Nëse flasim për Pejgamberin tonë, atëherë emri i tij është Muhamed, i biri i Abdullahut. Emri i tij përmendet në vazhdimësi në “Ezan” dhe “Ikamet”, përmendet edhe gjatë namazit dhe në çdo moment. Ky është Pejgamberi ynë, i dashuri ynë.
Me rastin e udhëtimit të Israsë dhe Miraxhit, nën shoqërimin e Xhibrilit a.s., me një rast kur arritën në një vend të caktuar në qiell, Xhibri a.s. u ndal! Me këtë rast Pejgamberi a.s. habitshëm pyeti: kështu e braktis miku mikun? Ndërsa Xhibri a.s. i përgjigjet Pejgamberit a.s. duke i thënë: më vjen shumë keq që po të braktis dhe po ndihem shumë mërzitshëm që po ndahem prej teje, o i Dërguari i Zotit! Mirëpo çdo njëri prej nesh e kemi një vend të caktuar. Sikur të kaloja edhe një hap më tutje do të digjesha nga drita e të Madhërishmit. Ndërsa, ti o Muhamed, sikur të afrohesh, do t’i përbirosh dritat e bukurisë.
Me këtë rast i Dërguari i Allahut afrohet dhe paraqitet përpara madhërisë së Allahut xh.sh., me këtë rast ai e pyet Allahun xh.sh. duke i thënë: Zoti im:
Nëse Ibrahim e ke bërë mik
E Musait i ke folur
E Isait i ke dhuruar pjesë nga Vetja Jote
E Sulejmanit i ke dhënë mbretëri të fuqishme
E Idrisin e ke ngritur në një vend të largët,atëherë, cili është pozicioni im përballë këtyre pejgamberëve?
Këtë pyetje i Dërguari i Allahut e paraqet në formë shumë të edukuar! Atëherë Allahu xh.sh. i përgjigjet duke i thënë: Ti je në një vend në të cilin nuk është as ndonjë engjëll (melaqe) shumë i afërt, e as ndonjë pejgamberi i dërguar. Aty, janë vetëm Allahu dhe i Dërguari i Tij. Allahu xh.sh. vazhdon edhe më tutje duke i thënë të Dërguarit të Tij: o i Dërguari i Allahut, o Muhamed!
Nëse Ibrahimin a.s. e kam bërë mik, atëherë ti je i dashuri im. I dashuri është më i afërm sesa miku.
Nëse kam folur me Musanë a.s., atëherë duhet ta keni të qartë se me Musanë a.s. kam folur përmes perdes, ndërsa sot unë kam folur drejtpërdrejt me ty.
Nëse Isait a.s. i kam dhënë nga Vetja Ime, atëherë emrin tënd e kam ngjitur me emrin Tim, o i dashuri Im, prandaj askush nuk thotë: “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut” e të mos thotë edhe “Muhamedi është i dërguari i Allahut”.
Nëse Sulejmanit i kam dhënë mbretëri të madhe, ty të kam dhënë “Shtatë pjesët e Kuranit (Fatihanë)”, Kuranin e madhërishëm, kaptinën El Bekare, Ali Imran dhe En Nisa, prandaj, pasha madhërinë Time, o i dashuri Im, nëse dikush i lexon këto pjesë nga ymmeti yt, do t’ia fal mëkatet, edhe nëse ato janë sikur shkuma e detit.
Nëse Idrisin a.s. e kam ngritur në një vend të largët, atëherë dije se ai është në qiellin e katërt, ndërsa ti, o i dashuri Im, je në një vend ku nuk ka arritur askush para teje dhe nuk do të arrijë askush pas teje. Së këndejmi, ne si myslimanë, nuk e festojmë ditëlindjen e tij vetëm një herë gjatë vitit, mirëpo në realitet duhet ta festojmë çdo ditë lindjen e tij derisa të vdesim.
Gjatë leximit të Kuranit, vërejmë se Allahu xh.sh. diellin e ka cilësuar si “Ndriçues, i cili flakëron (Siraxhen-vehhaxhen)”, ndërsa Pejgamberi a.s. e ka cilësuar si “pishtar ndriçues (Siraxhen-muniren)”. Atëherë cili është dallimi mes ndriçuesit flakërues dhe pishtarit ndriçues?
Ndriçuesi flakërues shkakton dritë të fuqishme, e cila pas një kohe shuhet, ndërsa drita e Mustafasë asnjëherë nuk shuhet! Ndriçuesi flakërues, sa herë që afrohesh afër tij, rritet rrezikshmëria e djegies, ndërsa i Dërguari i Allahut, sa herë që afrohesh afër tij, në realitet, je afruar afër Zotit.
Ndriçuesi flakërues ndriçon dhe fiket, shfaqet gjatë ditës dhe shuhet gjatë natës. Ndërsa drita e Muhamed Mustafasë nuk shuhet deri në Ditën e Kiametit.
“E dijeni se në mesin tuaj e keni të Dërguarin e Allahut”, çdo ditë, çdo orë e çdo moment gjatë vitit.A nuk meriton ky i dërguar që të kujtohet në çdo moment. Ky pejgamberi, i cili Ditën e Kiametit do të ndërmjetësojë, atëherë kur Zoti do t’i drejtohet Xhibrilit a.s. duke i thënë: O Xhibril, ma sillni xhehenemin! Xhehenemi sillet dhe ai ka 70.000 frerë, çdo fre tërhiqet nga 70.000 melaqe. 49 miliardë melaqe e tërheqin xhehenemin deri aty ku urdhëron Zoti xh.sh..
Në këtë vend asnjëri nuk flet. Të gjithë janë të frikësuar nga ndëshkimi i Zotit, madje as pejgamberët nuk flasin përveç një fjale: O Zot, na shpëto na shpëto! Me këtë rast ngrihet Muhamed Mustafaja dhe thotë: o zjarr i fuqishëm! Kthehu prej nga ke ardhur, sepse ai e di fuqinë e tij. Me këtë rast zjarri thotë: largohu nga unë, o i Dërguari i Allahut. Nuk jam urdhëruar që të djeg ty e as ndonjërin prej shokëve të tu. Me këtë rast, vjen nga Zoti një zë, i cili thotë: o zjarr i fuqishëm, kthehu prej nga ke ardhur, mos ia kthe fjalën të dashurit tim! Me këtë rast, i Dërguari i Allahut bie në sexhde dhe nuk ngrihet derisa atë ta thërrasë Allahu xh.sh. e t’i thotë: Ngrihu, o i dashuri im, o Muhamed! A nuk ke qëndruar mjaft në sexhde, a nuk je falur mjaft?! Ngrihu dhe lutu, sepse do të gjesh përgjigje, ndërmjetëso se do të të mundësohet të ndërmjetësosh për të gjitha ata që kanë thënë: “La ilahe Il-laAllah Muhamedun resulullah – Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, Muhamedi është i Dërguari i Tij”
Ky pra është Pejgamberi ynë, i dashuri ynë, Muhamed Mustafaja, të cilin e rikujtojmë çdo ditë dhe çdo moment...
Mustafa Fethullah
Përktheu dhe përshtati nga gjuha arabe:
Mr. Vedat Shabani