seksuale apo polucionit), le ta pastrojë trupin edhe një herë me nijet të guslit të xhumasë, pra mjafton një larje me dy nijete. Tregohet se një ashab e kishte pyetur djalin e tij, pasi kishte dalë nga banja: A u pastrove për ditën e xhuma? Jo – ia ktheu ai, po nga xhenabeti. Atëherë babai i tij i tha: Përsërite guslin edhe një herë”. Pra e kishte urdhëruar që të pastrohej edhe një herë, për shkak se nuk e kishte bërë nijet të pastrohej për ditën e xhuma, po vetëm nga xhenabeti.
Kush pastrohet (merr gusël) e pastaj e prish abdesin, nuk i prishet gusli, por më e pëlqyer është që të ruhet derisa ta falë namazin e xhumasë.

E TRETA: Zbukurimi. Është e pëlqyer që këtë ditë t’u kushtohet rëndësi tri gjërave: “Rrobave, pastërtisë trupore dhe parfumosjes me erëra të mira. Në pastërtinë trupore hyjnë: pastrimi i dhëmbëve, heqja e qimeve nën sqetulla, prerja e thonjve, shkurtimi i mustaqeve dhe gjithë atyre që përmenden në kapitullin e pastërtisë në librat e fikhut.
Besimtari këtë ditë (fjala është para faljes së xhumasë) duhet të parfumoset me erërat më të mira, në mënyrë që të mënjanojë erërat e këqija, sepse afër tij do të jenë besimtarët e tjerë, e të mos i neveritë ata me erë të keqe.
Pejgamberi a.s. thotë: “Erërat më të mira për burra janë ato aroma e të cilave shfaqet (ndihet), kurse për femrat ato aroma e të cilave nuk hetohet…!”(9)
Imam Shafiu thotë: “Atij që i mban të pastra rrobat e tij, i zvogëlohen pikëllimet dhe mërzitë e tij, kurse atij që lyhet me erëra të mira, i rritet inteligjenca”!
Kurse, për sa u përket rrobave, më e pëlqyeshmja është të vishemi me rroba të bardha, ngase ato janë më të dashura tek Allahu, por gjithsesi pa u mburrur për ato rroba. E veshja me rroba të zeza nuk është prej Synetit të Pejgamberit a.s., bile disa dijetarë e konsiderojnë mekruh veshjen me rroba të zeza, ngase kjo nuk ndodhte në kohën e Pejgamberit a.s. Po ashtu është e pëlqyeshme të mbulohet koka gjatë faljes së namazit të xhumasë.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Vërtet Allahu dhe melaiket e Tij, bëjnë salavate për ata që i mbulojnë kokat ditën e xhuma!”(10)

