Shkatërrimi i popujve mosbesues e arrogantë
Kurani ka njoftuar për zbulime të rëndësishme shkencore, shekuj më parë, por mrekullitë e Kuranit nuk kufizohen vetëm në zhvillimet shkencore.
Ajetet e Kuranit përmbajnë edhe një numër të madh mrekullish që kanë lidhje me çështjet historike. Shumë fise, qytete, mbretër dhe luftëra janë përshkruar në Librin e Shenjtë. Për më tepër, kërkimet dhe zbulimet arkeologjike i kanë konfirmuar këto informacione që u njoftuan 14 shekuj më parë.
Hamani dhe monumentet e Egjiptit të lashtë
Një nga personat që përmenden në kontekst të Faraonit është “Hamani”. Ai përmendet në gjashtë vende të ndryshme në Kuran, në të cilat informohemi se ai ishte një nga ndihmësit më të afërt të Faraonit. Çuditërisht emri “Haman” nuk është përmendur kurrë në ato pjesë të Testamentit të Vjetër që kanë lidhje me jetën e Pejgamberit Musa. Ky informacion në Kuran mbështetet nga zbulimet arkeologjike të bëra shekuj më vonë.
Deri në shekullin e 18-të, shkrimet dhe mbishkrimet e Egjiptit të Lashtë nuk kanë mundur të kuptoheshin. Sistemi i shkrimit të Egjiptit të Lashtë përbëhej më tepër nga hieroglifet apo pikturat e stilizuara sesa nga fjalët dhe ishte harruar shekuj më parë.
Në vitin 1799, sekreti i hieroglifeve të Egjiptit të Lashtë u zgjidh nga zbulimi i një tabele të quajtur “Guri Roseta”, që daton në vitin 196 p.e.s.
Nëpërmjet deshifrimit të hieroglifeve, u zbulua një pjesë e rëndësishme e dijes: Emri “Haman” përmendej vërtet në mbishkrimet egjiptiane. Mbishkrimi i njëjtë tregonte gjithashtu lidhjen e afërt midis Hamanit dhe Faraonit. Në fjalorin “Njerëzit në Mbretërinë e Re”, që u përgatit duke u bazuar mbi përmbledhjen e mbishkrimeve, Hamani thuhet të jetë “drejtuesi i punëtorëve të minierave të gurit”.
Ajeti në Kuran, që përshkruan ngjarjen ku Faraoni i kërkon Hamanit të ndërtojë një kullë, është në përputhje të plotë me këtë zbulim arkeologjik: “E Faraoni tha: “O ju pari, unë nuk njoh ndonjë zot tjetër për ju pos meje, andaj ti o Haman, m’i pjek (tullat) nga dheu e më ndërto një kullë të lartë, ndoshta do të arrijë ta shoh zotin e Musait, sepse unë mendoj se vërtet ai është gënjeshtar.” (El-Kasas, 38).
Zbulimi i emrit të Hamanit në mbishkrimet e lashta egjiptiane zbulon edhe një herë se Kurani u dërgua nga Zoti. Kurani na përçon në një mënyrë të mrekullueshme informacione historike që nuk kanë qenë të mundura që të zotëroheshin apo kuptoheshin në kohën e Pejgamberit a.s..
Vështirësitë që e munduan Faraonin dhe ata përreth tij
Faraoni dhe njerëzit e tij të afërt ishin aq të devotshëm ndaj sistemit të tyre politeist dhe besimeve pagane saqë as mesazhi i Pejgamberit Musa, i pajisur me dituri dhe mrekulli të jashtëzakonshme, nuk mundi t’i kthente nga supersticionet e tyre të pabaza. Ata madje e shpallën hapur këtë fakt. Për shkak të qëndrimit të tyre arrogant, Zoti u dërgoi atyre vështirësi, me qëllim që t’i ndëshkonte ata edhe në këtë botë. Kurani na rrëfen për këto: “Atëherë (për shkak të mohimit) Ne lëshuam kundër tyre: vërshimin, karkalecat, rriqrat, bretkosat dhe gjakun, fakte të qarta njëra pas tjetrës, po ata mbanin kokëfortësi sepse ishin popull mëkatarë.” (El-A‘raf, 133).
