Mrekullia e Israsë dhe Miraxhit

“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabesë) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhamedit), shikuesi (i punëve të Muhamedit).” (El Isra, 1)

Israja dhe Miraxhi, pas Kuranit, është një nga muxhizet më të dalluara të Pejgamberit a.s., e cila ngacmon logjikën e njeriut normal, që të meditoj më tepër rreth Krijuesit dhe fuqisë së Tij të pakufishme, ndërsa për besimtarin paraqet një stimulim për forcimin e besimit dhe ngritjen e shkallës së vetëdijes së tij fetare.
Udhëtimi i Israsë dhe Miraxhit është më i bukuri udhëtim që i ka ndodhur ndonjë njeriu – pejgamberi në historinë e njerëzimit. Nuk ka njeri pejgamber tjetër që është nderuar me një udhëtim të tillë, ashtu siç u nderua Pejgamberi Muhamed a.s..
Ky udhëtim ndodhi pasi që i Dërguari i Allahut përjetoi vuajtje dhe keqtrajtime prej më të ndryshmeve, por të cilat, i përballoi i palëkundur me durim dhe besim.

Israja dhe Miraxhi

Israja dhe Miraxhi janë dy ngjarje të rëndësishme të cilat i përjetoi Muhamedi a.s., brenda një pjese të natës. E para ka të bëjë me udhëtimin horizontal mbi sipërfaqen e tokës, e tjetra me ngritjen vertikale drejt qiellit. Pra, ngjarja ndahet në dy etapa të përjetimit:
E para, Israja ka të bëjë me udhëtimin, të cilin e bëri Muhamedi a.s., prej Qabesë, xhamisë së parë të vendosur mbi fytyrën e tokës me qëllim orientimi kah ajo, drejt xhamisë së largët, në Aksa të Jerusalemit, rrethinën e së cilës Zoti xh.sh., e bekoi, duke dërguar në atë vend shumë pejgamberë dhe duke e pasuruar me shumë begati.
Etapa e dytë, Miraxhi është fluturimi – ngritja e Muhamedit a.s., prej xhamisë Aksa në mbi të gjithë qiejt, deri në atë vend ku nuk ka shkelur këmba e njeriut, e as që ka fluturuar krah melaqeje. Deri aty ku edhe Xhibrili a.s., misionari i të gjithë të dërguarve të Zotit, të cilit iu besuan të gjitha shpalljet, nuk pati mundësi tjetër vetëm se të ndalet dhe të ngel prapa Muhamedit a.s.. E kur Muhamedi a.s., e pyeti “Pse më le vetëm?” Xhibrili i tha: “Ve ma minna il-la lehu mekamun ma’lum” – “S’ka kush prej nesh që nuk e ka të njohur vendin e tij.” Me këtë kuptohet se edhe Xhibrili a.s., melaqja kryesore, u ngurrua dhe nuk pati guxim e as leje që të shkonte atje ku shkoi Muhamedi a.s..(1)