E KATËRTA: Shkuarja herët në xhami. Vlera e shkuarjes herët në xhami është shumë e madhe. Ai që shkon në xhami, duhet të ecë i heshtur dhe plot frikë, dhe të synojë itikafin në xhami, derisa të dalë prej saj. Duke u ndodhur herët në xhami, i jemi përgjigjur plotësisht thirrjes së Allahut xh.sh. për mëshirën dhe faljen e Tij.
Pejgamberi a.s. thotë: “Kush shkon në xhuma në orën e parë të mëngjesit, i llogaritet sikur të ketë flijuar një deve.
Kush shkon në orën e dytë, sikur të ketë flijuar një lopë. Kush shkon në orën e tretë, sikur të ketë flijuar një dash. Kush shkon në orën e katërt, sikur të ketë flijuar një pulë. Kush shkon në orën e pestë, sikur të ketë dhënë lëmoshë një vezë. Kur imami hipën në hytbe, mbyllen fletushkat, ngrihen lapsat dhe melaiket tubohen tek minberi për të dëgjuar hytben. Nëse vjen dikush për t’u falur më pastaj, nuk ka arritur asgjë nga mirësia e ditës së xhuma!”(11)
Po ashtu Pejgamberi a.s. thotë: “Sikur të dinin njerëzit se çfarë vlere ka në tri gjëra, do të vraponin ashtu siç vrapon deveja për t’i kërkuar ato. Ato janë: “Ezani, rreshti i parë dhe nxitimi në xhami për faljen e namazit të xhumasë!”(12) Ahmed ibn Hanbeli thotë se gjëja më e vlefshme është vrapimi në xhami për të falur namazin e xhumasë.
Në një hadith tjetër thuhet: “Kur të vijë dita e xhuma, melaiket ulen në dyert e xhamive me fletushka nga argjendi dhe lapsa nga ari në duart e tyre, dhe i shënojnë besimtarët një nga një sipas radhës së tyre.!”(13)
Në shekullin e artë i shihje rrugët të mbushura me njerëz pas namazit të sabahut, duke shkuar në xhaminë kryesore për të falur namazin e xhumasë, ashtu siç mbushen rrugët gjatë bajrameve, - derisa humbi kjo traditë
E pra, si nuk kanë turp myslimanët sot nga të krishterët dhe çifutët, të cilët herët në mëngjes nisen për në kisha dhe sinagoga ditën e shtunë dhe të diel? Si nuk turpërohen nga kërkuesit e dynjasë, të cilët zgjohen herët në mëngjes duke menduar për shitblerjen dhe fitimet e tyre?
Thuhet se njerëzit ditën e gjykimit do ta shohin me radhë bukurinë e Zotit xh.sh. ashtu siç kanë shkuar në xhami ditën e xhuma.
Abdullah ibn Mes’udi shkoi herët në xhami për të falur namazin me xhemat, por aty gjeti tre persona që kishin ardhur para tij. I mërzitur, u ul dhe, duke qortuar vetveten, tha: I katërti me radhë, e i katërti me radhë është shumë larg shpërblimit nga ata që kanë ardhur para meje!

E PESTA: Mënyra e hyrjes në xhami. Kur besimtari hyn në xhami për të falur namazin e xhumasë, nuk duhet të kapërcejë mbi kokat e xhematlinjve për të synuar rreshtin e parë dhe as të mos futet në mes dy vetave.
Në një hadith thuhet: “Derisa ishte në minber ditën e xhuma, Pejgamberi a.s. pa një njeri duke kapërcyer mbi kokat e xhematlinjve, derisa u ul në safin e parë. Pejgamberi a.s., pasi e përfundoi namazin, iu afrua njeriut dhe i tha: “O filan, çfarë të pengoi që nuk ishe sot me ne? Ai ia ktheu: O Pejgamber i Zotit, unë isha këtu në xhami dhe u fala së bashku me ju! Atëherë Pejgamberi a.s. i tha: “A nuk të pamë duke kapërcyer mbi kokat e njerëzve?(14) – duke i treguar kështu se puna e tij kishte humbur.

E GJASHTA: Të mos kalojë para atij që falet dhe të ulet aty ku qëllon ose në afërsi të murit apo ndonjë shtylle të xhamisë, në mënyrë që të mos kalojë dikush para tij gjatë faljes së namazit.
Lidhur me këtë Pejgamberi a.s. ka thënë: “Sikur ta dinte ai që kalon para falësit të namazit, se sa mëkat i madh është, për të do të ishte më mirë të priste për katërdhjetë vjet, sesa të kalojë para tij!”(15)
Hadithi tjetër: “Kur dikush nga ju falet në drejtim të diçkaje që e ndan nga masa, e dikush do të kalojë para tij, le ta largojë vetë. Nëse ai nuk pajtohet për këtë, le të grindet me të, sepse ai është shejtan (i padëgjueshëm)!”(16)

E SHTATA: Të synojë safin (rreshtin) e parë, meqë të falurit në safin e parë ka vlerë të madhe. Për këtë Pejgamberi a.s. ka thënë: “Sikur ta dinin njerëzit se çfarë vlere ka të falurit në safin e parë, do të hidhnin short!”(17)