Ky njoftim kuranor për atë periudhë të historisë së njerëzimit është konfirmuar nga zbulimet e papiruseve të Ipueverit që i përkasin Mbretërisë së Mesme, në fillim të shekullit të 19-të. Hollësitë në papirus, që lidhen me katastrofat që e goditën popullin e Egjiptit, janë njëlloj me ato që përshkruhen në Kuran.“Murtaja është anembanë vendit. Gjaku është kudo... Vërtet, kjo ka shkatërruar çdo gjë të së djeshmes. Toka është lënë si copat e prera të fijeve të lirit... Egjipti i Poshtëm derdh lot... I tërë pallati është pa të ardhurat e tij... Vërtet, drithërat u prishën në çdo anë... Qytetet u shkatërruan. Egjipti i Sipërm u tha... Rezidenca u përmbys brenda një minute.”
Ruajtja e trupit të Faraonit
Sundimtari egjiptian, i njohur si Faraon, dhe oborri i tij i ishin përkushtuar së tepërmi sistemit të tyre politeist dhe besimeve idhujtare.
Në të vërtetë, sipas besimeve të tyre të shtrembëruara, Faraoni ishte vetë hyjnia!
Në këtë kohë, Zoti e dërgoi Pejgamberin Musa (paqja qoftë mbi të) te populli i tij, por e urdhëroi që në besim të thërriste edhe Faraonin dhe popullin e Egjiptit. Megjithatë Faraoni iu përgjigj me shpifje dhe kërcënime thirrjeve të Pejgamberit Musa për t’i besuar Zotit. Ky qëndrim arrogant zgjati derisa ai u përball me ndëshkimin e Zotit. Ai u përball me kërcënimin e vdekjes nëpërmjet përmbytjes. Gjendja e Faraonit, i cili iu kthye besimit në atë moment, është përshkruar me këto fjalë në ajetin në vijim: “Ne i kapërcyem Beni Israilët përtej detit, e Faraoni dhe ushtria e tij i ndoqi mizorisht dhe armiqësisht derisa e përfshiu atë përmbysja, e ai tha: “Besova se nuk ka zot tjetër pos Atij që i besuan Beni Israilët, edhe unë jam nga myslimanët!” (Junus, 90).
Por, ky besim në minutat e fundit nuk iu pranua: “Ti tani beson, ndërsa më parë kundërshtove dhe ishe njëri prej shkatërruesve! Sot po të shpëtojmë ty (po të nxjerrim prej detit) me trupin tënd (të vdekur), që të shërbesh si argument për ata që vijnë pas teje. Vërtet, ekziston një shumicë njerëzish që nuk hulumtojnë argumentet Tona.”(Junus, 91-92).
Informacioni se kufoma e Faraonit do të shërbente si një argument për gjeneratat e mëvonshme mund të vlerësohet si një tregues se trupi i tij nuk do të prishej. Trupi i Faraonit është në ekspozitën e Dhomës Mbretërore të Mumieve të Muzeut Egjiptian në Kajro. Pikërisht ashtu sikurse është shpallur 14 shekuj më parë...
Qyteti i Iramit
Në fillim të vitit 1990, në shkretëtirën arabe jugore në Oman, u bë një zbulim i rëndësishëm arkeologjik. Gjatë gërmimeve u nxor nga dheu qyteti i Iremit “Ubar”, 4.300 vjet i moçëm. Gërmimet nën dunat e rërës zbuluan një qytet të fortifikuar oktogonal, me përmasa të madha dhe me mure të trasha, dhjetë këmbë të larta dhe me tetë kulla të larta në qoshe. Arkeologët gjetën enë balte greke, romane dhe siriane, më e vjetra prej të cilave datonte më tepër se 4.000 vjet. Zbulimi i këtyre fakteve tregoi se ky qytet kishte qenë një qendër e rëndësishme tregtie, e ngjashme me Ubarin e legjendave. Një rezultat befasues i gërmimeve ishte se Ubari kishte përjetuar një fund katastrofik, ashtu siç e përshkruajnë legjendat. Sipas legjendës, Ubari u shkatërrua gjatë një katastrofe rreth vitit 100 e.s. dhe u gropos nga rëra. Dëshmitë tregojnë se qyteti u fundos në një gropë që u krijua për shkak të shembjes së një shpelle të nëndheshme gurësh gëlqerorë. Përpjekjet e mëparshme për ta gjetur Ubarin në dunat e Omanit kishin dështuar.