E vërteta dhe mizoria

Allahu xh.sh., e kishte zgjedhur të Dërguarin e Tij, Muhamedin a.s., e i cili në mesin e popullit të vet shquhej për sinqeritet. Ai në mesin e tyre kishte jetuar dyzet vjet para se t’i vinte shpallja nga Allahu xh.sh.. Gjatë kësaj kohe, nuk mbahej mend të kishte gënjyer ndonjëherë ndokënd. Ai njihej me ofiqin “El emin” – besniku, dhe tek ai njerëzit i ruanin gjërat më të çmueshme që kishin. Jehona e zërit islam qe një goditje e fortë për parinë kurejshite. Ishte një tronditje e rëndë për ata. Kjo i bëri ata që ta luftonin këtë fe pa zgjedhur mjete e metoda. E para që ju ra ndërmend, ishte që t’i ofronin Pejgamberit a.s., çfarëdo që ai dëshironte nga të mirat e kësaj bote, vetëm e vetëm që të largohej nga thirrja që bënte. Kjo ngase, duke qenë ata robër të kësaj bote, mendonin se pasuria, pushteti, ndikimi etj., ishin qëllimet e Pejgamberit a.s..
Një ditë, Utbe, Shejbe, Ebu Sufjani, Ebu Xhehli, Umeje b. Halefi dhe disa nga fisnikët e kurejshitëve u mblodhën në një vend në Mekë. Ata nisën të bisedonin se si duhet të sillen me Muhamedin a.s., për t’ia tërhequr vërejtjen që ta ndalte thirrjen e tij. E lajmëruan atë se populli i tij dëshironte të bisedonte me të. Muhamedi a.s., dëshironte që populli i tij të udhëzohej, andaj edhe erdhi në atë takim dhe u ul pranë tyre. Kurejshët duke e fajësuar i thanë: “Askush prej arabëve deri më tani nuk ka bërë atë që ti po ia bën popullit tënd. Ti poshtërove etërit tanë, e qortove fenë tonë, e përbuze mendjen tonë, i ke fyer zotat tanë dhe e ke përçarë popullin. Ke bërë të gjithë të këqijat që mund të ekzistojnë.”
Pas këtyre fjalëve, ata i dhanë edhe disa rekomandime, duke i thënë: “Nëse e bën për të fituar pasuri, atëherë po të japim nga pasuria jonë që të bëhesh më i pasuri prej nesh.
Nëse e bën për famë e post, atëherë po të bëjmë udhëheqësin tonë. Nëse je i prekur nga xhinët, atëherë do të harxhojmë prej pasurisë sonë që të shërohesh ose do të justifikojmë për të.” Pas këtyre rekomandimeve, i Dërguari i Allahut bëri këtë sqarim:
“Prej këtyre gjërave që thatë, asnjëra nuk qëndron. Ajo që ju kam sjellë unë, nuk është për pasuri, e as nuk është që të fitoj epërsi ndaj jush. Nuk e kam dertin që të bëhem udhëheqësi juaj, sepse Allahu më ka dërguar si i Dërguari i Tij, ma ka dhënë librin e Tij që t’ju përgëzoj dhe t’ju ndaloj ju. Unë po përmbush atë që më është dhënë nga Zoti im dhe me ju jam sjellë me sinqeritet. Po që se e pranoni atë që e kam sjellë, ajo do t’ju takojë edhe juve. Në qoftë se më rezistoni dhe më kundërshtoni, unë do të duroj derisa Allahu të gjykojë mes nesh.”
Pas këtij qëndrimi të paluhatshëm të Pejgamberit a.s., idhujtarëve iu thyen shpresat, por ata prapë vazhduan me kërkesa e veprime të tjera, si: që ta lus Zotin që ta zgjeroj vendlindjen tonë, të rrjedhin lumenj në Siri e Irak, e shumë të tjera, me të vetmin qëllim që të fusnin dyshime te pasuesit e Muhamedit a.s.. Por, Pejgamberi a.s., iu tha se nuk jam dërguar për kërkesat tuaja, por që t’ua kumtoj librin e Zotit.(2)
Pasi që përpjekjet e jobesimtarëve kurejshitë nuk patën sukses, ata vendosën që të kërkonin një rrugë tjetër, atë të keqtrajtimit të gjithë atyre që e pasonin fenë e Muhamedit a.s., e të shkonin aq larg, deri në mbytje, se ndoshta frika nga zullumi do të ndikojë që ata të largohen nga thirrja e tij, dhe se ai, Muhamedi a.s., nuk do të gjejë askënd që do t’i besojë, kështu pandehnin ata.
Dhe mundimet filluan. Myslimanët nuk kishte kush t’i mbronte. Ata aso kohe ishin të pambrojtur e të paktë në numër, si dhe nuk kishin se ku të mbështeteshin, përveç se te Zoti i Madhëruar. Mirëpo, dhuna dhe terrori nuk ndikuan aspak te besimtarët, sa që asnjëri prej tyre nuk e braktisi besimin që kishin zgjedhur.
Përkundrazi, imani i tyre shtohej e shtohej dhe ata kapeshin edhe më fortë për fenë e tyre.

Kur ndodhi Israja dhe Miraxhi?

