Autoritetet në qytetin saudit të Medinës, kanë nisur një platformë shumëgjuhëshe që shërben si udhëzues për vizitorët rreth monumenteve të ndryshme të qytetit.
Platforma Medina, e cila mund të shkarkohet në telefonat inteligjentë, udhëzon pelegrinët dhe vizitorët në vendet kryesore, dyqanet, zanatet tradicionale dhe gatimet popullore në qytet që tërheq çdo vit mijëra muslimanë nga brenda dhe jashtë Arabisë Saudite.
E-platforma është krijuar për të pasuruar përvojën e vizitorëve dhe për të ofruar një udhëzues gjithëpërfshirës miqësor për përdoruesit për veçoritë kryesore të qytetit në gjashtë gjuhë. Përveç kësaj, platforma nxjerr në pah kalendarin vjetor të ngjarjeve që ndodhin në Medine.
“Platforma dhe aplikacionet e saj të ndryshme në mediat sociale synojnë të ndërtojnë një identitet të dalluar të Al Madinah Al Munawara (Medina) duke qenë një destinacion turistik dhe kulturor”, tha CEO i autoritetit të zhvillimit të qytetit Fahd bin Mohammed.
“Përdoruesit kanë akses në disa gjuhë dhe në një mënyrë tërheqëse dhe inovative, duke e bërë kështu platformën një shoqëruese të besueshme dhe dixhitale të vizitorëve dhe banorëve të qytetit,” shtoi ai.
Medina është e famshme për xhaminë e Profetit që strehon Al Rawda Al Sharifa, ku ndodhet varri i Profetit Muhamed a.s.. Pas kryerjes së Umres ose pelegrinazhit të vogël në Xhaminë e Madhe, vendi më i shenjtë i Islamit, në Mekë, shumë pelegrinë dynden në Medine për të falur namazin në xhaminë e Profetit dhe për të vizituar vende të tjera islame në qytet.
Më shumë se 280 milionë myslimanë kanë vizituar xhaminë e Profetit a.s. vitin e kaluar, sipas shifrave zyrtare. Arabia Saudite pret që rreth 10 milionë myslimanë nga jashtë të kryejnë Umren gjatë sezonit aktual që filloi më shumë se shtatë muaj më parë.