Ajo që e bën këtë zbulim arkeologjik veçanërisht tërheqës ishte fakti se ky qytet ishte vendi ku kishte jetuar populli Ad, i përmendur në Kuran. Ishte Nikolas Klap, një regjisor filmash dokumentarë dhe një lektor i arkeologjisë, që e gjeti këtë qytet të përmendur në Kuran.
Duke qenë një arabofil dhe një regjisor fitues filmash dokumentarë, Klap kishte hasur një libër tepër interesant gjatë kërkimit të tij për historinë arabe. Libri përmendte Ubarin, një qytet të lashtë dhe gjurmët që i përkisnin atij. Që t’i lehtësohej puna për gjetjen e këtyre gjurmëve, Klap kërkoi ndihmë nga NASA për të siguruar imazhet satelitore të rajonit. Ai vazhdoi të studionte dorëshkrimet dhe hartat e lashta në Bibliotekën Hantington në Kaliforni. Ai gjeti aty një hartë të vizatuar nga gjeografi greko-egjiptian Ptoleme, në vitin 200, e cila tregonte vendndodhjen e një qyteti të vjetër në rajon dhe udhët të cilat të çonin drejt këtij qyteti. Përveç kësaj, gjurmët në hartë korrespondonin me gjurmët në foto grafitë satelitore të marra nga NASA.
“A nuk e di ti se ç’bëri Zoti yt me Adin? Me banorët e Iremit me ndërtesa të larta? Që si ata nuk është krijuar askush në tokë!” (El-Fexhr, 6-8)/
Destinacioni final i këtyre gjurmëve ishte një vend i gjerë që kuptohet të ketë qenë dikur një qytet. Së fundi, u zbulua vendndodhja e këtij qyteti legjendar. Pas një periudhe të shkurtër, nisën gërmimet dhe filluan të dalin në dritë mbetjet e një qyteti të vjetër. Ishin këto rrënoja që përbënin dëshminë reale se ky qytet i lashtë ishte qyteti i popullit Ad, të përmendur në Kuran, sepse ndërmjet strukturave të zhvarrosura gjatë gërmimeve u gjetën shtylla. Kjo ishte pikërisht ashtu siç është shpallur në ajetet kuranore.
Qytetet e Sodomës dhe të Gomorrës
Pejgamberi Lut jetoi në të njëjtën kohë me pejgamberin Ibrahim (paqja qoftë mbi të dy). Ai u dërgua si pejgamber te fisi fqinj i pejgamberit Ibrahim. Ky fis, sikurse është shpallur në Kuran, praktikonte një perversion që nuk ishte parë kurrë më parë në botë: homoseksualizmin.
Kur pejgamberi Lut i tha popullit të tij që të hiqte dorë nga ky mëkat i madh, ata e kundërshtuan. Ata e mohuan dhe e refuzuan atë si pejgamber dhe vazhduan mënyrën e tyre të turpshme të jetesës. Si pasojë e kësaj, fisi u shkatërrua nga një fatkeqësi të tmerrshme: “Përkujto kur popullit të vet Luti i tha: “A punoni të shëmtuarën, që asnjë nga popujt e botës nuk e bëri para jush”. Vërtet, ju të shtyrë nga epshet u afroheni burrave duke i lënë gratë. Po ju jeni popull i shfrenuar.” (El-A‘raf, 80-81); “Ne lëshuam mbi ata një lloj shiu (me gurë). E shiko se si ishte fundi i kriminelëve!” (El-A‘raf, 84).
Qyteti i përmendur në Kuran, në të cilin kishte jetuar populli i Lutit dhe i cili ishte shkatërruar, u nxor në dritë gjatë gërmimeve arkeologjike të kohëve të fundit. Ky ishte qyteti i lashtë i Sodomës, sikurse quhet në Testamentin e Vjetër. Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar se qyteti gjendet afër Detit të Vdekur, në kufirin e sotëm izraelito-jordanez. Zona është e mbuluar nga shtresa të mëdha sulfuri.
Kjo është pika më e rëndësishme e dëshmisë, sepse sulfuri është një element që shfaqet si rezultat i shpërthimeve vullkanike. Në të vërtetë, në Kuran gjendet një shenjë se mënyra e shkatërrimit ishin tërmetet dhe shpërthimet vullkanike. Arkeologu gjerman, Werner Keller për këtë rajon thotë: “Bashkë me bazën e kësaj çarje të fuqishme, e cila kalon saktësisht përmes kësaj zone, Lugina e Sidimit, që përfshin Sodomën dhe Gomorrën, u zhyt një ditë në humnerë. Shkatërrimi i tyre ndodhi nëpërmjet një tërmeti të madh i cili, ka të ngjarë, të jetë shoqëruar me shpërthime, shkreptima, lëshime të gazit natyror dhe flakërima të përgjithshme...”