Ekzistojnë mendime të ndryshme rreth asaj se kur ka ndodhur Israja dhe Miraxhi, por ajo që dihet mirë është se kjo mrekulli ka ndodhur para shpërnguljes së të Dërguarit a.s., për në Medine. Sipas historianit të njohur, Ibën Sadit, kjo ka ndodhur muajin rexheb, diku tetëmbëdhjetë muaj para shpërnguljes.(4) Ndërsa, sipas Vehbi Sulejman Gavoçi, kjo mrekulli ka ndodhur në natën e 26 të muajit rexheb, në vitin e dhjetë të Islamit.(5)
Ngjarja e Israsë dhe Miraxhit konsiderohet ngjarje madhështore, ngase kjo për Muhamedin a.s., ishte shpërblim hyjnor, nga ajo që u sprovua me vuajtje, mundime dhe presione të ndryshme nga populli i tij kurejsh.
Kjo ndodhi madhështore zbuti
zemrën e Muhamedit a.s., pas bojkotit që mushrikët kurejshitë ua bënë myslimanëve dhe Pejgamberit të tyre për plot tri vjet, në shtegun e malit të Ebu Talibit. Gjatë atij bojkoti, Muhamedi a.s., së bashku me myslimanët vuajtën nga uria dhe nga ndalesa e gjërave shumë të domosdoshme.
Mrekullia e Israsë dhe Miraxhit shkëlqeu si qetësim dhe prehje shpirtërore, atëherë kur Muhamedi a.s., kishte më së tepërmi nevojë që të qëndronte i paepur në thirrjen e tij.
Atëherë kur Muhamedi a.s., humbi dy përkrahësit e tij më të mëdhenj, njërin të jashtëm e tjetrin të brendshëm, njërin jobesimtar, Ebu Talibin, e tjetrën besimtare, Hatixhen. Ebu Talibin e kishte mburojë para sulmeve dhe fyerjeve të idhujtarëve, në të, kishte mbrojtjen nga shtrëngatat që i vinin. Ndërsa, bashkëshortja e tij besnike, Hatixheja r.a., fuqishëm e përkrahu në thirrjen e tij, duke i dhënë kurajë dhe shpresë, se përkundër vuajtjeve dhe sakrificave, fjala e Allahu patjetër do të triumfojë, dhe se pranë saj, ai gjithmonë gjente prehjen dhe qetësinë e ngrohtë familjare.
Pas kësaj, pasoi edhe shkuarja në Taif, ku të Dërguarin a.s., e priti një zhgënjim tjetër, ngase banorët e Taifit nuk iu përgjigjen thirrjes së tij, por e mohuan atë dhe e gjakosën me gurë.
Mirëpo, Allahu xh.sh. të dashurin e Tij nuk e la vetëm dhe të dëshpëruar në këto çaste kaq dramatike dhe vendimtare, por e thirri atë në lartësinë qiellore, që me sytë e tij ta shihte madhështinë e tërë asaj që e ka krijuar i Gjithëfuqishmi, që t’i tregonte se Allahu ishte me të në çdo moment, se drita e Islamit do të përhapej me një shpejtësi të pabesueshme në tërë rruzullin tokësor, dhe se fjala e Allahut xh.sh., do të depërtonte qetësisht në zemrat e milionave besimtarëve të të gjitha racave dhe ngjyrave.(6)
Kjo mrekulli ndikoi te Muhamedi a.s., që t’i harronte vuajtjet, dhimbjet, brengat dhe lodhjet e tij, duke përfshirë edhe ato me të cilat do të ballafaqohej në të ardhmen, në rrugën e kryerjes së misionit dhe përhapjes së thirrjes së tij islame. Kur çdo lloj sprove dhe mundimi kishte arritur kulmin, me Isranë dhe Miraxhin, gjithashtu u përsos çdo lloj nderi dhe respekti për Muhamedin a.s.
Nga kjo mrekulli tokësore dhe qiellore, duket sikur Allahu xh.sh. donte t’i thoshte të Dërguarit të Tij, Muhamedit a.s., se nëse banorët e tokës të kanë refuzuar ty, dije se Zoti i tokës e i qiellit po të fton; nëse banorët e Taifit dhe kurejshitët kanë vendosur të të ndjekin dhe të të bëjnë presion, dije se banorët e qiellit kanë vendosur të të nderojnë dhe të të respektojnë. Sa nder i madh për Pejgamberin tonë, Muhamedin a.s., që të jetë mysafiri i parë, i vetmi dhe i fundit i Krijuesit të të gjitha botëve. Jo, nuk ka nder më të madh se ky që iu bë Pejgamberit tonë, Muhamedit a.s..(7)