E TETA: Të ndërpresë namazin dhe bisedën kur të ngjitet imami në minber, t’i përgjigjet myezinit dhe të dëgjojë hytben. Është bërë shprehi sot për disa xhematlinj, të falin synetin gjersa imami është në minber, po kjo nuk ka kurrfarë baze dhe as argumenti tek i cili të mund të mbështetemi.
Pejgamberi a.s. thotë: “Nëse i thua atij që ke pranë “hesht”, gjersa imami e mban hytben, ke bërë gabim, e kush bën gabim, nuk ka xhuma (i humb shpërblimi i xhumasë)!”(18) Pra, përderisa është e ndaluar thirrja për të bërë mirë dhe për të shmangur tjetrin nga e keqja, që është vaxhib, atëherë aq më tepër nuk është e lejuar nafilja.
Imam Aliu r.a. ka thënë: “Është mekruh (urrehet) falja e namazit në katër raste: Pas sabahut, pas ikindisë, në mesditë dhe gjatë kohës kur imami mban hytben!”

E NËNTA: Pas namazit të xhumasë, pa biseduar me askënd, rekomandohet të këndohet shtatë herë sureja el-Fatiha dhe shtatë herë suret el-Felek dhe en- Nas.
Është transmetuar nga disa selefë (të parët tanë), se kush vepron kështu, është i mbrojtur nga xhumaja deri në xhumanë e ardhshme, dhe shejtani nuk mund ta dëmtojë.
Po ashtu rekomandohet që pas namazit të xhumasë, të këndohet kjo lutje: “Allahumme ja Ganijju ja Hamidu ja Mubdiu ja Muidu ja Rahimu ja Vedudu igneni bihalalike an haramike ve bifadlike ammen sivake”, që në shqip do të thotë:
“O Zoti im, o i Pasur, o i Lavdëruar, o Krijues, o Mëshirues, o Dashamirës, më pasuro me mall të hallallit e jo me mall të haramit, më pasuro me mirësitë e Tua, o Allah!” Thuhet: “Atë që këndon vazhdimisht këtë dua, Allahu i Madhëruar e pasuron dhe e furnizon prej nga nuk e kujton fare”.

E DHJETA: Sipas mundësisë, rekomandohet të qëndrojë në xhami deri në namazin e ikindisë, mirëpo, nëse qëndron deri në aksham, kjo është edhe më mirë. Thuhet: “Kush e fal xhumanë dhe pastaj e pret në xhami namazin e ikindisë, atij i llogaritet sikur të ketë kryer Haxhin, ndërsa kush e pret në xhami edhe akshamin, i llogaritet sikur të ketë kryer Haxhin dhe Umren”. E tërë kjo, në mënyrë që të ruhet nga sëmundjet shpirtërore i shoqëruar me njerëz dhe duke biseduar me ta për gjëra që nuk janë të rëndësishme. Mirëpo, nëse pas xhumasë kthehet në shtëpi duke kujtuar të Madhin Allah, duke medituar dhe duke E falënderuar Atë për dhuntitë e Tij, si dhe duke patur nën kontroll të vazhdueshme zemrën dhe gjuhën e tij, derisa të perëndojë dielli, atëherë kjo është më e lavdëruar.
Në xhami nuk duhet biseduar për çështje të kësaj bote. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Do të vijë një kohë kur njerëzit do të bisedojnë në xhamitë e tyre për çështje të dynjasë. Ata nuk kanë nevojë për Zotin, andaj mos u ulni me ta!”(19)

E NJËMBËDHJETA: Allahu i Madhëruar urdhëron e thotë: “E kur të kryhet namazi (i xhumasë), atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni begatitë e
Allahut...”,(20) e shprehja “begatitë eAllahut” nuk ka të bëjë me të mirat e dynjasë, por me vizitën e ndonjë të sëmuri, përcelljen e ndonjë xhenazeje, mësimin e ndonjë diturie të dobishme dhe vizitën e ndonjë vëllai në fe.

E DYMBËDHJETA: Të jetë vigjilent që të gjejë orën kur përgjigjet duaja ditën e xhuma duke përqendruar vëmendjen dhe duke përmendur vazhdimisht Allahun e Madhërishëm.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Vërtet ditën e xhuma është një orë (çast, moment), kur për çfarëdo që lutet myslimani, Allahu i përgjigjet lutjes së tij!”(21)
Ka mendime të ndryshme lidhur me këtë orë. Ebu Musa r.a. transmeton: “Ajo orë është ndërmjet periudhës ur ulet imami e derisa të mbarojë namazi.” Në një hadith tjetër: “Ajo është periudha ndërmjet mbarimit të hytbes nga imami e derisa të mbarojë namazi” dhe në hadithin e Xhabirit r.a.: “Ajo është ora e fundit pas ikindisë”, si dhe në hadithin e Enesit r.a.: “Kërkojeni atë në mes namazit të ikindisë dhe perëndimit të diellit!” Disa ulema kanë thënë se kjo orë lëviz në kohë të ndryshme siç lëviz nata e Kadrit, në mënyrë që të shfrytëzohet e tërë dita në adhurim të Allahut Fuqiplotë.

E TREMBËDHJETA: Të shtojë salavatet për Pejgamberin a.s. në këtë ditë.
Pejgamberi a.s. thotë: “Kush bie salavat për mua 80 herë ditën e xhuma, Allahu ia fal mëkatet (e vogla) të 80 vjetve”. E pyetën: Po si është shprehja e salavatit, o Pejgamber i Allahut? Ai tha: “Të thuash: “Allahumme sal-li ala Mu- hammed, abdike ve nebijjike ve resulike en-nebijjil ummijj” – kjo llogaritet një herë!”(22)
Nëse do, të shtojë edhe dua për të, dhe të shtojë istigfarin, pasi është e pëlqyer.

E KATËRMBËDHJETA: Ditën e xhuma është e pëlqyeshme të lexohet sa më shumë Kuran, veçanërisht sureja El-Kehf. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush e këndon suren El-Kehf ditën e xhuma apo natën e saj, ruhet prej fitnes!”

E PESËMBËDHJETA: Të japë sadaka ditën e xhuma sa të ketë mundësi, ngase shpërblimi i saj është i dyfishuar. Gjithashtu është e pëlqyeshme të bëjë punë të Ahiretit ditën e xhuma dhe të mos e teprojë me preokupime të kësaj bote kalimtare, sepse Allahu e do atë rob i cili bën vepra të mira pikërisht në këto ditë me vlerë të madhe. Nuk rekomandohet udhëtimi paraditen e xhumasë, veçse për ndonjë rast tepër të nevojshëm.”


__________________
Fusnotat:
1. Kaptina El-Xhumua, ajeti 9.
2. Transmeton Ahmedi.
3. Transmeton Bejhekiu nga Ibn Abbasi.
4. Transmeton Muslimi nga Ebu Hurejre.
5. Transmeton Ebu Nuajmi nga Xhabiri.
6. Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Seidi.
7. Transmeton Buhariu dhe Muslim.
8. Transmeton Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu.
9. Transmeton Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu.
10. Transmeton Taberaniu.
11. Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
12. Transmeton Ebu esh-Shejh në Thevabul A’mal.
13. Transmeton Ibn Merdevijeh me sened të dobët.
14. Transmeton Ibn El-Mubareku.
15. Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
16. Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
17. Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
18. Transmeton Tirmidhiu dhe Nesaiu.
19. Transmeton Bejhekiu.
20. Kaptina El-Xhumua, ajeti 10.
21. Transmeton Tirmidhiu.
22. Transmeton Darikutniu.



Imam Ebu Hamid El-Gazali
Përktheu dhe përshtati nga gjuha arabe:
Enes Koshi