Në luginën e Jordanit, afër Bashanit, gjenden ende krateret e larta të vullkaneve të shuar, zgjatjet e mëdha të llavës dhe shtresat e thella të bazaltit që janë depozituar mbi sipërfaqen e gurit gëlqeror.
Këto shtresa të llavës dhe bazaltit janë dëshmia më e rëndësishme që tregon se dikur atje ka ndodhur një shpërthim vullkanik dhe tërmet. Liqeni i Lutit, i njohur ndryshe edhe si Deti i Vdekur, qëndron direkt sipër një rajoni aktiv sizmik; me fjalë të tjera, një brezi tërmetesh. E tërë hapësira në anën lindore të Detit të Vdekur, ku ndodheshin qytetet, është mbuluar më kripësira sulfurore dhe është vdekjeprurëse për botën bimore dhe atë shtazore. Ai është vendi skenik i rrënimit të plotë, që qëndron si simbol i përhershëm e rrënimit.
Populli i Sebes dhe përmbytja e Arimit
Komuniteti i Sebes ishte një nga katër civilizimet më të mëdha që jetonin në Arabinë Jugore. Me ndihmën e teknologjisë së përparuar për atë periudhë të veçantë, populli i Sebes kishte ndërtuar digën Ma’rib dhe zotëronte një kapacitet ujitjeje tepër të madh. Kjo i kishte pajisur ata me pasuri dhe mallra të shumta. Por në vend që ta falë nderonin Zotin për të gjitha këto, ata “u larguan nga Ai”. Përveç kësaj, ata refuzuan që t’ua vinin veshin qortimeve dhe paralajmërimeve që ua bënë atyre. Për shkak të këtyre vlerave të këqija morale, ata e merituan ndëshkimin e Zotit.
Në vitin 542, digat e tyre u shembën dhe përmbytja e Arimit i shkretoi të gjitha vendet e tyre. Vreshtat, pemishtet dhe fushat e kultivuara për qindra vjet nga populli i Sebes u shkatërruan plotësisht. Kjo përmbytje përshkruhet në Kuran: “Populli Sebe pati një begati në vendbanimin e vet: kishin nga të dy anët kopshte, nga ana e djathtë (e luginës) dhe nga ana e majtë. Hani (u thamë) nga begatitë e Zotit tuaj dhe falënderojuni Atij. Qytet i mirë dhe Zot mëkatfalës. Po ata i kthyen shpinën, e Ne e lëshuam kundër tyre rrjedhën e pendës dhe dy kopshtet e tyre i shndërruam në dy kopshte me fruta të ithët, drunj të thatë dhe diçka pak bari të egër. Atë dënim ua dhamë atyre për shkak se nuk besuan, e Ne nuk dënojmë, përveç mohuesit.” (Sebe, 15-17).
Ky fakt, i shpallur në Kuran, është në përputhje të plotë me zbulimet arkeologjike. Arkeologu i krishter, |Werner Keller, autor i librit “Bibla si histori”, pranon se përmbytja e Arimit ndodhi sipas përshkrimit të Kuranit dhe shkruan se ekzistenca e një dige të tillë dhe shkatërrimi i qytetit nëpërmjet shpërthimit të saj dëshmon vërtetësinë e shembullit të dhënë në Kuran.
____________________________
Literatura
1. Werner Keller, The Bible as History, Bantam, 1983.
2. Thomas H. Maugh II, Ubar, Fabled Lost City, Found by LA Teams, The Los Angeles Times, 1992.
3. George Ostrogorsky, History of the Byzantine State, Nju Bransvik: Rutgers University Press, 1969.
4. Percy Sykes, History of Persia, London, Macmillian& Co Ltd, 1963.
5. Nicholas Clapp, The Road to Ubar: Finding the Atlantis of the Sands, Mariner Books, 2021.
6. Mustafa Mlivo, Kurani përpara shkencës dhe civilizimit, Dituria Islame, Prishtinë, 2008
Mimoza Sinani