Ky udhëtim u realizua që Muhamedit a.s., t’i bëhej e mundur shikimi i argumenteve të madhërisë së Allahut, shikimi i ngjarjeve e ndodhive të ndryshme, në të cilat manifestohej fuqia e Allahut xh.sh..
Pejgamberi a.s., ishte në Mekë dhe për ta përgatitur për udhëtim i erdhi Xhibrili a.s.. “Ai i solli Pejgamberit
tonë një kafshë shale, e cila ishte më e madhe se gomari dhe më e vogël se mushka, me emrin Burak, hapi i të cilit ishte aq sa nuk kishte mundësi ta shihte syri.”(8) Udhëtimi i shpejtë filloi prej Mesxhidi Haramit (Qabesë) në Mesxhidi Aksa, ku i fali dy rekate namaz, si imam i të gjithë pejgamberëve. Pas namazit, në shoqëri të Xhibrilit a.s., filloi të ngjitej drejt shtatë qiejve, ku është takuar me nga një pejgamber. Këto takime kanë kuptim të thellë edhe në aspektin personal edhe në atë të metodës së thirrjes, sepse përmbajnë më shumë domethënie se shprehjet. Kjo përvojë e përjetuar paraqet në formën më të bukur shoqërimin e pejgamberëve dhe marrjen e shpalljes nga Allahu xh.sh..
Pejgamberi a.s., kishte parë Xhenetin dhe Xhehenemin dhe peizazhet e tyre janë përdorur si mjet për edukimin islam. Transmetohet nga Ibën Abasi se: “Kur është lartësuar Pejgamberi a.s., në Miraxh, ka parë pejgamberë në praninë e së cilëve gjendeshin shumë njerëz, disa prej tyre ishin vetëm me disa njerëz, por kishte edhe prej pejgamberëve që nuk kishte askënd pas vetes. Në fund ai pa një turmë të madhe dhe pyeti se kush janë ata. I thanë se është Musai dhe populli i tij. Më pas i thanë: “Çoje kokën dhe shiko.” Kur e ngriti kokën, i Dërguari i Allahut a.s., pa një turmë të madhe që mbulonte tërë horizontin. I thanë: “Këta janë ymeti yt.”(9)
Gjithashtu, ai ka parë njerëz që gërvishtnin fytyrat dhe gjokset e tyre me thonj bakri. Kur ka pyetur se kush janë këta, i është thënë: “Këta janë ata që përgojojnë, që me anë të përgojimit të tyre ua hanë mishin të përgojuarve, dhe që shkelin nderin e njerëzve.”(10) Kur ka parë njerëz me stomakun e fryrë sa një shtëpi, ka pyetur se kush janë këta, e i është thënë se janë njerëzit që e kanë ngrënë kamatën. Pejgamberi a.s., pa edhe shumë gjëra të tjera.
Në fundin e këtij udhëtimi, i Dërguari i Allahut, në botën shpirtërore doli përpara madhërisë së Allahut xh.sh., ku mori disa urdhra
nga Ai dhe u largua me disa shpërblime. Abdullah bin Mesudi ka thënë: “Në ngjarjen e Israsë, të Dërguarit të Allahut i janë dhënë tri gjëra: pesë kohët e namazit, ajetet e fundit të sures El Bekare dhe falja e mëkateve të atyre që nuk bëjnë idhujtari.”(11) Namazi është prej shtyllave të Islamit, madje shtylla më e rëndësishme. Vlera e namazit shihet nga fakti se ai u bë farz në qiell, gjegjësisht në natën e Miraxhit. Së këndejmi, besimtarët duhet t’i kushtojnë kujdes maksimal namazit dhe nuk duhet ta lënë atë pas dore në asnjë mënyrë. Besimtarët në çdo namaz, në uljen e fundit, me leximin e etehijatit mundohen ta përjetojnë atë që e ka përjetuar i Dërguari i Allahut xh.sh..
Është e vërtetë se Miraxhi është lartësim, lartësim i robit në praninë e Allahut, dhe se nuk ka dyshim se robërit mund ta kryejnë këtë lartësim në jetën e tyre me atë me të cilën është i kënaqur Allahu i Lartmadhëruar, me anë të sinqeritetit (ihlasit) frikë respektit (takvasë), ibadetit dhe bindjes, e posaçërisht me namaz, ngase namazi është Miraxhi i besimtarit.
E tani le të krahasojmë udhëtimin në Taif me atë në Isra. Muhamedi a.s., shkoi në Taif në këmbë, ndërsa në Bejtul Makdis shkoi me Burakun.
Në Taif e kishte shoqërues shërbëtorin e tij, Zejd ibën Harithin r.a., ndërsa në Isra e shoqëroi Xhibrili a.s.. Në Taif u prit i tallur e i nënçmuar nga robërit dhe mendjelehtit, ndërsa në Miraxh u prit nga pejgamberët, të cilët, të rreshtuar e përshëndetën si është më së miri. Në Taif nuk e priti dhe nuk e përkrahu askush, ndërsa në Isra dhe Miraxh e mirëpriti Xhibrili a.s., dhe i tha të dilte imam i të gjithë pejgamberëve. Në Taif iu ngushtua toka dhe nuk kishte vend për të se ku të strehohej, ndërsa në udhëtimin e Israsë mikpritës i tij ishte qielli, me hapësira të pakufishme, ku ai u mirëprit nga banorët e tij, që ta kuptojnë pozitën e Pejgamberit tek Allahu xh.sh.. Në Taif askush nuk e pranoj profetësinë e tij, prej tij u kthye njëjtë sikurse hyri në të, ndërsa në udhëtimin e Israsë dhe Miraxhit, atij i besuan pejgamberët dhe dërgimin e tij e pranuan banorët e qiellit.
Në jetën e kësaj bote pati ngjarje e ndodhi të ndryshme. Përkujtimi ndaj disave përfundon me përfundimin e tyre. Disa harrohen sikur të mos kishin qenë fare, për arsye se në to nuk gjendeshin elemente të nevojshme për një përkujtim të përhershëm, nuk ishin aq të rëndësishme, nuk zgjuan ndonjë interesim të madh ose se kishin të bënin me ndonjë person jo të rëndësishëm. Kur mësojmë për këtë ngjarje, Isranë dhe Miraxhin, ne kemi të bëjmë me Muhamedin a.s., vulën e pegamberisë, me Xhibrilin a.s., bartësin e të gjitha shpalljeve.
Skenat në të cilën ndodhën këto ngjarje, Meka dhe Qabeja, Jerusalemi dhe xhamia Aksa, pastaj edhe qiejt e lartë deri në Sidretul Munteha, domosdo se ndikojnë në madhështinë dhe respektin e kësaj ngjarje, e cila mbetet në mendjet dhe zemrat tona.
E kulmimin e ndikimit në këtë ngjarje e zë namazi. E si të mos përkujtohet pastaj kjo ngjarje?!


____________________
1. Sherif Ahmeti, Komente dhe mendime Islame, Prishtinë, 1995. f.147.
2. Grup autorësh, Islami nëpërmjet haditheve v.7. Logos. A. f. 15,16.
3. Muhamed Muteveli esh Sharavi, Mrekullia e madhe Israja dhe Miraxhi, Prishtinë 2005. f. 28.
4. Bashkim Aliu, Mozaiku Islam, Shkup, 2014. f. 117.
5. Vehbi Sulejman Gavoçi, Pejgamberi Muhamed a.s., Jeta dhe vepra, Shkup,1994. f. 116.
6. Saimir Ruhi Bulku, Zemrat e ndriçuara, Shtëpia botuese “ albPaper” pa vit botimi, f. 320.
7. Mr. Samir B. Ahmeti. Muhamedi a.s. mëshirë për mbarë njerëzimin, Prishtinë, 2015. f.130, 131.
8. S.Muslim. Kap. Israja. H. 411.
9. S. Tirmidhi. H. 2446.
10. Ebu Davud. Kap.. Përgojimi. H. 4878.
11. S.Muslim. Kap. Sidretu el munteha.H.431.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme